Eja, Më Ndiq
29 Dhjetor – 4 Janar. Dhiata e Parë e Jezu Krishtit: Hyrje te Dhiata e Vjetër


“29 Dhjetor – 4 Janar. Dhiata e Parë e Jezu Krishtit: Hyrje te Dhiata e Vjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“Hyrje te Dhiata e Vjetër”, Eja, Më Ndiq: 2026

Jezusi duke qëndruar mbi një kodër

29 Dhjetor – 4 Janar: Dhiata e Parë e Jezu Krishtit

Hyrje te Dhiata e Vjetër

Kur merrni parasysh që të studioni Dhiatën e Vjetër këtë vit, si ndiheni? Të zellshëm? Të pasigurt? Të frikësuar? Të gjitha këto emocione janë të kuptueshme. Dhiata e Vjetër është një nga koleksionet më të vjetra të shkrimeve në botë dhe kjo mund ta bëjë atë libër sa emocionues edhe frikësues. Këto shkrime vijnë nga një kulturë e lashtë që mund të duket e huaj dhe nganjëherë e çuditshme apo dhe e parehatshme. E megjithatë në këto shkrime ne shohim njerëz të cilët kanë përvoja që duken të njohura. Ne dallojmë tema të ungjillit që dëshmojnë për hyjninë e Jezu Krishtit dhe ungjillin e Tij. Po, njerëz si Abrahami, Sara, Ana dhe Danieli bënë një jetë që, në disa mënyra, ishte shumë e ndryshme nga e jona. Por ata përjetuan gjithashtu gëzim familjar dhe mosmarrëveshje familjare, çaste besimi dhe çaste pasigurie, suksese dhe dështime – siç bëjmë të gjithë ne. Më e rëndësishmja, ata ushtruan besim, u penduan, bënë besëlidhje, patën përvoja shpirtërore dhe nuk hoqën dorë kurrë nga premtimi për një Shpëtimtar. Ndërkohë që mësojmë se si Perëndia veproi në jetën e tyre, ne gjithashtu e shohim Atë në jetën tonë dhe themi me psalmistin: “Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim. … Prandaj shërbëtori yt e do” (Psalmeve 119:105, 140).

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

ikona e seminarit
Dhiata e Vjetër dëshmon për Jezu Krishtin.

Një mënyrë për të gjetur ushqim të pasur shpirtëror në Dhiatën e Vjetër, është të kërkojmë Bukën e Jetës, Jezu Krishtin (shihni te Gjoni 6:48). Për shembull, si e shihni Shpëtimtarin në sa vijon?

  • Mana (Eksodi 16:4, 11–15; Gjoni 6:35)

  • Qengji për flijim (Eksodi 12:3–5; Gjoni 1:29)

  • Gjarpri prej bronzi (Numrat 21:4–10; Gjoni 3:14).

  • Jona (Jona 1:4–17; Mateu 12:38–41)

Çfarë na mësojnë këta shembuj rreth Tij? Cilat referenca të tjera për Jezu Krishtin në Dhiatën e Vjetër i dini tashmë?

Në mesazhin e tij “Jezu Krishti Është Thesari”, Plaku Dejll G. Renland na nxiti që “ta kujto[jmë] dhe gjithmonë të përqendrohe[m]i te Jezu Krishti” (Liahona, nëntor 2023, f. 98). Merrni parasysh ta lexoni mesazhin e tij, duke kërkuar gjërat që mund të bëni për ta gjetur Jezu Krishtin jo vetëm në Dhiatën e Vjetër por edhe në jetën tuaj.

Shihni edhe zërin “Tipet ose Simbolet e Krishtit” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Jezu Krisht”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Herët Zotin do Kërkoj”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 67.

Kërkoni simbole që dëshmojnë për Jezu Krishtin. Zoti i dha mësim Adamit: “Të gjitha gjërat kanë ngjashmërinë e tyre dhe të gjitha gjërat krijohen e bëhen për të dhënë dëshmi për mua” (Moisiu 6:63). Qoftë nëse po studioni apo jepni mësim, përqendrimi te Jezu Krishti mund t’ju ndihmojë të gjeni domethënie në shkrimet e shenjta dhe ta rritni dashurinë tuaj për Të dhe besimin tek Ai. (Shihni te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 7.)

