Eja, Më Ndiq
11–17 Maj. “Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin”: Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34


“11–17 Maj. ‘Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin’: Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“11–17 Maj. ‘Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026

Moisiu në malin Nebo

Moses on Mount Nebo [Moisiu në Malin Nebo], nga John Steel, © Providence Collection/licencuar nga goodsalt.com

11–17 Maj: “Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin”

Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–3034

Shërbesa tokësore e Moisiut filloi në një mal, kur Perëndia i foli nga një ferrishtë që flakëronte (shihni tek Eksodi 3:1–10). Ajo përfundoi gjithashtu në një mal, më shumë se 40 vjet më vonë, kur Perëndia i dha Moisiut një vështrim të shkurtër të tokës së premtuar nga maja e malit Nebo (shihni te Ligji i Përtërirë 34:1–4). Moisiu e kishte kaluar jetën e tij duke i përgatitur fëmijët e Izraelit që të hynin në atë tokë të premtuar dhe libri Ligji i Përtërirë shënon udhëzimet, kujtuesit, këshillat dhe përgjërimet e tij të fundit ndaj izraelitëve. Leximi i fjalëve të tij e bën të qartë se sendi i vërtetë i shërbesës së Moisiut – përgatitja që u nevojitej njerëzve – nuk kishte të bënte me mbijetesën në vendin e shkretë, pushtimin e armiqve apo ndërtimin e një kombi. Kishte të bënte me të mësuarit për ta dashur Perëndinë, për t’iu bindur Atij dhe për të qëndruar besnikë ndaj Tij. Kjo është përgatitja që na nevojitet të gjithëve për të hyrë në tokën e premtuar të jetës së përjetshme. Prandaj, edhe pse Moisiu nuk vuri kurrë këmbë në “vend[in] ku rr[idhte] qumështi dhe mjalti” (Eksodi 3:8), për shkak të besimit dhe besnikërisë së tij, ai hyri në tokën e premtuar që Perëndia e ka përgatitur për të gjithë ata që e ndjekin Atë.

Për një vështrim të përgjithshëm të librit Ligji i Përtërirë, shihni zërin “Ligj i Përtërirë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Ligji i Përtërirë 6:4–7; 8:2–5, 11–17; 29:18–20; 30:6–10, 14–20

ikona e seminarit
“Dua[je] … Zotin, Perëndinë tënde, me gjithë zemër.”

Ligji i Moisiut përfshiu shumë ceremoni dhe rituale të jashtme. Siç do ta shihni në këshillën e Moisiut te Ligji i Përtërirë, Zoti gjithashtu shqetësohej për gjendjen e brendshme të popullit të Tij, gjendjen shpirtërore të zemrave të tyre.

Në fragmentet më poshtë, kërkoni fjalën zemër/rën/ra dhe përsiatni se çfarë mund të simbolizojë ajo. Mund t’i mendoni këto fragmente si një lloj kontrolli shpirtëror të zemrës suaj. Çfarë diagnoze do t’i jepnit vetes? Çfarë kurimesh do të rekomandonit për ta përmirësuar gjendjen shpirtërore të zemrës suaj? Shkruajini mbresat tuaja:

  • Ligji i Përtërirë 6:4–7:

  • Ligji i Përtërirë 8:2–5:

  • Ligji i Përtërirë 8:11–17:

  • Ligji i Përtërirë 29:18–20:

  • Ligji i Përtërirë 30:6–10:

  • Ligji i Përtërirë 30:14–20:

Një mënyrë për t’i organizuar mendimet tuaja mund të jetë që të vizatoni një zemër dhe të shkruani brenda saj gjërat që thotë Zoti se duhet t’i keni në zemër. Pastaj mund të shkruani jashtë saj gjërat që duhet t’i mbani jashtë zemrës.

Si e tregoni se e doni Perëndinë me gjithë zemër? Për ide, shihni te “Duajeni Perëndinë, duajeni të afërmin tuaj” te Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve, f. 10–12.

Shihni edhe te M. Rasëll Ballard, “A më Do Ti Mua më Shumë se Këta?”, Liahona, nëntor 2021, f. 51–53.

