“Mësimi 7 – Joseph Smith – Historia 1:1–26: ‘Kërko nga Perëndia’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Joseph Smith – Historia 1:1–26”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 7: Joseph Smith – Historia 1:1–26
Joseph Smith – Historia 1:1–14
“Kërko nga Perëndia”
Në moshë të re, Jozef Smithi dëshironte ta ndiqte Jezu Krishtin dhe kërkoi të dinte se cila kishë kishte të drejtë dhe me cilën kishë duhej të bashkohej. Megjithatë, kishte kisha të shumta që jepnin mësim gjëra të ndryshme, dhe të riut Jozef iu duk e vështirë ta dallonte të vërtetën. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndjekin shembullin e Jozef Smithit në përpjekjet e tyre për të mësuar të vërtetën nga Perëndia.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Një kohë pështjellimi
Në këtë mësim, nxënësit do të studiojnë vargjet te Joseph Smith – Historia 1:1–14 me përqendrimin te veprimet e Jozef Smithit ndërsa ai kërkonte të dinte se me cilën kishë të bashkohej. Në mësimin vijues, “Joseph Smith – Historia 1:15–20”, nxënësit do të studiojnë përvojën e Jozefit në Korijen e Shenjtë. Në varësi të kohës në dispozicion në orën mësimore, mund t’i ndërthurni këto dy mësime.
Ftojini nxënësit të tregojnë shembuj të rasteve kur kanë marrë informacione kontradiktore. Për shembull, ata mund të kenë parë raportime dhe mendime të ndryshme rreth një teme në mediat shoqërore ose në lajme.
-
Pse mund të jetë e vështirë ndonjëherë ta përcaktosh informacionin e besueshëm?
-
Si mund t’ia bëjnë të vështirë dikujt po ato sfida që të gjejë të vërtetën rreth Jezu Krishtit dhe doktrinës së Tij?
Ndërsa nxënësit mësojnë rreth përvojës së Jozef Smithit, ftojini ata të mendojnë rreth mënyrës se si shembulli i tij mund t’i ndihmojë ata në kërkimin e tyre për të vërtetën.
Në moshë të re, Jozef Smithi qe i shqetësuar për mirëqenien e shpirtit të tij. Brenda komunitetit dhe madje brenda familjes Smith, kishte mendime të ndryshme rreth faktit se cila kishë përmbante të vërtetat e nevojshme për shpëtimin.
Merreni parasysh t’i ndani vargjet vijuese mes nxënësve në mënyrë që klasa të mund t’i gjejë shpejt sfidat e Jozefit për përcaktimin e së vërtetës.
Lexo te Joseph Smith – Historia 1:5–10, duke kërkuar arsyen pse ishte e vështirë që Jozefi të përcaktonte të vërtetën e Perëndisë mes feve të ndryshme.
-
Si e ke parë një pështjellim të ngjashëm rreth fesë në botë sot?
-
Si mendon, pse ka rëndësi që ne të kërkojmë ta dimë të vërtetën nga Perëndia në vend që të pranojmë gjithçka që jepet mësim?
Për t’i ndihmuar nxënësit ta lidhin shembullin e Jozefit me jetën e tyre, merreni parasysh ta kopjoni tabelën vijuese në dërrasë dhe ta plotësoni atë si klasë gjatë gjithë mësimit.
Krijoje tabelën vijuese në ditarin tënd të studimit dhe emërtoji ndarjet sikurse i sheh më poshtë:
|
Pyetjet që kishte Jozefi për Perëndinë |
Pyetjet që kam unë për Perëndinë |
|
Çfarë bëri Jozefi |
Çfarë do të bëj unë |
Riktheju asaj që lexove te Joseph Smith – Historia 1:8, 10. Shkruaji pyetjet dhe veprimet e Jozefit te ndarja e duhur.
Nxënësit mund të përcaktojnë nga vargu 10 që pyetjet e Jozefit ishin “Çfarë duhet të bëhet?” dhe “Cil[a] nga të gjitha [kishat] ka të drejtë?” Ata mund të dallojnë te vargu 8 që veprimet e Jozefit përfshinë edhe reflektimin dhe frekuentimin e mbledhjeve të ndryshme të kishave.
Mund të jetë e dobishme t’i drejtoni nxënësit te paragrafi 3 në pjesën Marrja e Njohurisë Shpirtërore te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023) teksa e diskutoni pyetjen vijuese.
-
Si mendon, pse Ati Qiellor do të ishte i kënaqur që Jozefi i bëri këto pyetje?
Ndjekja e shembullit të Jozef Smithit
Ndërsa kërkojmë të dimë se çfarë është e vërtetë, mund të jetë e dobishme të ndjekim këtë ftesë nga Presidenti Rasëll M. Nelson:
“Profeti Jozef Smith caktoi një model për ne që ta ndjekim [për] zgjidhjen e pyetjeve tona. …
Në mënyrë të ngjashme, çfarë do të hapë kërkimi juaj për ju? Çfarë urtësie ju mungon? Çfarë mendoni se keni nevojë të ngutshme për të ditur ose kuptuar? Ndiqni shembullin e Profetit Jozef.” (Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 95)
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga Presidenti Nelson, është se ne mund të ndjekim shembullin e Jozef Smithit për ta mësuar vetë të vërtetën e Perëndisë. Reflekto për pyetjet që bëri Presidenti Nelson. Si do t’iu përgjigjeshe atyre ti vetë? Përsiat disa pyetje që ke, dhe shkruaji ato në ndarjen “Pyetjet që kam unë për Perëndinë” në ditarin tënd të studimit.
