“3–9 Gusht. ‘Është Pikërisht për një Kohë të Tillë që Ti Ke Arritur’: Esterit”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“3–9 Gusht. ‘Është Pikërisht për një Kohë të Tillë që Ti Ke Arritur’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
Queen Esther Saves Jehovah’s People [Mbretëresha Ester Shpëton Popullin e Jehovës], nga Sam Lawlor
3–9 Gusht: “Është Pikërisht për një Kohë të Tillë që Ti Ke Arritur”
Esteri
Shumë ngjarje në librin e Esterit mund të duken si fat ose rastësi. Si e shpjegoni ndryshe që një vajzë judease jetime u bë mbretëresha e Persisë në kohën e duhur për të shpëtuar popullin e saj nga masakra? Cilat janë mundësitë që kushëriri i Esterit, Mardokeu, të ndodhte që të dëgjonte për një komplot për të vrarë mbretin? A ishin këto rastësi apo ishin pjesë e një plani hyjnor? Plaku Ronald A. Rasband vuri në dukje: “Ajo që mund të duket se është një rastësi, në fakt po mbikëqyret nga një Atë i dashur në Qiell. … Zoti është në hollësitë e vogla të jetës sonë” (“Sipas Qëllimit Hyjnor”, Liahona, nëntor 2017, f. 56). Ne mund të mos e dallojmë gjithmonë ndikimin e Zotit në këto “hollësi [të] vogla”. Por nga përvoja e Esterit mësojmë se Ai mund ta udhërrëfejë shtegun tonë dhe të na përgatitë “për një kohë të tillë” (Esterit 4:14), kohë kur mund të jemi mjete në duart e Tij për të përmbushur qëllimet e Tij.
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Esterit, shihni zërin “Ester” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Esteri
Zoti më vë në situata ku mund t’i bekoj të tjerët.
Presidenti Diter F. Uhtdorf dha mësim se secili prej nesh “qëndron në një [vend të pashoq] dhe ka një detyrë të rëndësishme që vetëm [ne] mund ta kryej[m]ë. … Zoti ju ka dhënë juve përgjegjësitë tuaja për një arsye. Mund të ketë njerëz dhe zemra që vetëm ju mund t’u afroheni dhe t’i prekni. Ndoshta askush tjetër nuk do të mund ta bëjë atë pikërisht në të njëjtën mënyrë” (“Ngrini Atje Ku Ndodheni”, Liahona, nëntor 2008, f. 56).
Ndërsa lexoni historinë e Esterit, përsiatini se si zbatohet kjo thënie për të. Kërkoni mënyrat se si Zoti bëri të mundur që ajo t’i shpëtonte judenjtë (shihni, për shembull, tek Esterit 2:21–23; 3:10–14; 4:14–16). Më pas përsiatni se si Ai ju ka dhënë mundësi për t’i bekuar të tjerët. Cilat janë disa rrethana ose marrëdhënie drejt të cilave Ai ju ka udhërrëfyer “për një kohë të tillë”? (Esterit 4:14.) Nëse keni një bekim patriarkal, merreni parasysh ta lexoni atë për të mësuar më shumë rreth punës që Zoti ka për ta bërë ju. Çfarë mund të bëni për ta përmbushur këtë punë?
Shihni edhe te “For Such a Time as This” [“Për një Kohë të Tillë”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
For Such a Time as This
Ne mësojmë më shumë duke bërë sesa duke dëgjuar. Plaku Dejvid A. Bednar i këshilloi mësuesit: “Synimi ynë nuk duhet të jetë ‘Çfarë t’u them?’ Në vend të kësaj, pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes, janë: ‘Çfarë mund t’i ftoj të bëjnë?’ Çfarë pyetjesh të frymëzuara mund të bëj, të cilat, nëse ata janë të gatshëm të përgjigjen, do të fillojnë ta ftojnë Frymën e Shenjtë në jetën e tyre?’” (në Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25). Nëse po i jepni mësim familjes apo një klase rreth Esterit, çfarë mund t’u kërkoni të bëjnë që do t’i ndihmonte të mësonin?
