Eja, Më Ndiq
24–30 Gusht. “Unë do t’ju Tregoj Atë që Ai Bëri për Shpirtin Tim”: Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86


“24–30 Gusht. ‘Unë do t’ju Tregoj Atë që Ai Bëri për Shpirtin Tim’: Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“24–30 Gusht. ‘Unë do t’ju Tregoj Atë që Ai Bëri për Shpirtin Tim’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026

Jezusi duke mbajtur një fener natën

Saving That Which Is Lost [Të Shpëtosh Atë që Kishte Humbur], nga Michael Malm

24–30 Gusht: “Unë do t’ju Tregoj Atë që Ai Bëri për Shpirtin Tim”

Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86

Shkrimtarët e Psalmeve treguan ndjenja thellësisht vetjake në poezinë e tyre. Ata shkruan për ndjenjën e të qenit të shkurajuar, të frikësuar e të penduar. Me raste madje u ndien të braktisur nga Perëndia dhe disa psalme mbartin një ton zhgënjimi apo dëshpërimi. Nëse jeni ndier ndonjëherë në atë mënyrë, leximi i Psalmeve mund t’ju ndihmojë të dini se nuk jeni i vetmi. Por gjithashtu do të gjeni psalme që mund t’ju inkurajojnë kur keni ndjenja të tilla, sepse psalmistët gjithashtu e lëvduan Zotin për mirësinë e Tij, u mrekulluan me fuqinë e Tij dhe u gëzuan me mëshirën e Tij. Ata e dinin se ligësia dhe mëkati janë barrë për ne, por që Zoti është “i mirë dhe i gatshëm të falë” (Psalmeve 86:5). Ata e kuptuan se të keni besim te Zoti, nuk do të thotë që nuk do të ndesheni kurrë me ankthin, mëkatin apo frikën. Kjo do të thotë që ju e dini se kujt t’i drejtoheni kur t’i përjetoni këto.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Psalmeve 49; 62:5–12

Shëlbimi vjen vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit.

Psalmeve 49 ka një mesazh për “njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër” (vargu 2). Cili është ky mesazh sipas jush? Çfarë mendoni se vargjet te Psalmeve 62:5–12 i shtojnë atij mesazhi?

Leximi i këtyre psalmeve mund t’ju frymëzojë të përsiatni mënyrat se si tundohemi ta vëmë mirëbesimin për shëlbimin te diçka tjetër përveç Perëndisë (shihni te Psalmeve 49:6–7). Si ndikohet jeta juaj nga dëshmia juaj se “Perëndia … do ta shpengojë shpirtin t[uaj] nga pushteti i Sheolit [varrit]”? (Psalmeve 49:15.)

Psalmeve 51; 85–86

ikona e seminarit
Për shkak të mëshirës së Shpëtimtarit, unë mund të marr falje.

Mbreti David e shkroi Psalmeve 51 pasi kuptoi nevojën e tij të skajshme për falje, diçka që na nevojitet të gjithëve. Cilat vargje i përshkruajnë ndjenjat që keni pasur? Çfarë gjeni në këtë psalm që ju jep shpresë për faljen?

Gjithashtu mund të kërkoni te Psalmeve 51 për të dhëna rreth asaj se çfarë do të thotë të pendohesh. Bëje një listë të asaj që gjen. Shihni nëse mund t’i shtoni gjëra listës suaj duke kërkuar mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë” (Liahona, maj 2019, f. 67–69).

Në ç’mënyrë do ta përshkruanit se si ndihemi kur marrim falje nëpërmjet Krishtit? Nëse ju nevojitet ndihmë për t’i përshkruar ndjenjat tuaja, mund të shihni vargjet te Psalmeve 51:1–2, 7–12; 85:2–9. Disa njerëzve u pëlqen të vizatojnë ose gjejnë figura për të shprehur ndjenjat e tyre; mund ta provoni këtë gjë. Gjithashtu mund të këndoni ose dëgjoni një himn rreth Shpëtimtarit, të tillë si “Qëndroj Plot Habi” (Himne, nr. 113).

