“Mësimi 139 – Doktrina e Besëlidhje 130: Mësimdhënia e Ungjillit të Shpëtimtarit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 130”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
Mësimi 139: Doktrina e Besëlidhje 129–132
Doktrina e Besëlidhje 130
Mësimdhënia e Ungjillit të Shpëtimtarit
Ungjilli mund të jepet mësim me efektshmëri në mbledhje të mëdha ose në grumbullime të vogla dhe të afërta. Shpëtimtari i përdori të dyja metodat gjatë shërbesës së Tij, siç bëri Profeti Jozef Smith. Teksti te Doktrina e Besëlidhje 130 përmban disa nga mësimet e Profetit ndaj një grumbullimi të vogël shenjtorësh që jetonin në Remus, Ilinois. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të ushtrojnë elementet e mësimdhënies të doktrinës së Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Veprimtaritë vijuese të të mësuarit janë hartuar për t’i ndihmuar nxënësit të japin pjesë të ndryshme të mësimit. Nëse do të parapëlqenit që nxënësit të mos japin mësim, drejtohuni në pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” për ide mësimdhënieje që mund t’i përdorni.
Jezu Krishti, Kryemësuesi
Për ta filluar orën mësimore, merreni parasysh të paraqitni një figurë të Jezu Krishtit duke u dhënë mësim njerëzve dhe ftojini nxënësit të përfytyrojnë se si mund të kishte qenë të ishe atje. Merreni parasysh të bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë mund të kishe menduar ose ndier po të kishe qenë i pranishëm ndërkohë që Jezusi jepte mësim?
-
Çfarë mendon se e bën Shpëtimtarin një mësues kaq të efektshëm?
Shpjego se, si anëtarë të Kishës së Shpëtimtarit, ne kemi mundësi të shumta për ta dhënë mësim ungjillin e Tij. Ju mund të paraqitni edhe mesazhin vijues nga Presidenca e Parë rreth mësimdhënies:
“Të dashur vëllezër e motra,
Çfarë mundësie të lavdishme keni që ta jepni mësim ungjillin e Jezu Krishtit! Pavarësisht nëse keni apo jo një thirrje të veçantë për të dhënë mësim, ju jeni një mësues/e. Si një dishepull/e i/e Mësuesit Mjeshtër, Jezu Krishtit, ju keni mundësi ta përhapni dritën e Tij kudo që shkoni – në shtëpi, në kishë, teksa u jepni shërbesë të tjerëve dhe mes miqve tuaj. Të japësh mësim ungjillin është një mirëbesim i shenjtë. Është një pjesë thelbësore e punës së Zotit dhe ajo funksionon më së miri kur e bëjmë atë sipas mënyrës së Tij.” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë [2022], f. 1)
-
Cilat janë disa mundësi që kanë adoleshentët për të dhënë mësim dhe për të dëshmuar për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij?
Shpjegojuni nxënësve se ata do të kenë mundësinë që të përgatitin një mësim të shkurtër nga disa prej mësimeve te Doktrina e Besëlidhje 130 dhe të ushtrojnë dhënien e mësimit të tyre ndaj të tjerëve. Nëse planifikoni që t’i vini nxënësit t’i japin mësim gjithë klasës, ky do të ishte një rast i mirë për t’i siguruar ata se nuk do t’ia kërkoni këtë dikujt që nuk është i gatshëm ta bëjë.
Përpara se nxënësit të fillojnë të përgatitin mësimet, merreni parasysh të jepni informacionin vijues për sfondin historik.
Më 2 prill 1843, Profeti Jozef Smith u takua me shenjtorët në Remus të Ilinoisit, që ishte rreth 32 kilometra larg Navusë. Jozefi dha mësim të vërteta të ndryshme të ungjillit, përfshirë hollësi rreth Kreut‑Perëndi, rëndësisë së marrjes së njohurisë në këtë jetë dhe mënyrës se si mund të marrim bekime nga Perëndia. Mësimet e Profetit shënohen te Doktrina e Besëlidhje 130.
Përgatituni të jepni mësim
Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për të dhënë mësim, shpërndani fletushkën e titulluar “Mësimdhënia e të Vërtetave nga Doktrina e Besëlidhje 130”. Ftojini anëtarët e klasës të ndjekin hapat e përgatitjes së mësimit si udhërrëfim. Duke qenë se Doktrina e Besëlidhje 130:22–23 është një fragment i zotërimit doktrinor, mund të jetë e nevojshme t’u kërkoni disa nxënësve të punojnë për atë temë për t’u siguruar që ato vargje të jepen gjatë mësimit.
Ndërsa nxënësit punojnë, lëvizni nëpër klasë dhe ndihmojini sipas nevojës. Mund të jepni disa sugjerime rreth gjërave që ata mund të përdorin për t’i ndihmuar të tjerët të marrin pjesë aktivisht. Këto mund të përfshijnë pyetjet për diskutim, mjetet pamore, sendet, të treguarit e përvojave vetjake ose ushtrimet me shkrim.
Mësimdhënia e të Vërtetave nga Doktrina e Besëlidhje 130
Përgatitja e mësimit:
Hapi 1: Zgjidh një nga temat e studimit më poshtë dhe studioji burimet e dhëna. Kushtoju vëmendje mendimeve, ideve dhe mbresave nga Fryma e Shenjtë rreth asaj që po lexon. Mund të gjesh edhe burime të tjera për ta thelluar kuptueshmërinë tënde për temën që zgjodhe.
