Eja, Më Ndiq
9–15 Shkurt. “Noeu Gjeti Hir në Sytë e Zotit”: Zanafilla 6–11; Moisiu 8


“9–15 Shkurt. ‘Noeu Gjeti Hir në Sytë e Zotit’: Zanafilla 6–11; Moisiu 8”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“9–15 Shkurt. ‘Noeu Gjeti Hir në Sytë e Zotit’”, Eja, Më Ndiq: 2026

kafshë duke dalë nga arka dhe Noeu e familja e tij duke qëndruar mbi një shkëmb

Jehovah Keeps a Promise [Jehova Mban një Premtim], nga Sam Lawlor

9–15 Shkurt: “Noeu Gjeti Hir në Sytë e Zotit”

Zanafilla 6–11; Moisiu 8

Ngaqë jetojmë në ditët e mëvonshme, kemi arsye të veçantë për t’i kushtuar vëmendje historisë së Përmbytjes. Kur Jezu Krishti dha mësim se si duhet të presim për Ardhjen e Tij të Dytë, Ai tha: “Ashtu siç ishte në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të Njeriut” (Joseph Smith – Mateu 1:41). Përveç kësaj, fjalët që përshkruajnë kohën e Noeut, të tilla si “korruptuar” dhe “mbush[ur] me dhunë”, thjesht mund të përshkruajnë po kaq lehtë kohën tonë (Zanafilla 6:12–13; Moisiu 8:28). Historia e Kullës së Babelit gjithashtu mendohet se gjen zbatim për kohën tonë, me përshkrimin e saj për krenarinë, e ndjekur nga pështjellimi dhe më pas përçarja.

Këto rrëfime të lashta janë me vlerë jo vetëm sepse na tregojnë që ligësia përsëritet gjatë gjithë historisë. Më e rëndësishmja, ato na mësojnë se çfarë të bëjmë lidhur me këtë gjë. Noeu “gjeti hir në sytë e Zotit” (Moisiu 8:27). Dhe familjet e Jaredit dhe të vëllait të tij iu drejtuan Zotit dhe u mbrojtën nga pështjellimi dhe përçarja në Babel (shihni tek Ethëri 1:33–43). Nëse e pyesim veten se si t’i mbajmë të sigurta veten dhe familjet tona gjatë korrupsionit e dhunës, ngjarjet në këta kapituj kanë shumë për të na mësuar.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Zanafilla 6; Moisiu 8

ikona e seminarit
Ka siguri shpirtërore në ndjekjen e profetit të Zotit.

A shihni ndonjë gjë në përshkrimin e kohës së Noeut që duket e ngjashme me kushtet në kohën tonë? Veçanërisht kërkoni te Moisiu 8:15–24, 28. Cilat tema i shihni të përsëritura?

Një ngjashmëri e rëndësishme që do të shihni, është se Perëndia e thirri Noeun të ishte një profet dhe Ai ka thirrur gjithashtu një profet sot. Merreni parasysh të bëni një listë me të vërtetat që mësoni rreth profetëve nga vargjet te Moisiu 8:13–30. Si është profeti ynë i gjallë i ngjashëm me Noeun? Sigurisht profeti i Zotit sot nuk po paralajmëron për një Përmbytje ose nuk po na fton të ndihmojmë për të ndërtuar një arkë. Por për çfarë po na paralajmëron ai? Çfarë po na fton të bëjmë? Për të ndihmuar që t’ju jepni përgjigje këtyre pyetjeve, mund të shqyrtoni një kapitull nga Mësime të Presidentëve të Kishës te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], veçanërisht pjesën “Ftesat dhe Premtimet”. Ndoshta mund të zgjidhni një paralajmërim dhe një ftesë që ju duken veçanërisht të rëndësishme.

