“2–8 Shkurt. ‘Zoti e Quajti Popullin e Tij Sion’: Moisiu 7”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“2–8 Shkurt. ‘Zoti e Quajti Popullin e Tij Sion’”, Eja, Më Ndiq: 2026
Enoch Sees the Meridian of Time [Enoku Sheh Meridianin e Kohës], nga Jennifer Paget
2–8 Shkurt: “Zoti e Quajti Popullin e Tij Sion”
Moisiu 7
Gjatë gjithë historisë, njerëzit janë përpjekur të arrijnë atë që arritën Enoku dhe populli i tij: ndërtimin e një shoqërie ideale ku nuk ka varfëri apo dhunë. Si populli i Perëndisë, ne kemi të njëjtën dëshirë. Ne e quajmë atë ndërtimi i Sionit dhe ai përfshin, përveç kujdesit për njerëzit nevojtarë dhe nxitjes së paqes, bërjen e besëlidhjeve, të jetuarit së bashku në drejtësi dhe bërjen një me njëri‑tjetrin dhe me Jezu Krishtin, “Mbreti[n e] Sionit” (Moisiu 7:53). Në qoftë se bota, komuniteti juaj ose familja juaj nuk është pikërisht siç dëshironi të jetë, a është e dobishme të pyesim: “Si e bënë këtë gjë Enoku dhe populli i tij?” Si u bënë ata “të një zemre dhe të një mendjeje” (Moisiu 7:18) pavarësisht nga grindja përreth tyre? Ndër hollësitë e shumta që na jep vargu te Moisiu 7 për Sionin, një hollësi veçanërisht e çmuar për shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të jetë kjo: Sioni nuk është thjesht një qytet – është një gjendje e zemrës dhe e shpirtit. Sioni, ashtu siç ka dhënë mësim Zoti, është “të kulluarit në zemër” (Doktrina e Besëlidhje 97:21). Pra, ndoshta mënyra më e mirë për ta ndërtuar Sionin është të fillojmë me vetë zemrat dhe shtëpitë tona.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Unë mund të ndihmoj për të ndërtuar Sionin.
Kur Profeti Jozef Smith fillimisht mësoi rreth Enokut dhe Qytetit të tij të Shenjtërisë, ai u frymëzua. Ai “e dinte se kishte ardhur koha kur Zoti do ta ngrinte përsëri Sionin në tokë” (Saints [Shenjtorët], 1:108–109) dhe filloi një përpjekje jetëgjatë për të ndërtuar Sionin. Leximi i kapitullit te Moisiu 7 mund t’ju frymëzojë ta vazhdoni atë përpjekje sot.
Mund ta filloni duke shqyrtuar pyetjet “Çfarë është Sioni?” dhe “Si ndryshon ai nga pjesa tjetër e botës?” Merrni parasysh t’i renditni përgjigjet që ju vijnë ndërsa studioni te Moisiu 7, veçanërisht vargjet 16–21, 27, 53, 62–69.
Përgjigjet tuaja ndaj këtyre pyetjeve mund ta bëjnë të qatë se ne ende kemi shumë punë për të bërë që ta ndërtojmë Sionin. Atëherë si e bëjmë ne këtë? Mund të ndihmojë të mendoni rreth rasteve kur ndiet se ishit “të një zemre dhe të një mendjeje” me dikë (Moisiu 7:18). Ndoshta ishte në një lagje, familje ose grup në punë apo shkollë. Çfarë bënë njerëzit që të krijonin unitet të drejtë?
Ja tek janë disa burime të tjera që mund t’i shqyrtoni për të gjetur ide dhe frymëzim. Zgjidhni një ose më shumë për të studiuar dhe më pas shkruani atë që ndiheni të frymëzuar të bëni për të ndërtuar Sionin.
-
Filipianëve 2:1–4; 4 Nefi 1:15–18; Doktrina e Besëlidhje 97:21; 105:5.
-
Ulises Soares, “Vëllezër dhe Motra në Krisht”, Liahona, nëntor 2023, f. 70–73.
-
D. Tod Kristoferson, “Një në Krisht”, Liahona, maj 2023, f. 77–80.
Perëndia dëshiron që njerëzit e Tij të jenë “të një zemre dhe të një mendjeje” (Moisiu 7:18).
Jezu Krishti është “Mbreti i Sionit”.
Çfarë do të thotë për ju që ta keni Jezu Krishtin si Mbretin tuaj? Vini re titujt e tjerë të Jezu Krishtit në këtë varg. Çfarë ju mësojnë ato rreth Tij? Çfarë mendoni se do të thotë që hyn “me anë të portës dhe ngjitet deri tek [Ai]”?
Shihni edhe tek “Eja, Mbret i Mbret’ve”, Himne, nr. 31.
Perëndia vajton dhe gëzohet për fëmijët e Tij.
Disa njerëz e shohin Perëndinë si një qenie të largët, i cili nuk ndikohet emocionalisht nga ajo që na ndodh. Enoku fitoi një pikëpamje të ndryshme për Perëndinë në vegimin e shënuar te Moisiu 7. Çfarë mësoi ai rreth Perëndisë, dhe çfarë mësoni ju, te vargjet 28–40? Si mendoni, përse u habit Enoku kur e pa Perëndinë të vajtonte? Përse është e rëndësishme për ju që të dini se Ai vajton?
