“Mësimi 148 – Vijimësia në Presidencë: Zgjedhur nga Zoti për të Udhëhequr Kishën”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Vijimësia në Presidencë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 148: Doktrina e Besëlidhje 135–136
Vijimësia në Presidencë
Zgjedhur nga Zoti për të Udhëhequr Kishën
Anëtarët e Kishës në kohën e Jozef Smithit nuk e kishin përjetuar kurrë vdekjen e një profeti. Martirizimi i Jozefit dhe Hajrëmit nuk ishte vetëm një kohë sfiduese emocionalisht, por edhe një kohë pështjellimi dhe pasigurie të mundshme se kush do ta udhëhiqte Kishën. Megjithatë, Zoti, kishte përgatitur një udhë që Kisha e Tij të vazhdonte nën udhëheqjen profetike. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit që t’iu shtohet siguria se Zoti vazhdon ta drejtojë punën e Tij edhe kur një profet vdes.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Një udhëheqës i ri i Kishës
Për ta filluar orën mësimore, merrni parasysh të tregoni skenarin vijues.
Imagjino sikur ke një shok që quhet Gabriel, i cili kohët e fundit iu bashkua Kishës me familjen e tij. Pasi largohet nga seminari një ditë, ai të bën disa pyetje rreth udhëheqjes së Kishës. Ai po vret mendjen se çfarë ndodh kur Presidenti i Kishës vdes dhe se si zgjidhet një profet i ri. Ai madje vret mendjen se si mund të jemi të sigurt që personi i duhur të jetë profeti.
-
Në një shkallë nga 1 deri në 5, ku 1 është e ulët dhe 5 është e lartë, sa i/e sigurt te vetja ndihesh për aftësinë tënde për t’iu përgjigjur pyetjes së Gabrielit?
-
Pse mendon se do të ishte e rëndësishme të kuptosh si funksionojnë ndryshimet e udhëheqjes në Kishë?
Nëse doni, mund t’i inkurajoni nxënësit të kërkojnë ndihmën e Frymës së Shenjtë në të mësuarit e tyre teksa studiojmë më shumë rreth modelit që ka vendosur Zoti për përzgjedhjen e atyre që e udhëheqin Kishën e Tij. Ftojini ata të kërkojnë zbulesë për arsyen pse është e rëndësishme që ata ta dinë këtë në këtë çast në jetën e tyre.
Kush do ta zinte vendin e Jozef Smithit?
Mund të jetë e dobishme që nxënësit të kuptojnë një pjesë të kontekstit që çoi në ndryshimin e parë të udhëheqjes në Kishë. Për ta bërë këtë, mund të përmblidhni ose lexoni sa vijon:
Në kohën e martirizimit të Jozef Smithit, anëtarët e Kishës nuk e kishin përjetuar kurrë vdekjen e një profeti. Krahas hidhërimit të pamasë prej vdekjes së Jozefit, disa ishin të pasigurt se si do të ecte përpara Kisha. Shumica e Apostujve ishin në lindje të Shteteve të Bashkuara duke shërbyer në misione kur dëgjuan për vdekjen e Jozefit dhe Hajrëmit. Pasi mësuan lajmin e trishtë, ata dhe misionarët e tjerë filluan të udhëtonin për t’u kthyer në Navu.
Në mungesë të Presidentit të Kishës, disa njerëz hodhën pretendime të ndryshme rreth asaj që duhej t’i ndodhte udhëheqjes së Kishës.
Merreni parasysh të ftoni tre nxënës të dalin përpara klasës. Mund ta vini çdo nxënës të lexojë një nga tre paragrafët vijues me zë të lartë. Për informacionin tuaj, tregimi i parë më poshtë i referohet Sidni Rigdonit. Tregimi i dytë është Brigam Jangu. Tregimi i tretë është Xhejms Strengu. Mos ua zbuloni ende emrat nxënësve.
