Seminari
Mësimi 16 – Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1 – Doktrina e Besëlidhje 1–5; Joseph Smith – Historia 1


“Mësimi 16 – Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1 – Doktrina e Besëlidhje 1–5; Joseph Smith – Historia 1”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 16: Doktrina e Besëlidhje 3–5

Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1

Doktrina e Besëlidhje 1–5; Joseph Smith – Historia 1

i ri duke studiuar shkrimet e veta të shenjta

Reflektimi për të mësuarit tonë shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të na ndihmojë të vijmë më pranë Shpëtimtarit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta mbajnë mend dhe të vlerësojnë se si i kanë ndihmuar përvojat e tyre gjatë studimit të librave Doktrina e Besëlidhje dhe Joseph Smith – Historia që të rriten shpirtërisht dhe të afrohen më shumë me Shpëtimtarin.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përse duhet të bëjmë vlerësim?

Për t’i ndihmuar nxënësit të vlerësojnë përparimin e tyre deri tani, merreni parasysh të bëni një veprimtari si ajo në vijim. Vizatojeni grafikun vijues në tabelë dhe merreni parasysh të jepni një shembull për një synim. Nxënësit mund të marrin parasysh synime shpirtërore, intelektuale, fizike ose shoqërore që po vënë në programin Fëmijët dhe Rinia.

Në një faqe në ditarin tënd të studimit, hiq një vijë. Në fund të vijës në anën e djathtë, shkruaj një nga synimet e tua afatgjata. Disa shembuj mund të jenë të luash një sport ose në një instrument muzikor në një nivel të lartë, të bëhesh veçanërisht i zoti/e zonja në një aftësi, të marrësh një diplomë ose certifikatë ose të martohesh në tempull.

Sikurse tregohet në grafikun vijues, vizato një figurë njeriu sipër vijës që të përfaqësojë shkallën e përparimit që ndien se ke bërë kundrejt synimit tënd.

figurë njeriu që përfaqëson përparimin

Nga ana e majtë e vijës, ndalu një çast për të shkruar përparimin që ke bërë tashmë. Mund të përfshish gjëra specifike që ke mësuar ose bërë për të përparuar drejt synimit tënd.

  • Pse është e dobishme që të ndalemi dhe të vlerësojmë atë që kemi mësuar dhe mënyrën se si kemi përparuar?

Merreni parasysh të ftoni disa nxënës që të tregojnë atë që kanë mësuar ose bërë për të përparuar drejt synimeve të tyre. Kjo jo vetëm që do t’i përgatitë nxënësit për të mësuar më shumë në këtë mësim, por mund t’i ndihmojë nxënësit edhe që të arrijnë ta njohin njëri‑tjetrin më mirë dhe të ndërtojnë unitet në klasë.

Një nga qëllimet e seminarit është të të ndihmojë të afrohesh më shumë me Shpëtimtarin, Jezu Krishtin dhe të bëhesh më shumë si Ai.

  • Pse mund të jetë gjithashtu e rëndësishme që të ndalemi e t’i vlerësojmë përpjekjet tona për t’u afruar më shumë me Jezu Krishtin dhe për t’u bërë më shumë si Ai?

Çfarë po mëson? Si po përparon?

Shpjegoni se gjatë gjithë studimit këtë vit, çdo katër deri në gjashtë javë, do të ketë një mësim si ky, ku nxënësit mund të ndalen për të vlerësuar se çfarë po mësojnë dhe si po afrohen më shumë me Shpëtimtarin.

Nëse është e dobishme, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të renditin disa nga historitë dhe temat për të cilat kanë mësuar deri tani. Kjo mund t’i ndihmojë ndërsa bëjnë sa vijon:

Shpenzo disa minuta për të shkruar në ditarin tënd të studimit rreth përparimit që po bën për t’u afruar më shumë me Shpëtimtarin ndërsa ke studiuar librin Doktrina e Besëlidhje këtë vit. Kjo mund të përfshijë doktrinën dhe të vërtetat që po mëson, mënyrat se si po rritet dëshmia jote për Jezu Krishtin, zakonet e reja që po krijon, dhe mënyrat se si po përpiqesh fort që të ndryshosh.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa nxënës të japin mendimet e tyre nëse ato nuk janë tepër vetjake. Kjo mund të bëhet në grupe të vogla ose si klasë. Përndryshe, nxënësit mund të mendojnë edhe për një fjalë ose frazë për të përmbledhur mënyrën se si po mësojnë ose rriten dhe ta shkruajnë atë në tabelë (për shembull, “dëshmi më e fortë”, “të mësuarit rreth Tij nëpërmjet shkrimeve të shenjta” ose “të ndierit e dashurisë së Shpëtimtarit”). Më pas mund të tregoni me gisht fjalët kyç në tabelë dhe të pyesni a do të jetë i gatshëm nxënësi që e shkroi, që të tregojë pse e renditi atë. Ndërsa dëgjoni, kërkoni mënyra për t’i përgëzuar përpjekjet e nxënësve, inkurajojini të vazhdojnë dhe dëshmoni për ndihmën dhe bekimet e Zotit.

