“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Leximi i Poezisë në Dhiatën e Vjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“Leximi i Poezisë në Dhiatën e Vjetër”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh
Leximi i Poezisë në Dhiatën e Vjetër
Në librat e Dhiatës së Vjetër nga Zanafilla deri tek Esterit, gjejmë kryesisht histori – rrëfime si tregime që i përshkruajnë ngjarjet historike nga një këndvështrim shpirtëror. Noeu ndërtoi një arkë, Moisiu çliroi Izraelin, Ana u lut që të kishte një djalë e kështu me radhë. Duke filluar me librin e Jobit, gjejmë një stil të ndryshëm shkrimi. Te këta libra, shkrimtarët e Dhiatës së Vjetër, iu drejtuan gjuhës poetike për të shprehur ndjenja të thella ose profeci madhështore në një mënyrë të paharrueshme.
Ne kemi parë tashmë disa shembuj të poezisë të përhapura nga pak në të gjithë librat historikë të Dhiatës së Vjetër. Nga libri i Jobit e tutje, do të shohim më shumë prej saj. Librat e Jobit, Psalmeve dhe Fjalët e Urta janë pothuajse tërësisht poezi, ashtu siç janë pjesë të librave të profetëve si Isaia, Jeremia dhe Amosi. Për shkak se leximi i poezisë është i ndryshëm nga leximi i një tregimi, të kuptuarit e saj shpesh kërkon një qasje të ndryshme studimi. Këtu janë disa mendime që mund t’ju ndihmojnë të gjeni domethënie më të madhe te poezia e Dhiatës së Vjetër.
Njohja me Poezinë Hebraike
Së pari, mund t’ju ndihmojë të dini se poezia hebraike në Dhiatën e Vjetër nuk bazohet në rimë, ashtu si disa lloje të tjera poezish. Megjithëse ritmi, loja me fjalët dhe përsëritja e tingujve janë tipare të zakonshme të poezisë së lashtë hebraike, këto gjëra zakonisht humbasin në përkthim. Sidoqoftë, një tipar që do të vini re, është përsëritja e mendimeve apo ideve, ndonjëherë e quajtur “paralelizëm”. Ja tek është një shembull i thjeshtë nga Isaia:
Rivishu me forcën tënde, o Sion;
vish rrobat e tua të mrekullueshme, o Jeruzalem. (Isaia 52:1)
Psalmeve 29 ka shumë linja paralele, për shembull:
Zëri i Zotit është i fuqishëm,
zëri i Zotit është i madhërishëm. (Psalmeve 29:4)
Ja tek është një shembull ku dijenia se rreshti i dytë është paralel me të parin e bën fragmentin më të lehtë për t’u kuptuar:
Ju kam lënë gojë thatë në të gjitha qytetet tuaja
dhe pa bukë në të gjitha banesat tuaja. (Amos 4:6)
Te këta shembuj, poeti përsëriti një ide me ndryshime të vogla. Kjo teknikë mund të theksojë idenë e përsëritur dhe të përdorë ndryshimet për ta përshkruar ose zhvilluar më plotësisht atë.
Në raste të tjera, dy fjalitë paralele përdorin gjuhë të ngjashme për të përçuar ide të kundërta, si në këtë shembull:
Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin,
por fjala therëse e nxit zemërimin. (Fjalët e Urta 15:1)
Ky lloj paralelizmi nuk ndodhi rastësisht. Shkrimtarët e bënë atë qëllimisht. Kjo i ndihmoi ata që t’i shprehnin ndjenjat ose të vërtetat shpirtërore si me fuqi ashtu edhe bukuri. Pra, kur vëreni paralelizëm në shkrimet e Dhiatës së Vjetër, pyeteni veten se si ju ndihmon të kuptoni mesazhin e shkrimtarit. Për shembull, çfarë mund të jetë përpjekur të thotë Isaia duke e lidhur “forcën” me “rrobat e … mrekullueshme” dhe “Sion[in]” me “Jeruzalem[in]”? (Isaia 52:1.) Çfarë mund të nxjerrim si përfundim rreth frazës “përgjigja e ëmbël” nëse e dimë që “fjala therëse” është e kundërta e saj? (Fjalët e Urta 15:1.)