Këshilltari i Parë në Presidencën e Parë tha se atij iu tha në një vegim se askush nuk mund të ishte pasuesi i Jozefit. Ai propozoi se ai vetë duhej të ishte “kujdestar” i Kishës.
Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve tha se Jozef Smithi ia dha autoritetin e Shpëtimtarit për të udhëhequr Kishën Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.
Një anëtar që ishte pagëzuar katër muaj përpara vdekjes së Jozefit, paraqiti një letër me nënshkrimin e Jozef Smithit që e caktonte atë si pasuesin e Jozefit.
-
Si mendon se do të kishe reaguar ndaj këtyre ngjarjeve po të kishe qenë një anëtar i Kishës gjatë kësaj kohe?
-
Çfarë shqetësimesh mund të kishe pasur për cilëndo nga pretendimet?
Një model i vendosur nga Zoti
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të kërkojnë shkrime të shenjta, thënie nga udhëheqësit e Kishës dhe burime të tjera të caktuara në mënyrë hyjnore për mënyrën se si mund të arrijmë të dimë se profeti është shërbëtori i zgjedhur i Zotit. Si pjesë e studimit të tyre, ftojini nxënësit të përdorin fletushkën vijuese për të mësuar se si shenjtorët pas Jozef Smithit arritën ta dinin se kë të ndiqnin:
Kë të Ndiqnin pas Jozef Smithit
Përpara vdekjes së tij, Profeti Jozef Smith i dha mësim sa vijon Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Vëllezër, … [n]jë ngjarje e rëndësishme është gati të ndodhë. Ndoshta armiqtë e mi do të më vrasin. Dhe në rast se do ta bëjnë, dhe çelësat dhe fuqia mbeten tek unë dhe nuk ua jap juve, ata do të humbasin nga toka. Por vetëm nëse unë ia arrij që t’i vendos ato mbi kokat tuaja, atëherë le të bie viktimë e duarve vrasëse nëse Perëndia do ta lejojë këtë dhe unë mund të shkoj me gjithë kënaqësi e përmbushje, duke e ditur se puna ime u krye dhe themeli u hodh mbi të cilin të mbështetet mbretëria e Perëndisë në këtë periudhë të plotësisë së kohëve.
Mbi shpatullat e Të Dymbëdhjetëve duhet të qëndrojë përgjegjësia e udhëheqjes së kësaj kishe që tani e tutje derisa të caktoni të tjerë që të vijnë pas jush.” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smithi [2009], f. 568–569)
Jozef Smithi gjithashtu dha mësim se Presidenca e Parë është i vetmi grup mbi Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, por kur vdes profeti, Presidenca e Parë shpërbëhet (shih te History, 1838–1856 [Manuscript History of the Church], volume B‑1, f. 691, josephsmithpapers.org).
-
Nga ajo që mësove, çfarë do të të ndihmonte që t’iu përgjigjeshe tre pretendimeve të bëra më herët?
-
Çfarë modeli vendosi Zoti për vazhdimësinë e udhëheqjes së Kishës së Tij kur profeti vdes?
Kur Brigam Jangu iu drejtua shenjtorëve në një mbledhje të madhe, shumë shënuan një përvojë të mrekullueshme dhe ndien një vërtetim nga Fryma e Shenjtë.
