“17–23 Gusht. ‘Zoti Është Bariu Im’: Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“17–23 Gusht. ‘Zoti Është Bariu Im’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
The Lord Is My Shepherd [Zoti Është Bariu Im], nga Yongsung Kim. Figura me mirësinë e havenlight.com
17–23 Gusht: “Zoti Është Bariu Im”
Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46
Ne nuk e dimë me siguri se kush e shkroi librin e Psalmeve. Disa njerëz e kanë lidhur autorësinë me mbretin David, por për shumicën e tyre, shkrimtarët mbeten anonimë. Megjithatë, pasi ta kemi lexuar librin e Psalmeve, ndihemi sikur i njohim zemrat e psalmistëve, edhe nëse nuk ua dimë emrat. Ne e dimë se libri i Psalmeve ishte një pjesë e rëndësishme e adhurimit mes izraelitëve dhe e dimë se Shpëtimtari i citonte ato shpesh. Te libri i Psalmeve, kemi një dritare për të parë shpirtin e popullit të lashtë të Perëndisë. Ne shohim se si ndiheshin ata rreth Perëndisë, për çfarë shqetësoheshin dhe si gjetën paqe. Si besimtarë sot, në të gjithë botën, ende i përdorim këto fjalë në adhurimin tonë ndaj Perëndisë. Është pothuajse sikur shkrimtarët e librit të Psalmeve patën një dritare për të parë shpirtrat tanë, sepse ata shprehën se si ndihemi ne rreth Perëndisë, për çfarë shqetësohemi dhe se si të gjejmë paqe.
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Psalmeve, shihni zërin “Psalm” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Psalmeve 1; 23; 26–28; 46
“Kam pasur [mirë]besim te Zoti.”
Teksa lexoni librin e Psalmeve, ju mund të vini re se sa shpesh shkruesit shprehin frikë, hidhërim apo ankth. Ndjenja të tilla janë normale, madje edhe për njerëzit me besim. Por ajo që e bën librin e Psalmeve frymëzues, është se ai ofron zgjidhje frymëzuese, përfshirë mirëbesim të plotë te Zoti. Ndërsa lexoni te Psalmeve 1; 23; 26–28; 46, shkruani:
-
Ftesat për të mirëbesuar te Zoti.
-
Fjalët që përshkruajnë Atë.
-
Fjalë që përshkruajnë paqen, forcën dhe bekime të tjera që jep Ai.
-
Fjalët që përshkruajnë njerëz që mirëbesojnë tek Ai.
Gjithashtu vëzhgoni për shëmbëlltyra dhe simbole që përdoren në librin e Psalmeve për të dhënë mësim rreth Shpëtimtarit. Për shembull, te Psalmeve 23, çfarë ju sjellin në mendje frazat si “më çon në kullota me bar të njomë” apo “ujërave që të çlodhin” (vargu 2)? Çfarë mund të simbolizojnë “shkopi” dhe “thupra” zemërdhënëse (vargu 4)? Çfarë mund të nënkuptojë shprehja që “kupa” jonë po derdhet (vargu 5)?
Psalmeve 2; 22
Jezu Krishti është Mesia i premtuar.
Disa nga psalmet tregojnë për jetën e Jezu Krishtit në vdekshmëri. Edhe të krishterët në kohët e Dhiatës së Re i panë këto lidhje. Merreni parasysh t’i lexoni referencat vijuese të shkrimeve të shenjta. Shihni për lidhjet midis fjalëve në këto psalme dhe jetës së Shpëtimtarit:
-
Psalmeve 2:1–3 dhe Veprat e Apostujve 4:24–28
-
Psalmeve 2:7 dhe Veprat e Apostujve 13:30–33
-
Psalmeve 22:1 dhe Mateu 27:45–46
-
Psalmeve 22:7–8 dhe Mateu 27:39–43
-
Psalmeve 22:16 dhe Lluka 23:32–33
-
Psalmeve 22:18 dhe Mateu 27:35
-
Psalmeve 31:5 dhe Lluka 23:46
Çfarë mësoni nga studimi i këtyre lidhjeve? Cilat profeci dhe premtime të shkrimeve të shenjta nuk janë përmbushur ende? Çfarë gjeni te këto vargje që ju jep shpresë për të ardhmen?
