Seminari
Mësimi 30: Ushtrimi 2 i Zotërimit Doktrinor: Kuptueshmëria dhe Marrja e Njohurisë Shpirtërore


“Ushtrimi 2 i Zotërimit Doktrinor: Kuptueshmëria dhe Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Ushtrimi 2 i Zotërimit Doktrinor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 30: Doktrina e Besëlidhje 18

Ushtrimi 2 i Zotërimit Doktrinor

Kuptueshmëria dhe Marrja e Njohurisë Shpirtërore

e re duke reflektuar mendueshëm sikur të kërkonte zbulesë

Zotërimi doktrinor mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndërtojnë themelin për jetën e tyre mbi Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ky mësim do t’u japë nxënësve mundësi për ta ushtruar zotërimin e fragmenteve të zotërimit doktrinor dhe doktrinës që ata japin mësim, si edhe të mësuarit dhe zbatimin e parimeve hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përsëritja e zotërimit doktrinor: Kupto

Veprimtaria vijuese u jep nxënësve një mundësi për ta thelluar kuptueshmërinë e tyre për një ose më shumë fragmente të zotërimit doktrinor. Kjo veprimtari duhet të zgjatë vetëm 10–15 minuta për të dhënë kohë të mjaftueshme për zbatimin e ushtrimit të zotërimit doktrinor më vonë në mësim.

Merreni parasysh ta luani një këngë ose himn dhe t’i ftoni nxënësit t’i ngrenë duart nëse e dallojnë atë. Më pas ftojini ata që i dinë disa nga fjalët, t’i ngrenë duart. Në fund, ftojini nxënësit që e kuptojnë se për çfarë bën fjalë kënga, t’i ngrenë duart dhe ta tregojnë se për çfarë bën fjalë.

  • Cili është ndryshimi ndërmjet dallimit, dijenisë dhe kuptueshmërisë?

  • Në ç’mënyra mund ta dallojmë ose dimë diçka pa e kuptuar atë?

  • Si mund të zbatohet kjo në zotërimin doktrinor?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shikojnë fragmentet e zotërimit doktrinor dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Vërini ata ta përzgjedhin njërin që do të donin ta kuptonin më mirë. Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre.

Imagjino sikur është dikush që ka vërtet nevojë për mesazhin që përmban fragmenti që zgjodhe. Megjithatë, ti ke vetëm 30 sekonda për t’ia shpjeguar atij kuptimin e fragmentit. Shpenzoji pak minutat e ardhshme për ta kuptuar më mirë përmbajtjen e fragmentit.

Merre parasysh t’i përdorësh disa nga strategjitë vijuese:

  • Lexoje vargun me ngadalë.

  • Kërkoji fjalët ose frazat që nuk i kupton.

  • Lexoje kreun e pjesës për të mësuar rrethanat që lidhen me fragmentin.

  • Shikoji poshtëshënimet.

  • Përdori burimet te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Pas një kohe të mjaftueshme, ndajini nxënësit në grupe ose dyshe. Nxënësit mund të tregojnë më pas përmbledhjet e tyre 30-sekondëshe të fragmentit të zotërimit doktrinor që zgjodhën.

Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore

Nëse është e nevojshme, ftojini nxënësit t’i përsëritin shkurtimisht parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore (shihni paragrafët 5–12 te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor [2023]). Veprimtaritë e sugjeruara për përsëritje përfshihen në shtojcë nën kreun “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.

Pasi nxënësit t’i kenë përsëritur parimet, merreni parasysh ta paraqitni skenarin vijues. Mund t’u kërkoni nxënësve të mendojnë për më shumë hollësi të veçanta për t’i ndihmuar ta bëjnë skenarin të ketë më shumë lidhje me jetën e tyre. Për shembull, ata mund të përcaktojnë se çfarë vendimi po mundohet të marrë Ervisa (siç është nëse ajo duhet ta përfundojë një miqësi, si të përballet me një shqetësim doktrinor, ose nëse duhet të shërbejë në një mision).

Ervisa duhet të marrë një vendim të rëndësishëm. Ajo e kupton se ky vendim mund të ketë një ndikim madhor në jetën e saj dhe dëshiron të kërkojë drejtimin e Perëndisë nëpërmjet zbulesës. Ervisa është lutur për udhërrëfim, por nuk ka ndier sikur e mori një përgjigje. Ajo pyet veten nëse po e kërkon zbulesën në mënyrën e duhur.

