Eja, Më Ndiq
19–25 Janar. Rënia e Adamit dhe Evës: Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5


“19–25 Janar. Rënia e Adamit dhe Evës: Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“19–25 Janar. Rënia e Adamit dhe Evës”, Eja, Më Ndiq: 2026

Adami dhe Eva

Adam and Eve [Adami dhe Eva], nga Douglas M. Fryer

19–25 Janar: Rënia e Adamit dhe Evës

Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5

Në pamje të parë, historia e Rënies së Adamit dhe Evës mund të duket si një tragjedi. Adami dhe Eva u dëbuan nga kopshti i bukur i Edenit. Ata u dërguan në një botë me dhembje, pikëllime dhe vdekje (shihni te Zanafilla 3:16–19). Ata u ndanë nga Ati i tyre Qiellor. Por të vërtetat e rivendosura nëpërmjet Profetit Jozef Smith në librin e Moisiut na japin një këndvështrim të pashoq mbi Rënien.

Po, Kopshti i Edenit ishte i bukur. Por Adami dhe Eva kishin nevojë për diçka më shumë sesa mjedise të bukura rrethuese. Ata kishin nevojë – dhe të gjithë ne kemi nevojë – për një mundësi për t’u rritur. Largimi nga Kopshti i Edenit ishte hapi i parë i domosdoshëm drejt kthimit te Perëndia dhe përfundimisht bërja si Ai. Kjo nënkuptonte që të përballeshin me kundërshtimin, të bënin zgjedhje, të bënin gabime, të mësonin që të pendoheshin dhe t’i mirëbesonin Shpëtimtarit, Shlyerja e të cilit bën të mundur përparimin dhe “gëzimin e shëlbimit tonë” (Moisiu 5:11). Prandaj, kur lexoni për Rënien e Adamit dhe Evës, përqendrohuni jo tek tragjedia në dukje, por te mundësitë – jo te parajsa që humbën Adami dhe Eva, por te lavdia që zgjedhja e tyre na lejon të marrim.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Zanafilla 3; Moisiu 4

Rënia ishte pjesë e domosdoshme e planit të Perëndisë.

Është e vërtetë se zgjedhja e Adamit dhe e Evës çoi drejt shumë prej vështirësive që përjetojmë në vdekshmëri. Por kjo nuk do të thotë që ne të ndiejmë keqardhje për zgjedhjen e tyre. Teksa lexoni te Zanafilla 3 dhe Moisiu 4, mund t’i bëni vetes pyetjen, përse Rënia ishte e rëndësishme në planin e Perëndisë?

Sipas Moisiut 5:9–12, si u ndien Adami dhe Eva rreth Rënies? Si mund t’i vini në zbatim fjalët e tyre kundrejt përvojave tuaja në këtë botë të rënë? Çfarë tjetër mësoni nga 2 Nefi 2:19–25?

Shihni edhe te Mosia 3:19; Alma 12:21–37 dhe Doktrina e Besëlidhje 29:39–43.

Eva duke mbajtur një mollë

Leaving Eden [Largimi nga Edeni], nga Annie Henrie Nader

Zanafilla 3:1–7; Moisiu 4:22–31; 5:4–15

Jezu Krishti ofron shpresë dhe shëlbim.

Historia e Adamit dhe Evës është një histori shprese dhe shëlbimi nëpërmjet Jezu Krishtit. Për ta kuptuar arsyen, mund të filloni duke kërkuar rrjedhojat e Rënies te Zanafilla 3:1–7; Moisiu 4:22–31 dhe duke shenjuar ose renditur atë që gjeni. Si ndikojnë këto rrjedhoja tek ju? Më pas mund të kërkoni te Moisiu 5:4–15, duke kërkuar planin e Perëndisë për të na shëlbuar nga këto pasoja. Përse Adami dhe Eva ishin të “gëzua[r]” pasi i vizitoi engjëlli? Çfarë mësoni prej tyre rreth planit të Atit Qiellor?

Shihni edhe te “Because of Him” [“Për Shkak të Tij”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

2:44

Because of Him

Zanafilla 3:16; Moisiu 4:22

Çfarë do të thotë që Adami duhej të “sundo[nte] mbi” Evën?

