“25–31 Maj. ‘Zoti u Dha një Çlirimtar’: Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“25–31 Maj. ‘Zoti u Dha një Çlirimtar’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
“I Will Surely Go with Thee”—Deborah the Prophetess [“Do të Vij me Siguri me Ty” – Debora, Profetesha], nga Des Leavitt
25–31 Maj: “Zoti u Dha një Çlirimtar”
Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16
Të gjithë ne e dimë se si është të bëjmë mëkat, të ndihemi keq për të dhe pastaj të pendohemi dhe të marrim vendimin për të ndryshuar mënyrat tona. Por shumë shpesh e harrojmë vendimin tonë më të hershëm dhe, kur vjen tundimi, gjendemi duke bërë përsëri të njëjtin mëkat. Ky model shfaqet shpesh në librin Gjyqtarët. Të ndikuar nga bindjet dhe praktikat e adhurimit të kanaanejve – të cilët ata supozohej se do t’i dëbonin nga vendi – izraelitët i shkelën besëlidhjet e tyre me Zotin dhe u larguan nga adhurimi i Tij. Si rezultat, ata e humbën mbrojtjen e Tij dhe ranë në robëri. E megjithatë, sa herë që kjo ndodhte, Zoti i dha popullit të Tij të besëlidhjes mundësinë që të pendohej dhe i dha një çlirimtar, një udhëheqës ushtarak që quhej “gjyqtar”. Jo të gjithë gjyqtarët në librin Gjyqtarët ishin të drejtë, por disa prej tyre ushtruan besim të madh për çlirimin e fëmijëve të Izraelit dhe për rivendosjen e marrëdhënies së tyre besëlidhëse me Zotin. Këto ngjarje na kujtojnë që pa marrë parasysh se çfarë na ka larguar nga Jezu Krishti, Ai është Shëlbuesi i Izraelit dhe është gjithmonë i gatshëm të na çlirojë e të na mirëpresë kur kthehemi tek Ai.
Për një vështrim të përgjithshëm të librit Gjyqtarët, shihni zërin “Gjyqtarë(ve), Libri i” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Gjyqtarët 2:1–19; 3:5–12
Zoti më fal aq shpesh sa pendohem.
Libri Gjyqtarët mund të jetë një paralajmërim ashtu edhe një nxitje. Kërkojeni këtë paralajmërim dhe nxitje ndërsa lexoni te Gjyqtarët 2:1–19; 3:5–12. Si e ndjeni që paralajmërimi dhe nxitja gjejnë zbatim tek ju?
Për shembull, në qoftë se Gjyqtarët 2:19 ishte rreth jush dhe tundimeve tuaja në vend që të ishte rreth izraelitëve të lashtë, çfarë mund të thoshte ky varg? Në qoftë se Gjyqtarët 3:9 ishte rreth asaj që Zoti kishte bërë për t’ju çliruar, çfarë mund të thoshte ky varg?
Merreni parasysh të lexoni pyetjen dhe përgjigjen në faqen 9 te Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve. Si e ndjeni që kjo gjen zbatim te përvoja e izraelitëve në librin Gjyqtarët? Çfarë ju mëson kjo rreth Jezu Krishtit?
Gjyqtarët 4:1–15
Unë mund t’i frymëzoj të tjerët që të kenë besim te Zoti.
Nganjëherë besimi i një personi mund të frymëzojë besim te shumë njerëz të tjerë. Te Gjyqtarët 4, ai person ishte Debora. Lexoni për të te Gjyqtarët 4:1–15 dhe vini re ndikimin që pati ajo te njerëzit përreth saj. Ja tek janë disa pyetje që t’ju ndihmojnë të merrni parasysh se si përvoja e saj mund të gjejë zbatim në jetën tuaj:
-
Si do t’i përshkruanit kushtet në të cilat ishin izraelitët në atë kohë? (Shihni vargjet 1–3.) Çfarë ngjashmërish shihni me kushtet sot – tek individët dhe në shoqëri?
-
Cilat fjalë ose veprime të Deboras ju tregojnë se ajo kishte besim te Zoti? Si ndikoi besimi i saj tek të tjerët? Çfarë tjetër ju bën përshtypje rreth asaj?
