Seminari
Mësimi 28: Doktrina e Besëlidhje 18:11–16: “Sa i Madh Do të Jetë Gëzimi Juaj”


“Doktrina e Besëlidhje 18:11–16: ‘Sa i Madh Do të Jetë Gëzimi Juaj’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 18:11–16”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 28: Doktrina e Besëlidhje 18

Doktrina e Besëlidhje 18:11–16

“Sa i Madh Do të Jetë Gëzimi Juaj”

i ri duke shpërndarë ungjillin

Ndërsa Zoti vazhdoi ta zbulonte vullnetin e Tij lidhur me Kishën e Tij, Ai i foli Jozef Smithit, Oliver Kaudërit dhe Dejvid Uitmerit rreth gëzimit që mund të vijë nga shpërndarja e ungjillit të Tij. Ky mësim mund të ndihmojë të rritet dëshira e nxënësve për ta shpërndarë ungjillin e Shpëtimtarit te të tjerët.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Çfarë sjell gëzim?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të punojnë në dyshe për një deri në dy minuta duke renditur gjithçka që mund t’u shkojë në mendje, që u sjell atyre gëzim. Përndryshe, vendosini nxënësit në grupe të vogla dhe jepini secilit grup një shenjues me ngjyrë të ndryshme për tabelë të bardhë. Për një deri në dy minuta, çdokush në secilin grup mund të shkruajë me radhë diçka në tabelë që i sjell atij gëzim.

Ftojini disa nxënës të tregojnë një gjë që e shkruan dhe përse u sjell atyre gëzim.

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti duan që ne të ndiejmë gëzim (shih te 2 Nefi 2:25). Te Doktrina e Besëlidhje 18, Shpëtimtari shpalli se çfarë i sjell Atij gëzim dhe shpjegoi se si edhe ne mund ta përjetojmë atë lloj gëzimi.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë se sa shumë gëzim ndiejnë aktualisht në jetën e tyre dhe përse mund të duan të ndiejnë më shumë gëzim. Nxitini ata të kërkojnë mësime ndërsa studiojnë sot rreth mënyrës se si mund të përjetojnë gëzim më të madh në jetën e tyre.

Gëzimi i Jezu Krishtit

Ftojini nxënësit të përsiatin se çfarë mund të thoshte Shpëtimtari po ta pyesnin se çfarë i sjell Atij gëzim.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 18:11–13 dhe kërko se çfarë i sjell gëzim të madh Shpëtimtarit.

Ftojini nxënësit të përsiatin për dy pyetjet e radhës përpara se të përgjigjen. Përpara se t’u kërkoni të flasin, mund t’i ftoni ata t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit. Mund të jetë gjithashtu e dobishme për nxënësit të lexojnë te Lluka 15:1–10 përpara se t’ua bëni pyetjet.

  • Si mendon, përse Zoti ndien gëzim kaq të madh kur ne pendohemi?

  • Si mund të ndikojë njohuria e kësaj rreth Shpëtimtarit në veprimet dhe dëshirat e tua?

ikona e zotërimit doktrinor Doktrina e Besëlidhje 18:15–16 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 18:14–16 dhe shenjoji frazat që tregojnë se çfarë dëshiron Shpëtimtari për ne.

  • Çfarë të ndihmojnë të kuptosh këto vargje rreth Shpëtimtarit dhe dëshirave të Tij për ne?

Nëse është e nevojshme, shpjegoni se një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje, është se Jezu Krishti dëshiron që ne ta ndiejmë gëzimin që vjen nga sjellja e të tjerëve tek Ai. Merreni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.

Plaku Markus B. Nash, i Të Shtatëdhjetëve, foli për gëzimin që mund të vijë nga shpërndarja e ungjillit:

10:29
Plaku Markus B. Nash

“Kur një njeri e mëson qëllimin e lavdishëm të jetës, kur arrin të kuptojë se Krishti i fal dhe i ndihmon ata që e ndjekin Atë dhe më pas zgjedh ta ndjekë Krishtin në ujërat e pagëzimit, jeta ndryshon për mirë – madje edhe kur rrethanat e jashtme të jetës nuk ndryshojnë.