Plaku Alen D. Hejni dha mësim: “Një Atë i përsosur dhe i dashur në Qiell ka zgjedhur modelin e zbulimit të së vërtetës ndaj fëmijëve të Tij nëpërmjet një profeti” (“Një Profet i Gjallë për Ditët e Mëvonshme”, Liahona, maj 2023, f. 25). Merrni parasysh studimin e mesazhit të Plakut Hejni, duke kërkuar arsyet përse të pasurit e një profeti është një shenjë e dashurisë së Atit Qiellor. Si ju ka ndihmuar ndjekja e profetit të Zotit që të ndiheni të sigurt që jetoni në ditët e mëvonshme?

Shihni edhe tek Tema dhe Pyetje, “Prophets” [“Profetët”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Përse Kemi Profetë?” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

1:38

Përse Kemi Profetë?

Zanafilla 6:5–13

Përmbytja ishte një akt mëshire i Perëndisë.

Disa njerëz pyesin veten rreth drejtësisë së Perëndisë për dërgimin e Përmbytjes për të “shfaros[ur] … njeriun” (Zanafilla 6:7). Plaku Nil A. Maksuell shpjegoi se në kohën e Përmbytjes, “korrupsioni kishte arritur një pikë që shkatërronte lirinë e zgjedhjes, pikë në të cilën shpirtrat nuk mund të dërgoheshin këtu në drejtësi” (We Will Prove Them Herewith [1982], f. 58). Edhe ju mund të merrni parasysh se si Përmbytja ishte një akt mëshire. Çfarë gjeni te Zanafilla 6:5–13 që tregon mëshirën e dhembshur dhe dashurinë e Zotit për njerëzit?

Zanafilla 9:8–17

Shenjat ose simbolet më ndihmojnë të kujtoj besëlidhjet e mia me Zotin.

Sipas vargjeve te Zanafilla 9:8–17, çfarë mund tʼju sjellë në mendje një ylber? Çfarë kuptueshmërie merrni nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 9:21–25 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta)? Gjithashtu mund të merrni parasysh që të bëni një listë me gjëra të tjera (si simbolet, sendet ose çfarëdo gjëje tjetër) që Perëndia jua ka dhënë për t’ju kujtuar besëlidhjet tuaja. Çfarë ju mësojnë këto gjëra? Si ju ndihmojnë të mbani mend?

Shihni edhe te Gerit W. Gong, “Gjithmonë Kujtojeni Atë”, Liahona, maj 2016, f. 108–111; “Me Nderim, But’si Tani”, Himne, nr. 107.

kullë me njerëz duke u ngjitur me litar e shkallë

The Tower of Babel [Kulla e Babelit], nga David Green

Zanafilla 11:1–9

Ndjekja e Jezu Krishtit është e vetmja udhë e kthimit për tek Ati Qiellor.

Rrëfimi i njerëzve të Babelit që ndërtojnë një kullë, jep një kontrast interesant me rrëfimin e Enokut dhe popullit të tij që ndërtojnë Sionin, të cilin e studiuat javën e kaluar. Që të dy grupet e njerëzve po përpiqeshin të arrinin qiellin, por në mënyra të ndryshme. Si e fitoi qiellin populli i Sionit? (Shihni te Moisiu 7:18–19, 53, 62–63, 69.) Çfarë mësoni rreth njerëzve të Babelit nga vargjet te Zanafilla 11:1–9 dhe Helamani 6:26–28? Çfarë na mëson kjo rreth përpjekjeve tona vetjake për t’u kthyer në praninë e Perëndisë? Çfarë na ka siguruar Perëndia për të na ndihmuar që të “arrij[m]ë deri në qiell”? (Zanafilla 11:4; shihni edhe te Gjoni 3:16.)

Mësoni në mënyrë aktive. Të mësuarit mund të përfshijë më shumë se thjesht leximin ose dëgjimin. Për shembull, kur mësoni rreth Kullës së Babelit, ju dhe familja juaj ose klasa juaj mund të shkruani në shirita letre, gjërat që na largojnë nga Perëndia. Më pas, në shirita të tjerë letre mund të shkruani gjërat që na sjellin më pranë Perëndisë. Rregullojeni grupin e parë të letrave në formën e një kulle dhe grupin e dytë në formën e një tempulli.