Jezu Krishti është Jehova në Dhiatën e Vjetër.

Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Ati e paraqiti Birin e Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtin, si Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, dhe na dha urdhrin që ta ‘dëgjoj[më A]të’. Nga ky udhëzim ne nxjerrim konkluzionin se analet e shkrimeve të shenjta që përmbajnë fjalët e thëna nga ‘Perëndia’ ose ‘Zoti’, janë pothuajse gjithmonë fjalët e Jehovës, Zotit tonë të ringjallur, Jezu Krishtit” (“Mësimet e Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2023, f. 102).

14:6

Mësimet e Jezu Krishtit

Kur udhëheqësit e judenjve e sfiduan Jezusin rreth identitetit të Tij, Ai shpalli: “Para se të kishte lindur Abrahami, unë jam”. Këto fjalë i habitën njerëzit që e dëgjuan Jezusin dhe ata ishin gati ta godisnin Atë me gurë (shihni te Gjoni 8:58–59). Merreni parasysh të lexoni tek Eksodi 3:13–15; 6:3–5 për të kuptuar përse disa judenj ishin kaq të zemëruar me atë që tha Jezusi.

Përse është e rëndësishme që ju të dini se Jezu Krishti është Jehova?

Zoti rivendosi shumë “gjëra të qarta dhe të çmueshme” nëpërmjet Jozef Smithit.

Në një vegim, Zoti i tregoi Nefit daljen në dritë të Biblës, duke shpjeguar se “shumë gjëra të qarta dhe të çmueshme” do të hiqeshin prej saj. Merreni parasysh të lexoni te 1 Nefi 13:21–29, 38–42, duke kërkuar mënyrën se si Zoti planifikoi që t’i “bë[nte] të ditur[a] gjërat e qarta dhe të çmueshme”. Sipas vargut te 2 Nefi 3:12, si veprojnë së bashku Bibla dhe Libri i Mormonit?

Ndërsa e studioni Dhiatën e Vjetër këtë vit, ju gjithashtu do të studioni disa prej “librave të tjerë” që parashikoi Nefi. Këto përfshijnë:

  • Libri i Moisiut, pjesë e përkthimit të Biblës prej Jozef Smithit. Ai rivendos të vërteta dhe rrëfime që nuk gjenden në tekstin e tanishëm te Zanafilla 1–6.

  • Libri i Abrahamit, i cili iu zbulua Jozef Smithit teksa analizonte papiruset e lashta egjiptiane (shihni tek Tema dhe Pyetje, “Libri i Abrahamit”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  • Fragmente të ndryshme nga Përkthimi prej Joseph Smith‑it tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Ja tek janë disa shembuj nga rrëfimet e Dhiatës së Vjetër të rivendosura nëpërmjet Jozef Smithit: qyteti i Enokut i quajtur Sion (Moisiu 7:18–19), vegimi i Abrahamit për këshillin në qiell (Abraham 3:22–28) dhe shërbesa e Melkizedekut (Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 14:25–40). Përse janë këto rrëfime “të qarta dhe të çmueshme” për ju?

engjëlli i shfaqet Adamit dhe Evës

Adam and Eve Offering Sacrifices [Adami dhe Eva duke Ofruar Flijime], nga Keith Larson (hollësi)

Dhiata e Vjetër më ndihmon të kuptoj marrëdhënien time besëlidhëse me Perëndinë.

Dhiata e Vjetër është historia e Perëndisë duke u përpjekur që të na bëjë “thesari[n e Tij të] veçantë” nëpërmjet besëlidhjes (Eksodi 19:5). Për këtë arsye, një mënyrë e mirë për t’u përgatitur që ta lexoni Dhiatën e Vjetër është të mësoni rreth besëlidhjeve, veçanërisht besëlidhjes së përjetshme që Perëndia ua ofroi profetëve të lashtë si Abrahami, Isaku, Jakobi dhe pasardhësve të tyre. Një mënyrë e shkëlqyer për të mësuar rreth besëlidhjeve është që të studioni mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Besëlidhja e Përjetshme” (Liahona, tetor 2022, f. 4–11; Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Tetor 2022, f. 1–7).

