Seminari
Mësimi 103 – Doktrina e Besëlidhje 88:117–141: Kërkoni të Mësoni me Anë të Studimit dhe të Besimit


“Mësimi 103 – Doktrina e Besëlidhje 88:117–141: Kërkoni të Mësoni me Anë të Studimit dhe të Besimit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 88:117–141”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 103: Doktrina e Besëlidhje 88

Doktrina e Besëlidhje 88:76–80, 117–141

Kërkoni të Mësoni me Anë të Studimit dhe të Besimit

dhoma e sipërme e dyqanit të Njull K. Uitnit

Në këtë pjesë të seksionit te Doktrina e Besëlidhje 88, Zoti zbuloi parimet e të mësuarit dhe i urdhëroi Jozef Smithin dhe të tjerët të organizonin Shkollën e Profetëve. Ata që merrnin pjesë në shkollë, duhej të kërkonin urtësi “nga librat më të mirë” dhe të mësonin së bashku “me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë me anë të besimit te Jezu Krishti në mjedise të ndryshme.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ati Qiellor dëshiron që unë të mësoj

Për ta nisur mësimin, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë lëndët e tyre të parapëlqyera në shkollë ose të përshkruajnë shkurtimisht një temë rreth së cilës u pëlqen të mësojnë. Nëse është e nevojshme, shpjegoni se arsimimi laik i referohet të mësuarit që nuk është i lidhur me fenë.

  • Përse mund të jetë e rëndësishme të fitojmë si njohuri laike ashtu edhe njohuri shpirtërore gjatë gjithë jetës sonë?

  • Si mund të jetë të mësuarit e lëndëve shkollore si matematika ose dituria e natyrës i ndryshëm nga studimi i ungjillit të Jezu Krishtit? Si mund të jetë ai i njëjtë?

Në janar të vitit 1833, Jozef Smithi dhe mbajtës të tjerë të priftërisë që jetonin në Kirtland të Ohajos, ndoqën udhëzimet e Zotit për të organizuar një shkollë të quajtur Shkolla e Profetëve. Gjatë dimrit të vitit 1833, anëtarët e shkollës u takuan në dhomën e sipërme në dyqanin e Njull K. Uitnit. Më vonë, ata u takuan në zyrën e Kishës për botimet dhe në Tempullin e Kirtlandit. Lexo te Doktrina e Besëlidhje 88:77–80, duke kërkuar atë çfarë Zoti i urdhëroi këta mbajtës të priftërisë që të studionin.

Ju mund të shkruani lëndë në tabelë si gjeologjia, historia, astronomia, politika dhe gjeografia dhe t’i vini nxënësit të përcaktojnë fjalët ose frazat që u referohen këtyre lëndëve.

  • Çfarë zbulove?

  • Sipas vargut 80, përse i udhëzoi Zoti këta burra që të studionin një gamë kaq të gjerë lëndësh?

  • Në ç’mënyra mund të na ndihmojë të mësuarit e këtyre gjërave që të përgatitemi për t’i shërbyer Zotit?

Tregojuni nxënësve se pjesa tjetër e mësimit do të përqendrohet te parimet e të mësuarit që mund ta forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti dhe t’i përgatitin ata për t’i shërbyer më mirë Atij. Nëse dëshironi, mund t’i ftoni nxënësit të kërkojnë zbulesë vetjake rreth asaj që mund të bëjnë për t’u rritur në vetë besimin dhe të mësuarit e tyre.

Kërkoni të mësoni me anë të studimit dhe të besimit

ikona e zotërimit doktrinorDoktrina e Besëlidhje 88:118 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 88:118, për të parë se si Zoti na fton të kërkojmë të mësojmë.

Pasi nxënësit të kërkojnë në fragmentin e shkrimit të shenjtë, ftojini ata ta tregojnë atë që zbuloi Zoti rreth të mësuarit. Përgjigjet mund të përfshijnë të kërkuarit me zell, të mësuarit e njëri-tjetrit, të kërkuarit e urtësisë nga librat më të mirë dhe të kërkuarit që të mësojmë me anë të studimit dhe të besimit.

  • Çfarë na mëson ky varg rreth të mësuarit?

  • Çfarë mund të mësojmë rreth mënyrës se si ta rritim besimin tonë te Jezu Krishti?

Sipas nevojës, mund të përmendi se në fillim të vargut 118 Zoti tregoi se pati disa veta që u mungonte besimi. Ju mund t’i ftoni gjithashtu nxënësit të tregojnë udhëzimet e qarta që dha Zoti për t’i ndihmuar ata që u mungonte besimi.

Sa vijon është një mënyrë për të formuluar një parim që mund të mësojmë nga këto vargje: Nëse kërkojmë me zell të mësojmë me anë të studimit dhe të besimit, besimi ynë te Jezu Krishti do të rritet.

  • Krahas të mësuarit me zell me anë të studimit tonë, çfarë mendon se do të thotë të mësosh me anë të besimit?

Merreni parasysh të paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë të mësosh me anë të besimit. Mund të shihni gjithashtu materialin filmik “Përqafojeni të Ardhmen me Besim” nga kodi kohor 10:28 deri në 11:20.

16:24

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Zoti na mësoi se si ta rritim besimin tonë duke kërkuar ‘të mëso[jmë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit’ [Doktrina e Besëlidhje 88:118; theksimi i shtuar]. Ne e forcojmë besimin tonë në Jezu Krisht ndërsa përpiqemi fort t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe ‘gjithmonë [e] kujtoj[m]ë atë’ [Moroni 4:3]. Për më tepër, besimi ynë rritet çdo herë që ushtrojmë besimin tonë në Të. Kjo është domethënia e të mësuarit me anë të besimit.

