“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Leximi i Dhiatës së Vjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“Leximi i Dhiatës së Vjetër”, Eja, Më Ndiq: 2026
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh
Leximi i Dhiatës së Vjetër
Kur Nefi donte t’i frymëzonte vëllezërit e tij që t’i mirëbesonin Zotit, ai tregoi tregime rreth Moisiut dhe mësimeve nga Isaia. Kur Apostulli Pal dëshironte t’u jepte kurajë të krishterëve të hershëm që të kishin besim te premtimet e Perëndisë, ai u kujtoi atyre rreth besimit të Noeut, Abrahamit, Sarës, Rahabit dhe të tjerëve. Edhe kur Jezu Krishti u tha udhëheqësve të judenjve që të “hetoni[n] Shkrimet”, duke shpjeguar se ato “dëshmojnë për mua” (Gjoni 5:39), shkrimet e shenjta për të cilat Ai po fliste, janë shkrimet që ne i quajmë Dhiata e Vjetër.
Me fjalë të tjera, kur lexoni Dhiatën e Vjetër, ju po lexoni fjalët që kanë frymëzuar, ngushëlluar dhe nxitur njerëzit e Perëndisë në mënyrë të mirëfilltë për mijëra vjet.
Por a mund t’ju ndihmojë vërtet diçka që u shkrua kaq shumë kohë më parë, që të gjeni zgjidhje për problemet e të sotmes? Po, mundet. Veçanërisht nëse mbani mend se rreth kujt është vërtet Dhiata e Vjetër.
Një Dëshmi e Jezu Krishtit
Çfarëdo sfidash me të cilat mund të përballeni ju dhe familja juaj, përgjigjja është gjithmonë Jezu Krishti. Prandaj, që të gjeni përgjigje në Dhiatën e Vjetër, kërkojeni Atë. Nuk do të jetë gjithmonë e lehtë. Mund t’ju nevojitet të përsiatni me durim dhe të kërkoni udhërrëfim shpirtëror. Ndonjëherë referencat ndaj Tij duken shumë të drejtpërdrejta, si te shpallja e Isaias: “Na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë … dhe do të quhet … Princ i paqes” (Isaia 9:5). Në vende të tjera, Shpëtimtari përfaqësohet në mënyrë jo aq të drejtpërdrejtë, nëpërmjet simboleve dhe ngjashmërive – për shembull, nëpërmjet përshkrimeve për flijimet e kafshëve ose rrëfimit të Jozefit që i fal vëllezërit e tij dhe i shpëton nga zia e bukës.
Light of the World [Drita e Botës], nga Scott Sumner
Nëse kërkoni besim më të madh te Shpëtimtari ndërsa e studioni Dhiatën e Vjetër, ju do ta gjeni atë. Ndoshta ky mund të jetë synimi i studimit tuaj këtë vit. Lutuni që Shpirti t’ju udhërrëfejë që të gjeni dhe të përqendroheni te fragmente, ngjarje e profeci të cilat do t’ju sjellin më pranë Jezu Krishtit.
I Ruajtur në Mënyrë Hyjnore
Mos prisni që Dhiata e Vjetër të paraqesë një histori të plotë dhe të saktë të njerëzimit. Nuk është kjo ajo që autorët dhe përpiluesit fillestarë po përpiqeshin të krijonin. Shqetësimi i tyre më i madh ishte të jepnin mësim diçka rreth Perëndisë, rreth planit të Tij për fëmijët e Tij, rreth asaj që do të thotë të jemi populli i Tij i besëlidhjes dhe rreth mënyrës se si të gjejmë shëlbim kur dështojmë. Ndonjëherë ata e bënë atë duke treguar ngjarje historike ashtu siç i kuptuan ato, përfshirë ngjarje nga jeta e profetëve të mëdhenj. Zanafilla është një shembull i kësaj dhe po ashtu janë libra të tillë si Jozueut, Gjyqtarët dhe 1 e 2 Mbretërve. Por shkruesit e tjerë të Dhiatës së Vjetër nuk synonin të ishin aspak historikë. Përkundrazi, ata dhanë mësim nëpërmjet veprave të artit si poezia dhe letërsia. Libri i Psalmeve dhe ai i Fjalëve të Urta hyjnë në këtë kategori. Dhe pastaj janë fjalët e çmuara të profetëve, të tillë si Isaia dhe Malakia, të cilët ia thanë fjalën e Perëndisë Izraelit të lashtë – dhe, nëpërmjet mrekullisë së Biblës, ende na flasin sot.
