Eja, Më Ndiq
10–16 Gusht. “Ende do të Mirëbesoj tek Ai”: Jobit 1–3; 12–14; 19; 21–24; 38–40; 42


“10–16 Gusht. ‘Ende do të Mirëbesoj tek Ai’: Jobit 1–3; 12–14; 19; 21–24; 38–40; 42”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“10–16 Gusht. ‘Ende do të Mirëbesoj tek Ai’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026

Jobi i rrethuar nga njerëz të tjerë

The Judgments of Job [Gjykimet ndaj Jobit], nga Joseph Brickey

10–16 Gusht: “Ende do të Mirëbesoj tek Ai”

Jobit 1–3; 12–14; 19; 21–24; 38–4042

Është e natyrshme ta pyetni veten pse gjëra të këqija u ndodhin njerëzve të mirë, ose në mënyrë të ngjashme, pse gjëra të mira u ndodhin njerëzve të këqij. Pse Perëndia, i cili është i drejtë, do ta lejonte atë? Libri i Jobit shqyrton pyetje si këto. Jobi ishte një nga ata njerëz të mirë, të cilit i ndodhën shumë gjëra të këqija. Për shkak të sprovave të Jobit, miqtë e tij pyetnin veten nëse në fund të fundit ai ishte me të vërtetë i mirë. Jobi e pohoi drejtësinë e tij dhe pyeste veten nëse në fund të fundit Perëndia është me të vërtetë i drejtë. Por, pavarësisht nga vuajtja dhe vrarja e mendjes, Jobi e ruajti integritetin moral dhe besimin e tij te Jezu Krishti. Në librin e Jobit, besimi vihet në dyshim dhe sprovohet, por kurrë nuk braktiset plotësisht. Kjo nuk do të thotë që të gjitha pyetjet marrin përgjigje. Por libri i Jobit na mëson se derisa ato të marrin përgjigje, pyetjet mund të bashkëjetojnë me besimin. Pavarësisht nga ajo që ndodh ndërkohë, ne mund të themi për Zotin tonë: “[Ende do të mirëbesoj tek Ai]” (Jobit 13:15).

Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Jobit, shihni zërin “Job” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit].

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Jobit 1–3; 12–13

Unë mund të mirëbesoj te Perëndia në të gjitha rrethanat.

Kapitujt e parë të librit të Jobit theksojnë, në mënyrë poetike, rolin e Satanit si kundërshtari ose akuzuesi ynë; ata nuk përshkruajnë një ndërveprim aktual midis Perëndisë dhe Satanit. Ndërsa lexoni se çfarë tha Satani rreth Jobit (shihni te Jobit 1:9–11; 2:4–5), mund të pyesni veten: “Përse i qëndroj besnik Perëndisë?” Përse do të ishte e rrezikshme po t’i bindeshim Zotit vetëm për arsyen që sugjeroi Satani?

Çfarë ju bën përshtypje rreth përgjigjeve të Jobit kundrejt sprovave të tij? (Shihni te Jobit 1:20–22; 2:9–10.)

Miqtë e Jobit sugjeruan se Perëndia po e ndëshkonte atë (shihni te Jobit 4–5; 811). Çfarë problemesh shihni te kjo ide? Lexojeni përgjigjen e Jobit te kapitujt 12–13. Çfarë dinte Jobi rreth Perëndisë që e ndihmoi të vazhdonte të mirëbesonte? Çfarë dini për Perëndinë, që ju ndihmon të përballeni me sfidat?

Jobit 19

Jezu Krishti është Shëlbuesi im.

Nganjëherë, gjatë kohëve tona më të vështira, mësojmë të vërtetat më të rëndësishme. Përsiatini sprovat që përshkroi Jobi te Jobit 19:1–22 dhe të vërtetat që ai i shpalli te vargjet 23–27. Nga e dini se Shëlbuesi juaj jeton? Çfarë ndryshimi sjell në jetën tuaj kjo njohuri?