Për t’u penduar, na nevojitet besim jo vetëm që Jezu Krishti mund të na pastrojë, por edhe që Ai do të na pastrojë. Çfarë gjeni te Psalmeve 86:5, 13, 15 që ju ndihmon të dini se Shpëtimtari është si i aftë ashtu edhe i gatshëm për të falur?

Shihni edhe tek Alma 36; Piter F. Mërs, “Ai Mund të më Shëronte Mua!”, Liahona, maj 2023, f. 39–41.

Psalmeve 51:13–15; 66:5–20; 71:15–24

Dëshmia ime për Jezu Krishtin mund t’i ndihmojë të tjerët të vijnë tek Ai.

Përsiatni se si e fituat dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe fuqinë e Tij shlyese. Më pas, teksa studioni te Psalmeve 51:13–15; 66:5–20; 71:15–24, mendoni për mënyrën se si mund t’i ftoni të tjerët të “[vijnë] dhe [ta] admiro[jnë] atë që Perëndia ka bërë” (Psalmeve 66:5). Nëse do të “trego[nit] atë që [Zoti] bëri për shpirtin t[uaj]” (Psalmeve 66:16), çfarë do të tregonit?

Çfarë do të thotë për ju që të “fl[isni] tërë ditën për drejtësinë [e Tij]”? (Psalmeve 71:24.)

Shihni edhe tek Alma 26.

një i ri duke u treguar të tjerëve për shkrimet e shenjta

“Ejani dhe dëgjoni … dhe unë do t’ju tregoj atë që [Perëndia] bëri për shpirtin tim” (Psalmeve 66:16).

Psalmeve 63; 69; 77–78

Zoti do të më ndihmojë në kohën time të nevojës.

Disa psalme përshkruajnë se si është të ndihesh i largët nga Perëndia dhe të kesh nevojë skajshëm për ndihmën e Tij (shihni te Psalmeve 63:1, 8; 69:1–8, 18–21; 77:1–9). Te Psalmeve 6369; 77–78, çfarë gjeni që u dha psalmistëve siguri përsëri?

Kur jeni në ankth, si ju ndihmon kjo të “kujto[ni] veprat e Zotit” dhe “mrekullitë e [Tij] të kohëve të kaluara”? (Psalmeve 77:11.) Disa nga ato mrekulli janë përshkruar te Psalmeve 78. Ndërsa lexoni rreth tyre, përsiatni për atë që ju ndihmon ta “vendos[ni] te Perëndia besimin … t[uaj]” (vargu 7).

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Për shkak se kjo e diel është e diela e pestë e muajit, mësuesit/et e Fillores nxiten të përdorin veprimtaritë e të mësuarit te “Shtojca B: Përgatitja e Fëmijëve për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë”.

Psalmeve 51; 86:5, 13, 15

Kur bëj një zgjedhje të gabuar, Jezusi mund të më ndihmojë që të ndryshoj.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që të zbulojnë të vërtetat rreth pendimit te Psalmeve 51, mund të vizatoni një zemër të madhe. Më pas mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të shkruajnë brenda zemrës gjërat e këqija që Satani na tundon të bëjmë. Si i nxjerrim këto gjëra nga zemrat tona? Kërkojuni fëmijëve tuaj të gjejnë fjalën “zemër” te Psalmeve 51:10, 17. Flisni rreth asaj se çfarë na mësojnë këto vargje rreth pendimit. Lejojini fëmijët tuaj t’i fshijnë fjalët brenda zemrës dhe të shkruajnë fjalë të reja që përshkruajnë mënyrat se si Jezusi mund të na ndryshojë kur pendohemi.

  • Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të mësojnë se çfarë do të thotë ta kesh “zemrën e thyer dhe të penduar” (Psalmeve 51:17). Ata me radhë mund të thyejnë diçka që ka një guaskë të fortë, si për shembull një vezë ose një arrë. Ju mund t’i ndihmoni ta krahasojnë guaskën me gjërat që na pengojnë për të ndier dashurinë e Atit Qiellor. Si mund t’ia hapim zemrën tonë Atij?

  • Gjithashtu mund të shihni së bashku një figurë të Shpëtimtarit dhe t’u kërkoni fëmijëve tuaj se çfarë fjalësh do të përdornin për ta përshkruar Atë. Ftojini që të gjejnë fjalë që e përshkruajnë Atë te Psalmeve 86:5, 13, 15. Përse është e rëndësishme që t’i dimë këto gjëra për Të?

