“Psalmeve 136: ‘Kremtoni Zotin’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Psalmeve 136: ‘Kremtoni Zotin’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Psalmeve 102–103; 110; 116–119; 127–128; 135–139; 146–150: Mësimi 108
Psalmeve 136
“Kremtoni Zotin”
Si shumë himne, psalmet na kujtojnë të japim falënderime në gjithçka. Shprehja e mirënjohjes së sinqertë ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit mund të hapë sytë dhe zemrat tona ndaj dashurisë dhe mëshirës së Tyre dhe lejon që të rritet dashuria jonë për Ta. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa shprehin mirënjohje për Ta.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të ofrojnë një lutje duke falënderuar Atin Qiellor pa kërkuar ndonjë gjë në këmbim. Nxënësit mund të përgatiten t’i shprehin klasës mbresat e tyre nga përvoja.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Si mund ta ndiej dashurinë e Perëndisë?
Fillojeni orën mësimore duke i ndihmuar nxënësit të përsiatin se si mund ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë. Një mënyrë për ta bërë këtë është t’i ftoni nxënësit të imagjinojnë skenarin vijues.
Një ditë një shok apo shoqe të thotë: “Ndonjëherë në kishë dhe në seminar, njerëzit flasin rreth të ndjerit të dashurisë së Perëndisë. Unë nuk jam i/e sigurt nëse e ndiej. Çfarë mund të bëj për ta ndier dashurinë e Tij në jetën time?”
-
Si do t’i përgjigjeshe shokut apo shoqes sate?
Nxënësit mund të kenë përgjigje të ndryshme, ose mund të mos dinë se çfarë të thonë. Pasi nxënësit të përgjigjen, mund të jepni thënien vijuese.
Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) shpjegoi diçka që mund të bëjmë për ta ndier dashurinë e Perëndisë:
“Vëllezër e motra të mia, a kujtohemi të japim falënderime për bekimet që marrim? Dhënia e sinqertë e falënderimeve jo vetëm na ndihmon të njohim bekimet tona, por gjithashtu hap dyert e qiellit dhe na ndihmon të ndiejmë dashurinë e Perëndisë.” (“Dhurata Hyjnore e Mirënjohjes”, Liahona, nëntor 2010, f. 87)
-
Si do ta përmblidhje atë që dha mësim Presidenti Monson?
Ndërsa nxënësit japin përgjigjet e tyre, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Shprehja e mirënjohjes për bekimet tona na ndihmon ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë.
Lexo te Psalmeve 136:1–3, 26, duke kërkuar arsyen përse psalmisti shpreh mirënjohje për Perëndinë.
-
Çfarë vë re?
Nëse doni, mund t’i ftoni nxënësit ta shenjojnë frazën “mirësia e tij vazhdon përjetë”. Mund të vini në dukje se, sa herë që psalmisti shpreh mirënjohje, ai dallon dashurinë e Perëndisë. Nëse doni, mund të shpjegoni se në hebraisht fjala mirësi në këto vargje është hesed, që është “një lloj [i] veçantë dashurie e mëshire që Perëndia e ndien për ata që kanë bërë besëlidhje me Të” (Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 6; Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, tetor 2022, f. 2).
-
Përse mendon se shprehja e mirënjohjes për bekimet tona na ndihmon ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë?
Dallimi i bekimeve të Perëndisë
Për t’i ndihmuar nxënësit të vlerësojnë se si po ia dalin për të shprehur mirënjohje ndaj Zotit, mund të bëni veprimtarinë vijuese. Kujtojuni nxënësve se Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë të kujtojmë në mënyrë që të mësojmë dhe të përmirësohemi. Ftojini nxënësit të mbajnë vesh për mbresa nga Fryma e Shenjtë ndërsa i marrin parasysh përgjigjet e tyre.
Mendo rreth përvojave të tua gjatë javës së kaluar. Në ditarin tënd të studimit, përgjigju për pyetjet vijuese me frazat kurrë, një herë ose dy herë, disa herë ose shumë herë.
-
Sa shpesh e dallove një bekim të veçantë nga Zoti në jetën tënde?
-
Sa shpesh e shprehe mirënjohjen tënde ndaj Zotit për bekimet e tua?
-
Sa shpesh e ndjeve dashurinë e Tij?
Ndërsa nxënësit marrin parasysh përgjigjet e tyre, ata mund të mendojnë rreth çfarëdo bekimi që Zoti u ka dhënë që ata nuk po e dallojnë ose për të cilin nuk po shprehin mirënjohje.
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i dallojnë bekimet e tyre, përdorni fletushkën “Psalmeve 136: Mirënjohja ndaj Zotit”.
Nxënësit mund të punojnë me fletushkën vetëm, ose mund t’i vini nxënësit të plotësojnë kutinë e parë të fletushkës, më pas t’ia kalojnë atë një shoku tjetër të klasës për të plotësuar kutinë e radhës. Nxënësit vazhdojnë t’ia kalojnë fletushkën tjetrit derisa të plotësohet çdo kuti. Më pas fletushka mund t’i kthehet nxënësit fillestar që të shohë atë që shkruan shokët e tij të klasës. Lejojuni nxënësve kohë të mjaftueshme për të dhënë përgjigje të menduara mirë për secilën pjesë.
Pas veprimtarisë, mund të diskutoni atë që mësuan ose ndien nxënësit rreth shprehjes së mirënjohjes ndaj Perëndisë. Si pjesë e diskutimit, nëse doni, mund të theksoni se si të ndierit dhe shprehja e mirënjohjes mund të na ndihmojë të ndiejmë dashuri për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe të ndiejmë dashurinë e Tyre për ne.
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të diskutuar, mund të jepni materialin filmik vijues, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org:
Shprehja e mirënjohjes ndaj Perëndisë
Për t’i ndihmuar nxënësit të ushtrojnë shprehjen e mirënjohjes ndaj Perëndisë, mund t’i ftoni të bëjnë një nga veprimtaritë vijuese.
Zgjidh një nga mundësitë vijuese për të shprehur mirënjohjen tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Kushtoji vëmendje dashurisë që mund të ndiesh prej Tyre ndërsa e bën këtë.
-
Shprehe mirënjohjen tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në një publikim në rrjetet sociale ose duke shkruar në ditarin tënd.
-
Bëj një listë të gjërave për të cilat je mirënjohës/e. Mbaj mend t’i përfshish ato gjëra në lutjen tënde të radhës.
Për ta përfunduar, mund të tregosh mënyrën se si shprehja e mirënjohjes ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit na ndihmon ta ndiejmë dashurinë e Tyre për ne dhe lejon të rritet dashuria jonë për Ta.