“Psalmeve 119: ‘Fjala Jote Është një Llambë në Këmbën Time dhe një Dritë në Shtegun Tim’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Psalmeve 119: ‘Fjala Jote Është një Llambë në Këmbën Time dhe një Dritë në Shtegun Tim’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Psalmeve 102–103; 110; 116–119; 127–128; 135–139; 146–150: Mësimi 107
Psalmeve 119
“Fjala Jote Është një Llambë në Këmbën Time dhe një Dritë në Shtegun Tim”
A mendon se studimi yt i shkrimeve të shenjta të çon në udhërrëfim nga Zoti? Psalmeve 119 shpreh mirënjohje për fjalën e Perëndisë dhe dëshmon për fuqinë e saj. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të bëjnë një plan për të studiuar fjalën e Perëndisë.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i studiojnë personalisht shkrimet e shenjta para orës mësimore të radhës. Kërkojuni atyre të përsiatin nëse e ndiejnë udhërrëfimin e Zotit nëpërmjet studimit të tyre të shkrimeve të shenjta. Nëse po, a mund të sjellin ndër mend ndonjë shembull?
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Udhërrëfim dhe shkrimet e shenjta
Për t’i përgatitur nxënësit që të studiojnë rreth shkrimeve të shenjta, ftojini ata të përsiatin se si njerëz të ndryshëm kanë qëndrime të ndryshme ndaj shkrimeve të shenjta. Kërkojuni nxënësve të marrin parasysh mënyrën se si këta njerëz të ndryshëm mund ta përfundojnë pohimin vijues. Ju mund ta përdorni këtë veprimtari edhe si përgatitje për nxënësit. Mund ta jepni pohimin para orës mësimore dhe t’i ftoni nxënësit të sjellin një send që do të ndihmonte ta përfundojnë atë.
Shkrimet e shenjta janë si ngaqë .
Nëse nxënësve u nevojitet një shembull, mund të thoni: “Shkrimet e shenjta janë si një hartë ose një GPS ngaqë ato më udhërrëfejnë”.
Ftojini nxënësit të japin mendimet e tyre. Mund të pyesni përse disa njerëzve u pëlqen t’i studiojnë shkrimet e shenjta por të tjerëve jo.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të përsiatin se si mund ta përfundojnë pohimin për të reflektuar qëndrimin e tyre ndaj shkrimeve të shenjta.
Në fund të mësimit, ti do të vlerësosh synimin tënd të studimit të shkrimeve të shenjta ose do të vendosësh një synim të ri. Merre parasysh të bësh një lutje të heshtur që Ati Qiellor të të udhërrëfejë sot ndërsa studion te Psalmeve 119. Kërko frymëzim për të vendosur synimin që do të të ndihmonte më mirë.
Fjala e Perëndisë është si …
Shkruesi i Psalmeve 119 përdori simbole për të përshkruar fjalën e Perëndisë. Këto simbole theksuan dashurinë e psalmistit për fjalën e Perëndisë dhe bekimet që vijnë nëpërmjet studimit të zellshëm dhe bindjes ndaj fjalëve të Tij.
Për shembull, lexo te Psalmeve 119:105–106, duke kërkuar atë me të cilën psalmisti e krahasoi fjalën e Perëndisë.
Merreni parasysh ta errësoni ose të fikni dritat në klasë dhe të ndizni një llambë ose elektrik dore. Lejojini nxënësit të tregojnë atë që gjetën.
-
Në ç’mënyrë është fjala e Perëndisë si një dritë ose llambë?
Nëse nxënësit thonë diçka të tillë si parimi vijues, shkruajeni atë në tabelë: Ndërsa e studiojmë fjalën e Perëndisë, Ai na bekon me udhërrëfim.
Nëse nxënësit kanë nevojë për më shumë ndihmë për ta përcaktuar parimin, merreni parasysh të pyesni: “Si ndryshon të ecurit në dritë nga të ecurit në errësirë?” ose “Si mund të na ndihmojnë shkrimet e shenjta që të ecim në dritë?” Ose mund ta shkruani parimin dhe të pyesni: “Si e ilustrojnë këto vargje parimin në tabelë?”
Ndizini sërish dritat në klasë. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të bëjnë referencë‑kryq ose të lidhin vargjet te Psalmeve 119:105 me vargun te 2 Nefi 32:3. Kërkojuni nxënësve të shënojnë se ku ngjasojnë këto vargje. Ose shihni “Mënyra se si e Dëgjoj Unë Atë: Plaku Dejvid A. Bednar” (1:15), te faqja kishaejezukrishtit.org.
1:16Lexoni ose paraqitni pyetjet vijuese dhe ftojini disa nxënës të përzgjedhin secili njërën dhe t’i përgjigjen:
-
Pse mendon se Perëndia dëshiron që të na udhërrëfejë?
-
Si mund ta shtyjë dikë dijenia se Perëndia mund të na udhërrëfejë nëpërmjet shkrimeve të shenjta që t’i studiojë ato?
-
Kur ka qenë fjala e Perëndisë si një llambë ose dritë për ty ose dikë që ti njeh?
Ndërsa nxënësit japin përgjigjet e tyre, mund t’i pyesni se si këto ide dhe përvoja kanë ndikuar në marrëdhënien e tyre me Perëndinë.
