“Ushtrimi 8 i Zotërimit Doktrinor: Zbatoni të Vërtetat në Fragmentet e Zotërimit Doktrinor dhe Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Ushtrimi 8 i Zotërimit Doktrinor: Zbatoni të Vërtetat në Fragmentet e Zotërimit Doktrinor dhe Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Isaia 40–49: Mësimi 122
Ushtrimi 8 i Zotërimit Doktrinor
Zbatoni të Vërtetat në Fragmentet e Zotërimit Doktrinor dhe Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore
Zotërimi doktrinor mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndërtojnë jetën e tyre mbi themelin e Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i zbatojnë të vërtetat që gjenden në fragmentet e zotërimit doktrinor dhe parimet hyjnore të marrjes së njohurisë shpirtërore.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të kërkojnë fragmentet e zotërimit doktrinor dhe të zgjedhin dy ose tre fragmente që ata ndiejnë se mund të gjejnë zbatim në pothuajse çdo situatë me të cilën mund të përballet një adoleshent.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përsëritja e zotërimit doktrinor: Zbato
Merreni parasysh t’i jepni çdo nxënësi një copë të vogël letre. Ftojini ata të shkruajnë një përshkrim të shkurtër të një situate të vështirë me të cilën po përballet dikush që ata njohin dhe më pas ta vendosin letrën e tyre në një enë të vogël. Kërkojuni nxënësve të mos përfshijnë emra ose hollësi që janë tepër vetjake pasi letrat e tyre do të lexohen nga nxënës të tjerë.
Më pas, vendosini nxënësit në dyshe. Vëreni secilën dyshe të zgjedhë dy letra nga ena e vogël dhe të plotësojë tre hapat më poshtë.
-
Përsëriti fragmentet e zotërimit doktrinor nga Dhiata e Vjetër duke përdorur listën te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).
-
Diskuto mënyrën se si fragmente të ndryshme mund të zbatohen në të paktën njërën prej situatave në letrat e tua. (Mund të përdorësh edhe fragmente të zotërimit doktrinor nga libra të tjerë të shkrimit të shenjtë.)
-
Trego mënyrën se si zbatimi i mësimeve në ato fragmente mund ta forcojë marrëdhënien e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini dyshet që t’i tregojnë klasës për atë që diskutuan.
Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë për të përcaktuar një fragment të zotërimit doktrinor që gjen zbatim për situatën e tyre, mund t’i drejtoni ata te një fragment që mund të zbatohet për shumë situata, të tillë si Fjalët e Urta 3:5–6 ose 2 Nefi 32:3.
Kjo veprimtari duhet të zgjatë vetëm 10–15 minuta për t’u dhënë nxënësve kohë të mjaftueshme për t’i mësuar dhe zbatuar parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për pjesën e mbetur të mësimit.
Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore
Pjesa e mbetur e mësimit ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit që t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në një situatë reale.
Merreni parasysh të paraqitni figurën e një të reje dhe skenarin më poshtë.
Skenari mund të duket më realist nëse i lini pjesët e nënvizuara bosh dhe i ftoni nxënësit t’i plotësojnë hapësirat bosh me doktrinën dhe standardet e Kishës që kanë lidhje me jetën e tyre.
Kur Julia ishte fëmijë, hamendësonte se shumica e njerëzve binin dakord me mësimet e Jezu Krishtit që ajo mësonte në shtëpinë e saj dhe në kishë. Tani që është në shkollë të mesme, i duket si e kundërta. Shumica e njerëzve që njeh duket se nuk bien dakord me doktrinën dhe standardet që jepen mësim në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.
Për shembull, shumë prej shokëve të saj të klasës tallen me besimin e saj te profetët e gjallë; madje disa prej shokëve të saj nuk mund ta kuptojnë arsyen përse ajo zgjedh të mos marrë pjesë në veprimtari dhe zbavitje imorale.
Disa nga nxënësit tuaj mund të mos e gjejnë veten te Julia. Mund t’u kërkoni vullnetarëve që kanë përjetuar një situatë të ngjashme të përshkruajnë mënyrën se si ndihen dhe çfarë e bën të vështirë përballjen me të. Mund të vini në dukje se, pavarësisht nëse ata kanë pasur ose jo përvoja të ngjashme me të Julias, qëllimi i skenarit është t’i lejojë ata të ushtrojnë përdorimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinën që kanë mësuar kohët e fundit.
Kërkojuni nxënësve të përsëritin parimet në paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, duke kërkuar parimet që mund ta ndihmojnë dikë që po përjeton një situatë të ngjashme me të Julias.
