Eja, Më Ndiq
26 Janar – 1 Shkurt. “T’ua Mësosh Këto Gjëra Lirisht Fëmijëve të Tu”: Zanafilla 5; Moisiu 6


“26 Janar – 1 Shkurt. ‘T’ua Mësosh Këto Gjëra Lirisht Fëmijëve të Tu’: Zanafilla 5; Moisiu 6”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“26 Janar – 1 Shkurt. ‘T’ua Mësosh Këto Gjëra Lirisht Fëmijëve të Tu’”, Eja, Më Ndiq: 2026

Adami dhe Eva

Better Than Paradise [Më Mirë se Parajsa], nga Kendal Ray Johnson

26 Janar – 1 Shkurt: “T’ua Mësosh Këto Gjëra Lirisht Fëmijëve të Tu”

Zanafilla 5; Moisiu 6

Shumica e kapitullit Zanafilla 5 është një listë e brezave midis Adamit e Evës dhe Noeut. Ne lexojmë shumë emra, por nuk mësojmë shumë rreth tyre. Më pas lexojmë këtë varg intrigues, por të pashpjeguar: “Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete” (Zanafilla 5:24). Me siguri, ka një histori prapa atij vargu. Por pa një shpjegim të mëtejshëm, rifillon lista e brezave.

Fatmirësisht, Moisiu 6 zbulon hollësitë e historisë së Enokut – dhe është goxha histori. Ne mësojmë për përulësinë e Enokut, pasiguritë e tij, potencialin që Perëndia pa tek ai dhe punën e madhe që ai kreu si profet i Perëndisë. Ne gjithashtu marrim një pamje më të qartë të familjes së Adamit dhe Evës, ndërsa përparonte brez pas brezi. Ne lexojmë për “zotërim[in e] madh” të Satanit, por edhe për prindërit që u mësuan fëmijëve “udhët e Perëndisë” (Moisiu 6:15, 21). Veçanërisht e çmuar është ajo që mësojmë për doktrinën që dhanë mësim këta prindër: besimin te Jezu Krishti, pendimin, pagëzimin dhe marrjen e Frymës së Shenjtë (shihni te Moisiu 6:50–52). Ajo doktrinë, ashtu si priftëria që e shoqëron atë, “ishte në fillim [dhe] do të jetë edhe në fund të botës” (Moisiu 6:7).

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Moisiu 6:26–36

Mëkati e kufizon aftësinë time për të parë, ndier dhe dëgjuar gjërat e Perëndisë.

Ndërsa studioni vargjet te Moisiu 6:26–36, çfarë mësoni për pasojat e mëkatit? Si i keni parë këto pasoja? Çfarë cilësish kishte Enoku që e ndihmuan t’i mposhtte këto pasoja? Si e bekoi atë Perëndia si rrjedhojë e kësaj?

Moisiu 6:26–47

ikona e seminarit
Perëndia më thërret të bëj punën e Tij pavarësisht nga dobësitë e mia.

Nëse jeni ndier ndonjëherë të mbingarkuar me atë që Zoti ju ka thirrur të bëni, ju nuk jeni të vetmit. Madje edhe Enoku u ndje në këtë mënyrë kur Zoti e thirri të ishte profet. Ndërsa lexoni te Moisiu 6:26–36, kërkoni arsye përse Enoku u ndje i mbingarkuar emocionalisht dhe çfarë tha Zoti për t’i dhënë kurajë atij.

Te vargjet 37–47, mund të kërkoni mënyrat se si Zoti e përkrahu Enokun dhe e fuqizoi që të bënte punën e Tij (shihni edhe te Moisiu 7:13). Mund ta krahasoni përvojën e Enokut me atë të profetëve të tjerë të cilët u ndien të papërshtatshëm, të tillë si Moisiu (shihni tek Eksodi 4:10–16), Jeremia (shihni te Jeremia 1:4–10), Nefi (shihni te 2 Nefi 33:1–4) dhe Moroni (shihni tek Ethëri 12:23–29). Çfarë mendoni se dëshiron Perëndia që të mësoni nga këto shkrime të shenjta në lidhje me punën që Ai ju ka dhënë të bëni?

