Eja, Më Ndiq
23 Shkurt – 1 Mars. “A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?”: Zanafilla 18–23


“23 Shkurt – 1 Mars. ‘A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?’: Zanafilla 18–23”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“23 Shkurt – 1 Mars. ‘A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?’”, Eja, Më Ndiq: 2026

Sara duke mbajtur Isakun foshnjë

Sarah and Isaac [Sara dhe Isaku], nga Scott Snow

23 Shkurt – 1 Mars: “A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?”

Zanafilla 18–23

Jeta e Abrahamit dhe e Sarës, e mbushur me ngjarje që ta thyejnë por edhe ta ngrohin zemrën, është provë e një të vërtete të cilën Abrahami e mësoi në një vegim – se ne jemi në tokë për t’u provuar, “për të parë nëse [ne] do t’i bëj[m]ë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia [ynë], do t[ë na] urdhërojë” (Abraham 3:25). A do ta provonin Abrahami dhe Sara se ishin besnikë? A do të vazhdonin të kishin besim te premtimi i Perëndisë për pasardhës të shumtë, edhe kur ishin ende pa fëmijë në pleqërinë e tyre? Dhe sapo lindi Isaku, a do ta duronte besimi i tyre të paimagjinueshmen, një urdhër për të flijuar pikërisht birin, nëpërmjet të cilit Perëndia kishte premtuar se do ta përmbushte atë besëlidhje?

Abrahami dhe Sara i mirëbesuan Perëndisë dhe Ai u mirëbesoi atyre (shihni te Zanafilla 15:6; Romakëve 4:3). Te Zanafilla 18–23, ne gjejmë ngjarje nga jeta e Abrahamit, Sarës dhe të tjerëve që mund të na shtyjnë të mendojmë rreth vetë gatishmërisë sonë për t’u besuar premtimeve të Perëndisë, për t’u larguar nga ligësia pa parë kurrë prapa dhe për t’i mirëbesuar Perëndisë pavarësisht nga sakrifica. Duke na vënë në provë, Perëndia gjithashtu na përmirëson.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Zanafilla 18:9–14; 21:1–7

Zoti i përmbush premtimet e Tij në vetë kohën e Tij.

Zoti u ka bërë besnikëve premtime të lavdishme, por nganjëherë rrethanat e jetës sonë mund të na bëjnë të pyesim veten se si mundet të përmbushen këto premtime. Abrahami dhe Sara mund të jenë ndier në atë mënyrë. Çfarë mësoni nga përvojat e tyre? Mund të jetë e dobishme ta filloni studimin tuaj duke rishikuar atë që Zoti kishte premtuar te Zanafilla 17:4, 15–22. Si reaguan Abrahami dhe Sara? (Shihni te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 17:23 [te Zanafilla 17:17, poshtëshënimi b në Biblën në anglisht]; Zanafilla 18:9–12.) Si u përgjigj Zoti për t’i ndihmuar ata që të kishin besim më të madh te premtimet e Tij? (Shihni te Zanafilla 18:14.)

Çfarë gjeni në këto vargje që e ndërtojnë besimin tuaj? Çfarë përvojash të tjera – në jetën tuaj apo të dikujt tjetër – e kanë forcuar besimin tuaj se Zoti do t’i përmbushë premtimet e Tij në vetë kohën dhe mënyrën e Tij? Gjithashtu mund të përsiatni se si mund ta mbështetni besimin tuaj kur bekimet e premtuara nuk merren në këtë jetë. Çfarë këshille gjeni te Hebrenjve 11:8–13 dhe mesazhi i Presidentit Rasëll M. Nelson “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”?, Liahona, maj 2021, f. 101–104.

Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 88:68.

Zanafilla 19:12–29

Zoti më urdhëron të largohem nga ligësia dhe të mos shoh prapa.

Çfarë mësimesh merrni rreth largimit nga ligësia kur lexoni për Lotin dhe familjen e tij? Për shembull, çfarë ju bën përshtypje rreth asaj që thanë dhe bënë engjëjt për ta ndihmuar Lotin dhe familjen e tij që t’i shpëtonte shkatërrimit? (Shihni te Zanafilla 19:12–17.) Si ju ndihmon Zoti ju dhe familjen tuaj të ikni apo të gjeni mbrojtje nga ndikimet e liga në botë? Mendoni për situata ku mund të tundoheni për të “[parë] prapa” (vargu 26) kur duhet të jeni duke parë përpara me besim te Shpëtimtari. Çfarë kuptueshmërie merrni nga Lluka 9:62 për këtë koncept?

Shihni edhe te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 19:9–15 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta).

Zanafilla 19:26

Çfarë bëri gabim gruaja e Lotit?

Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:

“Me ç’shihet, çfarë nuk shkonte me gruan e Lotit ishte se ajo nuk po shikonte thjesht prapa; në zemrën e saj ajo donte të kthehej prapa. Ishte e dukshme që madje përpara se ajo të kalonte kufijtë e qytetit, se ajo po ndiente tashmë mall për çka Sodoma dhe Gomora i kishin dhënë asaj. …

Ka të ngjarë që gruaja e Lotit pa prapa me mëri drejt Zotit, për atë që Ai po i kërkonte asaj të linte pas. … Pra nuk është thjesht se ajo pa prapa; ajo pa prapa me mall. Me pak fjalë, lidhja e saj me të shkuarën kishte më shumë peshë sesa vetëbesimi i saj në të ardhmen. Kjo, në dukje, ishte të paktën pjesë e mëkatit të saj.

… Ju përgjërohem që të mos jetoni në kohë që tani kanë shkuar, as të mos e dëshironi fort më kot të djeshmen, sado e mirë mund të ketë qenë ajo e djeshme. E kaluara është për të mësuar, jo për ta jetuar. Ne e kthejmë kokën prapa që t’u marrim përvojave të ndritura thëngjijtë, por jo hirin. Dhe kur i kemi mësuar ato që na nevojitet të mësojmë dhe e kemi marrë me vete më të mirën që kemi përjetuar, atëherë shikojmë përpara dhe mbajmë mend që besimi gjithnjë drejtohet tek e ardhmja. …

… Të jetuarit në të shkuarën, përfshirë gabimet e së shkuarës, thjesht nuk është i drejtë! Ungjilli i Jezu Krishtit nuk është i tillë. …

Të gjithë [njerëzve] të çdo brezi, u bëj thirrje: ‘Kujtoni gruan e Lotit’ [Lluka 17:32]. Besimi është për të ardhmen. Besimi ndërton mbi të shkuarën, por kurrë nuk dëshiron të qëndrojë atje. Besimi mirëbeson se Perëndia ka gjëra të madhërishme në ruajtje për secilin prej nesh dhe se Krishti me të vërtetë është ‘kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen’ (Hebrenjve 9:11)” (“The Best Is Yet to Be”, Ensign, janar 2010, f. 24, 26–27).

Abrahami duke parë drejt qiejve me një thikë në dorë dhe Isakun të shtrirë mbi altar

Abrahami and Isaac [Abrahami dhe Isaku], nga Harold Copping

Zanafilla 22:1–19

ikona e seminarit
Gatishmëria e Abrahamit për ta flijuar Isakun ishte një ngjashmëri me Perëndinë dhe Birin e Tij.

Edhe pse nuk i dimë të gjitha arsyet përse Perëndia e urdhëroi Abrahamin që ta ofronte Isakun si një flijim, ne e dimë se ishte një provë e besimit të tij te Perëndia. Gjithashtu e dimë se ishte “një ngjashmëri e Perëndisë dhe e të Vetëmlindurit të tij” (Jakobi [LiM] 4:5). Teksa i lexoni vargjet te Zanafilla 22:1–19, mund të kërkoni simbole ose ngjashmëri midis ofrimit të Isakut nga Abrahami dhe ofrimit nga Ati të Birit të Tij, Jezu Krishtit. Merreni parasysh ta shkruani atë që gjeni, në një tabelë si kjo:

Abrahami dhe Isaku

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti

Abrahami dhe Isaku

Isaku ishte biri i vetëmlindur i Abrahamit dhe Sarës (Zanafilla 22:2; shihni edhe te Hebrenjve 11:17)

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti

Jezusi është i Vetëmlinduri i Atit (Gjoni 3:16)

Abrahami dhe Isaku

Isaku duhej të flijohej në vend të një qengji (Zanafilla 22:7–9)

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti

Jezu Krishti është Qengji i Perëndisë (Gjoni 1:29)

Çfarë simbolesh ose ngjashmërish me flijimin shlyes të Shpëtimtarit i gjeni më kuptimplota? Merreni parasysh të këndoni ose lexoni tekstin e një himni që tregon dashurinë e Atit Qiellor për ne, të tillë si “Per’ndia Ne na Do, aq sa Birin e Tij e Dha”, Himne, nr. 108. Gjithashtu mund të shënoni ndjenjat tuaja rreth Atit Qiellor e Jezu Krishtit, si dhe sakrificës së Tyre për ju.

Nëse doni të studioni më shumë rreth flijimit të Shpëtimtarit tonë, merrni parasysh të lexoni mesazhin e Presidentit Xhefri R. Holland “Ja, Qengji i Perëndisë” (Liahona, maj 2019, f. 44–46). Përse një qengj është një simbol kaq i fuqishëm i Birit të Perëndisë? Çfarë dha mësim Presidenti Holland që e shton nderimin tuaj për dhuratën e Atit Qiellor?