Psalmeve 8; 19; 33
“Toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.”
Leximi te Psalmeve 8; 19 dhe 33, mund t’ju frymëzojë të merrni parasysh shumë krijime të mrekullueshme të Zotit. Kushtojuni vëmendje ndjenjave tuaja ndërsa e bëni këtë. Gjithashtu mund të dëshironi të këndoni ose përsiatni fjalët e një kënge që lidhet me këto psalme, të tillë si “Sa i Madh Je Ti” (Himne, nr. 42). Në ç’mënyrë krijimet e Zotit ju “tregojnë lavdinë e Perëndisë”? (Psalmeve 19:1.)
Këtu janë disa himne të tjera të frymëzuara nga libri i Psalmeve:
-
Psalmeve 23: “Zoti Ësht’ Bariu Im” (Himne, nr. 56)
-
Psalmeve 23:6; 150: “Praise to the Lord, the Almighty” [“Lavdi Zotit, të Plotfuqishmit”] (Hymns, nr. 72)
-
Psalmeve 26:8: “Shtëpin’ Tënde Per’ndi, Duam” (Himne, nr. 157)
-
Psalmeve 27:1: “Zoti më Ësht’ Drit’” (Himne, nr. 45)
-
Psalmeve 33:1–6; 95:1–6: “Për të Tokës Bukuri” (Himne, nr. 46)
-
Psalmeve 37:3–9: “Rri Qet’, O Shpirt” (Himne, nr. 64)
-
Psalmeve 148: “Gjith’ Krijesat e Per’ndis’ Son’” (Himne, nr. 32)
Përdoreni muzikën. Presidenti Dallin H. Ouks tha: “Të kënduarit e himneve është një nga mënyrat më të mira për ta vënë veten tonë në harmoni me Shpirtin e Zotit. … Muzika e shenjtë ka një aftësi të pashoqe për të komunikuar ndjenjat tona të dashurisë për Zotin. Ky lloj komunikimi është një ndihmës i mrekullueshëm për adhurimin tonë. … Himnet tona përmbajnë predikime të pakrahasueshme doktrinore, të tejkaluar vetëm nga shkrimet e shenjta lidhur me të vërtetën dhe ndikimin e tyre poetik” (“Worship through Music”, Ensign, nëntor 1994, f. 10, 11). Cilat himne që lidhen me librin e Psalmeve, mund të dëgjoni ose të këndoni për ta shtuar adhurimin tuaj këtë javë?
Psalmeve 19:7–11; 29
Fjala e Zotit është e fuqishme, “e gëzo[n] zemrën”.
Te libri i Psalmeve, fjalë të tilla si dëshmi, porositë, urdhërimet dhe gjykimet mund t’i referohen fjalës së Zotit. Mbajeni këtë në mendje kur lexoni te Psalmeve 19:7–11. Çfarë ju sugjerojnë këto vargje rreth fjalës së Zotit? Çfarë ju mëson Psalmeve 29 rreth zërit të Tij? Nga përvoja juaj, si përputhet fjala ose zëri i Zotit me këto përshkrime?
Psalmeve 24; 26–27
Shpëtimtari mund të më ndihmojë të jem i/e pastër që të mund të hyj në praninë e Perëndisë.
Për shkak se tempulli në Jerusalem ishte ndërtuar në një mal, fraza “mali [i] Zotit” (Psalmeve 24:3) mund t’i referohet tempullit ose pranisë së Perëndisë. Çfarë kuptueshmërie merrni për kapitullin te Psalmeve 24? Çfarë do të thotë për ju që të jeni “i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra”? (Vargu 4.) Ndërsa lexoni te Psalmeve 26–27, çfarë mësoni tjetër rreth shtëpisë së Zotit?