Për shembull, kurdo që kemi besimin të jemi të bindur ndaj ligjeve të Perëndisë – edhe kur opinionet e përhapura na nënçmojnë – ose sa herë i rezistojmë argëtimit ose ideologjive që përlëvdojnë shkeljen e besëlidhjeve, ne po ushtrojmë besimin tonë, i cili nga ana tjetër e rrit besimin tonë.” (Rasëll M. Nelson, “Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Liahona, nëntor 2020, f. 75)

  • Çfarë mësove nga thënia e Presidentit Nelson?

  • Si mendon se të mësuarit me anë të besimit mund të gjejë zbatim në një mori mundësish për të mësuar (si shtëpia, shkolla, seminari dhe kisha)?

Për t’i ndihmuar nxënësit t’i vlerësojnë përpjekjet e tyre të tanishme për të kërkuar që të mësojnë me anë të besimit, merreni parasysh t’i ftoni ata t’i renditin kategoritë vijuese në ditarët e tyre të studimit ndërkohë që i shkruajnë ato në tabelë: shtëpia, shkolla, seminari dhe kisha. Nxitini nxënësit t’i vlerësojnë përpjekjet e tyre për të mësuar me zell me anë të besimit në secilën kategori duke përdorur një shkallë nga 1 deri në 5, ku 5 është më e mira.

Nëse është e nevojshme, kujtojuni atyre se pjesë e të kuptuarit për të mësuar me anë të studimit dhe të besimit, është të përfshihen në mënyrë aktive në mundësitë për të mësuar dhe më pas të veprojnë sipas gjërave që mësojnë dhe ndiejnë. Ftojini nxënësit të përzgjedhin një fushë ku do të donin të përmirësoheshin dhe ta studiojnë pjesën e mbetur të mësimit duke pasur atë fushë në mendje.

“Organizoni veten tuaj”

adoleshent duke hapur një çantë shkolle

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 88:119–126, duke kërkuar këshillë nga Zoti që mund ta rritë aftësinë tonë për të mësuar me anë të studimit dhe të besimit.

Ju mund të sillni një çantë shkolle dhe të përgatitni disa copa letre që nxënësit t’i përdorin në grupe të vogla. Ndërsa nxënësit studiojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 88:119–126, ftojini ata të shkruajnë në copa letre të ndara mësimet nga Zoti që mund t’i ndihmojnë ata të mësojnë me anë të besimit. Nxënësit mund të renditin qëndrimet dhe sjelljet që nxit Zoti dhe ato që duhet t’i shmangim. Kur të mbarojnë, nxënësit mund t’i vendosin copat e letrave në çantën e shkollës.

  • Cili prej këtyre qëndrimeve ose sjelljeve ka ndikuar në aftësinë tënde për të mësuar?

  • Cilin nga këto qëndrime ose sjellje ndien mbresën nga Shpirti ta provosh?

Kërkojuni nxënësve të mendojnë për pengesa të ndryshme ndaj të mësuarit me anë të besimit me të cilat mund të përballen adoleshentët në mjedise të ndryshme (shtëpi, shkollë, seminar dhe kishë). Renditini idetë e tyre nën secilën kategori. Ftojini nxënësit të përzgjedhin copa letre nga çanta e shkollës. Nxënësit mund ta lexojnë më pas atë që është shkruar dhe të drejtojnë një diskutim lidhur me mënyrën se si këshilla e Zotit mund ta ndihmojë dikë ta kapërcejë njërën nga sfidat e të mësuarit. Ju mund t’i ftoni gjithashtu nxënësit të mendojnë për mënyrat se si Shpëtimtari e mishëroi këtë këshillë.

Për shembull, nxënësit mund të përcaktojnë një sfidë si studimi për provimet e shkollës ose marrja e përgjigjeve për lutje të caktuara. Nëse nga çanta do të zgjidhej një letër mbi të cilën shkruhet ngrini një shtëpi agjërimi, nxënësit mund të diskutojnë idetë dhe përvojat mbi mënyrën se si agjërimi dhe lutja mund ta rritin aftësinë e tyre për të mësuar dhe për t’i dalluar më mirë përgjigjet nga Zoti. Nëse do t’u kërkonit nxënësve të mendonin për një shembull të mënyrës se si Shpëtimtari e mishëroi të mësuarit nëpërmjet agjërimit, ata mund të kujtojnë se si Ai agjëroi për t’u përgatitur për punën dhe shërbesën e Tij (shihni te Mateu 4:1–10). Përsëriteni veprimtarinë shumë herë për t’i ndihmuar nxënësit ta dallojnë rëndësinë e mësimeve të Jezu Krishtit në jetën e tyre.

Zbatimi në planin personal

Për ta përmbyllur, jepuni kohë nxënësve për të përsiatur mënyrat se si ata do të kërkojnë më mirë të mësojnë me anë të besimit. Ju mund t’i nxitni ata t’i shënojnë mendimet e tyre në ditarët e tyre të studimit duke përdorur nxitjet vijuese.

  • Përzgjidh një fushë të jetës sate ku mund t’i përmirësosh përpjekjet e tua për të mësuar me anë të besimit (si shtëpia, shkolla, seminari dhe kisha).

  • Si mendon se të mësuarit me anë të besimit mund të të ndihmojë në këtë fushë?

  • Çfarë do të përpiqesh fort të bësh për të mësuar me anë të besimit te Jezu Krishti?

Ftojini nxënësit e gatshëm t’i tregojnë disa nga idetë e tyre. Kjo mund të jetë koha e duhur edhe për të ftuar dëshminë e nxënësve nga ata që kanë përjetuar suksese në të kaluarën.