“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Shtëpia e Izraelit”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“Shtëpia e Izraelit”, Eja, Më Ndiq: 2026
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh
Shtëpia e Izraelit
Diku në vendin e shkretë në lindje të Kanaanit, Jakobi priste me nervozizëm një takim me vëllanë e tij binjak, Esaun. Herën e fundit që Jakobi e kishte parë Esaun, rreth 20 vjet më parë, Esau donte ta vriste. Jakobi e kaloi tërë natën në përleshje, duke kërkuar një bekim nga Perëndia. Si rezultat i besimit, këmbënguljes dhe vendosmërisë së Jakobit, Perëndia iu përgjigj lutjeve të tij. Atë natë emri i Jakobit u ndryshua në Izrael, një emër që do të thotë se mes gjërave të tjera, “ai këmbëngul me Perëndinë”.
Pranë lumit Jabok, Jakobi mori emrin Izrael.
Kjo është hera e parë që emri Izrael shfaqet në Bibël dhe është një emër që vazhdon gjatë gjithë librit dhe gjatë gjithë historisë. Emri shpejt filloi tʼi referohej më shumë sesa një burri. Izraeli pati 12 bij dhe pasardhësit e tyre u njohën kolektivisht si “shtëpia e Izraelit”, “fiset e Izraelit”, “fëmijët e Izraelit” ose “izraelitët”.
Gjatë gjithë historisë, fëmijët e Izraelit i kushtuan shumë rëndësi faktit që e kishin prejardhjen nga njëri prej dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Linja e tyre e prejardhjes ishte një pjesë e rëndësishme e identitetit të tyre në besëlidhje. Apostulli Pal shpalli se ai ishte “nga fisi i Beniaminit” (Romakëve 11:1). Një arsye përse Lehi i dërgoi bijtë e tij në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi, ishte sepse fletët përmbanin “një gjenealogji të etërve të tij” (1 Nefi 5:14). Lehi zbuloi se ai ishte pasardhës i Jozefit dhe kuptueshmëria e pasardhësve të tij për lidhjen e tyre me shtëpinë e Izraelit, provoi se ishte e rëndësishme për ta në vitet që pasuan.
Në Kishë sot, mund të dëgjoni për Izraelin në shprehje të tilla si “mbledhja e Izraelit”. Ne këndojmë këngë të tilla si “Shëlbues i Izraelit”, “Shpres’ e Izraelit” dhe “Ju Pleq t’Izraelit”. Në këto raste, ne nuk flasim apo këndojmë për mbretërinë e lashtë të Izraelit ose për kombin modern që quhet Izrael. Përkundrazi, po u drejtohemi njerëzve që janë mbledhur nga kombet e botës në Kishën e Jezu Krishtit. Po u drejtohemi njerëzve që këmbëngulin me Perëndinë, të cilët i kërkojnë me zell bekimet e Tij dhe të cilët, nëpërmjet pagëzimit, janë bërë populli i Tij i besëlidhjes. Sipas fjalëve të Presidentit Rasëll M. Nelson, që të jemi të Izraelit do të thotë “ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë, … ta lejojmë Perëndinë të jetë ndikimi më i fuqishëm në jetën tonë”.
Bekimi juaj patriarkal shpall lidhjen tuaj me njërin nga fiset e shtëpisë së Izraelit. Ky është më shumë sesa një pjesë interesante e historisë familjare. Gjithashtu ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhshmen tuaj. Të qenit pjesë e shtëpisë së Izraelit do të thotë që ju keni një marrëdhënie besëlidhëse me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Do të thotë që ju, ashtu si Abrahami, keni për qëllim të jeni “një bekim” për fëmijët e Perëndisë (Zanafilla 12:2; Abraham 2:9–11). Do të thotë, me fjalët e Pjetrit, se “ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pjetër 2:9). Do të thotë që ju e “lejoni Perëndinë të triumfojë”, që ju jeni dikush i cili “këmbëngul me Perëndinë” ndërkohë që i nderoni besëlidhjet tuaja me Të.
Family Tree of Jacob (Israel) [Pema Familjare e Jakobit (Izraelit)], nga Brent Evans