“Isaia 44–47: ‘Përveç Meje Nuk Ka Perëndi’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Isaia 44–47: ‘Përveç Meje Nuk Ka Perëndi’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Isaia 40–49: Mësimi 120
Isaia 44–47
“Përveç Meje Nuk Ka Perëndi”
Çdo ditë ne përballemi me ndikime që e sfidojnë përkushtimin tonë ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Përballë tundimeve të ngjashme, disa izraelitë në kohën e Isaias u kthyen tek adhurimi i burimeve të tjera. Si përgjigje, Zoti me dashuri por qartësisht i paralajmëroi izraelitët kundër adhurimit të perëndive të rreme. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta vendosin Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin para kujtdo ose çfarëdo gjëje tjetër në jetën e tyre.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth asaj që kanë mësuar gjatë gjithë studimit të tyre të Dhiatës së Vjetër. Më pas, ftojini të përsiatin: “Në ç’mënyrë ajo që kam mësuar rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit e ka rritur dëshirën time për t’i vendosur Ata të parët në jetën time?”
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Adhurimi i heroit
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke bërë pyetjen vijuese.
-
Nëse do t’u bëje një anketë adoleshentëve në zonën tonë rreth heronjve të tyre, kë mendon se mund të përfshijnë ata?
Më pas ftojini nxënësit të bëjnë sa vijon në ditarët e tyre të studimit.
Bëj një listë të heronjve të tu personalë. Vendos një yll pranë atyre që duket se kanë ndikimin më të madh në jetën tënde.
Peshkopi W. Kristofer Uadell, i Peshkopatës Kryesuese, dha këshillën vijuese rreth heronjve tanë.
“Kur isha djalë i vogël, heronjtë e mi të parë ishin atletët. Kujtimet e mia më të hershme janë koleksionimi i kartave të bejsbollit me fotografitë dhe statistikat e lojtarëve të Ligës Kryesore të Bejsbollit. ‘Adhurimi i heronjve’ kur je fëmijë mund të jetë argëtues dhe i pafajshëm, si për shembull kur fëmijët vishen si superheronjtë e tyre të parapëlqyer për festën e Hallouinit. Ndonëse i admirojmë dhe i respektojmë shumë burra e gra të talentuara dhe mbresëlënëse për aftësitë dhe kontributet e tyre, shkalla me të cilën ata nderohen, nëse kalohet në tepri, mund të jetë e barasvlershme me fëmijët e Izraelit që adhuronin një viç të artë në shkretëtirën e Sinait. …
Heroi, heroi ynë, tani dhe përgjithmonë, është Jezu Krishti dhe çdo gjë ose çdokush që na shpërqendron nga mësimet e Tij, siç gjenden në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve të gjallë, mund të ndikojë negativisht te përparimi ynë në shtegun e besëlidhjeve.” (“Më Shumë se një Hero”, Liahona, nëntor 2023, f. 90)
-
Çfarë të bën përshtypje nga mesazhi i Peshkopit Uadell?
Për t’i ndihmuar nxënësit të vlerësojnë se ku e vendosin Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në jetën e tyre, mund t’i ftoni ata t’i rikthehen listës së tyre të heronjve ndërsa përsiatin në heshtje për pyetjet vijuese.
-
A të shpërqendron ndonjë nga heronjtë në listën tënde nga adhurimi i Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
A ka interesa, veprimtari ose sende që mund të të shpërqendrojnë nga adhurimi i Tyre?
Ndërsa nxënësit përgatiten për t’i studiuar mësimet e Isaias sot, ftojini ata të mbajnë vesh për mbresa nga Fryma e Shenjtë rreth mënyrave se si ata mund t’i vendosin Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin të parët në jetën e tyre.
Asnjë Perëndi tjetër
Shpjegoni se fëmijët e Izraelit në kohën e Isaias e patën të vështirë ta vendosnin Zotin të parin në jetën e tyre. Përkundrazi, ata u drejtuan te perënditë e rreme, të tilla si idhujt, për ndihmë.
Merreni parasysh t’i ftoni dyshet ose grupet e vogla të lexojnë vargjet vijuese dhe të formulojnë një përmbledhje me një fjali të vetme të asaj që mësuan.
