“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 7: Jobit – Predikuesit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 7: Jobit – Predikuesit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12: Mësimi 112
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 7
Jobit – Predikuesit
Reflektimi mbi të mësuarit tonë shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të na ndihmojnë të afrohemi më shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të reflektojnë mbi synimet që kanë vendosur dhe rritjen që kanë përjetuar gjatë studimit të tyre të kohëve të fundit të Dhiatës së Vjetër.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë në klasë të përgatitur për të treguar një rrëfim ose mësim nga Dhiata e Vjetër që ka pasur një ndikim në përparimin e tyre shpirtëror.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Studimi i nxënësve tuaj nga Jobit deri te Predikuesit mund të jetë përqendruar në rezultate të ndryshme nga ato që vlerësohen në këtë mësim. Nëse është kështu, përshtatini veprimtaritë për të vlerësuar rritjen që kanë përjetuar nxënësit nga rezultatet ku u përqendruan në orën mësimore.
Në këtë mësim, nxënësit do të kenë mundësinë të vlerësojnë përparimin e tyre në fushat vijuese:
-
Të shpjegojnë Ringjalljen si pjesë e planit të Atit Qiellor. (Shënim: Kjo veprimtari bazohet te mësimet nga Mësimi 98: “Jobit 14, 19”.)
-
Të ndiejnë një dëshirë më të madhe për ta adhuruar Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. (Shënim: Kjo veprimtari bazohet te një sugjerim nga Mësimi 101: “Hyrje te Libri i Psalmeve, Pjesa 2”. Mësime të tjera nga libri i Psalmeve dhe libra të ndryshëm në Dhiatën e Vjetër mund t’i kenë ndihmuar gjithashtu nxënësit ta shtojnë dëshirën e tyre për të adhuruar Zotin.)
-
T’i studiojnë shkrimet e shenjta vetë rregullisht. (Shënim: Kjo veprimtari bazohet te mësimet nga Mësimi 107: “Psalmeve 119”. Edhe nëse klasa nuk e studioi atë mësim specifik, ftesa periodike që nxënësit ta vlerësojnë studimin e tyre të shkrimeve të shenjta mund t’i ndihmojë ata në përparimin e tyre shpirtëror.)
Kontrolle të rregullta
Për ta filluar mësimin, merreni parasysh t’i ndihmoni nxënësit të shohin vlerën e bërjes së kontrolleve të rregullta të gjërave të rëndësishme, në vend që të përqendrohen tek to vetëm nëse lindin probleme. Nëse doni, mund të paraqitni një figurë të një sendi që ka nevojë për inspektim të rregullt. Ose mund të tregoni një histori vetjake të mënyrës se si u bekuat ndërsa gjetët kohë për të inspektuar diçka.
-
Përse është i rëndësishëm shqyrtimi rregullisht i gjërave vijuese? Çfarë mundet të ndodhë nëse nuk gjejmë kohë për t’i shqyrtuar ato?
-
Automjetet
-
Përparimi drejt marrjes së diplomës së shkollës së mesme
-
Shëndeti fizik (për shembull, sytë, veshët, dhëmbët dhe shëndeti i përgjithshëm)
Mund ta kaloni diskutimin e orës mësimore në gjëra shpirtërore duke bërë pyetje të tilla si:
-
Pse mendoni se është e rëndësishme ta shqyrtojmë periodikisht përparimin tonë shpirtëror?
-
Si mund të jetë e dobishme të vini re përparimin që po bëjmë, si edhe përshtatjet që mund të bëjmë?
Gjej kohë për të shqyrtuar se si studimi yt i Dhiatës së Vjetër të ka ndihmuar të përparosh shpirtërisht këtë vit. Ndërsa e shqyrton përparimin tënd, mund të përsiatësh ose të shkruash përgjigjet e tua për një ose më shumë prej pyetjeve vijuese:
-
Çfarë ke mësuar rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që është e rëndësishme për ty?
-
A ka tregime në shkrimet e shenjta ose mësime specifike që kanë ndikuar tek ti? Nëse po, në ç’mënyrë?
-
A je i/e lumtur me përparimin që po bën? Çfarë ka çuar në këtë pikë, ose çfarë mund të bësh për të të ndihmuar të marrësh rezultatet që kërkon?
Pas kohës për të përsiatur dhe shkruar, ftoni vullnetarë të tregojnë disa nga mendimet dhe mbresat e tyre.
Shpjegoje Ringjalljen si pjesë të planit të Atit Qiellor
Merreni parasysh ta shkruani pyetjen vijuese në tabelë. Në vend që t’i vini nxënësit t’i përgjigjen pyetjes, ftojini ata të tregojnë se kush mund ta bëjë atë pyetje ose në çfarë situatash mund ta bëjë dikush atë.
-
A do të jetojmë përsëri pasi të vdesim?
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se njohuria jonë për Ringjalljen e Jezu Krishtit mund të na ndihmojë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje.
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit ta shpjegojnë atë që kuptojnë rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit. Te Mësimi 98: “Jobit 14, 19”, nxënësit mund të kenë shkruar një paragraf si përgjigje ndaj pyetjes së Jobit: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” (Jobit 14:14.) Ftojini nxënësit ta shqyrtojnë atë paragraf në ditarët e tyre dhe të lexojnë çdo referencë të shkrimit të shenjtë që mund ta kenë përfshirë në përgjigjen e tyre.
