Eja, Më Ndiq
2–8 Mars. “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”: Zanafilla 24–33


“2–8 Mars. ‘Lejojeni Perëndinë të Triumfojë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“2–8 Mars. ‘Lejojeni Perëndinë të Triumfojë’”, Eja, Më Ndiq: 2026

Esau ia shet parëbirninë Jakobit për një tas supë

Esau Sells His Birthright [Esau Shet Parëbirninë e Tij], nga Glen S. Hopkinson (hollësi)

2–8 Mars: “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”

Zanafilla 24–33

Si i siguroni vetes një bekim nga Perëndia? Ju mund të thoni se rrëfimi i Jakobit, nipit të Abrahamit dhe Sarës, është historia e një burri që mësoi përgjigjen e kësaj pyetjeje. Në një kulturë ku biri i parëlindur merrte një bekim të parëbirnisë, Jakobi u lind i dyti, duke u kapur pas thembrës së vëllait të tij binjak, Esaut. Emri “Jakob” do të thotë “zëvendësues” – dikush që i zë vendin dikujt tjetër. Jakobi e përmbushi pritshmërinë e atij emri duke u përpjekur, më shumë se një herë, që ta zëvendësonte Esaun si trashëgimtarin e bekimit të parëbirnisë, sepse Esau nuk ishte i denjë për të (shihni te Zanafilla 25:30–34; 26:34–35; 27:36). Rezultati ishte mosmarrëveshje në familje, dhe Jakobit iu desh të largohej drejt vendit të shkretë për të shpëtuar jetën e vet.

Vite më vonë, Perëndia e urdhëroi Jakobin të kthehej në shtëpi. Në udhë e sipër Jakobi, me përulësi, përsëri kërkoi një bekim nga Perëndia. Shkrimet e shenjta e përshkruajnë këtë kohë si një “luftë” për Jakobin dhe ai shpalli se nuk do të dorëzohej “në rast se nuk më bekon më parë” (Zanafilla 32:26). Më pas erdhi mësimi dhe bekimi. Perëndia e ndryshoi emrin e Jakobit në Izrael, që do të thotë, mes gjërave të tjera, “lejojeni Perëndinë të triumfojë”. Izraeli mësoi se që të merrte bekimet më të vlefshme të Perëndisë, bekimet e besëlidhjeve të Tij, nuk është e domosdoshme të zëvendësojmë dikë tjetër. Bekimet e Tij nuk blihen ose kapen apo fitohen. Ai ua jep ato lirisht të gjithëve që i përmbushin pritshmëritë e emrit të Izraelit – atyre që e lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Zanafilla 24

Martesa në besëlidhje është thelbësore në planin e përjetshëm të Perëndisë.

Ndërsa lexoni te Zanafilla 24, bëjini vetes pyetjen përse Abrahami e konsideronte kaq të rëndësishme martesën e birit të tij, Isakut. Përse martesa është e rëndësishme për Perëndinë?

Çfarë cilësish gjeni te Rebeka që do të jepnin ndihmesë për një martesë dhe familje të fortë? (Shihni veçanërisht vargjet 15–28, 57–61.)

Shihni edhe tek Tema dhe Pyetje, “Marriage” [“Martesa”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Zanafilla 25:29–34

Unë mund t’i vlerësoj gjërat e përjetshme mbi gjërat e përkohshme.

Në kulturën e Isakut dhe Rebekës, biri më i madh në moshë merrte parëbirninë, që do të thoshte një trashëgimi më të madhe, së bashku me përgjegjësi më të mëdha për t’u kujdesur për familjen. Ndërsa lexoni te Zanafilla 25:29–34, përsiatni arsyen përse Esau mund të ketë qenë i gatshëm të hiqte dorë nga parëbirnia e Tij në këmbim të një vakti ushqimi. Çfarë mësimesh gjeni për veten tuaj në këtë rrëfim? Ai mund t’ju ndihmojë që të bëni dy lista: 1) bekimet e përjetshme që Perëndia dëshiron t’jua japë dhe 2) gjërat e botës që mund t’jua heqin vëmendjen. Më pas mund ta lexoni fragmentin, duke e zëvendësuar fjalën “parëbirninë” me diçka nga lista e parë dhe fjalën “supë” me diçka nga lista e dytë. Si do të përqendroheni te Shpëtimtari dhe bekimet e përjetshme të ungjillit të Tij?