Vlerësoni studimin e shkrimeve të shenjta

Paraqitni një figurë të Jozef Smithit si ajo në vijim dhe diskutojeni me nxënësit ndikimin që studimi i shkrimeve të shenjta pati tek ai si profet i Perëndisë.

i riu Jozef Smith duke lexuar Biblën
  • Si e ndihmoi studimi i shkrimeve të shenjta Profetin Jozef Smith?

Reflekto për synimin tënd vetjak për studimin e shkrimeve të shenjta. Si po ndikon përpjekja jote tek ti?

Jepini secilit nxënës dy fletë të vogla letre. Nxënësit mund ta shënojnë përgjigjen e tyre për pyetjen e parë në një fletë letre dhe më pas ta shënojnë përgjigjen e tyre për pyetjen e dytë tek tjetra.

  • Cila është një mënyrë se si ke pasur sukses në studimin tënd të shkrimeve të shenjta?

  • Cila është një vështirësi që ke në studimin tënd të shkrimeve të shenjta?

Vërini nxënësit t’i vënë letrat me sukseset e tyre në njërin pirg dhe letrat me vështirësitë e tyre në pirgun tjetër. Shkartisini të dyja pirgjet më vete dhe tregojani klasës. Ndërsa i lexoni sukseset e tyre, përgëzojini dhe inkurajojini nxënësit. Merreni parasysh të pyesni: “A ka gjetur ndonjë tjetër sukses duke bërë diçka të ngjashme?” dhe “Si ju ka ndihmuar studimi juaj i shkrimeve të shenjta që të afroheni më shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?” Ndërsa i lexoni vështirësitë që kanë nxënësit për studimin e shkrimeve të shenjta, mund të jetë e efektshme ta ftoni klasën të gjejë shkrime të shenjta, të kërkojë thënie nga profetët ose udhëheqësit e Kishës ose të mendojë për përvoja vetjake që mund të ndihmojnë.

Vlerësoni se çfarë ndiejnë nxënësit për Profetin Jozef Smith

Siguroni një mundësi si ajo në vijim që nxënësit të vlerësojnë se çfarë ndiejnë për Profetin Jozef Smith.

Shkruaj sa më shumë gjëra që mund të mendosh, që i ke mësuar rreth Profetit Jozef Smith në pak javët e shkuara të seminarit.

Nxënësit mund të shkruajnë në tabelë atë që kanë mësuar, përreth figurës së Jozef Smithit. Përndryshe, nxënësit mund ta bëjnë këtë veprimtari në grupe të vogla.

Nënvizo ose rretho gjithçka në listën tënde që i referohet gjithashtu mënyrës se si ai të ka ndihmuar të vish më pranë Shpëtimtarit.

Nëse nxënësit nuk e përmendin, sigurohuni që të përfshini faktet që Jozef Smithi pa Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në Vegimin e Parë, përktheu Librin e Mormonit me anë të fuqisë së Perëndisë dhe mori zbulesa nga Zoti që u përfshinë te Doktrina e Besëlidhje. Gjithashtu përfshini faktin që Zoti i rivendosi priftërinë, Kishën dhe besëlidhjet dhe ordinancat nëpërmjet Jozef Smithit.

Ftojini nxënësit të vlerësojnë se sa fuqimisht besojnë te pikat që renditën në një shkallë nga 1 në 5 (1=nuk besoj dhe 5=besoj me siguri). Ftojini ata të tregojnë përvoja që kanë ndihmuar t’iu rritet besimi se Perëndia e thirri Jozef Smithin për të qenë një profet që të na ndihmojë të vijmë më pranë Shpëtimtarit.

Disa nga nxënësit tuaj mund të kenë ende vështirësi lidhur me dëshminë e tyre që Jozef Smithi ishte një profet. Bërja e pyetjes vijuese dhe lejimi që nxënësit të sigurojnë shumë ide mund t’i ndihmojë këta nxënës.

  • Nëse dikush e ka të vështirë të besojë se Zoti e thirri Jozef Smithin për të qenë profet, çfarë mund të sugjerosh që të bëjë ai ose ajo për ta forcuar besimin e vet?