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona 01 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Zanafilla 6:14–22; 7–8; Moisiu 8:16–24

Ndjekja e profetit të Zotit do të më bekojë mua dhe familjen time.

  • Shumicës së fëmijëve u pëlqen shumë historia e Noeut dhe e arkës. Merreni parasysh t’u jepni fëmijëve mundësi për të treguar se çfarë dinë për këtë histori. Për t’i ndihmuar ata, mund të përdorni figurat në këtë përvijim, “Noeu dhe Familja e Tij” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër (f. 22–25) ose strofën e tretë të këngës “Ndiqe Profetin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58–59). Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të aktrojnë pjesë të historisë – për shembull, të hiqen sikur po përdorin një mjet për të ndërtuar arkën ose të lëvizin si kafshët duke u futur në arkë.

  • Teksa flisni së bashku rreth Noeut, ndihmojini fëmijët tuaj që të kuptojnë se sa të bekuar jemi që kemi një profet të Perëndisë sot. Ndihmojini fëmijët tuaj që të kërkojnë te Moisiu 8:16–24 për të gjetur gjërat që Noeu dha mësim, të cilat profetët e Zotit ende i japin mësim sot. Si bekohemi kur u bindemi këtyre mësimeve?

Zanafilla 9:15–16

Perëndia do t’i mbajë premtimet e Tij ndaj meje.

  • Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të vizatojnë ose ngjyrosin një ylber ndërkohë që flisni rreth asaj që ai përfaqëson (shihni te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 9:21–25 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Çfarë dëshironte Perëndia që të mendonin Noeu dhe familja e tij sa herë që shihnin një ylber?

  • Gjithashtu mund t’u tregoni fëmijëve tuaj diçka që e keni, e cila ju kujton diçka të rëndësishme në jetën tuaj, e tillë si një unazë martese, një fotografi ose një ditar. Lërini fëmijët tuaj të tregojnë shembujt e tyre vetjakë. Kjo mund të çojë drejt një bashkëbisedimi për gjëra që na ndihmojnë t’i kujtojmë besëlidhjet tona, siç është sakramenti, i cili na ndihmon të kujtojmë besëlidhjen tonë të pagëzimit për të ndjekur Jezu Krishtin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:75–79).

ylber i dyfishtë

Perëndia i tha familjes së Noeut se ylberi do të ishte “shenja e besëlidhjes që unë përfundoj midis meje dhe jush” (Zanafilla 9:12).

Zanafilla 11:1–9

Ndjekja e Jezu Krishtit është e vetmja udhë drejt qiellit.

  • Mund të jetë argëtuese të ndërtoni një kullë me blloqe ose sende të tjera me fëmijët tuaj. Teksa e bëni këtë, shpjegoni se njerëzit e Babelit menduan se duke ndërtuar një kullë të lartë mund të shkonin në qiell. Më pas mund të shihni së bashku një figurë të Shpëtimtarit dhe pyetini fëmijët tuaj se si Ai na ndihmon të shkojmë në qiell. Më pas mund të flisni me njëri‑tjetrin rreth gjërave që mund të bëni për ta ndjekur Shpëtimtarin.

  • Përveç leximit të ndodhisë së kullës së Babelit te Zanafilla 11:1–9, ju dhe fëmijët tuaj mund të lexoni te Helamani 6:28. Sipas këtij vargu, përse e ndërtuan kullën njerëzit e Babelit? Përse ndërtimi i kësaj kulle ishte mënyra e gabuar për ta arritur qiellin? Pastaj mund të kërkoni te 2 Nefi 31:20–21 dhe Helamani 3:28 për të gjetur mënyrën e duhur se si ta arrijnë qiellin. Çfarë këshille do t’u jepnit njerëzve të Babelit?

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

arka e Noeut

Noah’s Ark [Arka e Noeut], nga Adam Klint Day. adamdayart.com

faqja e veprimtarisë së Fillores: Ndjekja e profetit do të më bekojë mua dhe familjen time