Seminari
Mësimi 27: Doktrina e Besëlidhje 18:1–13: “Kujtoni që Vlera e Shpirtrave Është e Madhe në Sytë e Perëndisë”


“Doktrina e Besëlidhje 18:1–13: ‘Kujtoni që Vlera e Shpirtrave Është e Madhe në Sytë e Perëndisë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 18:1–13”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 27: Doktrina e Besëlidhje 18

Doktrina e Besëlidhje 18:1–13

“Kujtoni që Vlera e Shpirtrave Është e Madhe në Sytë e Perëndisë”

Jezusi me fëmijë të botës

Si përgjigje ndaj udhëheqësve të hershëm të Kishës që kërkonin vullnetin e Zotit për mënyrën se si ta ndërtonin Kishën e Tij, Zoti iu dha Jozef Smithit, Oliver Kaudërit dhe Dejvid Uitmerit një zbulesë që është e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 18. Zoti u dha këtyre burrave mësim të vërteta të rëndësishme rreth vlerës së shpirtrave tanë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë se vlera e shpirtrave të tyre është e madhe në sytë e Perëndisë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Vlera jonë

Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke shkruar thënien e papërfunduar vijuese në tabelë. Ftojini nxënësit të sjellin ide realiste për ta përfunduar atë. Pyetini ata se përse mund të ndihen të rinjtë në këtë mënyrë.

Në botën ku jetojmë, ne mund të ndihemi të tunduar ose nën presion për ta bazuar vlerën tonë te/tek _______________.

Përndryshe, mund t’i shkruani fjalët vijuese në tabelë: Pamja, Arritjet dhe Zotërimet. Pyetini nxënësit përse disa të rinj mund të ndihen të tunduar ose nën presion për ta bazuar vlerën e tyre në këto gjëra. Pyetini se çfarë gjërash të tjera mund të ndihen të rinjtë të tunduar t’i përdorin si bazë për vlerën e tyre.

Ndalu një çast për të përsiatur se si ndihesh rreth vlerës tënde vetjake dhe përse. Ku priresh ta bazosh vlerën tënde? Ndërsa studion sot, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë ta ndiesh vlerën tënde në sytë e Perëndisë.

Zoti jep mësim rreth vlerës së shpirtrave

Përmbledhja vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë kontekstin për vargjet që do të studiojnë te Doktrina e Besëlidhje 18.

Në qershor 1829, Jozef Smithi, Oliver Kaudëri dhe Dejvid Uitmeri morën një zbulesë të njohur si Doktrina e Besëlidhje 18. Zbulesa kishte të bënte me thirrjen e dymbëdhjetë Apostujve në ditët e fundit dhe ndërtimin e Kishës. Përveç këtyre udhëzimeve, Zoti i tregoi Oliverit dhe Dejvidit të vërteta të fuqishme rreth vlerës sonë.

ikona e zotërimit doktrinor Doktrina e Besëlidhje 18:10–11 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 18:9–13 për të parë çfarë dha mësim Zoti rreth vlerës sonë për Të.

  • Çfarë të pëlqeu apo mësove nga këto vargje?

Ndërsa nxënësit përgjigjen, shkruajini në tabelë të vërtetat që ata zbuluan. Këto janë disa të vërteta që ata mund të përcaktojnë:

Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë.

Vlera ime është kaq e madhe, saqë Jezusi ishte i gatshëm të vuante dhe të vdiste që unë të mund të pendohem.

Mund të jetë e dobishme të dini se mësimi i radhës (“Doktrina e Besëlidhje 18:11–16”) përqendrohet më shumë në gëzimin që ndien Shpëtimtari kur ne pendohemi.

  • Si e tregojnë vuajtjet e Shpëtimtarit dhe vdekja e Tij për ne vlerën tonë për Të?

  • Si mund të na ndikojë po ta bazojmë vlerën tonë në dashurinë e Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit për ne dhe jo në etiketat e kësaj bote?

Thelloje kuptueshmërinë tënde

ikona e fletushkësPër t’i ndihmuar nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për të vërtetat nga Doktrina e Besëlidhje 18:10–11, merreni parasysh t’u jepni atyre kopje të fletushkës shoqëruese dhe t’i ftoni të plotësojnë një ose më shumë mundësi studimi. Paraqitini këto mundësi ose jepini ato si një fletushkë.

Të kujtuarit e vlerës sonë për Perëndinë

Zgjidhe njërën ose të dyja mundësitë vijuese për të të ndihmuar ta kuptosh dhe vlerësosh më mirë vlerën tënde për Perëndinë.

Mundësia 1: Studio rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe përsiat për dashurinë e Tij për ty. Mund të lexosh disa nga vargjet vijuese: Isaia 53:3–5; Lluka 22:41–44; Gjoni 3:16–17; 1 Korintasve 6:11, 19–20; Alma 7:7, 10–13. Mund të gjesh gjithashtu vargje të ndryshme për t’i studiuar.

Merre parasysh t’i mbash shënim referencat-kryq që dëshiron t’i kujtosh. Mund t’i shënosh ato në shkrimet e tua të shenjta pranë vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 18:10–11, t’i shkruash në ditarin tënd të studimit ose të përdorësh programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për të krijuar etiketa ose lidhje.

