“Isaia 58:1–12: Fuqia e Agjërimit dhe e Lutjes”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Isaia 58:1–12: Fuqia e Agjërimit dhe e Lutjes”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Isaia 58–66: Mësimi 126
Isaia 58:1–12
Fuqia e Agjërimit dhe e Lutjes
Zoti na ka kërkuar të agjërojmë. Çfarë mendon për këtë urdhërim? Judenjtë menduan se Zoti nuk e pranoi agjërimin e tyre. Nëpërmjet Isaias, Zoti i dha mësim njerëzve në lidhje me agjërimin e duhur. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë për të agjëruar sipas mënyrës së Zotit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin mënyrën se si ndihen rreth agjërimit dhe përse. Ata mund t’i kërkojnë edhe një prindi ose shoku të mirëbesuar të tregojë mendimet dhe ndjenjat e tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Agjërimi
Për të ndihmuar që nxënësit të përgatiten për të mësuar rreth agjërimit, merreni parasysh të bëni sa vijon. Ndërsa e diskutoni këtë temë, përpiquni të krijoni një atmosferë ku nxënësit mund të shprehen haptazi pa presion ose gjykim.
Imagjino sikur një të diel në mëngjes ti je gati për të ngrënë mëngjesin, kur kujtohesh se është e diela e agjërimit.
-
Cilat janë mendimet e para që të vijnë në mendje?
Nëse është e nevojshme, jepni shpjegimin vijues të agjërimit nga Manuali i Përgjithshëm:
“Zoti e ka vendosur ligjin e agjërimit dhe të ofertave të agjërimit për t’i bekuar njerëzit e Tij dhe për të siguruar një mënyrë që ata t’u shërbejnë njerëzve nevojtarë. …
Agjërimi mund të bëhet në çdo kohë. Sidoqoftë, anëtarët zakonisht zbatojnë Shabatin e parë të muajit si ditë agjërimi. Një ditë agjërimi zakonisht përfshin sa vijon:
Lutjen
Të qëndruarit pa ushqim dhe pije për një periudhë 24‑orëshe (nëse e kanë të mundur fizikisht)
Dhënien e një oferte agjërimi bujare
Një ofertë agjërimi është një dhurim për të ndihmuar njerëzit nevojtarë. Kur anëtarët agjërojnë, ata ftohen të japin një ofertë që është të paktën e barabartë në vlerë me vaktet që nuk kanë ngrënë. Anëtarët nxiten të jenë bujarë dhe të japin më shumë sesa vlera që mund të kenë këto vakte.” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 22.2.2., Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit])
Ndalu një çast për të përsiatur se si ndihesh në lidhje me agjërimin ndërsa reflekton mbi pyetjet vijuese:
-
Si ndihesh në lidhje me agjërimin? Përse?
-
Nëse ke agjëruar më parë, çfarë ke mësuar rreth Zotit dhe agjërimit nga përvoja jote?
-
Çfarë shqetësimesh ose pyetjesh ke rreth agjërimit?
Ndërsa studion sot, kërko udhërrëfimin e Zotit për të të ndihmuar për çdo shqetësim që ke dhe për të ndier një dëshirë për të agjëruar.
Mësimet e Zotit rreth agjërimit
Zoti e udhëzoi Isaian t’i shpallte me guxim mëkatet e shtëpisë së Izraelit. Për shembull, ata dukshëm kryenin praktika fetare, duke përfshirë agjërimin, me qëllimin e gabuar.
Merreni parasysh të shpjegoni ose të paraqitni çdo informacion vijues që mund t’i ndihmojë nxënësit ndërsa i lexojnë vargjet më poshtë:
-
“Xunkthi” (vargu 5) është një bar i gjatë, i hollë që përkulet.
-
“Thesi” (vargu 5) është material i ashpër që njerëzit e vishnin në lashtësi për të simbolizuar përulësinë ose vuajtjen e tyre. Ata e spërkatnin veten edhe me hir për të njëjtën arsye.
Lexo tek Isaia 58:3–5, duke kërkuar përgjigjet për këto dy pyetje:
-
Për çfarë e pyetën njerëzit Zotin rreth agjërimit të tyre?
-
Çfarë u tha Zoti njerëzve se e kishin bërë pasaktësisht në lidhje me agjërimin e tyre?
Ftojini nxënësit të japin përgjigjet e tyre dhe atë që u bëri përshtypje. Nëse është e nevojshme, vini në dukje se, ndërsa Izraeli agjëronte, ata kërkonin kënaqësinë e tyre (vargu 3), e shihnin agjërimin si një pikëllim (vargjet 3, 5) dhe i trajtonin keq të tjerët (vargjet 3–4).
-
Si mund të bëjmë gabime të ngjashme ndërsa agjërojmë?
