Seminari
Mësimi 14 – Doktrina e Besëlidhje 4: Shërbe si Zoti


“Mësimi 14 – Doktrina e Besëlidhje 4: Shërbe si Zoti”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 4”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 14: Doktrina e Besëlidhje 3–5

Doktrina e Besëlidhje 4

Shërbe si Zoti

Jozef Smith Plaku

Jozef Smithi Plaku donte të dinte se si mund t’i shërbente Perëndisë dhe të tjerëve. Në përgjigje të dëshirës së të atit, Profeti Jozef kërkoi dhe mori të parën nga disa zbulesa që iu dhanë individëve që dëshironin të ndihmonin në veprën e Zotit (shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 11–12; 14–1625). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i shërbejnë Perëndisë dhe të tjerëve në mënyra të ngjashme me të Krishtit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Shërbimi si Shpëtimtari

Merreni parasysh ta filloni orën mësimore me një veprimtari që i ndihmon nxënësit të përsiatin qëndrimin e tyre rreth shërbimit ndaj Perëndisë dhe të tjerëve në mënyra të ngjashme me të Krishtit. Sa vijon është një shembull.

Imagjino sikur dikush po bën një nga veprat vijuese të shërbimit për ty:

  • Po flet me ty për të parë se si po kalon

  • Po të ndihmon për një detyrë që ke për të bërë

  • Po lutet për ty

Si mund të ndikojë tek ti po të të shërbenin në mënyrat vijuese? Përse?

  • Me gjithë zemër ose me gjysmë zemre

  • Me durim ose pa durim

  • Me shtysë nga dashuria për ty ose nga diçka tjetër

Tani imagjino sikur Shpëtimtari po e bën atë shërbim për ty. Si mund ta bëjë Ai këtë dhe çfarë efekti mund të ketë kjo?

Në këtë mësim, do të studiosh rreth shërbimit dhe cilësive të ngjashme me të Krishtit që Zoti do që ne të synojmë ndërsa shërbejmë. Ndërsa studion, përsiati dëshirat e tua për të shërbyer dhe pse mund të duash të orvatesh për t’i marrë këto cilësi.

Dhënia e përgjigjes për pyetjen e Jozef Smith Plakut

Ndonëse ai nuk ishte lidhur ende me asnjë fe të organizuar, Jozef Smith Plaku i besonte asaj që i tregoi i biri rreth vegimeve të tij qiellore, dhe e përkrahu atë në përkthimin e Librit të Mormonit prej tij. Jozef Plaku donte t’i shërbente Perëndisë, por nuk dinte ç’të bënte. Në shkurt 1829, ai dhe bashkëshortja e tij e vizituan Jozef të Riun në Harmoni të Pensilvanisë. Gjatë asaj vizite, Profeti Jozef mori seksionin Doktrina e Besëlidhje 4 në përgjigje ndaj pyetjes së babait të tij.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 4:1–4, duke kërkuar atë që Zoti i dha mësim rreth 1) mënyrës se si duhet t’i shërbejmë Atij dhe 2) arsyes pse duhet t’i shërbejmë Atij. Mund të jetë e dobishme të dish se te vargu 4, Zoti e krahason grurin që është gati për t’u korrur, me njerëzit që janë gati për ta pranuar ungjillin. Drapri është një vegël për korrje.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të përdorin metoda të ndryshme për të shenjuar mënyrën dhe arsyen pse shërbejmë. Për shembull, ata mund të nënvizojnë mënyrën se si t’i shërbejmë Perëndisë dhe të rrethojnë arsyen pse duhet t’i shërbejmë Atij. Ose mund të përdorin ngjyra të ndryshme. Nxënësit mund t’i krahasojnë më pas ato që shenjuan, me një partner ose në një grup të vogël.

  • Çfarë gjete?

    Merreni parasysh të krijoni dy kolona në tabelë të titulluara Mënyra dhe Arsyeja. Mund t’i ftoni nxënësit ta shkruajnë atë që gjetën, në tabelë në kolonën e duhur. Mund të merrni parasysh të shkruani fjalët zemër, fuqi, mendje dhe forcë në tabelë dhe t’i pyesni nxënësit se si mendojnë se është kur dikush shërben me gjithë zemër, fuqi, mendje dhe forcë.

  • Çfarë bekimesh përmbajnë këto vargje për ata që i shërbejnë Perëndisë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e tyre?