Kërkoni vetë idetë tuaja shpirtërore. Programi Eja, Më Ndiq sugjeron fragmente dhe parime tek të cilat të përqendroheni në shkrimet e shenjta, por mos e lejoni atë që ta kufizojë studimin tuaj. Ndërsa lexoni te Ligji i Përtërirë, mund të zbuloni një parim që nuk përmendet këtu. Lëreni Shpirtin t’ju udhërrëfejë tek ajo që keni nevojë të mësoni.

Ligji i Përtërirë 6:4–12, 20–25

“Ki kujdes të mos harrosh Zotin.”

Pjesa më e madhe e izraelitëve që do të hynin në tokën e premtuar, nuk i kishin parë plagët në Egjipt ose nuk e kishin kaluar Detin e Kuq. Moisiu e dinte se ata – dhe brezat e ardhshëm – do të kishin nevojë t’i kujtonin mrekullitë e Perëndisë dhe ligjet e Perëndisë që të mbeteshin populli i Perëndisë.

Çfarë këshille gjeni te Ligji i Përtërirë 6:4–12, 20–25 që mund t’ju ndihmonte të kujtoni gjërat e mëdha që ka bërë Perëndia për ju? Çfarë frymëzoheni të bëni në mënyrë që fjala e Zotit të “mbete[t] në zemrën” tuaj çdo ditë? (Vargu 6.)

Gjithashtu mund të studioni mesazhin e Vëllait Xhen E. Njuman “Ruajtja e Zërit të Popullit të Besëlidhjes te Brezi i Ri” (Liahona, nëntor 2023, f. 36–38) dhe merrni parasysh se si do t’ua kaloni besimin tuaj te Krishti brezave të ardhshëm.

Shihni edhe te Ligji i Përtërirë 11:18–21; Dejll G. Renland, “Kini Parasysh Mirësinë dhe Madhështinë e Perëndisë”, Liahona, maj 2020, f. 41–44.

Ligji i Përtërirë 15:1–15

Ndihma ndaj njerëzve nevojtarë përfshin duar bujare dhe zemra të gatshme.

Ende nuk e kemi arritur ditën kur “nuk do të ketë asnjë nevojtar midis jush” (Ligji i Përtërirë 15:4), prandaj parimet rreth ndihmës për të varfrit te Ligji i Përtërirë 15 janë ende me vlerë, edhe nëse kanë ndryshuar praktikat e veçanta. Vini re se çfarë mësojmë nga vargjet 1–15 rreth arsyes përse i ndihmojmë njerëzit nevojtarë dhe cili duhet të jetë qëndrimi ynë lidhur me të.

Çfarë do të thotë që ta “hapësh me zemërgjerësi dorën tënde” ndaj nevojtarëve? (Vargjet 8, 11.) Çfarë mësoni nga shembulli i Zotit rreth ndihmës ndaj njerëzve nevojtarë? (Shihni vargun 15.)

Shihni edhe tek “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?”, Himne, nr. 139.

Ligji i Përtërirë 18:15–19

Moisiu ishte “si” Jezu Krishti.

Pjetri, Nefi, Moroni dhe vetë Shpëtimtari, të gjithë komentuan mbi profecinë te Ligji i Përtërirë 18:15–19 (shihni te Veprat e Apostujve 3:20–23; 1 Nefi 22:20–21; Joseph Smith – Historia 1:40; 3 Nefi 20:23). Çfarë mësoni rreth Shpëtimtarit nga këto vargje? Mendoni për atë që keni lexuar rreth Moisiut gjatë pak javëve të kaluara. Në ç’mënyrë është Moisiu “si” Jezu Krishti?

Jezusi duke u dhënë mësim nefitëve

Jezu Krishti i tha popullit të Tij në kontinentin e lashtë amerikan: “Unë jam ai për të cilin foli Moisiu” (3 Nefi 20:23).

Ligji i Përtërirë 29:9; 30:15–20

Zoti më fton të zgjedh midis së mirës dhe së ligës.

