Eja, Më Ndiq
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Besëlidhja


“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Besëlidhja”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“Besëlidhja”, Eja, Më Ndiq: 2026

ikona e mendimeve

Mendime për t’i Mbajtur Parasysh

Besëlidhja

Në të gjithë Dhiatën e Vjetër, ju do ta lexoni shpesh fjalën besëlidhje. Sot ne zakonisht i mendojmë besëlidhjet si premtime të shenjta me Perëndinë, por në botën e lashtë, besëlidhjet ishin gjithashtu një pjesë e rëndësishme e ndërveprimeve të njerëzve me njëri‑tjetrin. Për sigurinë dhe mbijetesën e tyre, njerëzve u nevojitej që të mund t’i mirëbesonin njëri‑tjetrit dhe besëlidhjet ishin një mënyrë për ta siguruar atë mirëbesim.

Kështu që kur Perëndia u foli Enokut, Noeut, Moisiut dhe të tjerëve rreth besëlidhjeve, Ai po i ftonte ata që të hynin në një marrëdhënie mirëbesimi me Të. Ne e quajmë këtë besëlidhje, besëlidhja e re dhe e përjetshme ose besëlidhja e Abrahamit, një referim ndaj besëlidhjes që Perëndia bëri me Abrahamin dhe Sarën dhe më pas e ripërtëriu me pasardhësit e tyre, Isakun dhe Jakobin (i quajtur gjithashtu Izrael). Në Dhiatën e Vjetër ajo njihej thjesht si “besëlidhja”. Ju do të shihni se Dhiata e Vjetër është në thelb historia e njerëzve që e panë veten si trashëgimtarë të kësaj besëlidhjeje – populli i besëlidhjes.

Besëlidhja e Abrahamit vazhdon të jetë e rëndësishme sot, veçanërisht për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Përse? Sepse ne jemi gjithashtu populli i besëlidhjes, pavarësisht nëse jemi apo jo pasardhës të drejtpërdrejtë të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Për këtë arsye, është e rëndësishme të kuptoni se çfarë është besëlidhja e Abrahamit dhe si zbatohet ajo për ne sot.

Çfarë Është Besëlidhja e Abrahamit?

Abrahami dëshironte “të [ishte] ndjekës më i madh i drejtësisë” (Abraham 1:2), kështu që Perëndia e ftoi atë në një marrëdhënie besëlidhëse. Abrahami nuk ishte i pari që e kishte këtë dëshirë dhe nuk ishte i pari që mori një besëlidhje. Ishte, në fund të fundit, një besëlidhje e përjetshme. Abrahami kërkoi “bekimet e etërve” (Abraham 1:2) – bekime që iu ofruan me anë të besëlidhjes Adamit dhe Evës dhe më pas njerëzve që i kërkuan me zell këto bekime.

Besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin premtoi bekime të mrekullueshme: një trashëgimi toke, pasardhës të shumtë, të drejtë përdorimi të ordinancave të priftërisë dhe një emër që do të nderohej në brezat që do të vinin. Por përqendrimi i kësaj besëlidhjeje nuk ishte vetëm te bekimet që do të merrnin Abrahami dhe familja e tij, por gjithashtu te bekimi që ata do të ishin për pjesën tjetër të fëmijëve të Perëndisë. “Ti do të jesh një bekim”, shpalli Perëndia, dhe “te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës” (Zanafilla 12:2–3).

A u dha kjo besëlidhje Abrahamit, Sarës dhe pasardhësve të tyre një status të privilegjuar midis fëmijëve të Perëndisë? Vetëm në kuptimin se t’i bekosh të tjerët është një privilegj. Familja e Abrahamit, duhej “ta mba[nte] këtë shërbesë dhe Priftëri për të gjitha kombet”, duke i përhapur “bekimet e Ungjillit, të cilat janë bekimet e shpëtimit, madje të jetës së përjetshme” (Abraham 2:9, 11). Të ishin populli i besëlidhjes së Perëndisë nuk do të thoshte që ata ishin më të mirë se të tjerët; do të thoshte se ata kishin një detyrë për t’i ndihmuar të tjerët që të ishin më të mirë.