Nxënësit mund të kenë zgjedhur një pyetje tek e cila të përqendrohen në mësimin “Kërkimi i Zbulesës Vetjake për Pyetjet e Mia” ose “Të Vepruarit me Besim për të Gjetur Përgjigje”. Mund të jetë e dobishme t’ua kujtoni atyre këtë.
-
Cilës nga pyetjet e tua ndihesh i/e frymëzuar t’i japësh përparësi në këtë pikë të jetës sate? Përse?
Ndërsa vazhdon të studiosh vargjet te Joseph Smith – Historia gjatë gjithë mësimit, vazhdo ta plotësosh tabelën në ditarin tënd të studimit. Kërko mënyra se si mund ta ndjekësh shembullin e Jozefit për të gjetur përgjigje për pyetjet e tua. Në ndarjen “Çfarë do të bëj unë”, shkruaj përshtypjet që merr për të vepruar.
Pasi nxënësit ta lexojnë fragmentin vijues, ftojini ata të vazhdojnë ta plotësojnë ndarjen “Çfarë bëri Jozefi” në tabelë.
Lexo te Joseph Smith – Historia 1:11–14, duke kërkuar veprimet e tjera që ndërmori Jozefi për të mësuar të vërtetën e Perëndisë. Merre parasysh ta shkruash atë që gjen te ndarja “Çfarë bëri Jozefi”.
Për të parë pyetjet dhe veprimet e tjera që ndërmori Jozefi për të gjetur përgjigjet nga Perëndia, mund të shikosh materialin filmik “The Restoration” [“Rivendosja”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 1:15 deri në 15:34.
Nëse zgjidhni ta shikoni materialin filmik “The Restoration” [“Rivendosja”], merreni parasysh ta ndaloni atë sa herë që nxënësit përcaktojnë një pyetje të re që pati Jozefi ose një veprim të ri që ndërmori ai. Kërkojini një nxënësi t’i shtojë ato te ndarjet në tabelë.
Këta janë shembuj të veprimeve që nxënësit mund të vënë re se Jozefi po ndërmerr në materialin filmik: po u bën prindërve pyetje, po bën diskutime me predikuesit, po gjen kohë për të përsiatur atë që po mëson, po lexon përzgjedhje të ndryshme nga Bibla dhe nuk po heq dorë kur përgjigjet nuk vijnë shpejt.
-
Ndonëse Jozefi nuk e dinte se me cilën kishë të bashkohej, çfarë dinte ai për Perëndinë? (Shih paragrafët 2–3 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor [2023].)
-
Si mendon, pse Perëndia është aq i gatshëm të na ndihmojë ta zbulojmë të vërtetën? (Shih te Joseph Smith – Historia 1:11.)
-
Cilin nga veprimet e Jozefit ke provuar në jetën tënde? Cilin do të doje të provoje?
Sille ndër mendje ftesën që Presidenti Nelson bëri që të “ndiqni shembullin e Profetit Jozef”. Kërko ndihmë nga Ati Qiellor ndërsa përsiat për atë që mund të bësh që ta ndjekësh shembullin e Jozefit në kërkimin tënd për të vërtetën.
Nëse nevojitet, mund të tregoni mënyra se si nxënësit mund ta ndjekin shembullin e Jozef Smithit, të tilla si këto:
-
Gjej një shkrim të shenjtë që është kuptimplotë për ty. Bëj një plan që të reflektosh mbi të herë pas here. Mund të krijosh një afishe dhe ta vendosësh atë atje ku do ta shohësh fragmentin gjatë gjithë ditës. Ose mund të provosh ta mësosh përmendsh dhe ta thuash atë përmendsh çdo ditë për një javë.
-
Vendos t’i lutesh Perëndisë me zë në një vend privat. Krijo një përvijim të asaj që do të doje të përfshije në lutjen tënde.
Në ndarjen “Çfarë do të bëj unë” në ditarin tënd të studimit, shkruaj një ose dy mënyra se si do ta ndjekësh shembullin e Jozef Smithit. Përfshi hollësi specifike të mënyrës se si do t’i vësh në praktikë këto veprime ndërsa kërkon përgjigje nga Perëndia. Nëse dëshiron, mund t’ia tregosh planin tënd një shoku ose shoqeje të besuar ose një pjesëtari të familjes. Është e rëndësishme të mbajmë mend se edhe planet më të mira mund të duan kohë për të sjellë rezultatet e dëshiruara. Rikthehu te ditari yt i studimit dhe te Joseph Smith – Historia periodikisht për të vlerësuar se si po ecën.
Lejojini nxënësit të japin dëshmi për veprimet besimplota që mund të çojnë drejt zbulesës dhe përgjigjeve për pyetjet shpirtërore. Dëshmoni se, ndërsa e ndjekim shembullin e Jozef Smithit, Perëndia do të na ndihmojë ta mësojmë të vërtetën vetë.