“Mësimi 13 – Doktrina e Besëlidhje 3: ‘Nuk Duhet të Frikësohesh më Shumë nga Njeriu sesa nga Perëndia’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 3”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 13: Doktrina e Besëlidhje 3–5
Doktrina e Besëlidhje 3
“Nuk Duhet të Frikësohesh më Shumë nga Njeriu sesa nga Perëndia”
Nganjëherë mund të ndihemi nën presion nga të tjerët për të mos iu bindur Perëndisë. Jozef Smithi ndjeu presion të ngjashëm kur Martin Harrisi i kërkoi të merrte faqet e përkthyera të Librit të Mormonit. Jozefi mësoi, sidoqoftë, që këto janë çastet kur duhet të jemi besnikë ndaj Perëndisë dhe të mos i dorëzohemi presionit të të tjerëve. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë më të madhe për të mirëbesuar te Perëndia më shumë sesa te njerëzit e tjerë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Presioni në jetë
Fillojeni orën mësimore duke u treguar nxënësve një send të butë të tillë si një lodër pelushi ose jastëk. Thuajuni nxënësve se ky objekt mund t’i përfaqësojë ata. Për çdo përgjigje që japin për pyetjet vijuese, ftojeni një nxënës të vendosë një libër ose objekt të rëndë mbi sendin e butë. Ndërsa sendi sheshohet, ftojini nxënësit të përsiatin a janë ndier ndonjëherë të rënduar në këtë mënyrë.
-
Çfarë lloj presioni ndiejnë adoleshentët në jetën e tyre?
-
Sa nga këto lloje presioni vijnë nga përpjekja për t’iu bërë qejfin të tjerëve?
Ndalu një minutë për të reflektuar mbi faktin se sa presion ndien për t’u bërë qejfin të tjerëve dhe pse.
Në këtë mësim, do të studiosh mënyrën se si ndjeu presion Profeti Jozef Smith për t’i bërë qejfin Martin Harrisit dhe atë që Shpëtimtari i mësoi atij në atë situatë. Ndërsa studion, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të gjetur të vërteta që mund të të ndihmojnë kur ta ndiesh këtë presion.
“Gjithçka humbi”
Sa vijojnë janë ide për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë kontekstin e rëndësishëm historik më poshtë:
-
Jepjani tekstin një nxënësi përpara orës mësimore dhe ftojeni atë ta përmbledhë për të gjithë.
-
Ftojini nxënësit të tregojnë atë që dinë rreth 116 faqeve të humbura nga përkthimi fillestar i Librit të Mormonit. Shpjegojeni informacionin që nuk e japin nxënësit.
-
Paraqitni një pjesë nga teksti vijues me fjalët kyç që mungojnë, dhe shihni a mund ta plotësojnë nxënësit informacionin. Plotësojeni atë që nxënësit nuk e dinë.
-
Shfaqni materialin filmik “The Work of God” [“Vepra e Perëndisë”] (ChurchofJesusChrist.org) nga kodi kohor 2:25 deri në 8:45. Ose mund të zgjidhni ta shfaqni këtë material filmik kur të studioni seksionin Doktrina e Besëlidhje 10.
13:34
Martin Harrisi ishte një qytetar i respektuar i Palmirës dhe një fermer i suksesshëm, i cili ishte njëri nga fare pak njerëzit në zonë që i besonte Jozef Smithit. Ndonëse kishte pothuajse dyfishin e moshës së tij, Martini ishte mik me Jozefin dhe i dha atij para në mënyrë që të mund të shpërngulej në Harmoni të Pensilvanisë për ta përkthyer Librin e Mormonit pa e shqetësuar askush. Martini sakrifikoi gjithashtu për të udhëtuar atje vetë dhe për të shërbyer si shkrues.
Bashkëshortja e Martinit, Lusi, nuk e përkrahte përfshirjen e tij te përkthimi i Librit të Mormonit. Martini e pyeti Jozefin a mund t’ia tregonte 116 faqet e para të përkthimit Lusit si provë për punën e tyre. Jozefi u lut rreth kësaj dy herë dhe çdo herë iu tha të mos e lejonte Martinin t’i merrte faqet.