“Kur Hamani pa që Mardokeu nuk përkulej … u zemërua shumë” (Esterit 3:5).
Esterit 3; 5:9–14; 7
Krenaria dhe zemërimi mund të çojnë në rënie.
Në librin e Esterit, mësojmë nga besnikëria e Esterit dhe Mardokeut, por gjithashtu mësojmë nga krenaria dhe zemërimi i Hamanit. Ndërsa lexoni vargjet tek Esterit 3; 5:9–14, vini re ndjenjat, fjalët dhe veprimet e Hamanit. Çfarë zbulojnë ato për të dhe shtysat e tij? Me çfarë pasojash u përball ai? (Shihni tek Esterit 7.) Leximi rreth Hamanit mund t’ju nxitë të vlerësoni se çfarë u jep shtysë ndjenjave dhe veprimeve tuaja. A jeni të frymëzuar të bëni ndonjë ndryshim? Si mund të drejtoheni tek Ati Qiellor për ndihmë?
Shihni edhe te Fjalët e Urta 16:32; Alma 5:28.
Esterit 3–4; 5:2–3; 8:11–12
Agjërimi tregon se unë mirëbesoj dhe mbështetem te Zoti.
Vini re përse Esteri dhe pjesa tjetër e judenjve vendosën të agjëronin (shihni tek Esterit 3:13; 4:1–3, 10–17). Si i bekoi ata agjërimi? (Shihni tek Esterit 5:2–3; 8:11–12.) Pse Zoti kërkon që të agjërojmë? (Shihni tek Tema dhe Pyetje, “Fasting and Fast Offerings” [“Agjërimi dhe Ofertat e Agjërimit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Merrni parasysh se si mund ta bëni agjërimin një bekim më të madh në jetën tuaj.
Shihni edhe tek Isaia 58:6–12; “Fasting: Young Single Adult Ward, Amanda” [“Agjërimi: Lagje për Të Rinjtë në Moshë Madhore Beqarë, Amanda”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Fasting: Young Single Adult Ward, Amanda
Esterit 3:1–11; 4:10–17; 5:1–4; 9:17–19
Bërja e asaj që është e drejtë, shpesh kërkon guxim të madh.
Kur Mardokeu dhe Esteri i mbrojtën bindjet dhe popullin e tyre, ata vunë në rrezik jetën e tyre. Zgjedhjet tona mund të kenë pasoja më pak të rënda, por bërja e asaj që është e drejtë, ende mund të kërkojë guxim. Çfarë mësoni prej Esterit 3:1–4; 4:10–17 rreth pasjes së guximit për të bërë atë që është e drejtë? Vini re pasojat e ndryshme që përjetuan Mardokeu dhe Esteri pasi treguan guxim (shihni tek Esterit 3:5–11; 5:1–4). Çfarë iu nevojitej të dinin Esterit dhe Mardokeut rreth Perëndisë që të bënin zgjedhjet që bënë?
Mendoni për situata ku ju nevojitet guxim që ta mbroni atë që është e drejtë. Çfarë mësoni nga Esteri dhe Mardokeu që mund t’ju ndihmojë të gjeni guxim te Zoti?
Guximi i Esterit çoi në “një ditë … gëzimi” (shihni tek Esterit 9:17–19). Si ju ka dhënë guximi i ngjashëm me të Krishtit “një ditë … gëzimi”?
Shihni edhe te “Courage” [“Guxim”], “Dare to Stand Alone” [“Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”] (materiale filmike), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “T’Vërtet’ Ndaj Besimit”, Himne, nr. 162.
Courage
Dare to Stand Alone
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Esterit 2:5–7
Unë mund t’i shërbej familjes sime.
