“12–18 Janar. ‘Në Fillim Perëndia Krijoi Qiejt dhe Tokën’: Zanafilla 1–2; Moisiu 2–3; Abraham 4–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“12–18 Janar. ‘Në Fillim Perëndia Krijoi Qiejt dhe Tokën’”, Eja, Më Ndiq: 2026
12–18 Janar: “Në Fillim Perëndia Krijoi Qiejt dhe Tokën”
Zanafilla 1–2; Moisiu 2–3; Abraham 4–5
Për shkak se bota përreth nesh është kaq e bukur dhe madhështore, është e vështirë ta përfytyrojmë tokën kur ishte “pa trajtë, e zbrazët” dhe “e zbrazët dhe e shkretuar” (Zanafilla 1:2; Abraham 4:2). Një gjë që na e mëson historia e Krijimit, është se Perëndia, me kalimin e kohës, mund të bëjë diçka madhështore nga diçka e paorganizuar. Është e dobishme ta kujtoni këtë kur jeta duket kaotike. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë Krijuesit dhe puna e Tyre krijuese me ne nuk ka mbaruar. Ata mund të bëjnë që drita të shkëlqejë në çaste të errëta në jetën tonë. Ata mund ta mbushin boshllëkun tonë me jetë. Ata mund të na shndërrojnë në qeniet hyjnore që kishim për qëllim të ishim. Kjo është ajo se çfarë do të thotë të krijohesh sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, në ngjasim me Të (shihni te Zanafilla 1:26). Ne kemi potencialin për t’u bërë si Ai: të ekzaltuar, të përlëvduar, qiellorë.
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Zanafillës, shihni zërin “Zanafillë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Zanafilla 1:1–25; Moisiu 2:1–25; Abraham 4:1–25
“Me anë të të Vetëmlindurit tim i krijova këto gjëra.”
Edhe pse nuk dimë gjithçka rreth mënyrës se si u krijua bota, është interesante të vëmë re atë që Perëndia ka zgjedhur ta zbulojë rreth Krijimit. Çfarë ju mëson Perëndia rreth kësaj te Zanafilla 1:1–25; Moisiu 2:1–25 dhe Abraham 4:1–25? Përse dëshiron Ati që ju t’i dini këto gjëra? Teksa i përsiatni këto rrëfime, ju mund të merrni parasysh edhe atë që ato ju mësojnë rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit, botës dhe vetes suaj.
Për ta pasuruar studimin tuaj, merrni parasysh të lexoni këto strofa ndërkohë që jeni në ambient të jashtëm mes krijesave të Perëndisë ose ndërkohë që dëgjoni një këngë si “Gjith’ Krijesat e Per’ndis’ Son’” (Himne, nr. 32). Mund të gjeni figura të krijesave të Tij që ju ndihmojnë të ndieni nderim për Krijuesin. Merreni parasysh t’ua tregoni të tjerëve këto figura, së bashku me dëshminë tuaj.
Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 101:32–34.
The Garden of Eden [Kopshti i Edenit], nga Grant Romney Clawson
Zanafilla 1:26–27; Moisiu 2:26–27; Abraham 4:26–27
Unë u krijova sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.
Teksa lexoni vargjet te Zanafilla 1:26–27; Moisiu 2:26–27 dhe Abraham 4:26–27, përsiatni se çfarë do të thotë të jesh krijuar sipas “shëmbëlltyrës” ose “ngjashmërisë” së Perëndisë, mashkull dhe femër. Përse është e rëndësishme për ju që t’i dini të vërtetat në këto vargje? Për shembull, si ndikojnë këto të vërteta mbi mënyrën se si e shihni veten, të tjerët dhe Perëndinë? Si mund t’ju ndihmojnë ato kur keni ndjenja negative rreth vetes?
Për t’ju ndihmuar që të mendoni rreth këtyre pyetjeve, përpiquni të plotësoni një fjali si kjo: “Ngaqë e di se jam krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, unë zgjedh të …” Mund të ndihmojë rishikimi i pjesës “Trupi juaj është i shenjtë” te broshura Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (faqet 22–29). Merrni parasysh të zgjidhni diçka që do ta bëni për t’i treguar Perëndisë se e dini që trupi juaj është i shenjtë.
Në materialin filmik “God’s Greatest Creation” [“Krijimi më i Madh i Perëndisë”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit], Presidenti Rasëll M. Nelson jep dëshmi për mrekullinë e trupit njerëzor. Teksa e shihni këtë material filmik, bëjini vetes pyetjen: “Si dëshiron Ati Qiellor që të ndihem për trupin tim?” Ku ndryshon kjo nga mesazhet që mund të dëgjoni prej të tjerëve?
God's Greatest Creation
Disa njerëz mund të thonë se të jesh krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë do të thotë që të gjitha mendimet, ndjenjat dhe dëshirat tona janë miratuar nga Ai dhe se ne nuk kemi nevojë (ose nuk mund) të përmirësohemi. Çfarë do të thoshit për këtë? Çfarë idesh fitoni nga vargjet te Mosia 3:19 dhe Ethëri 12:27?
Shihni edhe te Russell M. Nelson, “Your Body: A Magnificent Gift to Cherish”, Liahona, gusht 2019, f. 50–55.
Zanafilla 1:27–28; 2:18–25; Moisiu 3:18, 21–24; Abraham 5:14–18
Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia.