Mundësia 2: Studioje atë që kanë dhënë mësim udhëheqësit e Kishës rreth vlerës sonë për Perëndinë. Përdore programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose burime të tjera për të gjetur thënie ose biseda që kanë lidhje. Mund të kërkosh terma si “vlerë” ose “dashuria e Perëndisë” për të të ndihmuar t’i gjesh burimet. Thënia vijuese nga Motra Xhoi D. Xhons, ish-Presidente e Përgjithshme e Fillores, është një shembull i asaj se çfarë mund të gjesh.

Motra Xhoi D. Xhons

“Më lejoni të theksoj nevojën për të bërë dallimin midis dy fjalëve të rëndësishme: vlerë [shpirtërore] dhe denjësi. Ato nuk janë njësoj. Vlerë shpirtërore do të thotë ta vlerësosh veten sipas mënyrës që na vlerëson Ati Qiellor, jo siç na vlerëson bota. Vlera jonë u përcaktua përpara se të vinim në këtë tokë. ‘Dashuria e Perëndisë është e pafundme dhe ajo do të zgjatë përgjithmonë.’

Nga ana tjetër, denjësia arrihet nëpërmjet bindjes. Nëse mëkatojmë, ne jemi më pak të denjë, por nuk jemi kurrë pa vlerë! Ne vazhdojmë të pendohemi dhe të përpiqemi që të jemi si Jezusi pa na u cenuar vlera. Sikurse dha mësim Presidenti Brigam Jang: ‘Edhe shpirti më i mpakur, më i ulët tani mbi tokë … vlen sa botë të tëra’. Pavarësisht gjithçkaje, ne kemi gjithnjë vlerë në sytë e Atit tonë Qiellor.” (Xhoi D. Xhons, “Vlerë e Pamasë”, Liahona, nëntor 2017, f. 14)

Pas një kohe të mjaftueshme, jepuni nxënësve një mundësi për ta treguar atë që mësuan. Ata mund ta tregojnë fillimisht në dyshe dhe më pas nxënësit e gatshëm mund t’ia tregojnë klasës.

ikona e trajnimit Krijoni një mjedis ku të gjithë të respektohen dhe të dinë se kontributet e tyre vlerësohen: Kërkoni mundësi për t’i falënderuar nxënësit për përgjigjet e tyre dhe ua bëni të ditur se i vlerësoni mënyrat se si ata marrin pjesë. Për më shumë trajnim mbi mënyrën se si t’i ndihmoni nxënësit ta kuptojnë vlerën e tyre, shihni trajnimin e titulluar “Krijoni një mjedis ku të gjithë të respektohen dhe të dinë se ndihmesat e tyre vlerësohen”. Ky trajnim gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.

Klasës mund t’i duket e dobishme nëse në tabelë përpilohet një listë e burimeve të parapëlqyera të shokëve/shoqeve të klasës. Nxënësit mund ta kopjojnë këtë listë për referencë vetjake.

Lidhja me jetën tënde

Tregimi i historive ose përvojave bashkëkohore mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë vlerën e tyre për Perëndinë. Përpara se t’u kërkoni nxënësve ta diskutojnë pyetjen vijuese, merreni parasysh ta tregoni shembullin tuaj se si e keni ndier vlerën tuaj për Perëndinë. Mund të shfaqni gjithashtu materialin filmik “The Hope of God’s Light” [“Shpresa e Dritës së Perëndisë”] (6:46), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org dhe t’i ftoni nxënësit të kërkojnë se si arriti një njeri ta njihte vlerën e tij në sytë e Perëndisë.

  • Cilat përvoja nga jeta jote ose jeta e të tjerëve të kanë ndihmuar ta ndiesh se vlera e shpirtit tënd është e madhe në sytë e Perëndisë?

Ftojini nxënësit të bëjnë diçka për të reflektuar më në thellësi për vlerën e tyre në sytë e Perëndisë gjatë një ose dy javëve të ardhshme. Jepuni atyre kohë nga ora mësimore për ta përgatitur atë që do të bëjnë. Lista vijuese përfshin ide që mund t’i tregoni. Mësimi “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 2” do të ndjekë ecurinë e përvojave të nxënësve me këtë veprimtari.

Përcaktoje se si do të përsiatësh për vlerën tënde në sytë e Perëndisë gjatë disa javëve të ardhshme. Këtu janë disa mënyra se si ti mund ta bësh këtë:

  • Krijo një kujtues dhe vendose aty ku mund ta shohësh rregullisht. Ky mund të jetë një afishe ose sfond telefoni inteligjent që përmban një figurë dhe madje edhe fjalë nga shkrimet e shenjta.

  • Lutu çdo mëngjes dhe mbrëmje për ta kuptuar më qartësisht se si të sheh Ati në Qiell.

  • Planifiko një kohë të rregullt për të reflektuar në ditarin tënd rreth vlerës sate.

  • Shpenzo kohë në shumë raste duke e lexuar dhe studiuar më në thellësi bekimin tënd patriarkal. Mendo se si mund t’i qasesh ndryshe për ta kuptuar me të vërtetë atë që dëshiron Ati në Qiell që ti të dish dhe ndiesh për veten tënde.

Jepni dëshmi për dashurinë e Perëndisë dhe vlerën e pafundme të secilit nxënës, të shfaqur përmes Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Mësoni Përmendsh

Nëse dëshironi mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargjet te Doktrina e Besëlidhje 18:10–11 është “Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë.” Idetë për veprimtaritë me mësim përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.