Hapi 2: Krijo një përvijim mësimi pesë deri në shtatë minuta të gjatë, për temën që zgjodhe. Merre parasysh t’i përdorësh disa nga pyetjet vijuese për të të ndihmuar të përgatitesh:
-
Si mund ose duhet të ndikojnë këtë të vërteta te marrëdhënia jonë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
-
Si mund t’i përdor shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve për t’i ndihmuar të tjerët ta kuptojnë më mirë këtë temë?
-
Çfarë mund të bëj për t’i ndihmuar të tjerët të angazhohen në mësim dhe të jenë pjesëmarrës aktivë?
-
Çfarë përvojash mund të tregoj ose për çfarë mund të dëshmoj?
-
Çfarë mund të bëj për t’i ndihmuar të tjerët ta zbatojnë këtë temë në jetën e tyre?
Temat dhe burimet për studim:
Mundësia 1: Njohuria dhe inteligjenca ngrihen me ne në Ringjallje.
Burime për t’u studiuar:
Doktrina e Besëlidhje 130:18–19; shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 88:118; 93:36
Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Nëse përsiatim thjesht çfarë do të jetë ajo që do të ngrihet me ne në ringjallje, duket e qartë që inteligjenca jonë do të ngrihet me ne, domethënë jo thjesht aftësia jonë e inteligjencës, por edhe aftësia jonë për ta marrë dhe për ta zbatuar të vërtetën. Talentet, cilësitë dhe aftësitë tona do të ngrihen me ne; sigurisht edhe aftësia jonë për të mësuar, shkalla jonë e vetëdisiplinës dhe aftësia jonë për të punuar.” (Neal A. Maxwell, We Will Prove Them Herewith [1982], f. 12)
Mundësia 2: Ne marrim bekime nga Perëndia prej bindjes ndaj ligjeve të Tij.
Burime për t’u studiuar:
Doktrina e Besëlidhje 130:20–21; shih edhe te Gjoni 7:17; Doktrina e Besëlidhje 82:10
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Nëse dëshironi një bekim të caktuar, do të bënit mirë të zbulonit se cilat janë ligjet që e qeverisin atë bekim, dhe më pas të punoni për t’u bërë të bindur ndaj atyre ligjeve”. (Russell M. Nelson, “The Mission and Ministry of the Savior: A Discussion with Elder Russell M. Nelson”, Ensign, qershor 2005, f. 19)
Mundësia 3: Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë trupa prej mishi dhe kockash. Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit.
Burime për t’u studiuar:
Doktrina e Besëlidhje 130:22–23; shih edhe te Mateu 3:13–17; Veprat e Apostujve 7:55–56
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Ne besojmë në këta tre persona të shenjtë që përbëjnë Kreun‑Perëndi dhe janë të bashkuar në qëllim, në sjellje, në dëshmi dhe në mision. Ne besojmë që Ata janë të mbushur me të njëjtën ndjesi të perëndishme mëshire dhe dashurie, drejtësie dhe mirësie, durimi, faljeje dhe shëlbimi. Unë mendoj se është e saktë të thuash se ne besojmë që Ata janë një në çdo aspekt të rëndësishëm dhe të përjetshëm që përfytyrohet, përjashtuar besimin që Ata të jenë tre persona të bashkuar në një substancë. … Ne deklarojmë se vetëkuptohet nga shkrimet e shenjta se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë persona të veçantë, tri qenie hyjnore.” (Xhefri R. Holland, “I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”, Liahona, nëntor 2007, f. 40–41)
Përvoja e mësimdhënies
Përçojuani nxënësve se kontributet e tyre vlerësohen: Ndërsa nxënësit japin mësimet që përgatitën, ndihmojini ata të dinë se kontributet e tyre në mësim vlerësohen dhe çmohen. Për më shumë praktikë me këtë, shihni trajnimin e titulluar “Tregoni se i vlerësoni studentët [nxënësit] përpara se të komentojnë apo kur ngrenë dorën për të komentuar” që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Duajini Njerëzit të Cilëve u Jepni Mësim.
Pasi t’u keni dhënë kohë nxënësve për të përgatitur një përvijim mësimi, merreni parasysh të ftoni disa që t’i japin mësimet përpara klasës. Mund edhe t’i organizoni nxënësit në grupe të vogla dhe ata mund të ndërrohen duke i dhënë mësim njëri‑tjetrit. Gjatë paraqitjeve të nxënësve, inkurajojini anëtarët e klasës që të tregojnë respekt dhe të angazhohen plotësisht në procesin e të mësuarit. Nëse ndonjë nxënës ka siklet për të dhënë mësim në seminar ose nëse mbaron koha përpara se t’u jepet të gjithëve një mundësi, inkurajojeni atë të provojë ta japë mësimin në shtëpi, në një mjedis të kishës ose t’ia japë një shoku ose shoqeje. Për ta mbyllur, merreni parasysh të bëni pyetje të tilla si ato në vijim:
-
Çfarë mësuat rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që mund t’ju ndihmojë për rrethanat tuaja të tanishme?
-
Çfarë mësuat sot rreth mësimdhënies së ungjillit të Shpëtimtarit?
-
Si mund t’ju sjellë dobi tani dhe në të ardhmen shfrytëzimi i mundësive për ta dhënë mësim ungjillin e Jezu Krishtit?
Doktrina e Besëlidhje 130:22–23 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Mësoni Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë te Doktrina e Besëlidhje 130:22–23 dhe përsëritini ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për këtë fragment është: “Ati ka një trup prej mishi e kockash … ; Biri gjithashtu; por Fryma e Shenjtë … është një personazh i Shpirtit”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.