Nëse nxënësit nuk shkruan një përgjigje për pyetjen e Jobit, merreni parasysh të jepni referencat vijuese të shkrimeve të shenjta që ata t’i lexojnë.
-
1 Korintasve 15:20–22
Pasi nxënësit të kenë pasur disa minuta për ta shqyrtuar atë që shkruan ose shkrimet e shenjta më lart, ftojini ata të zgjedhin secili një numër nga një deri në katër. Vendosini nxënësit në grupe të vogla me ata që zgjodhën numra të ndryshëm. Ftojini ata t’i tregojnë grupit të tyre mënyrën se si do ta shpjegonin Ringjalljen dhe rolin e Jezu Krishtit në të, në situatën më poshtë që korrespondon me numrin që zgjodhën.
-
Një shok ose shoqe klase në shkollë që është kureshtar/e për atë që jep mësim kisha jonë rreth jetës pas vdekjes
-
Një shok ose shoqe në punë që sapo mësoi se vëllai ose motra e vet ka një sëmundje të pashërueshme
-
Fëmijë të vegjël në një klasë të Fillores
-
Një fjalim i dhënë në funeralin e njërit prej gjyshërve të tu
Pasi nxënësit të kenë pasur mundësinë për të folur me njëri‑tjetrin, mund t’u kërkoni disa nxënësve të gatshëm të tregojnë atë që mësuan nga kjo përvojë. Kjo mund të përfshijë një ide të re që mësuan rreth Jezu Krishtit dhe Ringjalljes ose diçka që e mësuan duke ua shpjeguar të tjerëve.
Ndiej një dëshirë të shtuar për ta adhuruar Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin
Si pjesë e Mësimit 101: “Hyrje te Libri i Psalmeve, Pjesa 2”, nxënësit mund të kenë filluar të krijojnë një material filmik, poezi, vizatim, meme ose shprehje tjetër të mendimeve dhe ndjenjave rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ftojini nxënësit ta gjejnë ose ta kujtojnë projektin e tyre. Paraqitini udhëzimet dhe pyetjet vijuese për nxënësit që t’u përgjigjen në ditarët e tyre të studimit. Mund të luani pak muzikë të qetë ndërkohë që nxënësit punojnë për këtë veprimtari.
Ndalu një çast për të menduar rreth përvojës që pate duke e krijuar këtë punë krijuese. Ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë t’i kujtosh ndjenjat që shprehe.
-
Çfarë ke mësuar ose ndier rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që kur e krijove këtë shprehje të adhurimit?
-
Çfarë ndryshimesh, nëse ka, ke vënë re në mënyrën se si mendon ose ndihesh rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit qëkurse e krijove këtë? Si ndihesh sot?
-
Duke e parë projektin tënd, çfarë do të shtoje? Çfarë do të ndryshoje?
Mund t’u jepni nxënësve të gatshëm, që nuk e kanë treguar ende projektin e tyre, mundësi për ta treguar atë që krijuan, çfarë ishte kuptimplotë për ta rreth përvojës ose se si u ndien.
Studioji shkrimet e shenjta vetë rregullisht
Te Mësimi 107: “Psalmeve 119”, ju mund të keni krijuar një mësim me sende duke i fikur dritat në klasë dhe duke ndezur një llambë ose elektrik dore. Nëse po, merreni parasysh ta përsëritni këtë mësim me sende dhe t’u kërkoni nxënësve të lexojnë te Psalmeve 119:105. Ftojini ata të tregojnë atë që mbajnë mend nga ai mësim, duke përfshirë mënyrën se si fjala e Perëndisë është si një dritë në jetën tonë.
Nxënësit mund të jenë ftuar në atë mësim që të krijonin një synim vetjak të studimit të shkrimeve të shenjta ose të reflektonin mbi mënyrën se si po ecin me një synim që e kanë vendosur tashmë. Ftojini ata të vlerësojnë se si kanë ecur me synimin e tyre të studimit dhe se si ajo po i ndihmon ata. Për ta bërë këtë, mund të paraqitni udhëzimet vijuese.
Në ditarin tënd të studimit, shkruaj se si po të ecën studimi i shkrimeve të shenjta. Ti mund të përfshish përgjigje për disa nga pyetjet vijuese:
-
Si po ia del me zbatimin e qëndrueshëm të synimit tënd?
-
A e ndien se Zoti po të udhërrëfen ndërsa i studion shkrimet e shenjta? Përse po ose përse jo?
-
Me çfarë pengesash po përballesh, nëse ka?
-
Si mund të duash të vazhdosh ta përmirësosh studimin tënd të shkrimeve të shenjta?
Ftojini nxënësit të japin mendimet e tyre. Nëse ata tregojnë për sukseset, merreni parasysh të bëni pyetje të tilla si: “Si ka ndikuar kjo në jetën tuaj?” ose “Çfarë bëtë që ndihmoi të arrihej ky rezultat?” Nëse tregojnë për vështirësitë që po kalojnë, merreni parasysh ta ftoni klasën të kërkojë shkrime të shenjta, thënie nga udhëheqës të Kishës ose të tregojë përvoja vetjake që mund të ndihmojnë. Mundohuni të krijoni një atmosferë në të cilën nxënësit përpiqen fort ta ndihmojnë dhe përkrahin njëri‑tjetrin.
Merreni parasysh të tregoni edhe synimet e studimit të shkrimeve të shenjta dhe përvojat tuaja.