Shpjegoni se Zoti synon që ne të agjërojmë ndryshe nga këta njerëz. Ai synon që ne të agjërojmë me një qëndrim të përulur, qëllim dhe paramendim të vërtetë (shihni te Psalmeve 35:13; Joel 2:12; Jona 3:4–10; Mateu 6:16–18; Alma 5:46; 6:6;17:3, 9).
-
Përse mendon se Zoti dëshiron që ne të agjërojmë me përulësi, me qëllim të drejtë të caktuar dhe me paramendim të vërtetë?
Premtimet e Zotit
Merreni parasysh të shkruani sa vijon në tabelë: Nëse agjërojmë sipas mënyrës që synon Zoti, atëherë…
Lexo tek Isaia 58:6–12, duke kërkuar qëllimet dhe bekimet që u premton Zoti atyre që agjërojnë sipas qëllimit të Tij. Ju mund të doni t’i shenjoni ato.
Isaia 58:6–7 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Kërkojuni nxënësve ta plotësojnë fjalinë në bazë të studimit të tyre. Ata mund t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në tabelë. Në vijim janë disa shembuj:
-
Ai do të thyejë zgjedhën e ligësisë ose të mëkatit mbi ne (shihni tek Isaia 58:6).
-
Ai do të heqë barrët e rënda (shihni tek Isaia 58:6).
-
Ne do të kujdesemi për të varfrit dhe nevojtarët (shihni tek Isaia 58:7).
-
Ai do të na bekojë me dritë dhe shëndet (shihni tek Isaia 58:8).
-
Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona (shihni tek Isaia 58:9).
Bekimet e agjërimit
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë bekimet që përcaktuan, ftojini ata të përzgjedhin një ose dy nga situatat vijuese:
-
Një i ri është i stresuar për detyrat e shkollës dhe të ardhmen e tij.
-
Një e re mendon se nuk mund të jetë më kurrë e pastër për shkak të mëkateve të saj.
-
Një e re po lutet për të ditur nëse Kisha është e vërtetë, por e ka të vështirë të marrë një përgjigje.
-
Një e re dëshiron t’i ndihmojë të varfrit.
-
Një i ri përballet me një sfidë që nuk e di nëse mund ta kapërcejë.
Gjej një frazë nga Isaia 58:6–12 që mund ta shtyjë personin në situatë që të agjërojë dhe të lutet për ndihmën e Perëndisë. (Disa situata mund të kenë më shumë se një frazë të zbatueshme.)
Në grupe të vogla ose si klasë, ftojini nxënësit t’i tregojnë situatat që përzgjodhën dhe frazat që mund t’i ndihmojnë dhe përse.
Mund t’i ftoni ata të tregojnë edhe situata të tjera në të cilat mund të jenë të dobishme bekimet që Zoti premtoi në këto vargje ose të pyesin nëse ndonjëri prej këtyre bekimeve ishte veçanërisht kuptimplotë për ta dhe përse.
-
Si mund të të sjellin më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit agjërimi për bekime dhe marrja e tyre?
Shembuj të agjërimit dhe pagimi i ofertave të agjërimit
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë shembullin e Shpëtimtarit, shpjegoni se Ai agjëroi dhe dha mësim rreth agjërimit ndërkohë që edhe e jetonte parimin. Ai agjëroi para shërbesës së tij tokësore (shihni te Mateu 4:1–2 dhe vini re se Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 4:1 e përshtat frazën “që djalli ta tundonte” në “për të qenë me Perëndinë”). Ai dha gjithashtu mësimin se disa ndikime të liga largohen vetëm “me anë të lutjes dhe të agjërimit” (Mateu 17:19, 21).
Merreni parasysh të jepni shembullin vijues të ditëve të sotme të agjërimit dhe pyetini nxënësit se çfarë u pëlqeu ose mësuan prej tij:
-
“Fast Offerings: A Simple Commandment with a Marvelous Promise” [“Ofertat e Agjërimit: Një Urdhërim i Thjeshtë me një Premtim të Mrekullueshëm”] (3:01): Presidenti Henri B. Ajring tregon për përvojën e një gruaje me ofertat e agjërimit në Sierra Leone gjatë një lufte.
Ftojini nxënësit t’i përsiatin për disa çaste përvojat e tyre me agjërimin, si edhe pyetjet vijuese:
-
Çfarë bekimesh të ka dhënë Zoti ty ose atyre që ti njeh për shkak të agjërimit?
-
Si e bën ose mund ta bësh agjërimin tënd më kuptimplotë?
Merreni parasysh të jepni edhe përvojat tuaja.
Ndjenjat e tua në lidhje me agjërimin
Merre parasysh çdo mbresë që ke marrë nëpërmjet Frymës së Shenjtë gjatë këtij mësimi ndërsa shkruan në ditarin tënd të studimit mënyrën se si ndihesh në lidhje me agjërimin. Mund të zgjedhësh të përfshish bekime nga Zoti që ti i dëshiron në jetën tënde dhe përse.
Mësoni Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargjet tek “Isaia 58:6–7” është “bekimet e një agjërimi siç duhet”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.