Psalmeve 61:2–3

Jezu Krishti është shkëmbi im.

  • Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të vizatojnë figura të simboleve te Psalmeve 61:2–3. Si është Jezu Krishti si një “shkëmb” i lartë (vargu 2), “një strehë” dhe “një kështjellë e fortifikuar”? (Vargu 3.)

një kullë vëzhgimi e ndërtuar me gurë

“Ti ke qenë një strehë për mua dhe një kështjellë e fortifikuar” (Psalmeve 61:3).

Psalmeve 66:16; 77:11; 78:6–7

“Do t’i kujtoj veprat e Zotit.”

  • Kërkojuni fëmijëve tuaj të tregojnë disa nga tregimet e tyre të parapëlqyera nga shkrimet e shenjta (figurat nga Libri i Figurave Artistike të Ungjillit mund të ndihmojnë). Çfarë na mësojnë këto histori rreth Zotit? Mund të lexoni së bashku te Psalmeve 66:16 dhe me radhë t’i përgjigjeni pyetjes: “Çfarë ka bërë Zoti për shpirtin tim?”

  • Ndërsa lexoni së bashku te Psalmeve 77:11; 78:6–7, mund t’i tregoni njëri‑tjetrit se si përpiqeni t’i “kujto[ni] veprat e Zotit” (Psalmeve 77:11), përfshirë veprat e Tij në jetën tuaj. Si na ndihmon sakramenti që “gjithmonë t[ë] kujtoj[m]ë”? (Moroni 4:3; 5:2.)

Psalmeve 71:8

Unë mund t’u tregoj të tjerëve rreth Jezu Krishtit.

  • Pasi të lexoni me fëmijët tuaj te Psalmeve 71:8, ftojini të vizatojnë një gojë të madhe. Kërkojuni që t’ju ndihmojnë për ta mbushur gojën “plot” me figura ose fjalë që përfaqësojnë gjërat që mund t’ua themi të tjerëve rreth Jezu Krishtit.

  • Mund të kaloni dorë më dorë një figurë të Jezu Krishtit. Personi që mban figurën, mund të thotë një gjë që di rreth Tij. Si mund t’i ndihmojmë njerëzit e tjerë që t’i dinë këto gjëra?

Fëmijët kanë shumë për të treguar. “Kur fëmijët mësojnë diçka të re, ata natyrshëm dëshirojnë t’ua tregojnë atë të tjerëve. Nxiteni këtë dëshirë duke u dhënë fëmijëve mundësi për t’i dhënë mësim parime të ungjillit njëri-tjetrit, pjesëtarëve të familjes së tyre dhe miqve të tyre. Gjithashtu, kërkojuni atyre t’ju thonë mendimet, ndjenjat dhe përvojat e tyre lidhur me parimet që po u jepni mësim. Ju do të zbuloni se ata kanë ide që janë të thjeshta, të pastra dhe të fuqishme” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 32).

Psalmeve 86:7

Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të mia.

  • Shumë nga psalmet janë si lutje ndaj Perëndisë. Ndërsa e lexoni librin e Psalmeve me fëmijët tuaj, mund t’u tregoni gjëra që mund t’i përdorim për të komunikuar me njerëz të cilët janë shumë larg, të tillë si një telefon ose një letër. Më pas lexoni te Psalmeve 86:7. Si e “kërkoj[më]” ne Atin Qiellor? Si na përgjigjet Ai ne?

  • Mund të këndoni së bashku një këngë rreth lutjes, të tillë si “Lutja e një Fëmije” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 6–7; shihni edhe te Suzën H. Porter, “Lutju Atij”, Liahona, maj 2024, f. 77–79). Tregojini njëri‑tjetrit për raste kur Perëndia iu përgjigj lutjeve tuaja.

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

një portret i Jezusit

Come unto Christ [Ejani te Krishti], nga Casey Childs

faqja e veprimtarisë së Fillores: Kur bëj një zgjedhje të gabuar, Jezusi mund të më ndihmojë që të ndryshoj