Rrezja e Dritës në Stuhitë e Mia
Pasi më vdiq gjyshja, mendova që t’i jepja fund jetës sime. Por mbështetja te plani i Atit Qiellor për lumturinë më ndihmoi që të vazhdoja përpara.
Fotografitë nga Niel Kabiling
Tjeta! Unë jam Hani Grejs. Jam 17 vjeçe. Jetoj në Iloilo, në Filipine.
Vdekja e Gjyshes Sime
Kohët e fundit përjetova diçka vërtet të vështirë. Babai dhe nëna ime janë të ndarë dhe nëna ime punon jashtë shtetit. Më rriti gjyshja. Ajo është personi që më njohu me ungjillin dhe Kishën. Por sivjet ajo papritur ndërroi jetë.
Ajo ishte personi i fundit që mendova ndonjëherë se do të vdiste. Nganjëherë mendoja se do të vdisja përpara saj sepse ajo gëzonte shëndet shumë të mirë! Kurrë nuk tregoi dobësi dhe ishte përherë e fortë në praninë time. Nuk e kisha përfytyruar kurrë jetën time pa të.
Të Kuptuarit e Planit
Pasi ajo ndërroi jetë, nganjëherë uroja të vdisja dhe vetë. Më vinin mendime për t’i dhënë fund jetës. Por shpejt shkova në një aktivitet të kunjit për rininë ku morëm një mësim rreth planit të shpëtimit.
Kisha dijeni për planin e shpëtimit, por ndoshta të kuptuarit tim për të ishte paksa i mjegullt për shkak të asaj që i ndodhi gjyshes sime. Teksa mbaja vesh, mendoja: “I kam harruar bekimet e flijimit të Jezu Krishtit për mua”.
Kuptova se Jezu Krishti vdiq për të më shpëtuar. Nuk duhet t’i jap fund jetës për shkak të shqetësimeve që po has. Plani i lumturisë më jep shpresë që mund ta shoh gjyshen time përsëri një ditë, sepse jeta nuk mbaron kur vdesim. Më nevojitet të vazhdoj ta ndjek Shpëtimtarin që të mund ta shoh atë përsëri.
Gjetja e Forcës në Tempull
Pasi më vdiq gjyshja, kushërira ime erdhi të jetonte me mua dhe u bë kujdestarja ime. Kushërirat e mia janë mikeshat e mia më të mira, por ndryshimi ishte gjithsesi vërtet i vështirë. M’u desh të mësoja që të bëja të gjitha punët e shtëpisë që i bënte gjyshja. Më duhej të zgjohesha vetë për në shkollë dhe të kujdesesha për shtëpinë.
Peshkopi im gjithmonë kishte folur rreth mbështetjes te vetja, prandaj bëra kërkime për këtë në Gospel Library [Bibliotekën e Ungjillit]. Më ndihmoi që të mësoja se si të isha e pavarur.
Gjithashtu ende jam në kontakt me babanë tim. Një ditë patëm një debat. Vërtet po hasja vështirësi me atë debat, por papritur erdhi një mundësi për të shkuar në një udhëtim në tempull me rininë. Ndërsa isha brenda në tempull, ndjeva paqe. Nuk mendova për problemet në shtëpi. Nuk mendova rreth zemërimit që kisha ndaj babait tim. Mendova për gjërat që mund t’i bëja për ta ndihmuar. Mendova rreth të qenit një shembull i mirë. Mendova rreth gjërave të përjetshme, rreth vulosjes me prindërit e mi në tempull një ditë. Vendosa t’i kërkoj falje babait tim që u grinda me të.
Savior with Children [Shpëtimtari me Fëmijët], nga Michael Malm
Mbështetja te Shpëtimtari Im
Kam mësuar të përqendrohem gjithmonë te Jezu Krishti dhe Ati Qiellor. Prej tyre e marr forcën dhe mbaj në mendje se Ata kujdesen për mua dhe më dalin në krah.
Të kuptuarit e planit të shpëtimit, veçanërisht të Shlyerjes së Shpëtimtarit, më ndihmoi t’i mposhtja mendimet e mia për vetëvrasje. Më ndihmon të ndiej paqe teksa e jetoj jetën. Më jep shpresë se mund ta takoj gjyshen në anën tjetër të velit përsëri një ditë.
Jezu Krishti është shpresa për ta vazhduar jetën time edhe pse kam shumë sfida. Dashuria e Tij për mua është pa mbarim. Ai është rrezja e dritës në jetën time. Kur është stuhi ose shi, Ai është pranë. Ai është Shpëtimtari im. Ai është shtëpia ime. Ai është jeta ime. Ai më jep shtysë të bëj përpara. Ai është njëra nga arsyet pse më pëlqen të jetoj.
Autorja jeton në Iloilo, Filipine.