Shihni edhe te Mateu 6:19–33; M. Rasëll Ballard, “Kujtoni Atë që Është Më e Rëndësishmja”, Liahona, maj 2023, f. 105–107.

Jakobi në Bethel

Jacob at Bethel [Jakobi në Bethel], nga James Smetham

Zanafilla 28

ikona e seminarit
Besëlidhjet e shtëpisë së Zotit sjellin fuqinë e Perëndisë në jetën time.

Ndërsa flinte mbi një jastëk gurësh, Jakobi pati një ëndërr jetëndryshuese. Ajo ishte një përvojë kaq e shenjtë sa Jakobi e quajti vendin Bethel, ose “shtëpia e Perëndisë”, duke shpallur: “Me siguri Zoti është në këtë vend” (Zanafilla 28:16).

Ndërkohë që lexoni te Zanafilla 28, mund të pyetni veten se çfarë e bëri këtë përvojë kaq të shenjtë për Jakobin. Çfarë po kalonte ai në atë kohë? Si mund të jetë ndier ai? Gjithashtu mund të kërkoni fjalë dhe fraza te vargjet 10–22, të cilat ju kujtojnë shtëpinë e Zotit. Çfarë mbresash merrni rreth Perëndisë, shtëpisë së Tij dhe besëlidhjeve të Tij?

Në fund të këtij përvijimi është një pikturë që paraqet ëndrrën e Jakobit; mund t’i referoheni asaj teksa lexoni. Nëse do të krijonit vetë përshkrimin tuaj të kësaj ëndrre, çfarë do të bënit? Cilat të vërteta nga historia do të përpiqeshit t’i paraqisnit?

Himni “Më Pran’, Per’ndi, tek Ti”, Himne, nr. 52, u bazua te përvoja e Jakobit. Çfarë lidhjesh shihni midis kësaj kënge dhe vargjeve te Zanafilla 28:10–22? Si ju ndihmon tempull që të ndiheni më pranë Perëndisë? Merreni parasysh të kërkoni përgjigje për këtë pyetje te mesazhi i Presidentit Rasëll M. Nelson “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror” (Liahona, nëntor 2021, f. 93–96). Nëse dëshironi, mund edhe të rishikoni besëlidhjet dhe bekimet e shtëpisë së Zotit te Manuali i Përgjithshëm, 27.2 (Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Si e sjell mbajtja e këtyre besëlidhjeve fuqinë e Perëndisë në jetën tuaj?

Jini krijues. Ka shumë mënyra për të mësuar nga shkrimet e shenjta përveç thjesht leximit të tyre. Disa njerëz zbulojnë se ata i kuptojnë shkrimet e shenjta më mirë nëse vizatojnë figura të rrëfimeve. Të tjerë i gjejnë idetë shpirtërore në muzikën e shenjtë që lidhet me shkrimet e shenjta. Mos e kufizoni veten te një mënyrë e të mësuarit; jini të hapur që të provoni një larmi qasjesh.

Zanafilla 29:31–35; 30:1–24

Zoti më kujton në sprovat e mia.

Ndërsa lexoni vargjet te Zanafilla 29:31–35 dhe 30:1–24, kërkoni fjalë që përshkruajnë mëshirën e Perëndisë ndaj Rakelës dhe Leas. Përsiatni se si Perëndia e ka “pa[rë] trishtimin t[uaj]” dhe ju ka “kujtua[r]” (Zanafilla 29:32; 30:22).

Zanafilla 32–33

Shpëtimtari mund ta shërojë familjen time.

Kur Jakobi u kthye në Kanaan, atë e zuri “një frikë e madhe dhe një ankth” se si do ta priste vëllai i tij, Esau (Zanafilla 32:7). Ndërsa lexoni te Zanafilla 32–33, përsiatni për vetë marrëdhëniet tuaja familjare – ndoshta veçanërisht për një marrëdhënie që ka nevojë për shërim. Ndoshta kjo histori mund t’ju frymëzojë që t’i afroheni dikujt. Pyetje si këto mund ta udhërrëfejnë leximin tuaj:

  • Si u përgatit Jakobi që të takohej me Esaun?

