“Mësimi 102 – Doktrina e Besëlidhje 88:51–95: ‘M’u Afroni Pranë dhe Unë do të Afrohem Pranë Jush’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 88:51–95”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 102: Doktrina e Besëlidhje 88
Doktrina e Besëlidhje 88:51–95
“M’u Afroni Pranë dhe Unë do të Afrohem Pranë Jush”
Në këtë pjesë të kapitullit te Doktrina e Besëlidhje 88, Jezu Krishti zbuloi mënyrën se si Ai i qeveris krijimet e Tij dhe na fton të afrohemi pranë Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të marrin bekimet e afrimit pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Marrëdhëniet e Ngushta
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke hapur një diskutim rreth zhvillimit të marrëdhënieve të ngushta. Ju mund ta ftoni secilin nxënës të shkruajë në tabelë emrin e dikujt me të cilin ndihet më i/e lidhur. Kërkojuni disa nxënësve të tregojnë pse e zgjodhën atë person.
Ju mund të bëni pyetje që ndjekin ecurinë, si të mëposhtmet:
-
Çfarë e bën të ngushtë një marrëdhënie ndërmjet dy njerëzve? Çfarë krijon largësi?
-
Çfarë mund të bënit për të rikrijuar një marrëdhënie të ngushtë me dikë nga i cili jeni larguar?
Te Doktrina e Besëlidhje 88, Shpëtimtari përshkroi fuqinë e Tij që i qeveris krijimet e Tij (shih vargjet 41–45). Ai dha mësim se kur ne shohim yjet dhe planetët në qiej, ne kemi “parë Perëndinë duke lëvizur në madhështinë dhe fuqinë e tij” (Doktrina e Besëlidhje 88:47). Më pas Jezu Krishti dha një shëmbëlltyrë për të dhënë mësim rreth marrëdhënies së Perëndisë me krijimet e Tij. Ajo na mëson se Perëndia ka krijuar shumë botë të banuara nga fëmijët e Tij dhe se Ai e viziton secilën prej tyre. Zoti i urdhëroi miqtë e Tij ta thërrisnin Atë sa ishte afër tyre (shih vargjet 51–62).
“M’u afroni pranë”
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 88:63, duke kërkuar atë që na fton Jezu Krishti të bëjmë.
-
Cilat ftesa të duken ty vetë kuptimplota?
-
Çfarë parimesh mund të përcaktosh nga këto ftesa?
Nxënësit mund të përcaktojnë një sërë parimesh, për shembull, ndërsa afrohem pranë Jezu Krishtit, Ai do të afrohet pranë meje. Nëse dëshironi, mund të vini në dukje se ndërsa i afrohemi pranë Jezu Krishtit, ne i afrohemi pranë edhe Atit Qiellor.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë këtë parim, ju mund të diskutoni se si ilustrohet ai në shëmbëlltyrë. Disa nga pyetjet vijuese mund të ndihmojnë gjithashtu:
-
Si do ta përshkruaje se çfarë do të thotë të afrohesh pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Në ç’mënyra mendon se Ata na afrohen pranë?
-
Cilat janë disa arsye përse dikush mund të dojë të ndihet pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Jepuni nxënësve një mundësi për të reflektuar se sa afër Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndihen ata. Ju mund t’i ftoni ata të shkruajnë “Ati Qiellor dhe Jezu Krishti” në një faqe në ditarët e tyre të studimit. Më pas kërkojuni nxënësve të vizatojnë një figurë që i përfaqëson vetë ata. Nxënësit mund të reflektojnë për rastet kur janë ndier pranë Perëndisë dhe Birit të Tij dhe çfarë i ndihmoi ata të ndiheshin në këtë mënyrë. Nxënësit mund të reflektojnë gjithashtu se sa afër ndihen aktualisht me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Kujtojuni nxënësve se nëse ndihemi të largët nga Zoti, ne mund të ndërmarrim veprime për ta ndryshuar situatën tonë. Ftojini nxënësit të reflektojnë për nevojat që kanë dhe se si do të bekoheshin nëse do të ishin më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Nxitini nxënësit të kërkojnë zbulesë vetjake për të ditur se çfarë mund të bëjnë për t’u afruar më pranë Tyre.
Ftesat dhe bekimet
Nxënësit mund ta plotësojnë tabelën vijuese në dërrasë ose në ditarët e tyre të studimit. Sipas nevojës, ndihmojini nxënësit të kuptojnë fraza të ndryshme te Doktrina e Besëlidhje 88:63–69. Për shembull, ju mund ta qartësoni vargun 65 duke shpjeguar se ne nuk duhet të kemi motive të papërshtatshme, as të kërkojmë të përmbushim dëshirat sipas botës kur lutemi. Ju mund t’i ndihmoni nxënësit të kuptojnë se fjala e domosdoshme te vargjet 64–65 do të thotë e përshtatshme ose e duhur.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 88:63–69 dhe plotësoje tabelën vijuese:
|
Mënyrat për t’u Afruar pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit |
Bekimet nga Afrimi pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit |
|---|---|
Një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit të përfshihen me këto vargje, është ta ftoni një nxënës të mbajë një figurë të Shpëtimtarit përpara klasës. Kërkojini një nxënësi tjetër të qëndrojë në fund të klasës.
Ndërsa nxënësit e tregojnë atë që gjetën, nxënësi në fund të klasës mund të afrohet më pranë nxënësit që mban figurën e Shpëtimtarit. Edhe nxënësi që mban figurën e Shpëtimtarit mund të afrohet.
Ju mund të përdorni disa nga thëniet te pjesa “Burime Shtesë” për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë mënyrat për t’u afruar pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
Pyetjet vijuese mund t’ju ndihmojnë ta diskutoni atë që gjetën nxënësit në vargjet që lexuan:
-
Si mendon se ndërmarrja e këtyre veprimeve mund të të ndihmojë të afrohesh pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Si mund të ndikojnë këto bekime në marrëdhënien tënde me Ta?
Plani im
Merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Mënyra se si e Dëgjoj Unë Atë: Plaku Dejll G. Renland #DëgjojeAtë” (3:00). Kërkojuni nxënësve të kërkojnë atë që na jep mësim Plaku Renland rreth afrimit pranë Jezu Krishtit. Diskutojeni atë që mësuan nxënësit nga përvoja e tij.
Ftesa ndaj nxënësve që t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit, mund t’i përgatitë ata të shprehen në klasë. Ju mund të tregoni edhe një përvojë vetjake rreth asaj që keni bërë për t’u afruar pranë Jezu Krishtit dhe se si e keni ndier Atë të afrohet pranë jush.
-
Si po përpiqesh fort të afrohesh pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Si je bekuar ti ose dikush që ti njeh, për përpjekjen e fortë për t’u afruar pranë Tyre?
Ftojini nxënësit t’i kërkojnë Frymës së Shenjtë që t’i drejtojë ata të dinë se çfarë mund të bëjnë për t’u afruar pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Kujtojuni nxënësve se ata mund të kenë marrë tashmë nxitje gjatë mësimit.
Nxënësit mund të shkruajnë se si do të përpiqen fort për t’u afruar pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, se si kjo mund t’i ndihmojë ata në sfidat me të cilat po përballen dhe çdo pengesë që mund t’u nevojitet ta kapërcejnë. Nxënësit mund të shkruajnë në vizatimet e tyre ose të bëjnë një shënim që do ta çojnë në shtëpi.
Nxitini nxënësit t’ia tregojnë Atit Qiellor në lutjet e tyre atë që planifikojnë të bëjnë dhe të kërkojnë ndihmën e Tij.