“5–11 Janar. ‘Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime’: Moisiu 1; Abraham 3”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“5–11 Janar. ‘Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime’”, Eja, Më Ndiq: 2026
5–11 Janar: “Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime”
Moisiu 1; Abraham 3
Bibla fillon me fjalët: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën” (Zanafilla 1:1). Por, çfarë kishte atje përpara këtij “fillim[i]”? Dhe përse Perëndia e krijoi të gjithë këtë? Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti ka hedhur dritë mbi këto pyetje.
Për shembull, Ai na dha analin e një vegimi në të cilin Abrahami pa ekzistencën tonë si shpirtra “përpara se bota të ishte” (shihni tek Abraham 3:22–28). Zoti na dha gjithashtu një përkthim të frymëzuar ose rishikim të gjashtë kapitujve të parë të Zanafillës, të quajtur libri i Moisiut – i cili nuk fillon me fjalët “në fillim”. Në vend të kësaj, ai fillon me një përvojë që pati Moisiu, e cila siguron ca kontekst për ngjarjen e Krijimit. Së bashku, këto shkrime të shenjta të ditëve të mëvonshme janë një vend i mirë për ta filluar studimin tonë të Dhiatës së Vjetër, sepse ato trajtojnë disa pyetje themelore që mund t’i japin kontekst leximit tonë: Kush është Perëndia? Kush jemi ne? Cila është vepra e Perëndisë dhe cili është vendi ynë në të? Kapitujt hyrës të Zanafillës mund të shihen si përgjigje e Zotit ndaj kërkesës së Moisiut: “Ji i mëshirshëm për shërbëtorin tënd, O Perëndi, dhe më trego lidhur me këtë tokë dhe banorët e saj, dhe gjithashtu qiejt” (Moisiu 1:36).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Si një fëmijë i Perëndisë, unë kam një fat hyjnor.
“Në qoftë se Zoti do t’ju fliste [juve] drejtpërsëdrejti”, dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, “gjëja e parë që Ai do të sigurohej që ju të kuptoni, është identiteti juaj i vërtetë” (“Zgjedhjet për Përjetësinë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, maj 2022], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Mesazhi vazhdon që Satani do të përpiqet t’ju pështjellojë lidhur me po këtë çështje. Kërkojeni këtë model në mesazhin e Perëndisë dhënë Moisiut te Moisiu 1:4, 6 dhe në mesazhin e Satanit te Moisiu 1:12. Çfarë mësoni nga këto vargje rreth dallimeve midis Perëndisë dhe Satanit?
Presidenti Nelson gjithashtu dha mësim: “Mënyra se si mendoni rreth asaj se kush jeni vërtet, ndikon gati në çdo vendim që do të merrni ndonjëherë” (“Zgjedhjet për Përjetësinë”). Merreni parasysh të krijoni një listë të zgjedhjeve që bëni, ngaqë identiteti juaj si fëmijë i Perëndisë zë vendin përpara etiketimeve të tjera.
Cilat vargje ose fraza shtesë te Moisiu 1 ju ndihmojnë të kuptoni vlerën tuaj hyjnore? Gjithashtu mund të lexoni më shumë nga mesazhi i Presidentit Nelson “Zgjedhjet për Përjetësinë” në pjesën e titulluar “E para: Dini të vërtetën rreth asaj se kush jeni”. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për ta bërë identitetin tuaj si fëmijë i Perëndisë përcaktuesin tuaj më të rëndësishëm?
Shihni edhe te “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”, Himne (1985), nr. 196; “Identiteti Ynë i Vërtetë” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Tema dhe Pyetje, “Fëmijët e Perëndisë”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Our True Identity
Me ndihmën e Zotit, unë mund t’i bëj ballë Satanit.
Siç tregohet qartë te Moisiu 1, përvojat e fuqishme shpirtërore nuk tregojnë që nuk do të tundohemi më kurrë. Në fakt, një nga taktikat e Satanit është të na tundojë që t’i vëmë në dyshim këto përvoja. Ndërsa lexoni përgjigjen e Moisiut ndaj Satanit te vargjet 12–26, çfarë mësoni që mund t’ju ndihmojë të qëndroni të vërtetë ndaj dëshmisë që keni marrë? Çfarë ishte ajo gjë që më në fund e ndihmoi Moisiun që ta mundte Satanin?
Një mësim tjetër nga përvoja e Moisiut është që Satani na tundon me falsifikime të së vërtetës dhe fuqisë së Perëndisë. Mendoni për disa variante të rreme të gjërave, të tilla si një bimë artificiale ose një kukull foshnjë. Si mund ta dalloni se janë të rreme? Më pas merrni parasysh falsifikimet që përdor Satani sot për t’ju tunduar. Çfarë mësoni nga vargjet te Moisiu 1:13–18 rreth mënyrës se si t’i dalloni dhe t’i refuzoni falsifikimet e tij? Si mund t’ju ndihmojë Zoti? (Shihni te Moisiu 1:24–26.)
Shihni edhe te Mateu 4:1–11; Geri E. Stivenson, “Mos më Mashtro”, Liahona, nëntor 2019, f. 93–96; “I Am a Son of God” [“Unë Jam një Bir i Perëndisë”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
I Am a Son of God
Të mësuarit në shtëpi mund të jetë i planifikuar, por edhe spontan. “Mundësitë për mësimdhënie në familje shpesh ndodhin në mënyra joformale, në çastet e përditshme – ndërkohë që hamë një vakt, bëjmë punët e shtëpisë, luajmë një lojë [ose udhëtojmë]” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 31). Për shembull, përveç të lexuarit rreth mënyrës se si Moisiu i bëri ballë Satanit te Moisiu 1, mund të kaloni disa çaste gjatë kohës së darkës duke folur si familje rreth mënyrës se si i bëtë ballë ndikimit të kundërshtarit.