Pasi dha mësim rreth bekimeve prej shërbimit ndaj Perëndisë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë, Zoti renditi cilësi të shumta që mund të na ndihmojnë teksa shërbejmë. Jezu Krishti e zotëron secilën nga këto cilësi dhe na fton t’i zhvillojmë ato në jetën tonë. Ndërsa e bëjmë këtë, ne bëhemi më shumë si Ai dhe mund të shërbejmë ashtu siç shërben Ai.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 4:5–6, duke kërkuar cilësitë që Zoti do që ne të zhvillojmë ndërsa shërbejmë.

Shpjegoni se këto cilësi janë mënyra se si shërbejmë dhe mund të shenjohen njësoj si pikëpamjet për mënyrënvargjet 1–4. Nxënësit mund t’i shtojnë këto cilësi në tabelë në kolonën përkatëse.

  • Si mund t’i përmbledhësh mësimet e këtij seksioni me një fjali?

Një parim që mund të mësojmë nga ky seksion, është se, ndërsa shërbejmë me cilësi të ngjashme me të Krishtit, ne do të qëndrojmë të pafaj përpara Perëndisë dhe do t’i sjellim shpëtim shpirtit tonë.

Të kuptuarit e cilësive si të Krishtit

Merreni parasysh të pyesni se cilat cilësi nxënësit nuk i kuptojnë. Ftojini nxënësit të kërkojnë fjalët kyç tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose bisedat e konferencave të përgjithshme. Një fjalor ose një kërkim në programin elektronik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] mund të jetë i dobishëm gjithashtu.

Ftojini nxënësit të tregojnë se cilat cilësi të ngjashme me të Krishtit te Doktrina e Besëlidhje 4 ndiejnë se është më e zakonshme që t’i kenë adoleshentët. Merreni parasysh se cilat cilësi mund të jenë më të rralla dhe pse. (Mund të pyesni se cila përmendet dy herë te seksioni 4 dhe pse mendojnë se ndodh kjo.) Nxënësit mund të tregojnë se si i kanë parë këto cilësi të ngjashme me të Krishtit te shokët e tyre të klasës. Kjo mund ta rritë unitetin e klasës dhe t’i inkurajojë të tjerët të zhvillojnë cilësi të ngjashme me të Krishtit.

Kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të përzgjedhur një cilësi të ngjashme me të Krishtit që do të ishte më domethënëse për ta studiuar ti. Shkruaje atë në krye të një faqeje në ditarin tënd të studimit. Poshtë cilësisë që përzgjodhe, shkruaj sa vijon.

  1. Shembuj: Përsiat se si dha shembull Shpëtimtari për këtë cilësi në lashtësi ose në jetën tënde sot. Nëse po përdor një shembull nga shkrimet e shenjta, përpiqu të shkruash një histori specifike ose një referencë. (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta mund të jetë i dobishëm përsëri.) Mund të shkruash edhe një shembull bashkëkohor të dikujt që shërben me këtë cilësi dhe mënyra se si kjo solli një ndryshim.

  2. Ajo që mund të bëjmë: Rendit një ose dy hapa që mund të hedhësh për ta zhvilluar këtë cilësi më shumë në jetën tënde. Për ide, rilexo te Doktrina e Besëlidhje 4:7, kërko këshilla duke i dërguar mesazh në celular ose duke e pyetur dikë që ndien se e ka këtë cilësi të ngjashme me të Krishtit.

Ftojini disa nxënës të japin mendimet e tyre. Ndërsa flasin, merreni parasysh të pyesni a e zgjodhi ndonjë tjetër të njëjtën cilësi dhe a do të donte të jepte mendimin e vet. Jepni edhe mendimet tuaja gjithashtu. Kjo mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për të kuptuar më mirë cilësi të ndryshme, të ngjashme me të Krishtit dhe për të ndier rëndësinë e tyre. Kërkoni mënyra për të theksuar shembullin e Shpëtimtarit.

Zhvillimi i cilësive si të Krishtit

Për ta mbyllur këtë mësim, bëj një plan për një ose dy hapa që mund të hedhësh për të zhvilluar një tipar të ngjashëm me të Krishtit që e studiove sot. Mund të përfshish mënyra për të kërkuar ndihmën e Zotit ndërkohë që e zhvillon këtë cilësi.

Mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit ta shënojnë synimin e tyre në ditarin e tyre të studimit ose te Zhvillimi Vetjak: Libër Udhëzues për Rininë. Në një mësim të ardhshëm, kërkojuni nxënësve të raportojnë se si po ecin. Merreni parasysh të vendosni një synim vetjak dhe t’u tregoni nxënësve se si po e kërkoni ndihmën e Zotit.