Kjo besëlidhje ishte bekimi që Abrahami e dëshironte fort. Pasi e mori atë, Abrahami tha në zemrën e vet: “Shërbëtori yt të ka kërkuar me shumë zell; tani unë të kam gjetur” (Abraham 2:12).

Ajo ishte mijëra vjet më parë, por kjo besëlidhje është rivendosur në kohën tonë. Dhe aktualisht po përmbushet në jetën e popullit të Perëndisë. Përmbushja e besëlidhjes po merr hov në ditët e mëvonshme ndërsa vepra e Perëndisë përparon, duke i bekuar familjet kudo në botë. Kushdo që, ashtu si Abrahami, dëshiron të jetë një ndjekës më i madh i drejtësisë, kushdo që e kërkon Zotin me zell, mund të jetë pjesë e saj.

familje përpara tempullit

Çfarë Kuptimi Ka për Mua Besëlidhja e Abrahamit?

Ju jeni një fëmijë i besëlidhjes. Ju bëni një besëlidhje me Perëndinë kur pagëzoheni dhe kur merrni sakramentin. Dhe ju merrni plotësinë e besëlidhjes me ordinancat e shenjta të tempullit.

Nëpërmjet këtyre besëlidhjeve dhe ordinancave, ne bëhemi populli i Perëndisë. Ne lidhemi me Të “me lidhje të përjetshme”. “Kur bëjmë një besëlidhje me Perëndinë”, ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, “ne largohemi përgjithmonë nga qëndrimi asnjanës. Perëndia nuk do ta braktisë marrëdhënien e Tij me ata që kanë farkëtuar një lidhje të tillë me Të. Në fakt, të gjithë ata që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë, marrin një lloj të veçantë dashurie e mëshire. … Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne kurrë nuk do ta shterim durimin e Tij të mëshirshëm për ne.” Do ta shihni këtë në historinë e popullit të besëlidhjes së Perëndisë në Dhiatën e Vjetër dhe do ta shihni në vetë jetën tuaj si njëri prej fëmijëve të Tij të besëlidhjes.

Jezusi duke qëndruar mbi ujë me dorën e shtrirë

Be Not Afraid [Mos Kini Frikë], nga Dan Wilson

Ky është kuptimi i çmuar që na është dhënë për shkak të Rivendosjes së besëlidhjes së Abrahamit nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Prandaj, kur lexoni për besëlidhjet në Dhiatën e Vjetër, mos mendoni vetëm për marrëdhënien e Perëndisë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin. Mendoni gjithashtu për marrëdhënien e Tij me ju. Kur lexoni rreth premtimit për pasardhës të panumërt, mos mendoni vetëm për miliona njerëz që sot e quajnë Abrahamin atin e tyre. Mendoni gjithashtu për premtimin e Perëndisë ndaj jush për familje të përjetshme dhe rritje të përjetshme. Kur lexoni rreth premtimit për një tokë trashëgimie, mos mendoni vetëm për tokën që iu premtua Abrahamit. Gjithashtu mendoni rreth fatit çelestial të vetë tokës – një trashëgimi e premtuar për “zemërbutë[t]” që “shpresojnë tek Zoti” (Mateu 5:5; Psalmeve 37:9, 11). Dhe kur lexoni për premtimin se populli i besëlidhjes së Perëndisë do t’i bekojë “të gjitha familjet e tokës” (Abraham 2:11), mos mendoni vetëm për shërbesën e Abrahamit ose profetët që erdhën pas tij. Mendoni gjithashtu për atë që mund të bëni ju – si një pasues i besëlidhjes i Jezu Krishtit – që të jeni një bekim për familjet përreth jush.