“Mësimi 142 – Ushtrimi 9 i Zotërimit Doktrinor: Mëso Përmendsh; Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Ushtrimi 9 i Zotërimit Doktrinor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 142: Doktrina e Besëlidhje 129–132
Ushtrimi 9 i Zotërimit Doktrinor
Mëso Përmendsh; Marrja e Njohurisë Shpirtërore
Zotërimi doktrinor mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndërtojnë themelin për jetën e tyre mbi Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ky mësim do t’u japë nxënësve mundësi për të ushtruar mësimin përmendsh të referencave të fragmenteve të zotërimit doktrinor dhe frazave kyç të shkrimit të shenjtë që i shoqërojnë. Ai do t’i ndihmojë ata gjithashtu t’i mësojnë dhe zbatojnë parimet hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përsëritja e zotërimit doktrinor: Mëso përmendsh
Merreni parasysh të paraqitni një kanë uji bosh dhe disa gota që janë plot me ujë. Mbushini gotat me ujë. Ftojeni një nxënës të thotë cilëndo nga referencat e shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor dhe frazat kyç të shkrimeve të shenjta që ai ose ajo ka mësuar përmendsh. Për çdo fragment të thënë përmendsh, nxënësi mund të derdhë njërën nga gotat me ujë brenda në kanë.
-
Si mendon se mund t’i ngjajë të mësuarit përmendsh të shkrimeve të shenjta një rezerve me ujë për kohë nevoje?
-
Cilat janë situatat ku do të doje të kishe në dispozicion shkrime të shenjta të mësuara përmendsh për t’iu referuar?
Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të kërkojnë në kujtimet e tyre një rast kur u ka ardhur një shkrim i shenjtë në mendje. Ndoshta u erdhën në mendje fjalë specifike të një vargu ose një mësim i përgjithshëm. Ftojini nxënësit të japin përvojat e tyre.
Vini në dukje se, ndërsa familjarizohemi me fragmentet në shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë mund të na i sjellë ato në mendje në kohë nevoje (shihni te Gjoni 14:26). Bëjuani të ditur nxënësve se sot do të shpenzoni ca kohë për t’u familjarizuar më shumë me disa fragmente të zotërimit doktrinor. Në vijim është një mënyrë për ta bërë këtë gjë. Ide për të mësuarit përmendsh gjenden në shtojcë nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.
Veprimtari për të mësuar përmendsh
Vendosni se cilat fragmente të zotërimit doktrinor do të donit t’i përsëriste klasa. Kjo veprimtari do të funksiononte më së miri duke përdorur dy deri në katër fragmente.
Shpërndajini çdo nxënësi një letër bosh. Ftojini ata ta shkruajnë secilin nga fragmentet e zotërimit doktrinor dhe frazave kyç në letër. Më pas ftojini të presin më vete çdo fjalë për një referencë dhe frazë kyç. Nxënësit më pas mund t’i përziejnë copat dhe t’i vënë prapë në rendin e duhur. Pasi të mund ta përmbushin atë detyrë lehtësisht, ftojini ata ta përsëritin procesin me fragmentin dhe frazën kyç të radhës. Nëse i mësojnë fragmentet dhe frazat kyç aq mirë sa duhet, ata mund t’i përziejnë të gjitha copat nga fragmentet dhe frazat e ndryshme kyç dhe të përpiqen t’i vënë prapë në rendin e duhur.
Përndryshe, mund t’i ftoni nxënësit të përdorin programin Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] për të punuar për të mësuarit përmendsh.
Nëse keni kohë të mjaftueshme, mund t’i ftoni disa nxënës të dalin përpara klasës dhe të thonë një fragment të mësuar përmendsh dhe një frazë kyç dhe të hedhin një gotë me ujë në kanë.
Kujdesuni që veprimtaria e të mësuarit përmendsh të zgjatë vetëm 10–15 minuta për të lënë kohë të mjaftueshme për zbatimin e ushtrimit të zotërimit doktrinor më vonë në mësim.
Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore
Nëse ndieni që nxënësit kanë nevojë t’i përsëritin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore, shpenzoni ca kohë për të përsëritur paragrafët 5–12 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Veprimtaritë e sugjeruara për përsëritje përfshihen në shtojcën “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.
Ftojini nxënësit të zgjedhin të ndjekin skenarët vijues ose një skenar tjetër që krijoni ju, i cili ua plotëson nevojat nxënësve tuaj. Pasi nxënësit të zgjedhin një skenar, diskutoni pse një njeri mund të ndihet kështu. Bërja e kësaj mund të ndihmojë që skenarët t’iu duken më realë nxënësve.
Ju mund edhe t’i merrni parasysh temat e skenarit alternativ në pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” në fund të këtij mësimi.
Skenari 1: Imagjino që ke një shok që nuk është i sigurt për t’u martuar në tempull. Ai mendon se martesa në tempull kërkon shumë dhe është një zotim i madh. Ai shqetësohet për të gjitha pritshmëritë që kjo vë mbi të.
Skenari 2: Një shoqe të pyet: “A është vërtet e nevojshme martesa në tempull? A nuk mjafton që një çift të martohet ligjërisht nëse vërtet e duan njëri‑tjetrin?”
Për t’i ndihmuar nxënësit të marrin përgjegjësi për të mësuarit e tyre, jepuni ca kohë për t’u menduar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Cili parim i marrjes së njohurisë shpirtërore mendon se do të ishte më i dobishmi? Përse?
-
Cili fragment i zotërimit doktrinor mund të ishte i dobishëm?
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për të përgatitur përgjigjet, merreni parasysh t’i ndani në grupe të vogla. Mund të jetë e dobishme të caktoni një udhëheqës grupi për të ndërmjetësuar diskutimin. Udhëheqësi mund të vendosë kush do të flasë i pari ose rendin në të cilin do të diskutohen parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Ftojini grupet t’i japin dhe diskutojnë përgjigjet e tyre për pyetjet e mëparshme. Jepuni grupeve kohë të mjaftueshme që të flasë çdo anëtar.
Më pas mund t’i ftoni grupet të përcaktojnë ndonjë prej parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore që nuk u zgjodh, dhe të diskutojnë se si ato parime mund të gjejnë zbatim gjithashtu për skenarët.
Ndërveproni me grupet që ta matni aftësinë e tyre për t’i diskutuar parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Sipas nevojës, përdorini pyetjet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të kenë një diskutim kuptimplotë.
Veproni me besim
-
Si mund të kërkojë një njeri ndihmë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti nëse ka dyshime, shqetësime ose pyetje rreth martesës në tempull?
-
Çfarë mund të bëjë tjetër me besim te Jezu Krishti një njeri që ka shqetësime rreth martesës në tempull?
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm
-
Çfarë di për Atin Qiellor dhe planin e Tij të shpëtimit që mund të ndihmojë për skenarin?
-
Si mund të ndikojë një martesë në tempull në jetën e një njeriu tani dhe në përjetësi?
Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore
-
Si mund të ndihmojë doktrina që jepet mësim te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4, për skenarin që zgjodhe?
-
Çfarë shkrimesh të shenjta ose thënie të tjera nga profetët mund të ndihmojnë? (Për shembull, Doktrina e Besëlidhje 132:19; 1 Korintasve 11:11; Zanafilla 2:24.) (Mund të kërkosh edhe fjalët “Martesë e Përjetshme” te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].)
-
Cilat burime informacioni mund të jenë duke ndikuar në hamendësimet e këtij njeriu?
Ndihmojini nxënësit që ta vlerësojnë përvojën e tyre me përdorimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Pyetjet vijuese mund të jenë të dobishme:
-
Si të ndihmuan parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore që të reagoje ndaj skenarit?
-
Çfarë sfidash hase ndërsa u përpoqe t’i vije në zbatim parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për skenarët?
-
Çfarë ke mësuar apo ndier për martesën e përjetshme që mendon se është e rëndësishme t’i mbash mend?