Herë pas here mund të shkurajohemi kur dëgjojmë se na nevojitet të jemi të pastër për të hyrë në praninë e Perëndisë. Në fund të fundit, ne të gjithë hasim vështirësi dhe asnjëri prej nesh nuk është i përsosur. Çfarë shprese gjeni në mesazhin e Plakut Dejvid A. Bednar “Duar të Pafajshme dhe Zemër të Pastër”? (Liahona, nëntor 2007, f. 80–83.) Si mund ta përdorni mesazhin e tij për të ndihmuar dikë që ndihet i mbingarkuar me dëshirën për të qenë i përsosur? Merrni parasysh se si mund të merrni ndihmën e Shpëtimtarit në përpjekjet tuaja që të jeni “i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra”.
Shihni edhe te Bredli R. Uilkoks, “Denjësia Nuk Është të Jesh i Patëmetë”, Liahona, nëntor 2021, f. 61–67.
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Psalmeve 23; 27–28; 32; 46
Zoti më jep paqe, forcë dhe udhërrëfim.
-
Merreni parasysh të shkruani Zoti është … Ftojini fëmijët tuaj të kërkojnë mënyra për ta plotësuar atë fjali duke përdorur shkrime të shenjta si këto: Psalmeve 23:1; 27:1; 28:1; 28:7; 32:7; 46:1. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si Zoti mund të na ndihmojë?
-
Mund të diskutoni me fëmijët tuaj se çfarë i nevojitet një qengji që të jetë i sigurt dhe i shëndetshëm. Më pas, ndërsa lexoni së bashku te Psalmeve 23, ndihmojini fëmijët tuaj të krahasojnë gjërat që bën një bari për një qengj, me ato që bën Jezusi për ne. Për çfarë kemi nevojë që të jemi shpirtërisht të sigurt dhe të shëndetshëm? Këndoni së bashku një këngë që mund t’u japë atyre ide, të tillë si “T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 42–43).
Tempulli i Konsepsionit, Kili
Psalmeve 24:3–4
Për të hyrë në tempull, ne kemi nevojë të jemi të pastër “nga duart dhe [të] pastër nga zemra”.
-
Ndërsa lexoni së bashku te Psalmeve 24:3, fëmijët tuaj mund të kërkojnë fjalë që u kujtojnë atyre tempullin. Ata gjithashtu mund të shikojnë një fotografi të një tempulli. Më pas mund të lexoni së bashku vargun 4 për të mësuar se kush mund të hyjë në tempull. Mund të flisni rreth mënyrës se si duart bëhen të papastra dhe se si i pastrojmë. Si bëhemi të papastër shpirtërisht? Si na ndihmon Shpëtimtari që të na pastrojë shpirtërisht?
Psalmeve 30:5
Jezu Krishti mund ta kthejë trishtimin në gëzim.
-
Nëse keni fëmijë të vegjël, mund t’i ftoni të bëjnë sikur qajnë ndërkohë që ju lexoni prej Psalmeve 30:5: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë”. Pastaj kërkojuni që të shprehin gëzim ndërsa ju lexoni: “Por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”. Përsëriteni këtë frazë disa herë.
-
Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe tregojuni fëmijëve tuaj për gjërat që Ai ka bërë për ju, të cilat ju sjellin gëzim. Gjithashtu mund t’i jepni secilit fëmijë radhën që ta ngrejë lart figurën dhe të tregojë për atë që ka bërë Jezusi, që u sjell gëzim.
Psalmeve 46:10
“Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi.”
-
Ndihmojini fëmijët tuaj të mësojnë përmendsh rreshtin e parë të Psalmeve 46:10: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi”. Çfarë do të thotë “ndaluni”? Ndoshta mund të shpenzoni ca kohë për të ushtruar të ndaluarit. Gjithashtu mund t’i tregoni njëri‑tjetrit përvoja të tjera kur të “ndalu[rit]” e forcoi marrëdhënien tuaj me Perëndinë. Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë për raste gjatë ditës kur mund të “ndal[en]” për t’u ndier pranë Atit Qiellor.
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.