Ky fragment i shkrimit të shenjtë ndonjëherë është keqkuptuar sikur do të thotë se bashkëshorti justifikohet kur e trajton bashkëshorten e tij me ashpërsi. Në kohën tonë, profetët e Zotit kanë dhënë mësim se një bashkëshort dhe një bashkëshorte duhet ta shohin njëri‑tjetrin si partnerë të barabartë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre hyjnore në familje (shihni te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Plaku Dejll G. Renland dhe Motra Ruth Libert Renland shpjeguan se një bashkëshort i drejtë “do të kërkojë të japë shërbesë; ai do ta pranojë gabimin dhe do të kërkojë falje; ai do të jetë i shpejtë për të ofruar lëvdata; ai do të jetë i vëmendshëm ndaj parapëlqimeve të pjesëtarëve të familjes; ai do të ndiejë peshën e madhe të përgjegjësisë për të siguruar për ‘gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen’ e familjes së tij; ai do ta trajtojë bashkëshorten e tij me respektin dhe nderimin më të madh. … Ai do ta bekojë familjen e tij” (The Melchizedek Priesthood: Understanding the Doctrine, Living the Principles [2018], f. 23).

Moisiu 4:1–4

ikona e seminarit
Më nevojitet liria e zgjedhjes dhe kundërshtimi që të rritem.

Plaku Dejll G. Renland dha mësim: “Qëllimi i Atit tonë Qiellor si prindi ynë nuk është që t’i bëjë fëmijët e Tij të bëjnë atë që është e drejtë; është që t’i bëjë fëmijët e Tij të zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë dhe më së fundi të bëhen si Ai” (“Zgjidhni Sot”, Liahona, nëntor 2018, f. 104). Përse është kaq e rëndësishme në planin e Atit Qiellor që ne të zgjedhim të bëjmë atë që është e drejtë?

Ndërsa lexoni te Moisiu 4:1–4, kërkoni atë që bënë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për ta mbrojtur të drejtën tuaj për të zgjedhur – lirinë tuaj të zgjedhjes. Si mund të keni qasje te fuqia e Tyre mbrojtëse? Për ide, merrni parasysh të studioni pjesën “Bëni zgjedhje të frymëzuara” te broshura Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (f. 4–5).

Merreni parasysh gjithashtu të lexoni atë që dha mësim Lehi rreth lirisë së zgjedhjes te 2 Nefi 2:11–20, 25–30. Përse kundërshtimi është i domosdoshëm për lirinë e zgjedhjes? Si mund t’ia tregoni vlerësimin tuaj Jezu Krishtit që ju ka bërë “të lirë të zgj[idhni]”? (2 Nefi 2:27.)

Shihni edhe te Dallin H. Ouks, “Kundërshtim në të Gjitha Gjërat”, Liahona, maj 2016, f. 114–117; Tema dhe Pyetje, “Agency” [“Liria e Zgjedhjes”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “T’Drejtën Zgjidh”, Himne, nr. 150.

Rriteni pjesëmarrjen. Shumë veprimtari të të mësuarit mund të bëhen më vete, si familje ose klasë; në grupe të vogla apo në dyshe. Përdorni një larmi metodash për t’i lejuar njerëzit të marrin pjesë, të cilët në të kundërt mund të mos kenë mundësi. Për këtë veprimtari mund të ftoni një person ose grup të lexojë te Moisiu 4 dhe tek udhëzuesi Për Forcën e Rinisë ndërkohë që grupi tjetër studion vargjet te 2 Nefi 2. Më pas ata mund t’i mësojnë njëri‑tjetrit atë që mësuan në pjesën e tyre përkatëse.

Moisiu 4:4–12; 5:13–33

Satani përpiqet për të më “mashtruar e verbuar”.

Teksa lexoni te Moisiu 4:4–12; 5:13–33, merrni parasysh të renditni mënyrat se si Satani u përpoq t’i tundonte Adamin, Evën dhe fëmijët e tyre. Si përpiqet t’i bëjë ai po të njëjtat gjëra sot? Si ju ndihmon Ati Qiellor që t’u bëni ballë mashtrimeve të Satanit?

Moisiu 4:13–16, 27

“Unë, Zoti Perëndi, … i vesha.”

Pasi hëngrën frutën e ndaluar, Adami dhe Eva u përpoqën të mbulonin lakuriqësinë e tyre. Më vonë Zoti ofroi që t’i vishte ata. Ndërsa lexoni te Moisiu 4:13–16, 27, merrni parasysh sa vijon:

  • Përsiatni se çfarë mund të përfaqësojnë lakuriqësia dhe veshja në shkrimet e shenjta (shihni, për shembull, te Zbulesa 7:9, 13–15; 2 Nefi 9:14; Doktrina e Besëlidhje 109:22–26, 76). Çfarë mësoni nga përvoja e Adamit dhe Evës me lakuriqësinë dhe veshjen?