Simbole të tjera
Psalmisti bëri krahasime të tjera. (Shënim: psalmisti iu referua fjalës së Perëndisë me terma të ndryshme, të tilla si, dëshmitë/porositë, statutet, ligji, normat, urdhërimet dhe shtigjet/udhët.)
Për t’i ndihmuar nxënësit të studiojnë Psalmeve 119, shkruajini referencat vijuese në tabelë:
Psalmeve 119:14–16, 72, 127
Psalmeve 119:22–24
Psalmeve 119:33–35
Psalmeve 119:50–52, 54
Psalmeve 119:102–104
Ndajeni klasën në pesë grupe dhe caktojini secilit grup njërën nga referencat në tabelë. Paraqitni sendet vijuese ose figurat e këtyre sendeve: një libër himnesh, monedha (ose diçka që përfaqëson pasuritë), mjaltë (ose diçka të ëmbël), një figurë të një shtegu dhe një figurë të një këshilltari (për shembull, një këshilltar në Presidencën e Parë të Kishës ose një këshillues në shkollë).
Paraqitini udhëzimet e mëposhtme:
-
Lexoje fragmentin e shkrimit të shenjtë që të është caktuar, duke kërkuar atë me të cilën psalmisti e krahasoi fjalën e Perëndisë.
-
Merr sendin ose figurën që përkon me fragmentin e shkrimit të shenjtë që të është caktuar.
-
Diskuto se si sendi ose figura mund ta ndihmojnë dikë ta kuptojë rëndësinë e fjalës së Perëndisë.
-
Jep shembuj ose përvoja nga jeta jote, jeta e të tjerëve, ose shkrimet e shenjta që ilustrojnë mënyrën se si sendi ose figura ngjason me fjalën e Perëndisë.
Ftojini nxënësit ta përfundojnë parimin vijues sipas asaj që studiuan: Ndërsa e studiojmë fjalën e Perëndisë, Ai na bekon me …
Disa përgjigje të mundshme janë: gëzim (shihni vargjet 14, 16, 35, 103), ngushëllim (shihni vargjet 50, 52), porosi [këshillë] (shihni vargun 24) dhe zgjuarsi [kuptueshmëri] (shihni vargun 104).
-
Si mund ta ndihmojë parimi që gjete dikë që të dëshirojë ta studiojë fjalën e Perëndisë?
-
Si të ka bekuar Perëndia ty ose njerëzit që ti njeh me gëzim, ngushëllim, porosi [këshillë] ose zgjuarsi [kuptueshmëri] ndërsa ti ose ata e studiuat fjalën e Tij?
Ndërsa nxënësit japin përgjigjet e tyre për pyetjen e mëparshme, mund të pyesni se si kanë ndikuar këto përvoja në marrëdhënien e tyre me Perëndinë.
Synimi yt
Ftoje Shpirtin ndërsa reflekton mbi studimin e shkrimeve të shenjta. Nëse e ke tashmë një synim për studimin e shkrimeve të shenjta, shënoje në ditarin tënd të studimit atë që ka shkuar mirë dhe çfarë mund të duash të vazhdosh. Mund të përfshish arsyen përse e zgjodhe këtë synim dhe se si ai të ndihmon të ndihesh më pranë Zotit. Pyete Atin Qiellor në lutje nëse Ai dëshiron që ti të bësh ndonjë përshtatje të synimit tënd.
Nëse nuk ke një synim të tanishëm për studimin e shkrimeve të shenjta, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë ndërsa vendos një synim. Mund të përfshish sa vijon:
-
Sasinë e kohës që do të studiosh
-
Sa shpesh do të studiosh (nëse është e mundur, përpiqu fort të studiosh çdo ditë)
-
Çfarë do të bësh për të kërkuar ndihmën e Zotit gjatë studimit tënd (për shembull, të lutesh para se të studiosh ose të kërkosh zbulesë rreth asaj që studion)
-
Mënyrën se si mund ta kujtosh, ta përsiatësh, ose ta zbatosh atë që mëson (për shembull, të mbash një ditar të asaj që po mëson nga studimi yt i shkrimeve të shenjta, të mbash një regjistër të asaj që po përpiqesh të zbatosh, ose ta diskutosh me dikë tjetër atë që po mëson një herë në javë)
Ftoni vullnetarë të tregojnë synimin e tyre për studimin e shkrimeve të shenjta, si edhe çdo shqetësim që mund të kenë. Nëse nxënësit shprehin shqetësime, ftojeni klasën të tregojë shkrime të shenjta, thënie nga udhëheqës të Kishës, ose përvoja vetjake që mund të ndihmojnë.
Thuajuni nxënësve se te pjesa “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 7”, ata do të kenë mundësinë të raportojnë për synimet e tyre. Ata do të tregojnë se si po shkon studimi i tyre i shkrimeve të shenjta dhe çfarë bekimesh ndiejnë se po u jep Zoti për shkak të tij.
Nëse ka ende kohë në orën mësimore, ftojini nxënësit t’i studiojnë shkrimet e shenjta në heshtje. Ftojini ata të kërkojnë të vërtetat që na ka dhënë Perëndia, që mund t’i udhërrëfejnë ata në jetën e tyre sot. Ftojini disa nxënës ta tregojnë atë që gjetën.
Jepni dëshminë tuaj për parimet në këtë mësim.