-
Ju mund të ndiheni të frymëzuar që të përdorni vargun tek Esterit 2:7 që t’u mësoni fëmijëve tuaj rreth ndihmës ndaj pjesëtarëve në nevojë të familjes, sikurse Mardokeu bëri për Esterin. Mund ta lexoni vargun së bashku ose ta përmblidhni me vetë fjalët tuaja. Më pas, ju dhe fëmijët tuaj mund të mendoni për pjesëtarë të familjes që mund të kenë nevojë për ndihmën tuaj. Bëni një plan për t’i ndihmuar ata.
Esterit 3:1–11; 4:10–17
Zoti mund të më ndihmojë që të jem trim/e.
-
Shembujt e Esterit dhe Mardokeut mund t’i ndihmojnë fëmijët tuaj që të kuptojnë se trimëri do të thotë të bëni atë që është e drejtë edhe kur keni frikë. Merreni parasysh të shkruani frazat: Mardokeu ishte trim kur ai … dhe Esteri ishte trime kur ajo … . Ndërsa lexoni së bashku historinë e Esterit, fëmijët tuaj mund të sugjerojnë mënyra për t’i përfunduar fjalitë. Mund të lexoni tek Esterit 3:1–11; 4:10–17 ose “Mbretëresha Ester” (tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 166–170) ose shihni figurat në këtë përvijim. Më pas shkruani: Unë do të jem trim/e duke … dhe ftojini fëmijët tuaj të renditin gjërat që Ati Qiellor dëshiron që ata të bëjnë, të cilat kërkojnë guxim. Mund të ndihmojë një këngë rreth guximit, e tillë si “Guxo, Ji i Drejt’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 80).
2:45Queen Esther
-
Gjithashtu mund të mësoni për raste kur Jezu Krishti ishte guximtar; për shembull, kur Ai vuajti për mëkatet tona në Gjetseman dhe në kryq (shihni te Mateu 26:36–39; 27:33–35). Kërkojuni fëmijëve tuaj të tregojnë për një rast kur ishin guximtarë dhe tregoni edhe vetë përvojat tuaja.
Esterit 4:1–3, 10–17
Agjërimi sjell bekimet e Zotit.
-
Të lexuarit e vargjeve tek Esterit 4:1–3, 10–17 mund t’ju ndihmojë që t’u mësoni fëmijëve tuaj rreth agjërimit. Përse agjëruan Esteri dhe judenjtë? Tregojuni fëmijëve tuaj përse agjëroni. Gjithashtu mund t’i pyesni se si do t’ia shpjegonin agjërimin një miku ose mikeshe që nuk ka agjëruar kurrë më parë. Si mund t’i ndihmojmë miqtë tanë që t’i kuptojnë bekimet që vijnë nga agjërimi?
-
Nxitini fëmijët tuaj të mendojnë rreth diçkaje për të cilën mund t’u nevojitet ndihma e Zotit. Sugjeroni që ta bëjnë atë pjesë të agjërimit të tyre gjatë së dielës së ardhshme të agjërimit.
Për shkak se Esteri ishte trime, ajo qe në gjendje ta shpëtonte popullin e Zotit.
Esterit 4:14
Unë mund të jem një mjet në duart e Perëndisë.
-
Ndihmojini fëmijët tuaj të kuptojnë se kur Esteri ishte e frikësuar, Mardokeu i dha asaj kurajë duke i shpjeguar se Zoti e kishte ndihmuar të bëhej mbretëreshë “pikërisht për një kohë të tillë” (Esterit 4:14). Çfarë donte të thoshte Mardokeu me këtë frazë? Flisni me njëri‑tjetrin rreth mënyrës se si Esteri ishte një mjet për Zotin. Si mund të jemi mjete për Zotin?
-
Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që të kuptojnë se çfarë është një mjet? Ndoshta mund të ftoni dikë të luajë një këngë me një instrument muzikor ose paraqitni një figurë të dikujt që po përdor një vegël. Më pas mund të flisni rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh një mjet në duart e Perëndisë.
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.