“Isaia 40–43: Perëndia Ngushëllon Popullin e Tij”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Isaia 40–43: Perëndia Ngushëllon Popullin e Tij”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Isaia 40–49: Mësimi 119
Isaia 40–43
Perëndia Ngushëllon Popullin e Tij
Perëndia nuk do ta braktisë popullin e Tij të besëlidhjes. Nëpërmjet profetit të Tij Isaia, Perëndia i ngushëlloi ata që përfundimisht do të merreshin robër në Babiloni. Perëndia na ofron neve, popullit të Tij të besëlidhjes sot, të njëjtat fjalë ngushëllimi: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty” (Isaia 41:10). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë ngushëllimin e Perëndisë.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë ose të dëgjojnë fjalët e disa ose të gjithë strofave te himni “Sa i Fort’ një Themel” (Himne). Kërkojuni atyre të përcaktojnë fjalët ose frazat ngushëlluese dhe të vijnë në orën mësimore të përgatitur për të folur.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Frika nuk është gjë e re
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke paraqitur thënien dhe pyetjen vijuese. Nxënësit mund të ftohen t’i renditin përgjigjet e tyre në tabelë.
Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi vëzhgimin e mëposhtëm:
“Frika nuk është gjë e re. Në Detin e Galilesë, dishepujt e Jezu Krishtit u frikësuan nga ‘një furtunë e madhe dhe valët’ në errësirën e natës (Marku 4:37). Si dishepujt e Tij sot, edhe ne kemi frikë.” (“Mos u Shqetësoni”, Liahona, nëntor 2018, f. 18)
-
Nga çfarë mund të kenë frikë njerëzit anembanë botës, duke përfshirë dishepujt e Jezu Krishtit?
Pasi nxënësit të kenë renditur arsyet e frikës, jepni pjesën e mbetur të thënies së Plakut Rasband, që përfshin frikën që ai ka parë në botën sot. Mund t’i shtoni disa nga këto te lista në tabelë.
Plaku Rasband vazhdoi:
“Të rinjtë tanë në moshë madhore beqarë kanë frikë të bëjnë zotime të tilla si martesa. Çiftet e martuara që të rinj … mund të kenë frikë të lindin fëmijë në një botë gjithnjë e më të ligë. Misionarët kanë frikë për shumë gjëra, veçanërisht që t’u afrohen njerëzve të panjohur. Të vejat kanë frikë ta vazhdojnë jetën vetëm. Adoleshentët kanë frikën se nuk pranohen nga bashkëmoshatarët; nxënësit kanë frikë ditën e parë të shkollës; studentët në universitete kanë frikë kur u jepet vlerësimi i një provimi. Ne kemi frikë nga dështimi, refuzimi, zhgënjimi dhe e panjohura. Ne kemi frikë nga uraganet, tërmetet dhe zjarret që e shkatërrojnë tokën dhe jetën tonë. Ne kemi frikë se nuk do të na zgjedhin dhe, nga ana tjetër, kemi frikë kur na zgjedhin. Ne kemi frikë se nuk jemi të mirë sa duhet; kemi frikë se Zoti nuk ka bekime për ne. Ne kemi frikë nga ndryshimi dhe frika jonë mund të shtohet deri në panik. A e kam përfshirë pothuajse çdo njeri?” (“Mos u Shqetësoni”, Liahona, nëntor 2018, f. 18)
-
Çfarë pasoje mund të ketë frika jonë tek ne?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të reflektojnë nëse mund ta gjejnë veten tek arsyet e frikës që janë renditur ose të mendojnë për frikën e tyre. Jepni kontekstin vijues për t’i ndihmuar nxënësit të shohin rrethanat që mund t’u kenë shkaktuar frikë izraelitëve.
Isaia profetizoi për shkatërrimin dhe robërinë që do të vinte mbi Izraelin dhe Judën. Duke filluar tek Isaia 40, Perëndia e frymëzoi Isaian t’u shkruante judenjve në të ardhmen e largët që do të banonin në robëri.
-
Cilat mund të jenë arsyet e frikës ose shqetësimet me të cilat mund të përballet një person në robëri?
Lexo tek Isaia 40:1–2, duke kërkuar mesazhin që Perëndia e udhëzoi Isaian t’i jepte popullit të Tij të besëlidhjes.
-
Për cilat tipare ose karakteristika të Perëndisë mëson nga këto vargje?
Jepni dëshminë tuaj që Perëndia e ngushëllon popullin e Tij të besëlidhjes në kohën tonë. Merreni parasysh të paraqitni figurën vijuese. Nxënësit mund të vizatojnë këtë, ose diçka të ngjashme, në ditarët e tyre të studimit. Ftojini ata të bëjnë shenja në vizatimin e tyre për t’iu përgjigjur pyetjeve shoqëruese.
Frika Ngushëllimi
-
Në përgjithësi, ku do t’i vendosje në këtë shkallë ndjenjat e tua për jetën tënde tani?
-
Ku do t’i vendosje ndjenjat e tua për të ardhmen?
Ndërsa studion, kërko atë që jep mësim Perëndia që mund të të ndihmojë ta përjetosh më shumë ngushëllimin e Tij. Nëse lexon ose dëgjon diçka që mendon se mund të të sjellë ngushëllim, ato mendime mund të jenë Fryma e Shenjtë që komunikon me ty. Merre parasysh t’i shënosh këto ide afër vizatimit në ditarin tënd të studimit.