-
Çfarë mendoni se donte të thoshte Debora me pyetjen e saj te vargu 14: “A nuk ka dalë vallë, Zoti para teje?” Si “d[el] … Zoti para” jush? (Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 84:87–88.)
Përsiatni se si besimi juaj te Jezu Krishti mund t’i bekojë të tjerët në mënyrën se si besimi i Deborës i bekoi Barakun dhe izraelitët e tjerë. Për t’ju ndihmuar që të mendoni për këtë, mund të studioni mesazhin e Plakut Nil L. Andersen “Ne Flasim për Krishtin” (Liahona, nëntor 2020, f. 88–91). Kërkoni te mesazhi për: 1) arsyet që të flisni më hapur rreth Shpëtimtarit dhe 2) mënyrat se si ta bëni atë.
Më pas mund të bëni një listë me gjërat që dini rreth Jezu Krishtit – nga shkrimet e shenjta, nga fjalët e profetëve të gjallë dhe nga përvoja juaj vetjake. Kush ka nevojë ta dijë këtë? Si do ta shpërndani atë?
Shihni edhe te Mateu 5:14–16; 1 Pjetër 3:15; “Çdo Jet’ që Prek Tonën për Mir’”, Himne, nr. 189.
Ftojini të tregojnë. Nëse jeni mësues, në shtëpi apo në kishë, jepuni “nxënësve mundësi për t’ia treguar njëri‑tjetrit atë që po mësojnë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij. Bërja e kësaj do t’i ndihmojë ata t’i përvetësojnë të vërtetat që u janë dhënë mësim dhe t’i shprehin ato” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 27). Për shembull, kur studioni së bashku kapitullin te Gjyqtarët 4, mund t’i jepni çdo nxënësi diçka të veçantë për ta kërkuar në atë kapitull dhe më pas ftojini t’ia tregojnë njëri‑tjetrit atë që gjejnë.
Gjyqtarët 6–8
Zoti mund të bëjë mrekulli kur mirëbesojmë te mënyrat e Tij.
Ndërsa lexoni te Gjyqtarët 6–8, mbani shënim rastet ku Zoti i kërkoi Gedeonit që të besonte diçka që mund të ishte dukur e pamundur. A ju ka kërkuar Ai ndonjëherë diçka të ngjashme?
Çfarë mendoni se Zoti po përpiqet t’ju mësojë me këtë rrëfim? Si e keni parë Zotin ta bëjë veprën e Tij në mënyra që dukeshin të pamundura?
Gjyqtarët 13–16
Perëndia më forcon kur jam besnik/e ndaj besëlidhjeve të mia.
Sansoni e humbi si forcën e tij fizike ashtu edhe forcën e tij shpirtërore, sepse i shkeli besëlidhjet e tij me Perëndinë, përfshirë ato që gjenin zbatim veçanërisht për nazarenët (për informacion në lidhje me nazarenët, shihni te Numrat 6:1–6; Gjyqtarët 13:7). Ndërsa lexoni rreth Sansonit te Gjyqtarët 13–16, vini re vargjet që tregojnë se Zoti ishte me Sansonin, si edhe vargjet që tregojnë se Sansoni nuk ishte tërësisht i zotuar ndaj Zotit.
Mund të përsiatni edhe besëlidhjet që keni bërë me Zotin. Si e kanë sjellë këto besëlidhje fuqinë e Tij në jetën tuaj? Çfarë mësoni nga përvojat e Sansonit që ju frymëzon të qëndroni të vërtetë ndaj besëlidhjeve tuaja me Perëndinë?
Motra En M. Dib dha mësim: “Sansoni u lind me potencial të madh. Të ëmës së tij iu premtua: ‘Ai do të fillojë ta çlirojë Izraelin nga duart e Filistejve’ [Gjyqtarët 13:5]. Por ndërkohë që Sansoni rritej, ai dëshironte të ndiqte tundimet e botës më shumë se drejtimin e Perëndisë. Ai bëri zgjedhje sepse ‘[i] pëlqen[in]’ [Gjyqtarët 14:3] në vend që t’i bënte sepse ato zgjedhje ishin të drejta. Shkrimet e shenjta e përdorin në mënyrë të përsëritur frazën ‘pastaj zbriti’ [Gjyqtarët 14:7] ndërsa tregojnë për udhëtimet, veprimet dhe zgjedhjet e Sansonit. Në vend që të ngrihej e të shkëlqente për të përmbushur potencialin e tij të madh, Sansoni u mposht nga bota, humbi fuqinë e dhënë nga Perëndia dhe ndërroi jetë në një vdekje tragjike të parakohshme” (“Ngrihuni e Shkëlqeni”, Liahona, maj 2012, f. 118).
