Seminari
Mësimi 29: Doktrina e Besëlidhje 18:21–47: “Prej Duarve Tuaja Unë Do Të Kryej një Punë të Mrekullueshme”


“Doktrina e Besëlidhje 18:21–47: ‘Prej Duarve Tuaja Unë Do Të Kryej një Punë të Mrekullueshme’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 18:21–47”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 29: Doktrina e Besëlidhje 18

Doktrina e Besëlidhje 18:21–47

“Prej Duarve Tuaja Unë Do Të Kryej një Punë të Mrekullueshme”

shugurimi i njërit prej Apostujve të parë në këtë periudhë ungjillore

Në qershor të vitit 1829, Shpëtimtari ua dha Oliver Kaudërit dhe Dejvid Uitmerit përgjegjësinë për të kërkuar burra që do ta merrnin emrin e Tij mbi vete me “qëllim të plotë të zemrës” (Doktrina e Besëlidhje 18:27). Këta burra do të quheshin më vonë anëtarët e parë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në këtë periudhë ungjillore. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë se si Zoti na ndihmon dhe bekon nëpërmjet thirrjes së Apostujve të Tij.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Dymbëdhjetë Apostujt

Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten për të menduar rreth ndihmës që u jep Zoti atyre nëpërmjet apostujve dhe profetëve bashkëkohorë.

Shkruajini karrierat vijuese në tabelë: mjekë, mekanikë, zdrukthëtarë, hekurpunues, mësues. Mund t’u kërkoni gjithashtu nxënësve të përmendin karriera të tjera për të cilat njerëzit janë të kualifikuar në mënyrë të pashoqe për të na ndihmuar.

Mendo për një rrethanë kur ke qenë mirënjohës për njërin prej këtyre njerëzve.

  • Çfarë ndihme janë të kualifikuar në mënyrë unike këta njerëz për të na dhënë?

  • Si kualifikohen ata?

Merreni parasysh të paraqitni një fotografi të tanishme të Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë shkurtimisht çdo informacion që dinë rreth këtyre burrave, duke përfshirë emrat e tyre, të dhënat familjare ose përvojat profesionale. Sigurohuni që nxënësit ta kuptojnë se Apostujt thirren nga Jezu Krishti për të dëshmuar për Të në mbarë botën (shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Apostull”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve

Shpëtimtari na do dhe i thërret Apostujt për të na ndihmuar në mënyra unike.

  • Çfarë ndihme janë të kualifikuar në mënyrë unike Apostujt e Shpëtimtarit për të na dhënë?

  • Çfarë kualifikimesh mendon se përdor Zoti për t’i zgjedhur Apostujt e Tij?

Shpjegoni se sot nxënësit do të mësojnë më shumë rreth apostujve dhe profetëve që thërret Shpëtimtari për të na drejtuar. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si jeta e tyre është ndikuar nga të pasurit e apostujve dhe profetëve mbi tokë sot. Nxitini ata t’i kërkojnë mësimet që mund t’i ndihmojnë ta kuptojnë më mirë se si jeta e tyre mund të bekohet nëpërmjet profetëve dhe apostujve të ditëve të mëvonshme.

Marrja mbi vete e emrit të Krishtit

Te Doktrina e Besëlidhje 18, Zoti i udhëzoi Dejvid Uitmerin dhe Oliver Kaudërin të kërkonin burra që një ditë do të thirreshin për të shërbyer në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve (shih te Doktrina e Besëlidhje 18:37–38).

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 18:21–25, duke kërkuar këshillën e Shpëtimtarit për Dejvidin dhe Oliverin.

  • Si mendon, përse donte Zoti që Dejvidi dhe Oliveri ta kuptonin atë që ti lexon në këto vargje?