Merreni parasysh të këndoni ose dëgjoni një himn rreth Jezu Krishtit, të tillë si “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74). Cilat fjalë nga ky himn shprehin ndjenjat tuaja rreth Tij?

Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 121:1–12122.

Jobit 21–24

ikona e seminarit
“Sikur të më provonte, do të dilja si ari.”

Te Jobit 21–24, do të lexoni një debat midis Jobit dhe miqve të tij. Në thelb të këtij debati ishte një pyetje që shumë njerëz e kanë bërë: Pse vuajnë nganjëherë njerëzit e drejtë?

Megjithëse nuk i kemi të gjitha përgjigjet, në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit kemi disa të vërteta që mund të na ndihmojnë për t’u dhënë kuptim fatkeqësisë dhe vuajtjes. Më poshtë janë shkrime të shenjta të ditëve të mëvonshme që përmbajnë disa prej këtyre të vërtetave. Çfarë ju mësojnë këto shkrime të shenjta rreth Atit Qiellor dhe planit të Tij?

Gjithashtu mund të lexoni mësimet nga Presidenti Spenser W. Kimball rreth fatkeqësisë tek “Tragedy or Destiny?” [“Tragjedi apo Fat?”] (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2011], f. 11–21.)

Nisur nga ajo që keni studiuar, si do t’i jepnit përgjigje një pyetjeje si: “Pse Perëndia lejon që të vuajnë njerëzit e drejtë?”

Jezusi në një varkë me një burrë tjetër nën një qiell me yje

Calm and Stars [Qetësi dhe Yje], nga Yongsung Kim. Figura me mirësinë e havenlight.com

Jobit 38–40; 42

Këndvështrimi i Perëndisë është më i madh se i imi.

I acaruar nga akuzat e miqve të tij (shihni te Jobit 16:1–5; 19:1–3), Jobi në mënyrë të përsëritur e pyeti Perëndinë pse duhej të vuante kaq shumë (shihni te Jobit 19:6–7; 23:1–931). Zoti nuk dha një arsye të qartë në librin e Jobit. Por Ai dha mësim një mesazh të rëndësishëm te kapitujt 38–40. Si do ta përmblidhnit atë mesazh? Për shembull, çfarë mësoni nga pyetjet e Zotit te Jobit 38:1–7, 18–24?

Do të vini re se Zoti i foli Jobit rreth disa prej krijimeve të Tij dhe veprave të tjera të fuqishme (shihni te Jobit 38–39). Mund t’i shihni disa prej atyre krijimeve (ose figura për ato). Si ju ndihmojnë këto gjëra të mendoni ndryshe rreth Perëndisë? Rreth sprovave tuaja? Si e ndryshuan ato këndvështrimin e Jobit? (Shihni te Jobit 42:1–6; shihni edhe te Moisiu 1:8–10.)

Këtu janë dy mesazhe nga konferenca e përgjithshme që mund të ndihmojnë për ta ndryshuar këndvështrimin tonë: Tamara W. Runia, “Të Shikuarit e Familjes së Perëndisë përmes Thjerrëzës Panoramike” (Liahona, nëntor 2023, f. 62–63, 67–69); Rasëll M. Nelson, “Mendoni Çelestialisht!” (Liahona, nëntor 2023, f. 117–120). Në secilin mesazh, kërkoni diçka që do të doni ta mbani mend herën tjetër kur sprovat tuaja të duken dërrmuese. Si do t’ia kujtoni vetes atë që mësuat?

Jini krijues. Të mësuarit nuk duhet të përbëhet vetëm nga të lexuarit, të menduarit dhe të folurit. Nganjëherë të mësuarit më mbresëlënës vjen në mënyra fizikisht vepruese. Për shembull, kur lexoni rreth mënyrës se si Zoti e ndryshoi këndvështrimin e Jobit te Jobit 38–40, mund të dilni shëtitje dhe të shihni disa prej krijimeve të Zotit, të mëdha e të vogla. Ose mund të shihni një send nga këndvështrime të ndryshme, nga lart, poshtë, nga afër, nga larg e kështu me radhë.