He Restoreth My Soul [Ai ma Përtërin Shpirtin], nga Walter Rane
Poezia Hebraike si një Mikeshë e Re
Disa njerëz e krahasojnë leximin e poezisë me takimin me një person të ri. Leximi i poezisë së Dhiatës së Vjetër, atëherë, mund të jetë si takimi me dikë nga një vend i largët dhe nga një kulturë e huaj, i cili flet një gjuhë të ndryshme nga ne – dhe ndodh të jetë mbi dy mijë vjeç. Ky person ndoshta do të thotë gjëra që nuk i kuptojmë fillimisht, por kjo nuk do të thotë që nuk ka asgjë të vlefshme për të thënë. Thjesht kemi nevojë të kalojmë kohë me të, duke u përpjekur t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i tij ose i saj. Mund të zbulojmë se në zemrat tona ne në fakt e kuptojmë njëri‑tjetrin mjaft mirë. Dhe nëse tregojmë durim e dhembshuri, i njohuri ynë i ri përfundimisht mund të bëhet një mik i dashur.
Prandaj, kur lexoni një fragment nga Isaia, për shembull, konsiderojeni atë paraqitjen tuaj të parë me një të njohur të ri. Pyeteni veten: “Cila është përshtypja ime e përgjithshme?” Si ju bën të ndiheni fragmenti – edhe nëse nuk e kuptoni çdo fjalë? Pastaj lexojeni përsëri, disa herë, nëse është e mundur. Merreni parasysh ta lexoni me zë të lartë; disa njerëz gjejnë kuptim më të madh në atë mënyrë. Vini re fjalët specifike që zgjodhi Isaia, veçanërisht fjalët që krijojnë një pamje në mendjen tuaj. Si ju bëjnë të ndiheni ato pamje? Çfarë ju sugjerojnë rreth ndjenjave të Isaias? Sa më shumë t’i studioni fjalët e këtyre shkrimtarëve të Dhiatës së Vjetër, aq më shumë do të zbuloni se ata i zgjodhën fjalët dhe teknikat e tyre qëllimisht, për të shprehur një mesazh të thellë shpirtëror.
Poemat mund të jenë mikesha të mrekullueshme, sepse na ndihmojnë të kuptojmë ndjenjat dhe përvojat tona. Poemat e Dhiatës së Vjetër janë veçanërisht të çmuara, sepse na ndihmojnë të kuptojmë ndjenjat dhe përvojat tona më të rëndësishme – ato që kanë lidhje me marrëdhënien tonë me Perëndinë.
Ndërsa e studioni poezinë në Dhiatën e Vjetër, mos harroni se studimi i shkrimit të shenjtë është më i vlefshëm kur na çon drejt Jezu Krishtit. Kërkoni simbole, shëmbëlltyra dhe të vërteta që e ndërtojnë besimin tuaj tek Ai. Vini vesh për frymëzim nga Fryma e Shenjtë ndërsa studioni.
Literatura e Urtësisë
Një kategori e poezisë së Dhiatës së Vjetër, është ajo që studiuesit e quajnë “literatura e urtësisë”. Librat e Jobit, Fjalët e Urta dhe Predikuesit hyjnë në këtë kategori. Ndërkohë që psalmet shprehin ndjenja lëvdimi, vajtimi dhe adhurimi, literatura e urtësisë përqendrohet te këshilla që s’vdesin kurrë ose pyetje të thella, filozofike. Libri i Jobit, për shembull, shqyrton drejtësinë e Perëndisë dhe arsyet për vuajtjet njerëzore. Libri i Fjalëve të Urta ofron këshilla se si të jetojmë mirë, përfshirë thënie të mençura, të mbledhura dhe të kaluara nga brezat e mëparshëm. Libri i Predikuesit e vë në pikëpyetje vetë qëllimin e jetës – kur gjithçka duket kalimtare dhe e rastësishme, ku e gjejmë kuptimin e vërtetë? Ju mund ta shikoni literaturën e urtësisë si bashkëbisedime plot mendim me këshilltarë të frymëzuar, që duan të tregojnë vëzhgime rreth Perëndisë dhe botës që Ai krijoi – dhe ndoshta ju ndihmojnë t’i kuptoni këto gjëra pak më mirë sesa më parë.