  • Si mund t’i përdorë Ervisa parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për ta ndihmuar të kuptojë se si të marrë zbulesë?

Nëse nxënësit janë të sigurt në kuptueshmërinë e tre parimeve nga ana e tyre, lejojini ata ta përcaktojnë se cilin parim do ta zbatonin të parin po të ishin Ervisa. Nëse nuk janë të sigurt se ku të fillojnë, mund të përdorni sugjerimet më poshtë. Bëni më të mirën për t’i ndihmuar nxënësit ta eksplorojnë secilin parim si pjesë të këtij diskutimi.

Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

Lexoje paragrafin 8 nën kreun “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023), duke kërkuar ide rreth të ftuarit të udhërrëfimit të Atit Qiellor kur merr një vendim sfidues.

  • Si mund ta shqyrtojë Ervisa zgjedhjen e saj në kontekstin e planit të shpëtimit?

  • Si mundet të shikuarit e zgjedhjes me një këndvështrim të përjetshëm të ndihmojë të ftohet zbulesë?

Vepro me besim

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta lexojnë dhe diskutojnë sa vijon në dyshe ose grupe të vogla.

Lexoji paragrafët 5 dhe 7 nën kreun “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023), duke kërkuar të vërtetat që mund ta ndihmojnë Ervisën të kërkojë dhe marrë zbulesë nga Ati Qiellor.

  • Përse mund të ndihet Ervisa sikur nuk ka marrë zbulesë? (Vër re çfarë mund të jetë e dobishme te paragrafi 7 që Ervisa ta kuptojë.)

  • Cilat janë disa mënyra se si Ervisa mund të veprojë me besim për të marrë zbulesë?

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

  • Cilat janë disa burime të caktuara në mënyrë hyjnore që Ervisa mund t’i studiojë për ta kuptuar më mirë se si ta kërkojë, marrë ose dallojë zbulesën?

    Nëse është e nevojshme, referojini nxënësit te zëri “Zbulesë” tek Udhëzuesi për shkrimet e Shenjta.

    Nxënësve mund t’u duken të dobishme edhe shkrimet e shenjta vijuese: Joseph Smith – Historia 1:11–14, 29; Doktrina e Besëlidhje 6:14–16, 22–24; 8:1–3; 9:8–9; 11:12–13. Pasi të studiojnë, nxënësit mund të lexojnë citatet që gjetën dhe të tregojnë përse mendojnë se do të ishin të dobishëm.

    Nëse është e dobishme, krijoni tri kolona në tabelë dhe renditni njërën prej këtyre frazave në krye të secilës kolonë: Kërko Zbulesë, Merr Zbulesë dhe Dallo Zbulesë. Ndërsa nxënësit e tregojnë çfarë gjetën, ftojini ata t’i shkruajnë idetë e tyre nën njërin ose më shumë prej këtyre krerëve. Nëse një kolonë ka më pak ide, pyetini nxënësit se çfarë mësuan që mund t’i ndihmojë për atë pjesë të zbulesës.

  • Çfarë tjetër ke mësuar ose ndier rreth marrjes së zbulesës, që mund t’ia tregosh Ervisës?

Jepuni nxënësve mundësi për të bërë pyetje ose treguar përvojat që kanë pasur. Ndërsa i tregojnë, vazhdoni t’i theksoni parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Mund ta bëni këtë duke vënë në dukje mënyrat se si i zbatuan parimet te përvojat e tyre ose duke i ftuar të ushtrojnë përdorimin e parimeve ndërsa kërkojnë përgjigje për pyetjet. Mbani mend që nuk është nevoja t’i dini përgjigjet për secilën pyetje që ata do të bëjnë. Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u tha një herë mësuesve: “Është përsosurisht e drejtë të thoni ‘Nuk e di’. Sidoqoftë, pasi kjo është thënë, ju keni një përgjegjësi për të gjetur përgjigjet më të mira të mundshme për pyetje të menduara që bëjnë studentët tuaj” (“Mundësitë dhe Përgjegjësitë e Mësuesve të SAK-ut në Shekullin e 21-të” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës, 26 shkurt 2016], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).