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Jobit 1–2; 1219

Besimi te Jezu Krishti do të më ndihmojë gjatë kohëve të vështira.

  • Nxitini fëmijët tuaj që t’ju tregojnë se çfarë dinë rreth Jobit. Nëse kanë nevojë për ndihmë, mund t’i drejtoni te Jobit 1:1, 13–22; 2:7–10 ose te “Jobi” (tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 145–147). Si iu përgjigj Jobi sfidave? (Shihni te Jobit 1:21; 2:10.)

    1:55

    Job

  • Jobi ishte besnik gjatë sfidave të tij për shkak të asaj që dinte rreth Zotit. Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund të shihni figura të Jezu Krishtit duke ndërvepruar me të tjerët (siç është figura më poshtë ose figurat te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit). Flisni rreth asaj që dini për Të dhe se si është Ai. Këtu janë disa vargje që tregojnë atë që dinte Jobi rreth Zotit: Jobit 12:10, 13, 16; 19:25–27. Përse është me vlerë t’i dini këto gjëra rreth Tij?

Jezusi duke zgjatur dorën për ta shëruar një burrë

He Healed Them All [Ai i Shëroi të Gjithë], nga Michael Malm

Jobit 14:14

Për shkak të Jezu Krishtit, unë do të jetoj përsëri pasi të vdes.

  • Jobi bëri një pyetje të rëndësishme te Jobit 14:14. Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj me radhë mund të tregoni se si do t’i përgjigjeshit Jobit. Mund të shihni për ide tek Alma 11:42–44, në materialin filmik “In a Coming Day” [“Në Një Ditë të Ardhshme”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] ose në një këngë rreth Ringjalljes, të tillë si “Jezusi a Jetoi Sërish?” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 45).

1:11

#BECAUSEofHIM: An Easter Message of Hope and Triumph

Jobit 16:1–5; 22:5

Miqtë e mirë e ngrenë moralisht dhe e inkurajojnë njëri-tjetrin.

  • Kur Jobi ishte i trishtuar, miqtë e tij i thanë se Perëndia po e ndëshkonte ngaqë ai kishte mëkatuar (shihni te Jobit 22:5). Po të ishim miqtë e Jobit, si do të përpiqeshim për ta ndihmuar atë? Si mund t’i ndihmojnë të tjerët fjalët tona kur janë të trishtuar? (Shihni te Jobit 16:5.) Merreni parasysh të tregoni një ose më shumë prej figurave në këtë përvijim ndërsa i diskutoni këto pyetje.

  • Merreni parasysh t’u kërkoni fëmijëve tuaj që të renditin disa cilësi të një miku të mirë dhe të thonë emrin e një miku që i ka këto cilësi. Më pas mund të shihni një figurë të Jezu Krishtit. Në ç’mënyra është Jezusi një mik i mirë për secilin prej nesh? Mund të mendoni për dikë që po kalon një kohë të vështirë. Planifikoni se si do të jeni një mik si Krishti për ta.

Jobit 19:23–27

Jezu Krishti është Shëlbuesi im.

  • Pasi t’i lexoni vargjet te Jobit 19:23–27, ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth mënyrës se si e dini që Shëlbuesi ynë jeton. Mund të punoni së bashku për ta vendosur dëshminë tuaj (ose vizatimet e Shpëtimtarit) në një libër (shihni vargun 23).

  • Gjithashtu mund të këndoni një këngë që dëshmon për Shpëtimtarin, të tillë si “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74). Jepni fraza nga himni që e forcojnë besimin tuaj tek Ai. Përse është e rëndësishme që të dimë se Jezu Krishti jeton?

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Jobi i rrethuar nga njerëz të tjerë

Job and His Friends [Jobi dhe Miqtë e Tij], nga Ilya Repin

faqja e veprimtarisë së Fillores: Jezu Krishti është Shëlbuesi im