“Adami dhe Eva u bashkuan së bashku në martesë për kohën dhe për gjithë përjetësinë me anë të fuqisë së priftërisë së përjetshme” (Russell M. Nelson, “Lessons from Eve”, Ensign, nëntor 1987, f. 87). Përsiateni këtë teksa lexoni te Zanafilla 1:27–28; 2:18–25; Moisiu 3:18, 21–25 dhe Abraham 5:14–19. Si mund ta trajtoni martesën me shenjtërinë që Perëndia i ka dhënë asaj?
Shihni edhe te 1 Korintasve 11:11; “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Zanafilla 1:28; Moisiu 2:28; Abraham 4:28
Unë jam përgjegjës/e për t’u kujdesur për krijesat e Perëndisë.
Çfarë sugjerojnë vargjet te Zanafilla 1:28; Moisiu 2:28 dhe Abraham 4:28 rreth përgjegjësisë sonë kundrejt krijesave të Perëndisë? Çfarë kuptueshmërie merrni nga vargjet te Doktrina e Besëlidhje 59:16–21 dhe 104:13–18?
Shihni edhe te Zherard Kosé, “Kujdestaria Jonë Tokësore”, Liahona, nëntor 2022, f. 57–59; Tema dhe Pyetje, “Environmental Stewardship and Conservation” [“Kujdestaria dhe Mbrojtja Mjedisore”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Zanafilla 2:2–3; Moisiu 3:2–3; Abraham 5:2–3
Perëndia e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e Shabatit.
Perëndia e bëri ditën e Shabatit të shenjtë dhe Ai na kërkon ta mbajmë atë të shenjtë. Teksa lexoni vargjet te Zanafilla 2:2–3; Moisiu 3:2–3 dhe Abraham 5:2–3, mendoni rreth asaj që e bën Shabatin të “bek[uar]” për ju.
Shihni edhe vargjet te Doktrina e Besëlidhje 59:9–13; “The Sabbath Is a Delight” [“Shabati Është një Kënaqësi”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Highlight: The Sabbath Is a Delight
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Zanafilla 1:1–25; Moisiu 2:1–25; Abraham 4:1–25
Jezusi krijoi tokën.
-
Si mund ta bëni argëtues për fëmijët tuaj të mësuarit rreth Krijimit? Mund t’i çoni në një kërkim jashtë në natyrë për llojet e gjërave që u bënë gjatë secilës periudhë të Krijimit. Fëmijët tuaj gjithashtu mund të shohin figura të gjërave që krijoi Jezusi (shihni mësimin “Krijimi i Tokës” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 8–12). Më pas ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth mënyrës se si ndiheni rreth Jezu Krishtit pasi të lexoni për Krijimin.
-
Merreni parasysh të këndoni së bashku një këngë rreth botës sonë të bukur, të tillë si “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16–17). Ndoshta fëmijët tuaj mund t’i shtojnë këngës gjëra të tjera që Perëndia i ka krijuar, të cilat i ndihmojnë që ta ndiejnë dashurinë e Tij.
Ndihmojini fëmijët ta shprehin aftësinë e tyre krijuese. “Kur i ftoni fëmijët të vizatojnë, formojnë, ngjyrosin ose shkruajnë diçka që lidhet me një parim të ungjillit, ju i ndihmoni ata ta kuptojnë më mirë parimin dhe u jepni atyre një kujtues konkret për atë që kanë mësuar” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 32).
Zanafilla 1:26–27; Moisiu 2:26–27; Abraham 4:26–27
Unë u krijova sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.
-
Fëmijët tuaj mund të zhvillojnë një ndjenjë nderimi dhe respekti për vetë trupat e tyre dhe trupat e të tjerëve teksa mësojnë se ne të gjithë u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Që t’i ndihmoni për ta kuptuar se çfarë do të thotë kjo, mund t’i lini fëmijët të shohin te shëmbëlltyra e tyre në pasqyrë ose një fotografi ndërkohë që u lexoni vargjet te Moisiu 2:26–27. Gjithashtu mund t’u tregoni se si të vegjlit e kafshëve shpesh janë sipas “ngjashmërisë” së prindërve të tyre (shihni figurën në këtë përvijim, për shembull). Kjo mund të çojë drejt një bashkëbisedimi rreth arsyes përse është e rëndësishme për ju që të dini se jeni krijuar sipas shëmbëlltyrës së Atit tuaj Qiellor.
-
Ju dhe fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të vizatoni një trup njeriu dhe duke i prerë vizatimet si pjesë të një figurëformueseje. Ndërkohë që fëmijët tuaj i bashkojnë pjesët e një figurëformueseje, ata mund të flasin rreth mënyrave se si mund t’i tregojnë Atit Qiellor se janë mirënjohës për trupat e tyre.
Zanafilla 2:2–3; Moisiu 3:2–3; Abraham 5:2–3
Dita e Shabatit është e shenjtë.
-
Teksa lexoni te Moisiu 3:2–3, kërkojuni fëmijëve tuaj që të mbajnë vesh për atë që bëri Perëndia në ditën e shtatë. Ndihmojini fëmijët tuaj që të gjejnë ose vizatojnë figura të gjërave që mund të bëjnë të dielën për ta bërë atë një ditë të shenjtë dhe të ndryshme nga ditët e tjera. Flisni me njëri‑tjetrin rreth asaj se përse është e rëndësishme për ju që ta mbani të shenjtë ditën e Shabatit.
-
Ndihmojini fëmijët tuaj të interpretojnë me role duke i shpjeguar një shoku ose shoqeje se përse zgjedhin të bëjnë gjëra të dielën të cilat e nderojnë Atin Qiellor dhe Jezusin. Sugjeroni që të përdorin në shpjegimet e tyre vargjet te Zanafilla 2:2–3. Si e tregon mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë dashurinë tonë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.