“Mësimi 15 – Doktrina e Besëlidhje 5: ‘E Di me Siguri se Ato Janë të Vërteta’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 5”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 15: Doktrina e Besëlidhje 3–5
Doktrina e Besëlidhje 5
“E Di me Siguri se Ato Janë të Vërteta”
Zoti e siguroi Martin Harrisin ndërsa ai kërkonte provë shtesë që Jozef Smithi i kishte fletët e arta. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të njohin dëshmitarët që Zoti ka siguruar për t’i ndihmuar ata të marrin një dëshmi vetjake për Librin e Mormonit si një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit dhe për thirrjen e Jozef Smithit si profet i Perëndisë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mëdyshja e Martin Harrisit
Jepuni nxënësve një mundësi që t’i vlerësojnë dëshmitë e tyre për Librin e Mormonit dhe Jozef Smithin. Përsiatja e skenarit dhe pyetjeve vijuese mund t’i ndihmojë ata ta arrijnë këtë. Nxënësit mund t’ia tregojnë klasës disa nga përgjigjet e tyre.
Mund edhe të shfaqni materialin filmik “Compelling Witness” [“Dëshmi Bindëse”], që gjendet në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:00 deri në 0:37.
Imagjino sikur dikush mbajti një gjyq rreth faktit a i kishte apo jo vërtet Jozef Smithi fletët e arta në zotërimin e vet.
-
Sa rehat do të ndiheshe po të dëshmoje për Librin e Mormonit si fjala e Perëndisë dhe për Jozef Smithin si Profeti i Rivendosjes? Përse?
-
Çfarë do të thoshe?
-
Çfarë do të paraqitje si provë për të përkrahur çështjen tënde?
Dhënia ose përmbledhja e informacionit vijues për sfondin e historisë mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë më mirë se si ta vënë në zbatim seksionin Doktrina e Besëlidhje 5 për rrethanat e tyre të pashoqe.
Lusi Harrisi, bashkëshortja e Martin Harrisit, ishte e mërzitur prej kohës dhe parave që burri i saj po i përkushtonte botimit të Librit të Mormonit. Ajo plotësoi një ankesë ligjore kundër Jozef Smithit dhe mblodhi disa njerëz që ishin të gatshëm të dëshmonin se ai kishte gënjyer rreth ekzistencës së fletëve. Martini u paralajmërua se po të mos iu bashkohej duke dëshmuar kundër Jozefit, edhe Martini mund të dërgohej në burg. Ndonëse Martini kishte qenë më parë një shkrues për Jozefin, u kishte treguar germa nga fletët studiuesve për të verifikuar vjetërsinë e tyre dhe kishte humbur 116 faqe nga dorëshkrimi origjinal, Martini ende kërkonte një dëshmi të mëtejshme për realitetin e fletëve të arta. Ai udhëtoi drejt shtëpisë së Jozef Smithit, ku Jozefi e pyeti Zotin dhe mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 5.
Ndërsa studion te Doktrina e Besëlidhje 5, kërko Frymën e Shenjtë që të të ndihmojë të vërtetosh atë që di tashmë rreth Jozef Smithit dhe Librit të Mormonit. Kërko gjithashtu mënyra për ta forcuar dëshminë tënde për Jezu Krishtin dhe Kishën e Tij të rivendosur.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 5:1–3, duke kërkuar mënyrën se si Zoti iu përgjigj Martin Harrisit.
-
Si mendon, përse Zoti nuk e provon vërtetësinë e Librit të Mormonit duke lejuar që fletët t’i tregohen botës?
Megjithëse Martinit nuk iu lejua t’i shihte fletët e arta në atë kohë, kjo zbulesë e forcoi atë në një mënyrë që i mundësonte të jepte dëshmi të fuqishme për Profetin. Në këtë mësim, do të shohësh se Zoti ka siguruar dëshmitarë për ta ndihmuar secilin prej nesh të marrë dëshminë e vet për Jozef Smithin si profet i Perëndisë dhe për Librin e Mormonit si një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit.
Prova nga Zoti
Merreni parasysh ta ndani klasën në tri pjesë dhe t’i caktoni secilës një “dëshmi” të ndryshme për ta studiuar në mënyrë të pavarur duke përdorur fletushkën më poshtë. Pas një kohe të mjaftueshme, nxënësit mund ta krahasojnë dhe diskutojnë me grupin e tyre atë që mësuan.
Mundeni edhe të emërtoni tre zarfe të veçantë: “Dëshmitari nr. 1”, “Dëshmitari nr. 2” dhe “Dëshmitari nr. 3”. Mbusheni çdo zarf me kopje të shumta të pjesës përkatëse të fletushkës. Shpërndajuani ato secilit grup për t’i studiuar.
Dëshmitarët
Dëshmitari nr. 1
Fjalët e Zotit
Jozef Smithin e urdhëruan mos t’ia tregonte botës fletët e arta (shih te Doktrina e Besëlidhje 5:3). Lexo te Doktrina e Besëlidhje 5:6–10, duke kërkuar atë që iu lejua Jozefit të tregonte.
Nëse dëshiron, mund të shenjosh një frazë që Zoti e përsërit në vargjet 5, 6 dhe 7.
-
Si mendon, pse Zoti është më i shqetësuar që ne të besojmë dhe t’ua vëmë veshin fjalëve të Tij në Librin e Mormonit sesa që ne ta dimë se fletët ekzistuan?
