“16–22 Shkurt. ‘Të Jem Ndjekës më i Madh i Drejtësisë’: Zanafilla 12–17; Abraham 1–2”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“16–22 Shkurt. ‘Të Jem Ndjekës më i Madh i Drejtësisë’”, Eja, Më Ndiq: 2026
Melchizedek Blesses Abram [Melkizedeku Bekon Abramin], nga Walter Rane (hollësi)
16–22 Shkurt: “Të Jem Ndjekës më i Madh i Drejtësisë”
Zanafilla 12–17; Abraham 1–2
Për shkak të besëlidhjes që Perëndia bëri me të, Abrahami është quajtur “ati i besimtarëve” (Doktrina e Besëlidhje 138:41) dhe “miku i Perëndisë” (Jakob [Bibël] 2:23). Miliona njerëz sot e nderojnë atë si paraardhësin e tyre të drejtpërdrejtë dhe të tjerë janë birësuar në familjen e tij nëpërmjet kthimit në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit. Megjithatë, vetë Abrahami erdhi nga një familje me probleme – babai i tij, i cili e kishte braktisur adhurimin e vërtetë të Perëndisë, u përpoq që tʼua flijonte Abrahamin perëndive të rreme. Pavarësisht nga kjo, dëshira e Abrahamit qe që “të [ishte] ndjekës më i madh i drejtësisë” (Abraham 1:2) dhe rrëfimi i jetës së tij tregon se Perëndia e respektoi dëshirën e tij. Jeta e Abrahamit qëndron si një dëshmi se pavarësisht se si ka qenë historia familjare e një personi, e ardhmja mund të jetë e mbushur me shpresë.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Perëndia do të më bekojë për besimin dhe dëshirat e mia të drejta.
“Ne të gjithë ndikohemi nga familjet tona [dhe] kultura jonë”, dha mësim Plaku Nil L. Andersen, “dhe megjithatë besoj se ka një vend brenda nesh që ne e kontrollojmë dhe krijojmë në mënyrë të pashoqe dhe individuale. … Përfundimisht, dëshirave tona të brendshme u jepet jetë dhe ato shihen te zgjedhje tona dhe te veprimet tona” (“Educate Your Desires, Elder Andersen Counsels”, ChurchofJesusChrist.org). Merreni parasysh se si vargjet tek Abraham 1:1–19 tregojnë atë që dha mësim Plaku Andersen. Pyetje si këto mund të ndihmojnë:
-
Çfarë dëshiroi Abrahami? Si ishin dëshirat e tij të dukshme te veprimet e tij? Si i përkrahu Perëndia dëshirat e tij?
-
Cilat janë dëshirat tuaja? Si janë ato të dukshme te veprimet tuaja? Si ju përkrah Perëndia?
-
Çfarë mesazhi kanë këto vargje për ata njerëz pjesëtarët e familjeve të të cilëve nuk e dëshirojnë drejtësinë?
Një nga dëshirat më të mëdha të Abrahamit dhe Sarës, për të pasur një fëmijë, nuk u plotësua për shumë vjet (shihni te Zanafilla 15:1–6). Çfarë mësoni nga Hebrenjve 11:8–13 rreth mënyrës se si Abrahami dhe Sara u përballën me këtë sprovë? Si ju ndihmon Shpëtimtari që t’i “[përqafoni]” premtimet e Tij, edhe nëse ato janë “larg”?
Shihni edhe te “Deliverance of Abraham” [“Çlirimi i Abrahamit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Deliverance of Abraham
Zanafilla 12:1–3; 13:15–16; 15:1–6; 17:1–8, 15–22; Abraham 2:6–11
Perëndia dëshiron që unë të bëj dhe të mbaj besëlidhje me Të.