Presidenti Xhorxh Q. Kenon (1827–1901), i cili më vonë shërbeu në Presidencën e Parë, tregoi:
“Brigam Jangu … u ngrit dhe iu drejtua njerëzve. … Cili nga ata që qenë të pranishëm në atë rast, mund ta harrojë vallë përshtypjen që patën! Nëse Jozefi do të ishte ngritur nga vdekja dhe përsëri t’u fliste atyre, efekti nuk do të mund të kishte qenë më befasues nga sa qe për shumë të pranishëm në atë mbledhje. Qe vetë zëri i Jozefit; dhe jo vetëm qe zëri i Jozefit që u dëgjua; por në sytë e njerëzve u duk sikur qe vetë personi i Jozefit që qëndroi para tyre. Ne s’kemi dëgjuar kurrë një ndodhi më të mahnitshme dhe më të mrekullueshme sesa ajo që u plotësua atë ditë në prani të asaj bashkësie. Zoti i dha popullit të Tij një dëshmi që nuk la vend për dyshim se cili ishte njeriu që Ai kishte zgjedhur t’i drejtonte ata. Ata edhe panë edhe dëgjuan me sytë dhe veshët e tyre të natyrshëm dhe më pas fjalët të cilat u shqiptuan, iu shkuan, të ndjekura nga fuqia bindëse e Perëndisë, në zemër dhe ata u mbushën me Shpirtin dhe gëzim të madh. Kishte pasur zymtësi dhe, në disa zemra mbase, dyshim dhe pasiguri; por tani ishte e qartë për të gjithë që këtu ishte burri mbi të cilin Zoti kishte dhënë autoritetin e nevojshëm për të vepruar në mesin e tyre në vend të Jozefit” (George Q. Cannon, “Joseph Smith, the Prophet”, Juvenile Instructor, tetor 1870, f. 174–175).
Emili Smith Hojti, një anëtare e pranishme kur Brigam Jangu iu drejtua shenjtorëve, shënoi këtë:
“Mënyra e arsyetimit, shprehja e fytyrës, tingëllimi i zërit ma ngazëllyen tërë shpirtin. Sytë e mi e kishin parë trupin e vrarë të Jozefit. Vetë duart e mia, e kishin ndier ftohtësinë e akullt të vdekjes mbi ballin e tij fisnik. E dija se Jozefi ishte i vdekur. Dhe prapëseprapë, unë shpesh u befasova dhe pa dashje hodha vështrimin te podiumi që të shihja se mos ishte Jozefi. Nuk ishte, ishte Brigam Jangu dhe nëse ndokush e vë në dyshim të drejtën e Brigamit për të administruar punët për shenjtorët, gjithçka kam për të thënë është kjo. Merrni shpirtin e Perëndisë dhe merreni vesh vetë. Zoti do të kujdeset për të vetët” (Emily Smith Hoyt, në Lynne W. Jorgensen, “The Mantle of the Prophet Joseph Passes to Brother Brigham: A Collective Spiritual Witness”, BYU Studies, vëll. 36, nr. 4 [1996–1997], f. 164).
-
Po të ishe atje, si mund të kishte ndikuar kjo përvojë tek ti?
-
Si mund të lidhet Moroni 10:5 me atë që studiove?
Ftojini nxënësit të tregojnë se çfarë mësuan nga studimi i tyre. Sigurohuni që nxënësit të kuptojnë se kur vdes Presidenti i Kishës, Presidenca e Parë shpërbëhet dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve e udhëheq Kishën. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se Apostujt që shërbejnë në Presidencën e Parë, kthehen në vendin e tyre të vjetërsisë së shërbimit në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. Sigurohuni që nxënësit të kuptojnë gjithashtu që Apostulli i cili ka shërbyer më gjatë, është Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe, për pasojë, bëhet Presidenti i ardhshëm i Kishës.
Nxënësit mund të përcaktojnë edhe se nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ne mund të marrim një dëshmi se ata që e udhëheqin Kishën, janë thirrur nga Perëndia.
-
Çfarë mund të bëjmë, ose çfarë ke bërë ti, për të marrë një dëshmi shpirtërore se profeti ynë u zgjodh nga Zoti për ta udhëhequr Kishën e Tij?
Për ta mbyllur, merreni parasysh t’i lejoni nxënësit ta përdorin atë që kanë mësuar, për t’iu përgjigjur skenarit nga fillimi i mësimit. Një mënyrë për ta bërë këtë do të ishte t’i vini nxënësit të interpretojnë me role me partnerët. Si pjesë e përgjigjes, mund t’i inkurajoni nxënësit të përfshijnë dëshminë e tyre se profeti është udhëheqësi i zgjedhur i Zotit.