Jozefi u lut për herë të tretë dhe Zoti i dha leje me kushte të prera. Martini i çoi faqet në Palmirë për t’ia treguar bashkëshortes.
-
Si mendon, pse Jozefi nuk veproi sipas dy përgjigjeve të para që mori nga Zoti?
Ju mund të rishfaqni veprimtarinë nga fillimi i mësimit për të treguar presionin nën të cilin ishte Jozefi.
Ditën pasi u largua Martini, Ema Smithi solli në jetë fëmijën e parë të saj dhe Jozefit, një djalë. Tragjikisht, foshnja jetoi vetëm pak orë dhe dukej sikur edhe Ema mund të vdiste. Fatmirësisht, shëndeti i Emës filloi të përmirësohej pas dy javësh. Ndonëse Jozefi nuk donte të largohej prej saj, Ema e nxiti të udhëtonte drejt Palmirës dhe të pyeste për dorëshkrimin.
Kur Jozefi arriti në shtëpinë e prindërve, ata e ftuan Martinin t’u bashkohej për të ngrënë mëngjes. Martini nuk erdhi për më shumë se katër orë. Kur më në fund erdhi dhe u ul, ai thirri vajtueshëm: “E kam humbur shpirtin tim!” Ai nuk i kishte zbatuar udhëzimet e prera dhe e kishte humbur dorëshkrimin.
“Oh, Perëndia im, Perëndia im. Gjithçka humbi!” – tha Jozefi. “A duhet të kthehem te gruaja ime me një histori të tillë? Dhe si do t’i dal përpara Zotit?”
Pasi Jozefi u kthye në Harmoni, Moroni u shfaq dhe ia mori fletët. (Shih te Shenjtorët, 1:50–54.)
-
Si mendon, pse Jozefi ndjeu se gjithçka humbi?
Pak pas kësaj përvoje, Zoti i foli Jozef Smithit, duke e qortuar dhe duke i thënë fjalë ngushëlluese.
Frikësohu nga Perëndia më shumë sesa nga njeriu
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 3:1–10. Përcakto atë që Zoti donte që të mësonte Jozefi nga kjo përvojë.
Inkurajojini nxënësit të studiojnë ngadalë dhe me kujdes, duke kërkuar disa mësime.
Ftojini nxënësit t’i zbulojnë vetë të vërtetat: Pyetja vijuese ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta përcaktojnë të vërtetën vetë. Për trajnim të mëtejshëm mbi pyetjet që i ndihmojnë nxënësit t’i zbulojnë vetë doktrinën dhe parimet, shihni trajnimin e titulluar “Mësojeni vetë doktrinën e Jezu Krishtit”, që gjendet në trajnimin Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Jepeni Mësim Doktrinën.
-
Cilat janë disa nga mësimet që gjete?
Në vijim janë shembuj parimesh që nxënësit mund të gjejnë:
-
Veprat e Perëndisë nuk mund të pengohen (shihni te Doktrina e Besëlidhje 3:1). Nëse nxënësit e përcaktojnë këtë të vërtetë, merreni parasysh t’u kërkoni atyre të tregojnë pse është e rëndësishme ta kuptojnë këtë dhe mënyrën se si mund ta ketë ngushëlluar kjo Jozef Smithin.
-
Perëndia është i mëshirshëm (shihni te Doktrina e Besëlidhje 3:10). Kjo përfshin kohën kur i jemi dorëzuar presionit nga të tjerët për të mos iu bindur Atij. Nëse nxënësit e përcaktojnë këtë të vërtetë, merreni parasysh të bëni pyetje si vijuesja: Si mund ta ketë ndihmuar Profetin Jozef Smith të kujtuarit e mëshirës së Shpëtimtarit në këtë kohë? Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e mëshirës së Tij kur kemi nevojë të ndryshojmë?