Vepra dhe lavdia e Perëndisë është të më ndihmojë mua që të fitoj jetë të përjetshme.
Pasi pa një vegim të krijimeve të Perëndisë, Moisiu i tha Zotit: “Më trego … përse këto gjëra janë kështu” (Moisiu 1:30). Çfarë ju bën përshtypje rreth përgjigjes së Zotit te Moisiu 1:31–39? Cili është dallimi midis pavdekësi dhe jetës së përjetshme? (Shihni tek Tema dhe Pyetje, “Eternal Life” [“Jeta e Përjetshme”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Si ndihmon Jezu Krishti për t’i bërë të ndodhin që të dyja? Edhe Abrahami pati një vegim, të shënuar tek Abraham 3. Çfarë gjeni te vargjet 24–26 që mund të ndihmojë për t’i dhënë përgjigje kërkesës së Moisiut?
Unë jetova si shpirt përpara se të lindesha në tokë.
Ne dimë shumë pak rreth jetës sonë para lindjes. Por shumë prej asaj që vërtet dimë, vjen prej vegimit të Abrahamit tek Abraham 3:22–28. Ndërsa i lexoni këto vargje, bëni një listë me të vërtetat që gjeni, përfshirë të vërtetat rreth vetes suaj dhe rreth Jezu Krishtit. Përse këto të vërteta janë me vlerë për ju? Çfarë ndryshimi sjellin ato në jetën tuaj?
Shihni edhe tek Tema dhe Pyetje, “Jeta Para Lindjes”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Unë jam një fëmijë i Perëndisë.
-
Mbasi të lexoni së bashku mesazhin e Perëndisë drejtuar Moisiut te Moisiu 1:4, merrni parasysh t’i lejoni fëmijët tuaj që të shohin pasqyrimin e tyre në një pasqyrë dhe t’i japin vetes një mesazh të ngjashëm: “Unë jam një fëmijë i Perëndisë”. Më pas mund t’i japin të njëjtin mesazh njëri‑tjetrit: “Ti je një fëmijë i Perëndisë”. Madje mund të gjeni figura të një larmie njerëzish dhe t’i ftoni fëmijët të drejtohen nga njëri‑tjetri dhe të thonë: “Ky është një fëmijë i Perëndisë”. Tregojini njëri‑tjetrit përse jeni i/e lumtur që e dini se jeni fëmijë të Perëndisë. Si e ndryshon kjo njohuri mënyrën se si e trajtoni veten dhe të tjerët?
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të krahasoni mesazhin e Perëndisë dhënë Moisiut te Moisiu 1:4 me mesazhin e Satanit te vargu 12. Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që të bëjnë dallimin midis mesazheve të Perëndisë për ta dhe mesazheve të Satanit?
Moses Seeing Jehovah [Moisiu Sheh Jehovën], nga Joseph Brickey (hollësi)
Ati Qiellor ka një punë që ta bëj unë.
-
Ndërsa lexoni me fëmijët tuaj te Moisiu 1:6, mund t’u flisni atyre rreth “punë[s]” që Perëndia kishte për Moisiun. Merreni parasysh të përdorni materialin Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 13–16 ose Tregime nga Dhiata e Vjetër, faqet 64–84, për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se çfarë arriti të përmbushte Moisiu me ndihmën e Atit Qiellor. Çfarë pune do Perëndia që ne të bëjmë? (Shihni, për shembull, te Doktrina e Besëlidhje 11:20.)
Unë mund t’u bëj ballë tundimeve të Satanit.
-
Ndërsa studioni me fëmijët tuaj vargjet te Moisiu 1:12–26, ndihmojini të zbulojnë atë që bëri Moisiu për t’i bërë ballë Satanit (shihni vargjet 13, 15, 18, 20–22, 26). Mund të jetë argëtuese për ta që t’i aktrojnë gjërat që mund të bëjnë për t’i bërë ballë tundimit (të tilla si lutja, largimi ose kërkimi i ndihmës).
Unë jetova si shpirt përpara se të lindesha në tokë.
-
Njohuria rreth jetës sonë para lindjes mund t’i frymëzojë fëmijët tuaj që të bëjnë zgjedhje të bazuara tek të vërteta të përjetshme. Që t’i ndihmoni të mësojnë për këtë, mund t’u jepni atyre disa fjalë dhe fraza kyç për t’i gjetur tek Abraham 3:22–28, si “përpara se bota të ishte”, “shpirtra”, “bëjmë një tokë” dhe “provojmë”. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth arsyes përse Ati Qiellor na dërgoi në tokë?
-
Një këngë si “Do Ndjek Planin e Perëndis’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 86–87) mund ta forcojë atë që na mësohet tek Abraham 3. Ndoshta mund t’i ftoni fëmijët tuaj të bëjnë vizatime që përputhen me fjalët.
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për situata në të cilat duhej të zgjidhnin nëse do të bënin ose jo atë që Perëndia u ka kërkuar të bëjnë (shihni tek Abraham 3:25; shihni edhe te Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve). Lërini të ushtrohen për përgjigje të mundshme ndaj këtyre situatave. Si mund të na ndihmojë Shpëtimtari kur bëjmë një zgjedhje të gabuar?
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.