Kur nxënësit ta mbarojnë përsëritjen, jepuni atyre mjaft kohë për të diskutuar parimet që ata mendojnë se mund ta ndihmojnë Julian.
Bazuar në diskutimin e tyre, ju mund të zgjidhni pjesë nga materiali i mbetur i mësimit, që mund t’i ndihmojnë nxënësit tuaj t’i kuptojnë më mirë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.
Vepro me besim
Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet vijuese dhe t’i ftoni nxënësit t’i diskutojnë përgjigjet e tyre në grupe të vogla. Lëvizni nëpër klasë dhe dëgjojini diskutimet e tyre duke shtuar pikëpamje ose udhëzim sipas nevojës.
-
Në ç’mënyrë mund të jetë situata e Julias një mundësi për të forcuar besimin e saj te Jezu Krishtin dhe zotimin ndaj Kishës së Tij?
-
Çfarë mund të ndihet e tunduar të bëjë, që mund ta çojë atë larg nga Jezu Krishti?
-
Si do të sugjeroje që t’i përballonte ato tundime me besimin te Jezu Krishti?
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm
Udhëzimet vijuese i lejojnë nxënësit ta tregojnë atë që gjetën. Para se të jepni secilin hap vijues, prisni derisa ata ta kenë përfunduar secilin hap.
(Përveç përsëritjes së paragrafit 8 te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor te hapi 1, ju mund t’u jepni nxënësve edhe disa minuta për të studiuar pjesën “Këshillohuni me Burime të Besueshme” të materialit Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Tuaja [Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], Tema dhe Pyetje].)
-
Shëno në ditarin tënd të studimit një thënie nga fragmenti 8 i pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor që ti mendon se mund ta ndihmojë Julian dhe arsyen përse.
-
Lëviz rreth e qark dhomës dhe gjej një nxënës tjetër që zgjodhi të njëjtën thënie si ti. Diskuto mënyrën se si ajo mund ta ndihmojë Julian.
-
Shtoji në faqen e ditarit tënd pikëpamjet kuptimplota që të tregoi nxënësi tjetër.
-
Lëviz rreth e qark dhomës përsëri dhe gjej një nxënës që zgjodhi një thënie të ndryshme nga ajo që zgjodhe ti. Trego pikëpamjet nga ditari yt.
Kur nxënësit ta përfundojnë veprimtarinë, mund t’u kërkoni vullnetarëve të tregojnë pikëpamjet që u mësuan shokët e tyre të klasës. Mund t’i ftoni gjithashtu të shënojnë çdo mbresë që mund të kenë marrë për jetën e tyre.
Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore
Shtimi i sa vijon në skenarin e Julias mund t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten për të diskutuar rëndësinë e burimeve ku drejtohemi në jetën tonë.
Meqë kaq shumë njerëz nuk bien dakord me të, Julia fillon të pyesë veten nëse doktrina dhe standardet që na mëson Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë vërtet nga Perëndia.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të diskutojnë për nxitjet në vijim me një partner.
-
Njerëzit dhe burimet që përdor Julia për të gjetur informacion janë të rëndësishme për shkak se …
-
Do ta këshilloja Julian të kërkonte përgjigje duke u drejtuar te … dhe të mos kërkonte përgjigje duke u drejtuar te …
Kur partnerët të mbarojnë së diskutuari, ftoni vullnetarë t’ia tregojnë klasës atë që diskutuan. Mund t’u kërkoni nxënësve të tregojnë arsyen përse u përgjigjën në atë mënyrë. Merreni parasysh t’i ndihmoni nxënësit të kuptojnë se burimet ku ata drejtohen mund t’i çojnë më afër ose më larg nga Ati Qiellor.
Për t’u dhënë nxënësve mundësinë të ushtrojnë kuptueshmërinë e mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore, partnerët gjithashtu mund të gjejnë dhe të tregojnë fragmente të zotërimit doktrinor që mund ta ndihmojnë Julian. Shembujt e fragmenteve që ata mund të përdorin përfshijnë: Jozueut 24:15; Fjalët e Urta 3:5–6; Isaia 5:20; Mateu 5:14–16; dhe Doktrina e Besëlidhje 6:36.
Zbatimi në planin vetjak
Mund ta përfundoni orën mësimore duke i ftuar nxënësit t’i përgjigjen plot lutje njërës prej pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit. Inkurajojini ata t’i kushtojnë vëmendje mbresave nga Fryma e Shenjtë ndërsa përsiatin dhe shkruajnë.
-
Çfarë mendon se Ati Qiellor do të donte që të bëje me atë që mësove ose ndjeve sot?
-
Si mund të ndikojë zgjedhja për t’i ndjekur parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në jetën tënde në marrëdhënien që ke me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?