-
Kur frikësohemi nga Perëndia më shumë sesa nga njeriu, Ai do të na përkrahë gjatë kohëve të shqetësimit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 3:7–8). Pjesa e mbetur e mësimit do të përqendrohet te ky parim.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë të frikësohesh nga Perëndia:
“Ka shumë vende në shkrimet e shenjta që e këshillojnë njerëzimin për ta pasur frikë Perëndinë. Në kohën tonë ne në përgjithësi e interpretojmë fjalën frikë si ‘respekt’, ose ‘nderim’, ose ‘dashuri’; që është, frika ndaj Perëndisë do të thotë dashuria ndaj Perëndisë ose respekti për Të dhe ligjin e Tij. …
… Ne duhet ta duam e nderojmë Atë në mënyrë të tillë që ne do të kemi frikë të bëjmë diçka të gabuar në sytë e Tij, çfarëdo qofshin mendimet e të tjerëve ose shtytja prej tyre.” (D. Todd Christofferson, “A Sense of the Sacred” [mbledhje rreth vatrës e Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 7 nëntor 2004], f. 6–7, broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)
-
Me fjalët e tua, si do ta përmblidhje atë që dha mësim Plaku Kristoferson rreth frikës nga Perëndia?
Kur jemi besnikë, Perëndia do të na përkrahë në çdo kohë shqetësimi
Nëse dëshironi, mund të shkruani në tabelë: Zoti mund të më përkrahë në kohët e shqetësimit sepse Ai ….
Shkruaje frazën Zoti mund të më përkrahë në kohët e shqetësimit sepse Ai … në ditarin tënd të studimit. Plotësoje këtë pohim duke bërë një ose më shumë nga sa vijon:
-
Bëj një listë me ndihmën dhe përkrahjen që mund të të japë Jezu Krishti, që njerëzit e tjerë nuk munden.
-
Bëj një listë të rasteve në jetën tënde kur zgjodhe të jesh besnik/e ndaj Zotit, edhe kur të tjerët po të bënin presion që të mos i bindeshe Atij, dhe Ai të dha përkrahje. Mund të përdorësh edhe shembuj nga shkrimet e shenjta.
Nxënësit mund të renditin edhe disa nga përgjigjet e tyre në tabelë. Nxënësit mund të kenë nevojë për ndihmë për të përcaktuar tregime nga shkrimet e shenjta ku Perëndia i përkrah individët që u përballën me kundërshtim, por i qëndruan besnikë Atij. Mund t’u jepni atyre shembujt vijues: Abinadi që merr fuqi nga Perëndia për ta dhënë mesazhin e Tij pavarësisht nga kërcënimet e mbretit Noe dhe priftërinjve të tij (shihni te Mosia 13:1–3); Zoti që shpëton Shadrakun, Meshakun dhe Abed‑negon nga furra e zjarrit (shihni te Daniel 3:23–25).
-
Çfarë ke shkruar rreth Shpëtimtarit që ndien se do të ishte më e dobishmja ta mbaje mend kur tundohesh t’u bësh qejfin të tjerëve më shumë sesa Perëndisë?
Si rezultat i këtij qortimi, Jozefi mësoi se Perëndia do ta përkrahte atë ndërsa ai zgjidhte të ishte besnik. Jozefi shkoi përpara në jetë, duke mirëbesuar tek urdhërimet dhe udhërrëfimi i Perëndisë, ndonëse përjetoi dhembje, përndjekje, burgosje dhe madje edhe vdekje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 122; 135).
Përsiat dhe shkruaj në ditarin tënd të studimit se si lidhet me ty ajo që mësove në këtë mësim. Mund të përfshish atë që do të doje të mbaje mend ose të bëje kur të përballesh me presionin e të qenit i frikësuar më shumë nga të tjerët sesa nga Perëndia.
Merreni parasysh të dëshmoni se mësimet që mori Jozef Smithi nga kjo përvojë e vështirë, e ndihmuan atë të bëhej më i bindur ndaj Perëndisë gjatë gjithë jetës së vet. Mund të dëshmoni rreth përkrahjes që keni marrë nga Perëndia ndërsa e keni zbatuar këshillën e Tij edhe kur ishte e vështirë ta bënit.