  • Nëse e keni marrë ordinancën e dhurimit në tempull, merrni parasysh se çfarë mund t’ju kishte thënë Adami dhe Eva rreth rëndësisë së veshjes suaj të brendshme të tempullit dhe se çfarë përfaqëson ajo.

Shihni edhe te “Sacred Temple Clothing” [“Veshja e Brendshme e Shenjtë e Tempullit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

4:12

Sacred Temple Clothing

Moisiu 5:4–9, 16–26

Perëndia do t’i pranojë sakrificat e mia nëse i ofroj me një zemër të gatshme e të bindur.

Ndërsa studioni te Moisiu 5:4–9, 16–26, merrini parasysh qëndrimet e Adamit dhe Evës, si dhe të bijve të tyre, Kainit dhe Abelit, kundrejt flijimit. Pse e pranoi Zoti flijimin e Abelit, por jo të Kainit?

Çfarë ju kërkon Zoti që të sakrifikoni? A ka ndonjë gjë në këto vargje që i jep formë mënyrës se si mendoni për ato sakrifica?

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona 01 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Zanafilla 3; Moisiu 4; 5:8–15

Jezu Krishti na shpëton nga Rënia.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që ta kuptojnë më mirë Rënien e Adamit dhe Evës, ju mund të kopjoni figura nga “Adami dhe Eva” (tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 13–16) dhe t’i pritni ato. Më pas ju mund të punoni së bashku për t’i vendosur figurat sipas radhës teksa diskutoni për përvojat e Adamit dhe të Evës. Teksa e bëni këtë, flisni rreth arsyes përse është e rëndësishme në planin e Atit Qiellor që Adami dhe Eva të largoheshin nga Kopshti i Edenit.

  • Fëmijët tuaj mund të ndiejnë mirënjohje për Shlyerjen e Jezu Krishtit teksa e kuptojnë se si Ai i mposht pasojat e Rënies. Ndërsa lexoni së bashku te Moisiu 4:25; 6:48; Romakëve 5:12; 2 Nefi 2:22–23, ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë mënyra se si ta përfundojnë këtë fjali: “Për shkak të Rënies, unë …” Më pas, teksa lexoni së bashku vargjet te Moisiu 5:8–11, 14–15; 6:59; Alma 11:42, ata mund të përfundojnë këtë fjali: “Për shkak të Jezu Krishtit, unë …” Flisni me njëri‑tjetrin rreth mirënjohjes suaj ndaj Jezu Krishtit.

Moisiu 4:1–4

Unë mund të zgjedh të drejtën.

  • Merrni parasysh një mësim të thjeshtë me sende për të paraqitur parimin e lirisë së zgjedhjes: ftojini fëmijët tuaj që të ngjyrosin faqen e veprimtarisë së kësaj jave, por jepuni atyre vetëm një ngjyrë për ta përdorur. Përse do të ishte më mirë që të keni zgjedhje? Më pas mund të lexoni së bashku te Moisiu 4:1–4 dhe të flisni rreth arsyes përse Perëndia dëshiron që ne të jemi në gjendje të zgjedhim midis së drejtës dhe së gabuarës. Si na ndihmojnë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti që të bëjmë zgjedhje të mira?

  • Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë dhe vizatojnë figura për zgjedhjet e mira që mund të bëjnë për ta ndjekur Jezu Krishtin. Ose mund të këndoni së bashku një këngë rreth bërjes së zgjedhjeve të mira, të tilla si “Udh’n e Drejt’ Zgjidh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 82). Mund t’i tregoni njëri‑tjetrit për një rast kur bëtë një zgjedhje të mirë dhe flisni për mënyrën se si u ndiet më pas.

Adami dhe Eva

The Fall [Rënia], nga Robert T. Barrett

Moisiu 5:4, 8

Unë mund t’i lutem Atit Qiellor.

  • Kur Adamit dhe Evës iu desh të largoheshin nga Kopshti i Edenit, ata nuk mund të ishin më me Atin Qiellor. Lexoni me fëmijët tuaj te Moisiu 5:4, 8 dhe ndihmojini të gjejnë atë që bënë Adami dhe Eva për t’u ndier pranë Tij dhe për ta dëgjuar Atë. Cilat janë disa gjëra që mund t’ia themi Atit Qiellor në lutjet tona?

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Adami dhe Eva me një qengj për flijim mbi altar

In Similitude of the Sacrifice of the Only Begotten of the Father [Në Ngjashmëri me Flijimin e të Vetëmlindurit të Atit], nga Mike Malm (shihni te Moisiu 5:5–9)

faqja e veprimtarisë së Fillores: Rënia e Adamit dhe Evës