Mund të jetë interesante që t’i krahasoni fjalët e Moisiut te Ligji i Përtërirë 29:9; 30:15–20 me disa prej mësimeve përfundimtare të Lehit të dhëna familjes së tij te 2 Nefi 2:26–29; 4:4. Si e zgjeroi Lehi atë që dha mësim Moisiu? Çfarë gjeni në këto fragmente që ju frymëzojnë të “zgjidh[ni] … jetën”? (Ligji i Përtërirë 30:19.)

ikona e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Ligji i Përtërirë 6:5

Unë mund ta dua Perëndinë me gjithë zemër.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta kuptojnë vargun te Ligji i Përtërirë 6:5, mund të vizatoni një zemër, skicimin e një trupi dhe një krah të fortë. Fëmijët tuaj mund të tregojnë me gisht nga figurat ndërsa ju lexoni te vargu fjalët “zemër”, “shpirt” dhe “forcën”. Si mund t’i tregojmë Zotit se e duam Atë me gjithë zemër, shpirt dhe forcë?

Ligji i Përtërirë 6:6–15

Unë mund ta mbaj fjalën e Perëndisë në zemër.

  • Lexoni me fëmijët tuaj këshillën e Zotit dhënë izraelitëve për t’i vënë fragmentet e shkrimeve të shenjta atje ku do t’i shohin çdo ditë (shihni te Ligji i Përtërirë 6:6–9). Kjo mund t’ju frymëzojë ju dhe fëmijët tuaj që të mendoni për mënyra se si të siguroheni që nuk e “harro[ni] Zotin” (vargu 12) dhe e kujtoni atë që Ai ka bërë për ju.

  • Mund të vini në dukje se vargjet te Ligji i Përtërirë 6:13, 16 dhe 8:3 e ndihmuan Shpëtimtarin gjatë një çasti të rëndësishëm në jetën e Tij. Për të parë se si, lexoni së bashku te Mateu 4:1–10. Më pas mund t’i tregoni njëri‑tjetrit për disa fragmente të tjera të shkrimeve të shenjta që ju kanë ndihmuar në raste nevoje.

një i ri duke lexuar shkrimet e shenjta

Ligji i Përtërirë 18:15–18

Profetët na mësojnë rreth Jezu Krishtit.

  • Ndërsa lexoni së bashku te Ligji i Përtërirë 18:18, ndihmojini fëmijët tuaj të kuptojnë se Profeti si Moisiu në këtë varg është Jezu Krishti. Ndoshta mund të shihni figura të gjërave që bëri Moisiu dhe gjërave që bëri Jezu Krishti dhe t’i lejoni fëmijët tuaj që t’i përkojnë ato (shihni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 15, 16, 3839). Çfarë na ka mësuar profeti ynë sot rreth Shpëtimtarit?

Ligji i Përtërirë 29:12–13; 30:8–10

Për shkak të besëlidhjeve të mia, unë jam pjesë e popullit të Perëndisë.

  • Të folurit për vargjet te Ligji i Përtërirë 29:12–13 siguron mundësi që ju dhe fëmijët tuaj të flisni për besëlidhjet që ata do të bëjnë ose kanë bërë me Atin Qiellor. Çfarë do të thotë të jesh populli i Perëndisë? Si na bëjnë premtimet tona popullin e Perëndisë? (Shihni vargun 13; shihni edhe te Mosia 18:8–10.)

  • Nëse fëmijët tuaj kanë nevojë për ndihmë që të kuptojnë se çfarë është një besëlidhje, sugjeroni që të gjejnë një përkufizim te zëri “Besëlidhje” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit)]. Çfarë premtimesh bënë Perëndia dhe izraelitët me njëri‑tjetrin te Ligji i Përtërirë 30:8–10? Çfarë premtimesh keni bërë ne me Perëndinë? (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:37, 77.) Si na lidhin këto premtime me Të? Merreni parasysh të këndoni së bashku një këngë rreth besëlidhjeve, të tillë si “Standing on the Promises” [“T’u Përmbahesh Premtimeve”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit].

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Moisiu duke vështruar drejt tokës së premtuar

The Lord Shewed Him All the Land [Zoti i Tregoi Atij Tërë Vendin], nga Walter Rane

faqja e veprimtarisë së Fillores: Unë mund ta mbaj fjalën e Perëndisë në zemër