Përse është e rëndësishme që të dini për besëlidhjen që Perëndia bëri me Abrahamin? Sepse Perëndia dëshiron që të bëjë një besëlidhje të ngjashme me ju. Ai premtoi se kjo besëlidhje do të vazhdonte te pasardhësit ose “fara” e Abrahamit, dhe që “të gjithë ata që e marrin këtë Ungjill, do të … llogariten si fara jote” (shihni tek Abraham 2:10–11). Me fjalë të tjera, besëlidhja vazhdon me ju – kur pagëzoheni dhe më plotësisht kur bëni besëlidhjet në tempull (shihni te Galatasve 3:26–29; Doktrina e Besëlidhje 132:30–32).
Për atë arsye, nëse dëshironi, mund të studioni vargjet tek Abraham 2:6–11 dhe të bëni një listë të asaj që Perëndia ua premtoi përpikërisht Abrahamit dhe Sarës (shihni edhe te Zanafilla 12:1–3; 13:15–16; 15:1–6; 17:1–8, 15–22). Si mund të gjejnë zbatim për ju këto bekime?
Disa nga këto premtime kanë paralelizma të përjetshëm. Si janë përmbushur përjetësisht premtime të tilla si një tokë e trashëgimisë ose një numër i madh pasardhësish? (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4; 132:20–24, 28–32).
Përveç bekimeve të premtuara, Perëndia i tha Abrahamit që ai do të “[ishte] një bekim” (Zanafilla 12:2; theksimi i shtuar). Si mendoni, çfarë do të thotë kjo? Si do të jeni ju një bekim? (Shihni tek Abraham 2:11.)
Për të dhënë mësim rreth besëlidhjeve, Plaku Dejll G. Renland foli për valët e baticës në lumin Amazon dhe Presidentja Emili Bell Friman foli rreth ecjes në një shteg shkëmbor me një kyç të thyer (shihni te “Qasja te Fuqia e Perëndisë nëpërmjet Besëlidhjeve”, Liahona, maj 2023, f. 35–37; “Ecja në një Marrëdhënie Besëlidhëse me Krishtin”, Liahona, nëntor 2023, f. 76–79). Kërkoni te njëri ose të dy këto mesazhe fjali që ndihmojnë për t’i dhënë përgjigje pyetjes: “Përse Perëndia dëshiron që unë të bëj besëlidhje me Të?”
Ftojini njerëzit që t’i japin mësim njëri‑tjetrit. Nëse po i jepni mësim familjes suaj ose një klase në Kishë rreth besëlidhjeve, merrni parasysh t’i jepni secilit person për të studiuar një pjesë të mesazhit të Plakut Renland ose Presidentes Friman. Pastaj ata mund t’i tregojnë pjesës tjetër të familjes ose klasës atë që mësuan. Kjo i lejon njerëzit që të dëshmojnë dhe mësojnë nga njëri‑tjetri, dhe kjo e fton Shpirtin. (Shihni te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 26.)
Shihni edhe tek Tema dhe Pyetje, “Abrahamic Covenant” [“Besëlidhja e Abrahamit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Besëlidhja”, në këtë burim.
The Abrahamic Covenant [Besëlidhja e Abrahamit], nga Dilleen Marsh (hollësi)
Zanafilla 14:18–19; Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 14:25–40
“Melkizedeku ishte një njeri i besimit.”
Përfytyroni sikur po e njihni Melkizedekun me dikë që nuk e njihte atë. Çfarë do të thoshit? Kërkoni ide te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 14:26–27, 33–38 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta); Alma 13:13–19; Doktrina e Besëlidhje 107:1–4. Çfarë cilësish si të Krishtit gjeni te këto përshkrime të Melkizedekut? Si ndikon studimi juaj i jetës së Melkizedekut te mënyra se si e shihni Priftërinë Melkizedeke?
Zanafilla 14:18–24; Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 14:36–40
Abrahami pagoi të dhjetë.
Çfarë mësoni rreth qëndrimit të Abrahamit kundrejt pasurisë nga Zanafilla 14:18–24 dhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 14:36–40 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta)? Për shembull, vini re përgjigjen e tij ndaj mbretit të Sodomës te Zanafilla 14:23. Si ka ndikuar bindja ndaj ligjit të së dhjetës te këndvështrimi juaj për paranë?