Duke iu referuar Librit të Mormonit, Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) dha mësim:
“Prova për vërtetësinë e tij, për vlefshmërinë e tij në një botë që priret të kërkojë prova, nuk qëndron në arkeologji ose antropologji, megjithëse këto mund të jenë të dobishme për disa njerëz. Nuk qëndron në studimin e fjalëve ose analizave historike, megjithëse këto mund të shërbejnë si vërtetuese. … Të provuarit e së vërtetës së tij qëndron në leximin e tij. Ai është një libër i Perëndisë.” (Gordon B. Hinckley, “Four Cornerstones of Faith”, Ensign, shkurt 2004, f. 6)
Shpenzo disa minuta për të përsiatur përvojën tënde të studimit dhe marrjes së mësimeve nga Libri i Mormonit. Mendo rreth mënyrës se si ka ndikuar studimi yt në jetën tënde. Mund të dëshirosh t’i shënosh disa nga mendimet e tua në ditarin tënd.
Dëshmitari nr. 2
Dëshmia e tre shërbëtorëve
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 5:11–15 duke kërkuar se kujt do t’i lejonte Zoti përfundimisht që t’i shihte fletët.
-
Çfarë pe në këto vargje që mund t’i bëjnë të fuqishme dëshmitë e Tre Dëshmitarëve?
Më vonë, Martin Harrisi, Oliver Kaudëri dhe Dejvid Uitmeri do t’i shihnin fletët e arta dhe të dëshmonin për vërtetësinë e tyre. Do të mësosh më shumë rreth kësaj ngjarjeje kur të studiosh seksionin Doktrina e Besëlidhje 17.
Duke iu referuar Tre Dëshmitarëve, Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Dëshmia e tyre qëndron e pakundërshtuar nga cilido dëshmitar tjetër. Dikush mund ta mohojë atë, por si i shpjegon ai tre burrat me karakter të mirë, të bashkuar e këmbëngulës në këtë dëshmi të botuar, deri në fund të jetës së tyre, përballë talljes së madhe dhe dëmeve të tjera vetjake? Ashtu si vetë Libri i Mormonit, nuk ka asnjë shpjegim më të mirë sesa ai që jepet në vetë dëshminë, në shpalljen solemne të burrave të mirë e të ndershëm, të cilët treguan atë që panë.” (Dallin H. Oaks, “The Witness: Martin Harris”, Liahona, maj 1999, f. 36)
Merr parasysh të lexosh pjesën “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” në fillim të Librit të Mormonit ose të bësh një listë të njerëzve që të kanë dëshmuar ty se Libri i Mormonit është i vërtetë. Mendo për mënyrën se si dëshmia e tyre e ka forcuar tënden.
Dëshmitari nr. 3
Fryma e Shenjtë
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 5:16 dhe Moroni 10:4–5. Përcakto se si Perëndia ua zbulon vërtetësinë e Librit të Mormonit fëmijëve të Tij.
-
Cilat janë disa mënyra në të cilat Shpirti mund t’i dëshmojë dikujt për vërtetësinë e Librit të Mormonit?
Glen L. Pejsi, i cili shërbeu si Peshkop Kryesues, tha:
“Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të marrë një dëshmi përveçse nëpërmjet dëshmisë së Frymës së Shenjtë. Nuk mund të mbështetesh tek asgjë tjetër. … Ne kemi shembuj të panumërt nga shkrimet e shenjta të faktit se sa i kotë mund të jetë një manifestim fizik pa marrjen shoqëruese të dëshmisë së Frymës së Shenjtë. Kthimi në besim nuk vjen prej manifestimeve fizike nga qielli.” (Glenn L. Pace, “The Elusive Balance”, New Era, mars 1989, f. 49)
Bëj një listë me arsyet pse mendon se një dëshmi nga Fryma e Shenjtë, një anëtar i Kreut‑Perëndi, është më e rëndësishme sesa prova fizike që diçka është e vërtetë. Merr parasysh të përfshish çdo dëshmi që ndien se ke marrë nëpërmjet Frymës së Shenjtë që Libri i Mormonit është i vërtetë.
Kur nxënësit të kenë mbaruar së studiuari dhe diskutuari dëshmitarin që iu caktua, ftojini të përcaktojnë një ose më shumë përfaqësues nga grupi i tyre që t’ia paraqesë informacionin vijues klasës:
-
Shpjegoje dëshminë e dhënë nga Zoti që e studiove me grupin tënd.
-
Jep shembuj nga listat e krijuara nga anëtarët e grupit tënd.
Mund t’i ftoni të gjithë nxënësit t’ua shtojnë pikëpamjet dhe dëshminë e tyre asaj që kanë thënë shokët e tyre të klasës.
Mund ta shikosh pjesën e mbetur të materialit filmik “Compelling Witness” [“Dëshmi Bindëse”] nga kodi kohor 0:37 deri në 7:46.
Pas zbulesës te Doktrina e Besëlidhje 5, Martini dëshmoi me guxim në gjyq për karakterin e Jozef Smithit dhe vërtetësinë e fletëve të arta. Pasi e dëgjoi dëshminë e Martinit dhe të të tjerëve, gjykatësi e pushoi çështjen kundër Jozef Smithit.
Jepni mendimet dhe dëshminë tuaj për të vërtetat në këtë mësim.