A e dinin të gjithë këta profetë, poetë dhe përpilues që fjalët e tyre do të lexoheshin nga njerëzit në të gjithë botën mijëra vjet më vonë? Ne nuk e dimë këtë. Por mrekullohemi që kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur. Kombe u ngritën e ranë, qytete u pushtuan, mbretër jetuan e vdiqën; por Dhiata e Vjetër u mbijetoi të gjitha këtyre, nga brezi në brez, nga shkruesi në shkrues, nga përkthimi në përkthim. Sigurisht që disa gjëra humbën ose u ndryshuan e prapëseprapë, në njëfarë mënyre, kaq shumë gjëra u ruajtën për mrekulli.
Old Testament Prophet [Profet i Dhiatës së Vjetër], nga Judith A. Mehr (hollësi)
Këto janë vetëm disa gjëra për t’u mbajtur parasysh ndërsa e lexoni Dhiatën e Vjetër këtë vit. Perëndia i ruajti këto shkrime të lashta ngaqë Ai ju njeh dhe e di se çfarë po kaloni. Ai ka përgatitur një mesazh shpirtëror për ju në këto fjalë, që do t’ju afrojë më pranë Tij dhe do ta ndërtojë besimin tuaj në planin e Tij dhe në Birin e Tij të Dashur. Ndoshta Ai do t’ju udhëheqë drejt një fragmenti ose ideje e cila do ta bekojë dikë që e njihni – një mesazh që mund tʼia tregoni një miku, një pjesëtari të familjes apo një shenjtori tjetër. Ka kaq shumë mundësi. A nuk është kjo emocionuese kur e mendoni?
Nefi tha: “Shpirti im kënaqet pa masë në shkrimet e shenjta” (2 Nefi 4:15). Ndoshta do të ndiheni në të njëjtën mënyrë teksa lexoni shumë prej të njëjtave fjalë që lexoi Nefi, atë që tani e quajmë Dhiata e Vjetër.
Librat në Dhiatën e Vjetër
Në shumicën e varianteve të krishtera të Dhiatës së Vjetër, librat janë organizuar ndryshe nga mënyra se si u vendosën kur u përpiluan për herë të parë në një koleksion. Pra, ndërkohë që Bibla hebraike i grupon librat në tri kategori – ligji, profetët dhe shkrimet – shumica e Biblave të krishtera i organizojnë librat në katër kategori: ligji (Zanafilla–Ligji i Përtërirë), historia (Jozueut–Esterit), librat poetikë (Jobit–Kantiku i Kantikëve) dhe profetët (Isaia–Malakia).
Përse janë të rëndësishme këto kategori? Sepse dijenia se çfarë lloj libri po studioni, mund t’ju ndihmojë të kuptoni mënyrën se si ta studioni atë.
Ja ku është diçka për ta mbajtur parasysh teksa filloni të lexoni “ligjin”, ose pesë librat e parë të Dhiatës së Vjetër. Këta libra, të cilët sipas traditës i atribuohen Moisiut, ndoshta kaluan nëpërmjet duarve të shumë shkruesve dhe përpiluesve me kalimin e kohës. Dhe e dimë se, përgjatë shekujve, “shumë pjesë të cilat janë të qarta dhe më të çmueshmet”, u hoqën nga Bibla (shihni te 1 Nefi 13:23–26). Prapëseprapë, librat e Moisiut janë fjala e frymëzuar e Perëndisë, edhe pse ato – si çdo vepër e Perëndisë e transmetuar nëpërmjet njerëzve të vdekshëm – u nënshtrohen papërsosurive njerëzore (shihni te Moisiu 1:41; Nenet e Besimit 1:8). Fjalët e Moronit, duke iu referuar analit të shenjtë të Librit të Mormonit që ai ndihmoi për ta përpiluar, janë të dobishme këtu: “Në qoftë se ka gabime, ato janë gabime të njerëzve; prandaj mos dënoni gjërat e Perëndisë” (faqja e titullit e Librit të Mormonit). Me fjalë të tjera, një libër i shkrimit të shenjtë nuk nevojitet të jetë pa gabime njerëzore që të jetë fjala e Perëndisë.