Shihni edhe te Dallin H. Ouks, “Besëlidhjet dhe Përgjegjësitë”, Liahona, maj 2024, f. 93–96; Ulises Soares, “Siguria që Vjen nga Besëlidhjet nëpërmjet Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2024, f. 17–21.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Për shkak se kjo e diel është e diela e pestë e muajit, mësuesit/et e Fillores nxiten të përdorin veprimtaritë e të mësuarit te “Shtojca B: Përgatitja e Fëmijëve për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë”.
Gjyqtarët 3:7–9, 12–15
Jezu Krishti është Çlirimtari im.
-
Gjyqtarët 3 përshkruan një model që na mëson rreth fuqisë së Shpëtimtarit për të na çliruar nga mëkati. Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që ta përcaktojnë këtë model, mund të shkruani këto fraza: “bënë atë që ishte keq”, “i klithën Zotit” dhe “u dha një çlirimtar”. Më pas fëmijët tuaj mund t’i kërkojnë këto fraza te Gjyqtarët 3:7–9 dhe Gjyqtarët 3:12–15. Çfarë mësojmë për Zotin nga ky model?
-
Për të theksuar që Jezu Krishti është Çlirimtari ynë, mund të mblidhni disa figura të njerëzve, përfshirë një figurë të Jezusit, dhe vendosini përmbys. Lërini fëmijët tuaj që t’i kthejnë figurat me radhë. Kur të gjejnë figurën e Jezusit, këndoni një këngë rreth Tij, të tillë si “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21) dhe tregojuni fëmijëve tuaj rreth mënyrës se si Ai ju ka çliruar.
Gjyqtarët 4:1–15
Unë mund t’i frymëzoj të tjerët që të kenë besim te Zoti.
-
Mund të përdorni mësimin “Debora, Profetesha” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 92–95, për t’iu treguar fëmijëve tuaj historinë te Gjyqtarët 4. Flisni me njëri‑tjetrin se çfarë admironi te Debora. Si i bekoi njerëzit përreth saj besimi i vet te Zoti? Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët të kenë më shumë besim te Jezu Krishti?
2:9Deborah the Prophetess
Gjyqtarët 7:1–21
Zoti mund të përdorë gjëra të vogla për të bërë vepra të mëdha.
-
Përdorni vargjet te Gjyqtarët 7:4–7, faqen e veprimtarisë së kësaj jave ose mësimin “Ushtria e Gedeonit” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 96–99, për t’u mësuar fëmijëve tuaj rreth mënyrës se si Zoti e zvogëloi numrin e ushtrisë së Izraelit. Përse Zoti donte që ushtria e Gedeonit të ishte kaq e vogël në numër? (Shihni te Gjyqtarët 7:2.)
2:37The Army of Gideon
-
Fëmijët tuaj mund të vizatojnë figura të një shpate, mburoje, borie, pishtari dhe ene, dhe të flasin se cilin nga këto sende do ta dëshironin në një betejë. Më pas mund të lexojnë te Gjyqtarët 7:16 për të mësuar se çfarë i tha Zoti të përdorte ushtrisë së Gedeonit. Ndërsa lexoni rreth betejës te Gjyqtarët 7:19–21, flisni me njëri‑tjetrin për atë që mësoni rreth Zotit nga kjo ngjarje.
Samson Puts Down the Pillars [Sansoni Rrëzon Shtyllat], nga James Tissot dhe të tjerë
Gjyqtarët 13:5
Mbajtja e besëlidhjeve më jep forcë.
-
Besëlidhjet e Sansonit me Zotin i dhanë atij forcë fizike, ashtu si besëlidhjet tona na japin forcë shpirtërore. Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të bëjnë disa ushtrime fizike dhe duke diskutuar se si ato ushtrime mund të ndihmojnë për t’i bërë të fortë trupat tanë. Si i bën të fortë shpirtrat tanë mbajtja e besëlidhjeve tona? (Shihni te Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79.)
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.