Ndërkohë që vegimi vazhdoi, edhe Enoku vajtoi. Por Perëndia gjithashtu i dha atij arsye për t’u gëzuar. Kërkojini ato te Moisiu 7:41–69. Çfarë mësoni nga vegimi i Enokut që mund t’ju ndihmojë të “gëzoh[eni] në zemrën [tuaj] dhe [të] ngazëlleh[eni]”, pavarësisht nga “hidhër[imi]” në jetën tuaj (vargu 44)?
Shihni edhe te Jeffrey R. Holland, “The Grandeur of God”, Liahona, nëntor 2003, f. 70–73.
Jezu Krishti do të vijë përsëri në ditët e fundit.
Vegimi i Enokut, veçanërisht ai që shënohet te Moisiu 7:59–67, është një nga profecitë e para të historisë së Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Çfarë ju bën përshtypje rreth mënyrës se si këto vargje i përshkruajnë ditët e fundit? Për shembull, merrni parasysh se si e ndjeni se po përmbushen profecitë nga vargu 62. Çfarë ju mësojnë këto fraza rreth veprës së Perëndisë në ditët e mëvonshme?
Shihni edhe te Henri B. Ajring, “Motra në Sion”, Liahona, nëntor 2020, f. 67–69.
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Perëndia dëshiron që të jemi “të një zemre dhe të një mendjeje”.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të mësojnë rreth Enokut dhe Sionit, mund të përdorni mësimin “Enoku, Profeti” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër (f. 19–21) ose strofën e dytë të këngës “Ndiqe Profetin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58–59). Më pas mund t’u kërkoni fëmijëve tuaj që t’ju ndihmojnë për ta ritreguar historinë me vetë fjalët e tyre. Mund të ndihmojnë figurat e Enokut në këtë përvijim.
-
Këtu është një mënyrë për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të kuptojnë se çfarë do të thotë të jeni të “një zemre dhe të një mendjeje” (Moisiu 7:18): Bëni një zemër prej letre dhe priteni në pjesë të mjaftueshme që secili fëmijë të ketë një pjesë. Lejojini ata ta shkruajnë emrin e tyre në pjesën e vet dhe të punojnë së bashku për t’i bashkuar pjesët e zemrës. Teksa e bëjnë këtë, mund të flisni rreth gjërave që ju pëlqejnë shumë rreth secilit fëmijë.
-
Ndihmojini fëmijët tuaj që të numërojnë se sa herë shfaqet fjala “Sion/i/in” te Moisiu 7:18–21, 62–63, 68–69. Çdo herë që e gjejnë fjalën, ndihmojini të zbulojnë atë që thotë vargu rreth Sionit (shihni edhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Sion”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Si mund të jemi më shumë si njerëzit që përshkruhen në këto vargje?
Nxiteni studimin vetjak të shkrimeve të shenjta. Pavarësisht nëse po i jepni mësim familjes suaj në shtëpi ose një klase ditën e diel, njëra nga mënyrat më të mira se si mund t’i ndihmoni të tjerët që të ndërtojnë besim afatgjatë te Jezu Krishti, është t’i ndihmoni të krijojnë një zakon të kërkimit të përvojave vetjake me shkrimet e shenjta. Tregojini përvojat që keni me shkrimet e shenjta dhe nxitini pjesëtarët e familjes ose anëtarët e klasës që të tregojnë përvojat e veta. Kur dëgjojmë rreth asaj se si leximi i shkrimeve të shenjta po i bekon të tjerët, shpesh frymëzohemi që t’i kërkojmë po ato bekime nga Zoti. (Shihni te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25.)
Ati Qiellor dëshiron që unë të zgjedh që ta ndjek Atë.
-
Për t’ua paraqitur fëmijëve tuaj vargjet te Moisiu 7:32–33, mund të flisni me ta rreth një zgjedhjeje që iu desh të bënin kohët e fundit. Më pas mund t’i lexoni vargjet së bashku për të zbuluar atë që Ati Qiellor dëshiron që ne të zgjedhim. Çfarë zgjedhjesh mund të bëjmë për të treguar se e zgjedhim Atë? Ndoshta fëmijët tuaj mund ta bëjnë me radhë duke aktruar njërën nga këto zgjedhje, ndërkohë që të tjerët hamendësojnë se çfarë përfaqësojnë veprimet.
Jezusi do të vijë përsëri në tokë.
-
Te Moisiu 7:59, Enoku i bën Zotit një pyetje. Ftojini fëmijët tuaj që ta gjejnë atë dhe më pas kërkojuni ta gjejnë përgjigjen te vargu 60. Gjithashtu mund të flisni me ta rreth një rasti kur po prisnin që dikush të kthehej në shtëpi. Pyetini se si u ndien dhe çfarë bënë për t’u përgatitur. Si mund të përgatitemi kur Jezusi të kthehet?
-
Merreni parasysh të tregoni figura të rasteve kur Shpëtimtari iu shfaq njerëzve (të tilla si Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 60, 82, 83 dhe 84). Çfarë po bëjnë njerëzit në këto figura? Si mund të jenë ndier njerëzit kur e takuan Jezusin? Gjithashtu mund të këndoni një këngë rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, të tillë si “Kur Ai të Vij’ Përs’ri” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46–47) dhe pyetini fëmijët se si mendojnë që do të jetë kur Jezusi të vijë përsëri. Lërini fëmijët të tregojnë se si ndihen që do ta shohin Jezusin kur Ai të vijë përsëri.
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.