Enoku duke u lutur

A Seer Hath the Lord Raised Up (Moses 6:36) [Një Shikues Ka Ngritur Zoti (Moisiu 6:36)], nga Eva Timothy

Shumë apostuj dhe profetë të kohëve të sotme kanë shprehur ndjenja të ngjashme me ato të Enokut kur përshkruan se si u ndien kur i morën thirrjet e tyre. Për shembull, shihni dëshminë e Plakut Ulises Soares te “Profetët Flasin nëpërmjet Fuqisë së Shpirtit të Shenjtë” (Liahona, maj 2018, f. 98–99).

Çfarë mund të mësoni nga këta profetë dhe apostuj rreth ndjenjave tuaja të papërshtatshmërisë? Kur e keni ndier Shpëtimtarin t’ju ndihmojë kur Ai ju kërkoi të bëni gjëra të vështira? Merrni parasysh të shkruani pak përvoja për të ardhmen tuaj, kur do t’ju nevojitet të mbështeteni te ndihma e Shpëtimtarit. Si mund t’ju qaseni këtyre ngjarjeve me besim te Jezu Krishti?

Shihni edhe te Dejvid A. Bednar, “Ti do të Qëndrosh në Mua dhe Unë në Ty; Prandaj Ec me Mua”, Liahona, maj 2023, f. 123–126; “Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj”, Himne, nr. 173.

Moisiu 6:48–68

Ungjilli i Jezu Krishtit u dha mësim që nga fillimi.

Për shkak se kemi librin e Moisiut, ne e dimë se Perëndia u ka mësuar fëmijëve të Tij se si të gjejnë shëlbim madje që nga koha e Adamit dhe Evës. Teksa studioni vargjet te Moisiu 6:48–68, kërkoni atë që duhet të dimë dhe bëjmë për t’u shëlbuar. Vini re pyetjen e Adamit te vargu 53. A ia keni bërë ndonjëherë vetes po atë pyetje? Çfarë mësoni nga përgjigjja e Zotit te vargjet 53–65? Mund t’i mendoni këto vargje si mesazhin e Zotit në shërbimin e pagëzimit të Adamit. Çfarë mësoni rreth pagëzimit nga mesazhi i Tij? Si mendoni, përse Ai e krahasoi pagëzimin me “lind[jen] përsëri”? (Vargu 59.) Çfarë mund të bëni që të vazhdoni të “lindeni përsëri” gjatë gjithë jetës suaj?

Kërkoni simbole. Në shkrimet e shenjta, sendet ose ngjarjet shpesh mund të paraqesin ose simbolizojnë të vërtetat shpirtërore, veçanërisht të vërtetat rreth Shpëtimtarit (shihni te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 7). Këto simbole mund ta pasurojnë kuptueshmërinë tuaj për Të dhe doktrinën e Tij. Për shembull, çfarë mësoni nga simbolet e zemrave dhe të veshëve te Moisiu 6:27, syve dhe të baltës te Moisiu 6:35 ose të ujit te Moisiu 6:59–60?

Moisiu 6:51–62

“T’ua mësosh këto gjëra lirisht fëmijëve të tu.”

Pasi i mësoi Adamit të vërtetat e ungjillit të Jezu Krishtit, te Moisiu 6:51–63, Zoti i tha Adamit që t’ua mësonte ato brezave të ardhshëm. Merreni parasysh të bëni një listë për këto të vërteta. (Mund të ndihmojë ndarja e fragmentit në grupe më të vogla vargjesh, të tilla si vargjet 51–52, 53–57, 58–60, 61–63). Përse këto të vërteta janë me vlerë për brezin e ri të kohës sonë? Çfarë mund të mësoni tjetër nga udhëzimet e Zotit për prindërit te Mosia 4:14–15 dhe Doktrina e Besëlidhje 68:25–28; 93:40–50?

Leximi rreth “lib[rit të] kujtime[ve]” që mbajti familja e Adamit dhe Evës, mund t’ju frymëzojë ju ose familjen tuaj që të bëni librin tuaj vetjak të kujtimeve. Çfarë ndieni se Zoti do të dëshironte që ta përfshinit? Merreni parasysh ta ruani informacionin nga libri juaj i kujtimeve te FamilySearch.org.