Shihni edhe tek “Akedah (The Binding)” [“Akeda (Lidhja)”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

12:57

Akedah (The Binding)

Përdorni mjete pamore për të dhënë mësim. Për të shtuar larmi në mësimdhënie dhe të mësuar, mund të përdorni një ose më shumë figura në këtë përvijim teksa studioni ngjarjet te Zanafilla 18–23. Për shembull, ju dhe familja juaj ose klasa juaj mund të vini re hollësitë në figurat e Abrahamit dhe të Isakut. Flisni rreth arsyeve përse këto hollësi janë të rëndësishme për historinë dhe gjejini këto hollësi në shkrimet e shenjta. Si e theksojnë ato simbolikën e historisë së flijimit të Birit të Perëndisë?

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona 01 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Zanafilla 17:15–21; 18:14; 21:1–7

Unë mund të mirëbesoj se Perëndia i mban premtimet e Tij.

  • Për të mësuar rreth mirëbesimit të Abrahamit dhe Sarës te premtimet e Perëndisë, ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth një rasti kur ata duhej të prisnin për diçka që e dëshironin me të vërtetë. Më pas mund të shihni figurën e Sarës dhe Isakut në fillim të këtij përvijimi dhe të flisni rreth premtimit që Perëndia i bëri asaj dhe Abrahamit (shihni edhe mësimin “Abrahami dhe Sara” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 28–31). Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë për gjëra që Perëndia na i ka premtuar nëse jemi besnikë. Nxitini të jenë të duruar dhe të mirëbesojnë se Perëndia do t’i mbajë premtimet e Tij.

    2:20

    Abraham and Sarah

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që të mësojnë të vërtetën e rëndësishme te Zanafilla 18:14, mund ta shkruani secilën fjalë nga fjalia e parë e atij vargu në fletë të veçanta letre. Pastaj përziejini letrat dhe ftojini fëmijët që t’i renditin fjalët sipas rendit të duhur. Ju dhe fëmijët tuaj më pas mund të lexoni vargjet te Zanafilla 17:15–21; 21:1–7 që të gjeni një shembull të diçkaje që bëri Zoti, e cila dukej e pamundur. Tregojuni fëmijëve tuaj për besimin tuaj se Zoti do t’i përmbushë premtimet e Tij, edhe nëse duken të pamundura ose kërkojnë një kohë të gjatë.

Zanafilla 19:15–26

Unë mund të largohem nga ligësia.

  • Pyetini fëmijët tuaj rreth situatave në të cilat dikush mund t’i ftojë që të bëjnë diçka që e dinë se nuk është e drejtë. Si do të “largoheni” nga këto situata? Përmblidhini vargjet te Zanafilla 19:15–26 duke shpjeguar se familja e Lotit jetoi në një qytet shumë të lig dhe engjëjt i paralajmëruan që të largoheshin. Ndërkohë që ju dhe fëmijët tuaj lexoni së bashku vargjet 15–17, 26, pyetini se çfarë mund të nënkuptojë për ne sot që të “shpëto[jmë]” nga e liga dhe të “mos shiko[jmë] prapa” (vargu 17).

burrë dhe gra duke u larguar nga Sodoma dhe Gomora

Sodom [Sodoma], nga Julius Schnorr von Carolsfeld

Zanafilla 22:1–14

Abrahami iu bind Zotit.

  • Përdorimi i figurave të Abrahamit e Isakut dhe të Kryqëzimit (shihni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 957) mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj që ta krahasojnë historinë te Zanafilla 22 me flijimin e Shpëtimtarit (shihni te Mateu 27:26–37). Çfarë mund të mësojmë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga rrëfimet për Abrahamin e Isakun dhe për Kryqëzimin? (Shihni edhe mësimin “Abrahami dhe Isaku” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 34–37)

    2:0

    Abraham and Isaac

  • A mund të mendoni për një lojë të thjeshtë që ta luani me fëmijët tuaj e cila u kërkon që ata të ndjekin udhëzimet? Ndoshta udhëzimet mund t’i çojnë te një figurë e fshehur e Shpëtimtarit. Loja mund të nxiste një bashkëbisedim rreth gjërave që Ati Qiellor na ka urdhëruar t’i bëjmë me qëllim që të mund të jetojmë me Të dhe Jezu Krishtin përsëri. Merreni parasysh të këndoni një këngë të tillë si “Mbaj Urdhërimet” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 68–69). Faqja e veprimtarisë së kësaj jave mund të ndihmojë gjithashtu.

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Abrahami duke parë drejt Isakut i cili po mbarte një tufë me dru

Abraham and Isaac [Abrahami dhe Isaku], nga Jeff Ward

faqja e veprimtarisë së Fillores: Abrahami iu bind Zotit