Lexo tek Isaia 44:6, 8 dhe 46:9, duke kërkuar atë që donte Zoti që të kuptonin fëmijët e Izraelit rreth përqendrimit të adhurimit të tyre.
Ftojini disa nxënës që të tregojnë përmbledhjen e asaj që mësoi grupi i tyre. Nëse ata nuk e thonë vetvetiu, ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me vijuesen: Askush dhe asgjë mbi tokë nuk mund të krahasohet me Jezu Krishtin.
Si pjesë e diskutimit tuaj, mund të vini në dukje se Isaia 44:6 përmban disa tituj për Jezu Krishtin. Ju mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë atë që na mësojnë këta tituj rreth Jezu Krishtit.
Tek Isaia 44–46, Zoti përshkruan adhurimin e perëndive të rreme nga ana e izraelitëve. Ai u kujton njerëzve se ata krijuan, adhuruan dhe iu lutën idhujve të bërë prej të njëjtit dru që ata përdornin për të ndezur zjarr dhe për të gatuar ushqim. Kur izraelitët u çuan në robëri, kafshët e tyre e patën të vështirë t’i tërhiqnin karrocat e rënduara nga idhujt e tyre të rëndë të bërë nga dora e njeriut.
Lexo tek Isaia 44:14–19 dhe Isaia 46:1–2, duke kërkuar përshkrimin e Zotit për idhujt e lashtë që mund të gjejë zbatim për gjërat që i shpërqendrojnë njerëzit nga Zoti në kohën tonë. (Mund të jetë e dobishme të dini se dy nga idhujt që ata adhuruan quheshin Bel dhe Nebo.)
-
Çfarë gjete?
Ju mund të shkruani frazën: “Do të bie përmbys përpara një cope druri?” (Isaia 44:19) në tabelë. Kërkojuni nxënësve ta tregojnë kuptimin e kësaj pyetjeje me fjalët e tyre.
Më pas fshijeni frazën “një cope druri” nga pyetja, duke lënë “Do të bie përmbys përpara ?”
Ftojini nxënësit të dalin në tabelë dhe ta përfundojnë fjalinë me mënyrat që gjejnë zbatim te njerëzit në kohën tonë.
-
Cili është rreziku i vendosjes së këtyre njerëzve ose gjërave përpara Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Përse mund të jetë e vështirë t’i vendosim gjithmonë të parët Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në jetën tonë?
Vendosja e Jezu Krishtit të parin
Për t’i ndihmuar nxënësit ta vendosin Shpëtimtarin të parin në jetën e tyre, mund të paraqitni një figurë të Jezu Krishtit, të tillë si ajo në fillim të mësimit, në qendër të tabelës. Ndërsa nxënësit bëjnë veprimtarinë vijuese, ata mund t’i shkruajnë tiparet që gjejnë përreth figurës.
Studio të paktën dy nga fragmentet vijuese. Ndërsa i lexon vargjet me ngadalë dhe me kujdes, kërko atë që mund të mësojmë rreth Jezu Krishtit, që na jep vetëbesimin për ta vendosur Atë të parin në jetën tonë.
-
Isaia 44:1–4
-
Isaia 44:21–23
-
Isaia 44:24–25
-
Isaia 45:20–22
-
Isaia 46:3–5
Mund t’u kërkoni nxënësve të shtojnë në tabelë çfarëdo tipari tjetër që dinë rreth Jezu Krishtit nga përvojat e tyre ose nga shkrimet e tjera të shenjta.
Për t’i ndihmuar nxënësit të shprehin mendimet e tyre rreth fuqisë së pakrahasueshme të Jezu Krishtit, mund të bëni pyetjet vijuese.
-
Si mund ta ndihmojë kuptueshmëria për këto të vërteta rreth Jezu Krishtit dikë që i duket e vështirë ta vendosë Atë të parin në jetën e tij?
-
Çfarë përvojash ke pasur që të kanë ndihmuar t’i vendosësh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin të parët në jetën tënde?
Planifikimi për t’i vendosur Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin të parët
Për t’i ndihmuar nxënësit të bëjnë një plan për t’i vendosur Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin të parët në jetën e tyre, mund të përdorni fletushkën e titulluar “Bërja e një Plani”. Inkurajojini ata të mbajnë vesh për mbresa nga Fryma e Shenjtë ndërsa përcaktojnë atë që do të donin të bënin për ta përmbushur synimin e tyre.