Perëndia e ngushëllon popullin e Tij
Për të ndihmuar popullin e Tij të besëlidhjes që të gjejë ngushëllim, Perëndia e frymëzoi Isaian të jepte mësim shumë gjëra rreth Tij tek Isaia 40–43. Ti do të kesh mundësinë të përcaktosh disa nga këto të vërteta dhe të marrësh parasysh se si ato mund ta ndihmojnë dikë që ka frikë të gjejë ngushëllim.
Paraqitni udhëzimet vijuese dhe shpjegoni se nxënësit do të kenë mundësinë ta përfundojnë këtë veprimtari më vonë gjatë mësimit.
Duke përdorur një fragment nga Isaia, krijo një mesazh të shkurtër që mund ta ngushëllojë dikë që ka frikë. Përfshije secilën nga gjërat vijuese:
Hapi 1. Fjalë ose fraza nga fragmenti që mund ta ndihmojë dikë të ndihet i/e ngushëlluar nga Perëndia. Përmblidhi këto në një pohim të thjeshtë të vërtete.
Hapi 2. Një shkrim i shenjtë, himn, ose thënie nga një udhëheqës i Kishës për t’i përkrahur mësimet në këtë fragment.
Hapi 3. Një përvojë vetjake ose shembull bashkëkohor që ilustron mënyrën se si kjo njohuri rreth Perëndisë mund të sjellë ngushëllim.
Modeli
Para se nxënësit ta përfundojnë këtë veprimtari, shpjegoni se ju do të siguroni një model duke përdorur vargjet tek Isaia 41:10–14. Sa vijon është një mënyrë se si mund t’i përshtatni këto hapa. Vazhdoni t’i paraqitni të tre hapat dhe jini shumë të qartë me nxënësit se kur po e demonstroni secilin hap.
Lexo tek Isaia 41:10–14, duke kërkuar fjalët e ngushëllimit të Perëndisë për popullin e Tij të besëlidhjes. Vër re se fjala krimb te vargu 14 mund të nënkuptojë i bindur dhe i përulur.
Hapi 1
-
Cilat fjalë ose fraza mendon se mund të jenë ngushëlluese? Përse?
-
Si do t’i përmblidhje ato në një pohim të thjeshtë të vërtete?
Me fjalët e tyre, nxënësit mund të kenë përcaktuar diçka të tillë si: Ne nuk duhet të kemi frikë, sepse Perëndia do të jetë me popullin e Tij të besëlidhjes dhe do ta forcojë atë.
Hapi 2
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë këtë të vërtetë, merreni parasysh të këndoni ose të dëgjoni këngën “Sa i Fort’ një Themel” (Himne) si klasë. Ftojini nxënësit të kërkojnë dhe të tregojnë fjalët ose frazat që u duken ngushëlluese. Në varësi të kohës, mund të këndoni vetëm strofën 3 dhe 7. Mund edhe t’i ftoni nxënësit ta lidhin vargun tek Isaia 41:10 me vargun 3 të këtij himni te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
-
Si mund të na ndihmojë që të mos kemi frikë njohuria se Perëndia do të jetë me ne dhe do të na forcojë?
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi se si marrëdhënia jonë me Zotin mund të na ndihmojë të mos kemi frikë:
“Edhe me ndikimet gjithnjë e në rritje të gjërave të botës përreth nesh, nuk nevojitet të kemi frikë. Zoti kurrë nuk do ta braktisë popullin e Tij të besëlidhjes. Ka një fuqi shpërblyese të dhuratave shpirtërore dhe drejtimit hyjnor për të drejtët. Ky bekim i shtuar i fuqisë shpirtërore, gjithsesi, nuk na jepet thjesht ngaqë jemi pjesë e këtij brezi. Ai vjen kur ne e forcojmë besimin tonë te Zoti Jezu Krisht dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, kur arrijmë ta njohim Atë dhe ta duam Atë.” (Nil L. Andersen, “Afrimi më Shumë me Shpëtimtarin”, Liahona, nëntor 2022, f. 73–74)
Hapi 3
-
Kur e ke ndier se Perëndia ishte me ty ose të kishte forcuar?
Mesazhe ngushëllimi
Jepuni nxënësve kohë për të përgatitur mesazhin e tyre të shkurtër të ngushëllimit. Ata mund ta bëjnë këtë individualisht ose me një partner.
Përzgjidh njërin prej grupeve vijuese të vargjeve. Krijo një mesazh të shkurtër që mund ta ngushëllojë dikë që ka frikë. Ndiqi të tre hapat për ta bërë këtë.
Isaia 40:9–11
Isaia 40:28–31
Isaia 41:17–20
Isaia 42:5–7
Isaia 43:1–2
Isaia 43:25–26
Kur nxënësit të jenë gati, ftojini t’ua japin mesazhet e tyre të ngushëllimit grupeve ose tërë klasës. Nëse nxënësit flasin për një himn si pjesë të mesazhit të tyre, mund t’i ftoni të përzgjedhin një strofë që e përkrah atë që treguan. Këndojeni atë strofë së bashku si klasë. Mund ta përsëritni këtë, në varësi të kohës që keni në dispozicion.
Përfundimi
Jepuni nxënësve kohë për të reflektuar mbi atë që kanë mësuar rreth Perëndisë që mund t’u sjellë atyre ngushëllim. Kujtojuni atyre se këto ide mund të jenë frymëzuar nga Fryma e Shenjtë, që na mëson dhe dëshmon për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ftojini nxënësit t’i shënojnë mendimet e tyre në ditarët e studimit.