Shihni edhe te Diter F. Uhtdorf, “Jezu Krishti Është Forca e Prindërve”, Liahona, maj 2023, f. 55–59; “Parenting: Touching the Hearts of Our Youth” [“Prindërimi: Prekja e Zemrave të Rinisë Sonë”], “But Why?” [“Por Përse?”] (materiale filmike), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

familje duke lexuar shkrimet e shenjta së bashku

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona 01 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Moisiu 6:26–34

Perëndia mund të më ndihmojë të bëj gjëra të vështira.

  • Kur Enoku u thirr për të predikuar ungjillin, ai shqetësohej se nuk do t’ia dilte mbanë. Por Perëndia e ndihmoi. Lexojeni së bashku këtë ngjarje te Moisiu 6:26–34 (shihni edhe mësimin “Enoku, Profeti” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 19–21). Përse Enoku ndiente se nuk mund ta predikonte ungjillin? (Shihni te Moisiu 6:31.) Si e ndihmoi Perëndia Enokun? (Shihni te Moisiu 6:32–34; 7:13.)

  • Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të tregojnë ose aktrojnë shembuj të tjerë të rasteve kur Perëndia i ndihmoi njerëzit të bënin gjëra të vështira – për shembull, Noeun, Davidin, Amonin ose Samuel Lamanitin (shihni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 7, 19, 7881). Gjithashtu mund të tregoni një përvojë nga vetja dhe lejojini fëmijët të flasin rreth mënyrës se si Perëndia i ndihmon të bëjnë gjëra të vështira.

Moisiu 6:50–62

Besimi te Krishti, pendimi, pagëzimi dhe marrja e Frymës së Shenjtë më përgatitin që të kthehem te Perëndia.

  • Perëndia i mësoi Adamit atë që kemi nevojë të bëjmë për t’u kthyer tek Ai – të kemi besim te Jezu Krishti, të pendohemi, të pagëzohemi dhe të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ndihmojini fëmijët tuaj që t’i gjejnë këto parime te Moisiu 6:52, 57. Më pas mund t’i ndihmoni të shkruajnë një bisedë të shkurtër rreth njërit prej parimeve. Çdo bisedë mund të përfshijë një shkrim të shenjtë nga Moisiu 6, një përvojë dhe një dëshmi. Lejojini t’ua tregojnë bisedat e tyre njëri‑tjetrit.

  • Gjithashtu mund të paraqitni figura që përfaqësojnë parimet e para të ungjillit (shihni te neni i katërt i besimit). Vendosini në një rresht që të çon te një figurë e Jezu Krishtit. Ndërsa lexoni te Moisiu 6:52, fëmijët tuaj mund të qëndrojnë përkrah figurës së duhur kur të dëgjojnë fjalët që përfaqëson figura.

  • Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të këndojnë këngë që u mësojnë parimet te Moisiu 6:52, të tilla si “Besimi”, “Kur Un’ t’Pagëzohem” dhe “Fryma e Shenjtë” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 50–51, 53, 56). Ndihmojini që t’i gjejnë këto parime te Moisiu 6:52.

Moisiu 6:57–58

Ati Qiellor dëshiron që prindërit t’i mësojnë fëmijët e tyre.

  • Për t’i nxitur fëmijët tuaj që t’i përkrahin prindërit e tyre në rolin si mësues të ungjillit, merrni parasysh t’i kërkoni një fëmije të lexojë te Moisiu 6:58 dhe të përcaktojë urdhërimin që Perëndia ua dha prindërve. Më pas mund të tregoni një figurë të Adamit dhe të Evës duke u dhënë mësim fëmijëve të tyre (si ajo në fund të këtij përvijimi) dhe lejojini fëmijët që të flasin rreth asaj që shohin në figurë. Fëmijët tuaj mund të vizatojnë figura të familjeve të tyre duke lexuar së bashku shkrimet e shenjta, duke u lutur së bashku ose duke luajtur së bashku.

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Adami dhe Eva duke u dhënë mësim fëmijëve të tyre nën një pemë

Adam and Eve Teaching Their Children [Adami dhe Eva Duke u Dhënë Mësim Fëmijëve të Tyre], nga Del Parson

faqja e veprimtarisë së Fillores: Ungjilli më mëson se si të kthehem tek Ati Qiellor