Ndërsa lexoni, bëjini vetes pyetjet: Përse janë besëlidhjet të rëndësishme për mua? Çfarë “lloj[i] të veçantë dashurie e mëshire” marr nga Perëndia kur i mbaj besëlidhjet e mia me Të? Teksa e lexoni Dhiatën e Vjetër këtë vit, jini të vëmendshëm për gjërat që Perëndia dëshiron t’ju mësojë rreth marrëdhënies besëlidhëse me Të.

Shihni edhe te Jeremia 31:31–34.

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona 01 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Unë mund të mësoj për Jezu Krishtin në Dhiatën e Vjetër.

  • Fjalët dhe kultura e Dhiatës së Vjetër mund të jenë të vështira për t’u kuptuar nga fëmijët, por ju mund t’i ndihmoni ta shohin Jezu Krishtin te simbolet dhe ngjarjet. Mbase ju dhe fëmijët tuaj mund të shikoni figurën më poshtë, The Prophet Isaiah Foretells Christ’s Birth [Profeti Isaia Paratregon Lindjen e Krishtit]. Lejojini fëmijët tuaj që t’i vënë në dukje hollësitë që shohin. Tërhiqeni vëmendjen e tyre, në veçanti, te foshnja Jezus. Më pas mund të lexoni me ta atë që shkroi Isaia rreth lindjes së Shpëtimtarit tek Isaia 7:14; 9:6. Flisni me fëmijët tuaj se si ndiheni rreth kërkimit të Shpëtimtarit në Dhiatën e Vjetër këtë vit.

    Isaia duke shkruar në rrotull rreth lindjes së Krishtit

    Isaiah Writes of Christ’s Birth (The Prophet Isaiah Foretells Christ’s Birth) [Isaia Shkruan për Lindjen e Krishtit (Profeti Isaia Parashikon Lindjen e Krishti)], nga Harry Anderson

  • Ju dhe fëmijët tuaj gjithashtu mund të lexoni te Psalmeve 23 ose Isaia 53:3–9 dhe të gjeni fjalë që ju kujtojnë Jezu Krishtin. Çfarë mësimi na japin këto fjalë rreth jetës dhe Shlyerjes së Tij?

Ati Qiellor dëshiron të bëjë besëlidhje me mua.

  • Besëlidhjet janë një temë kryesore në Dhiatën e Vjetër. Për t’ua paraqitur këtë temë fëmijëve tuaj, ju mund të flisni me ta rreth premtimeve që bëjnë dhe i mbajnë me familjarët ose miqtë dhe përse është e rëndësishme mbajtja e këtyre premtimeve. Më pas mund të shihni një figurë të një pagëzimi dhe të flisni rreth premtimit, ose besëlidhjes, që bëni me Perëndinë kur pagëzoheni (shihni te Mosia 18:10, 13). Gjithashtu mund të tregoni një figurë të tempullit dhe të shprehni ndjenjat tuaja rreth besëlidhjeve që bëjmë atje.

  • Faqja e veprimtarisë së kësaj jave mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj të jenë të ngazëllyer për të bërë dhe mbajtur besëlidhje me Atin Qiellor. Gjithashtu mund të këndoni një këngë rreth bërjes së besëlidhjeve, të tillë si “Kur Un’ t’Pagëzohem” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 53).

Jezu Krishti është Jehova në Dhiatën e Vjetër.

  • A njohin fëmijët tuaj dikë që përdor emra të ndryshëm në mjedise të ndryshme? Ndoshta një prind ose mësues e thërrasin ndryshe në punë, në shtëpi dhe në kishë. Flisni për ata emra dhe më pas lexoni së bashku tek Eksodi 6:3 dhe ftojini fëmijët tuaj që të gjejnë emrat e Jezu Krishtit siç njihej përpara se Ai të lindte (shihni edhe te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, poshtëshënimi c në Biblën në anglisht).

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

njerëz të gjunjëzuar te këmbët e Krishtit

Come unto Jesus [Ejani te Jezusi], nga Michael Malm

faqja e veprimtarisë së Fillores: Ati Qiellor dëshiron të bëjë besëlidhje me mua