Zanafilla 16
Perëndia më dëgjon.
Teksa lexoni te Zanafilla 16, mund të mendoni rreth një rast kur ndiet se ishit trajtuar padrejtësisht, siç u ndie Agari. Vini në dukje se “Ishmael” do të thotë “Perëndia dëgjon”. Si jua ka treguar Perëndia se ju ka dëgjuar?
Shihni edhe te “Lutja e Fshehtë”, Himne, nr. 82.
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Jezu Krishti do të më udhëheqë për dore.
-
Ndërkohë që ju dhe fëmijët tuaj lexoni vargjet tek Abraham 1:18 dhe 2:8, mund t’i ftoni që të mbajnë vesh për një pjesë të trupit që përmendet tek të dyja vargjet. Ndoshta mund të luani një lojë në të cilën një fëmijë i mbyll sytë dhe ju e çoni fëmijën diku duke e mbajtur për dore. Më pas mund të bisedoni rreth mënyrës se si ndihemi që kemi Jezu Krishtin që na udhëheqë për dore ose na mbron.
Zanafilla 13:5–12
Unë mund të jem paqebërës/e.
-
Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të aktrojnë ndodhinë nga Zanafilla 13:5–12, që hiqen sikur janë Abrahami, Loti dhe barinjtë. Si mund ta ndjekim shembullin e të qenit paqebërës me familjen ose miqtë, sikurse Abrahami? Përpiquni t’i interpretoni me role përgjigjet e tyre.
Lot’s Choice [Zgjedhja e Lotit], nga William Fredericks © Providence Collection/e licencuar nga goodsalt.com
Zanafilla 13:16; Zanafilla 15:1–6; 17:1–8; Abraham 2:9–11
Perëndia dëshiron që unë të bëj besëlidhje me Të.
-
Merreni parasysh t’u tregoni fëmijëve tuaj një enë me rërë, yjet në qiellin e natës ose një figurë në fund të këtij përvijimi. Kjo mund t’i ndihmojë ata t’i kuptojnë premtimet e Perëndisë te Zanafilla 13:16; 15:1–6. Flisni rreth mënyrës se si keni mësuar t’u mirëbesoni premtimeve të Perëndisë, edhe kur ato duken të pamundura.
-
Për t’ju mësuar fëmijëve tuaj rreth besëlidhjeve, kërkojuni që t’ju tregojnë rreth një rasti kur bënë një premtim ose dikush u bëri atyre një premtim. Nëse është e dobishme, tregoni disa shembuj vetjakë, përfshirë besëlidhjet që keni bërë me Perëndinë në pagëzim dhe në tempull. Si kanë ndikuar besëlidhjet tuaja te marrëdhënia juaj me Perëndinë? Zgjidhni disa fraza nga Zanafilla 15:1–6; 17:1–8; Abraham 2:9–11 për të treguar disa nga bekimet që Perëndia ua premtoi Abrahamit dhe Sarës.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që të përgatiten për të bërë një besëlidhje me Perëndinë kur pagëzohen, mund të përdorni disa prej ideve të veprimtarive të sugjeruara te shtojca A ose shtojca B.
Abraham 1:12–17; Zanafilla 16:7–11
Perëndia më dëgjon.
-
Kur jeta e Abrahamit ishte në rrezik, ai i thirri Perëndisë. Kur Agari ishte e vetme në vendin e shkretë, ajo mësoi se Perëndia e dëgjoi atë. Merreni parasysh t’u tregoni fëmijëve tuaj për këto dy ngjarje: “Abrahami dhe Sara” dhe “Agari” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 28–31, 32–33. Çfarë mësojmë rreth Perëndisë nga këto tregime? Më pas mund t’i tregoni njëri‑tjetrit përvoja kur e ndiet se Perëndia ju dëgjoi. Një këngë si “Lutja e një Fëmije” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 6–7) mund ta përforcojë këtë parim.
Abraham and Sarah
Hagar
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.