Ftojini nxënësit të tregojnë çfarë mendojnë se do të thotë ta marrin mbi vete emrin e Krishtit. Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se nëpërmjet pagëzimit dhe sakramentit ne tregojmë se jemi të gatshëm ta marrim mbi vete emrin e Shpëtimtarit. Thënia vijuese mund të jetë e dobishme gjithashtu:

Plaku Pol B. Pajper, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi se çfarë do të thotë të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit:

Plaku Pol B. Pajper

“Duke e marrë mbi vete emrin e Krishtit, ne zotohemi t’i futim mësimet e Tij, karakteristikat e Tij dhe përfundimisht dashurinë e Tij thellë në qenien tonë që ato të bëhen pjesë e asaj që jemi.” (Pol B. Pajper, “Të Gjithë Duhet të Marrin mbi Vete Emrin e Dhënë prej Atit”, Liahona, nëntor 2018, f. 44)

Kualifikimet dhe përgjegjësitë e Apostujve

Zoti i udhëzoi Dejvidin dhe Oliverin edhe rreth kualifikimeve të nevojshme për ata që do të thirreshin si Apostuj.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 18:26–27, duke kërkuar kualifikimin në këto vargje. Vër re se fjala dishepujt te vargu 27 është një referencë ndaj atyre që do të thirreshin si Apostuj.

  • Çfarë kualifikimi dëshiroi Shpëtimtari që të kishin Apostujt e Tij?

  • Si mendon, përse Shpëtimtari do ta donte këtë kualifikim për ata që shërbejnë si Apostujt e Tij?

  • Si mund të të ndihmojë njohuria e kësaj rreth Apostujve të Shpëtimtarit?

Shpjegojeni se Shpëtimtari përvijoi përgjegjësi apostolike shtesë te Doktrina e Besëlidhje 18 dhe në vende të tjera te Doktrina e Besëlidhje. Merreni parasysh ta vizatoni tabelën vijuese në dërrasë dhe t’i ftoni nxënësit ta kopjojnë atë në ditarët e tyre të studimit. Mund ta shtoni atë që nxënësit kanë mësuar tashmë nga vargjet 26–27. Nxënësit mund t’i lexojnë më pas vargjet e dhëna individualisht ose në grupe të vogla dhe ta plotësojnë tabelën në ditarin e tyre të studimit. Më pas, secili grup mund të shtojë një ose dy prej përgjigjeve të tyre në listën në dërrasë.

Përdor vargjet te Doktrina e Besëlidhje 18:26–36 dhe 107:23 për të plotësuar tabelën vijuese:

Çfarë cilësish donte Zoti te Dymbëdhjetë Apostujt?

Çfarë donte Zoti që të bënin Apostujt, që të ndihmonin për t’i sjellë të tjerët tek Ai?

Ftojini disa nxënës që ta rrethojnë në tabelë diçka rreth Apostujve që ata mendojnë se është e rëndësishme ose kuptimplotë. Vërini ata të tregojnë përse. Mund të diskutoni edhe pyetjet vijuese:

  • Çfarë mësove nga këto vargje rreth mënyrës se si Zoti mund të të ndihmojë ty dhe të tjerët nëpërmjet Apostujve të Tij?

  • Si do ta përmblidhje atë që ke mësuar rreth Apostujve nga këto vargje?

    Ndihmojini nxënësit ta përmbledhin të vërtetën vijuese në tabelë: Apostujt e Shpëtimtarit na ndihmojnë të vijmë tek Ai dhe t’i mësojmë fjalët e Tij.

  • Si i sheh Apostujt e Shpëtimtarit të të ndihmojnë ty dhe të tjerët të vini tek Ai sot?

Shembuj dhe mësime nga Apostujt bashkëkohorë

Jepuni nxënësve kohë t’i shohin shembujt e Apostujve bashkëkohorë që i plotësojnë kualifikimet dhe i përmbushin përgjegjësitë që Zoti i përvijoi te Doktrina e Besëlidhje 18. Veprimtaria vijuese mund të ndihmojë me këtë.

Shpenzo ca kohë për t’i studiuar mësimet e një ose më shumë Apostujve të tanishëm. Mund të studiosh biseda të kohëve të fundit të konferencave të përgjithshme, artikuj të revistave të Kishës ose publikime në media shoqërore. Ndërsa studion, kërko se si Apostujt e përmbushin rolin e tyre për të na ndihmuar të vijmë te Krishti. Mund të kërkosh edhe një mesazh nga një Apostull që trajton një nevojë të veçantë ose pyetje që ke.

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar, lejojini ata t’ia tregojnë klasës ose në grupe të vogla atë që kanë mësuar.