  • Çfarë ju bën përshtypje nga lutja e Jakobit që gjendet te Zanafilla 32:9–12?

  • Çfarë mësoni rreth faljes nga shembulli i Esaut?

  • Si mund të na ndihmojë Shpëtimtari që t’i shërojmë marrëdhëniet familjare?

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona 01 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Zanafilla 24:10–21

Unë mund të jem i/e mirë me të tjerët.

  • Për ta theksuar shembullin mbresëlënës të Rebekës për mirësinë, mund t’u tregoni fëmijëve tuaj figurën më poshtë ose faqen e veprimtarisë së kësaj jave, ndërkohë që përmblidhni tregimin te Zanafilla 24:10–21. Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë ta aktrojnë ngjarjen. Kjo mund të çojë drejt një bashkëbisedimi rreth veprimeve të mirësisë që i keni parë ju dhe fëmijët tuaj.

  • Merreni parasysh të këndoni së bashku një këngë rreth mirësisë, të tillë si “Mir’sia Fillon tek Ti” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 83). Fëmijët tuaj mund të mbajnë vesh për fjalën “mirësi” (ose një fjalë të ngjashme) dhe të ngrihen në këmbë kur ta dëgjojnë. Si mund të jemi të mirë si Rebeka?

portret i Rebekës

Old Testament Heroes [Heronj të Dhiatës së Vjetër], nga Dilleen Marsh (hollësi)

Zanafilla 25:21–34

Gjërat e përjetshme janë më të rëndësishme sesa gjërat e botës.

  • Merreni parasysh të përdorni mësimin “Jakobi dhe Esau” (tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 38–41) për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta kuptojnë historinë te Zanafilla 25:21–34. Ndoshta fëmijët tuaj mund të përfytyrojnë sikur Esau kërkoi këshillën e tyre nëse duhej apo jo ta shkëmbente parëbirninë e tij për supë. Çfarë do t’i thoshit atij?

    2:5

    Jacob and Esau

  • Cilat gjëra kanë rëndësi të përjetshme për ju dhe fëmijët tuaj? Ndoshta fëmijët tuaj mund të gjejnë figura ose sende që i përfaqësojnë këto gjëra. Si mund t’i tregojmë Zotit se këto gjëra janë të rëndësishme për ne?

Zanafilla 28:10–22

Besëlidhjet më ndihmojnë që të kthehem tek Ati Qiellor.

  • Ndërsa lexoni së bashku te Zanafilla 28:10–22, ju mund të përdorni një shkallë (ose një figurë si ajo në fund të këtij përvijimi) për të folur rreth asaj se si besëlidhjet tona janë si një shkallë. Ndoshta fëmijët tuaj mund të hiqen sikur po ngjiten në një shkallë dhe me çdo hap flisni për rastet kur ne premtojmë që t’i bindemi Perëndisë, si në rastet kur pagëzohemi, marrim sakramentin ose shkojmë në tempull. Si na sjellin besëlidhjet tona më pranë Perëndisë?

Zanafilla 32:6–11; 33:1–4

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të më ndihmojnë që ta dua familjen time.

  • Për t’i paraqitur këto vargje, mund të shpjegoni se pas shumë vitesh ndjenjash të ashpra, Jakobi po shkonte të takohej përsëri me Esaun. Lexoni së bashku te Zanafilla 32:6–11. Si u ndie Jakobi? Çfarë bëri ai për të marrë ndihmë? Lexoni së bashku te Zanafilla 33:1–4 për të zbuluar se si iu përgjigj Zoti lutjes së Jakobit. Nëse Jakobi dhe Esau do të mund të na flisnin sot, çfarë mund të thoshnin për të na ndihmuar kur ka grindje në familjen tonë?

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Jakobi duke ëndërruar për një shkallë dhe engjëj që zbresin nga qielli

Jacob’s Dream [Ëndrra e Jakobit], nga J. Ken Spencer

faqja e veprimtarisë së Fillores: Unë mund të jem i/e mirë me të tjerët