Një motër rrezatuese dhe e lumtur që e takova në Onitsha të Nigerisë, më tha se që nga koha që mësoi për ungjillin dhe u pagëzua (dhe tani po përdor fjalët e saj): ‘Çdo gjë më shkon mirë. Jam e lumtur! Jam në qiellin e shtatë.’ Përhapja e ungjillit ndez gëzim dhe shpresë në shpirtin e dhënësit dhe të marrësit. Me të vërtetë, ‘sa i madh do të jetë gëzimi juaj’ teksa e përhapni ungjillin! Përhapja e ungjillit është gëzim mbi gëzimin, shpresë mbi shpresën.” (Markus B. Nash, “Mbajeni Lart Dritën Tuaj”, Liahona, nëntor 2021, f. 71–72)

  • Si mendon, përse udhërrëfimi i dikujt tjetër drejt Jezu Krishtit i sjell një personi kaq shumë gëzim?

  • Çfarë përvojash ke pasur (ose rreth të cilave di) në të cilat e ke parë gëzimin e shpërndarjes së ungjillit tek të tjerët?

Për t’i ndihmuar nxënësit për pyetjen e mëparshme, mund t’i ftoni ata të kërkojnë për shembuj në shkrimet e shenjta. Ata mund të lexojnë fjalët e Amonit (tek Alma 26:1–16) dhe Almës (tek Alma 29:9–17). Mund të shfaqni gjithashtu “Inviting All to Come unto Christ: Sharing the Gospel” [“Ftesa ndaj të Gjithëve që të Vijnë te Krishti: Shpërndarja e Ungjillit”] (4:30), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

Kapërcimi i pengesave

Shpjegoni se, ndërkohë që këto premtime nga Zoti mund të ndihmojnë për të na nxitur ta shpërndajmë ungjillin e Tij, ndonjëherë ka pengesa ose shqetësime që mund të na pengojnë ta shpërndajmë. Ftojini nxënësit të përmendin disa pengesa dhe t’i renditin përgjigjet e tyre në tabelë. Më pas ftojini nxënësit ta plotësojnë veprimtarinë vijuese duke imagjinuar sikur njohin dikë (ose duke menduar për dikë që njohin) që përballet me një prej këtyre pengesave.

Shkruaje atë që mund t’i tregosh një personi që ka shqetësime rreth shpërndarjes së ungjillit të Shpëtimtarit. Merre parasysh të përfshish sa vijon:

  1. Atë që di rreth Shpëtimtarit, që mund të ta shtojë dëshirën për t’i sjellë të tjerët tek Ai (dhe një shkrim të shenjtë që dëshmon për atë që ti di, nëse është e mundur)

  2. Mënyrën se si afrimi më shumë me Shpëtimtarin të ka sjellë gëzim dhe përse do të doje që të tjerët t’i marrin të njëjtat bekime

  3. Përvojat që ti ose të tjerët që ti njeh, keni pasur në sjelljen e shpirtrave te Krishti dhe se si ato përvoja sollën gëzim

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të formuluar një përgjigje, jepuni atyre një mundësi për ta treguar se çfarë shkruan. Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë të ftoni një ose dy nxënës të interpretojnë me role dikë që ka shqetësime rreth shpërndarjes së ungjillit. Nxënësit e tjerë mund të tregojnë një gjë që u erdhi në mendje, që mund të ndihmojë.

Pas këtij diskutimi, bëjuni nxënësve ftesën vijuese:

Shpenzo ca kohë për të reflektuar mbi atë që ke mësuar dhe ndier në këtë mësim. Shkruaje se si ndihesh rreth shpërndarjes së ungjillit dhe përpjekjes për t’i sjellë të tjerët te Jezu Krishti. Merre parasysh ta përfshish gjithçka që mësove, veçanërisht rreth Shpëtimtarit, që do të doje ta kujtoje.

Merreni parasysh ta mbyllni duke i ftuar një ose dy nxënës të tregojnë se çfarë mësuan ose dëshirojnë të kujtojnë. Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar sot.

Mësoni Përmendsh

Nëse dëshironi mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargjet te Doktrina e Besëlidhje 18:15–16 është “Sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!” Idetë për veprimtaritë me mësim përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.