“Predikuesit: ‘Perëndia do të Vërë të Gjykohet Çdo Vepër’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Predikuesit: ‘Perëndia do të Vërë të Gjykohet Çdo Vepër’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12: Mësimi 111
Predikuesit
“Perëndia do të Vërë të Gjykohet Çdo Vepër”
Ndonjëherë mund të jetë e lehtë të përqendrohemi në atë që ndodh në këtë jetë ndërkohë që harrojmë ta shohim jetën nga një këndvështrim i përjetshëm. Te Predikuesit, Predikuesi na kujton se gjërat e kësaj bote janë të përkohshme. Ai na këshillon të përgatitemi për kohën kur Perëndia do t’i gjykojë të gjithë fëmijët e Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si përqendrimi tek takimi me Perëndinë në Gjykimin Përfundimtar mund t’i ndihmojë ata të bëjnë zgjedhje të mençura.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të bëjnë një bashkëbisedim me një prind ose udhëheqës të mirëbesuar rreth mënyrës se si e kanë parë ndikimin afatgjatë të vendimeve që morën si adoleshentë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Marrja e vendimeve
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se si një këndvështrim i përjetshëm mund të ndikojë në vendimet që ata marrin. Për ta bërë këtë, mund të shkruani sa vijon në tabelë. Ftojini nxënësit të diskutojnë se si secili prej këtyre vendimeve, kur janë të rinj, mund të ndikojë në të ardhmen e tyre.
-
Mënyra se si e trajtoj trupin
-
Mënyra se si e shpenzoj kohën e lirë
-
Mënyra se si i trajtoj njerëzit
Më pas jepni thënien vijuese dhe ftojini nxënësit të bëjnë lidhjet ndërmjet vendimeve më lart dhe asaj që dha mësim Presidenti Nelson.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim sa vijon rreth zgjedhjeve tona.
“Çdo zgjedhje e drejtë që e bëni këtu, do të sjellë përfitime të stërmëdha tani. Por zgjedhjet e drejta në vdekshmëri do të sjellin përfitime të papërfytyrueshme përjetësisht. …
Kundërshtari, sigurisht, dëshiron që ju as të mos mendoni për të ardhmen, pa le pastaj jetën e përjetshme.” (“Zgjedhjet për Përjetësinë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit])
-
Si mund të ndikojë tek ne mosarritja për t’i parë zgjedhjet tona me një këndvështrim të përjetshëm?
Shkruaj një vendim me të cilin po përballesh aktualisht që mund të “sjell[ë] përfitime të papërfytyrueshme përjetësisht”.
Mund të ndihmojë t’u jepni nxënësve disa ide rreth llojeve të vendimeve që ata mund të shkruajnë, të tilla si:
-
Të vazhdojnë të shpenzojnë kohë ose jo me një grup të caktuar miqsh.
-
Të pendohen ose jo për një mëkat që ka qenë në mendjen e tyre.
-
Ajo që zgjedhin të bëjnë në Shabat.
Përsiat se përse Ati Qiellor mund të dojë që të mendosh rreth të ardhmes ndërsa e merr këtë vendim. Çfarë mund të ndodhë nëse nuk e bën?
Ndërsa e studion librin Predikuesit sot, përpiqu t’i kuptosh të vërtetat dhe të marrësh zbulesë vetjake nga Zoti që mund të të ndihmojë për këtë vendim.
Përqendrimi te gjërat tokësore
Në librin Predikuesit, autori iu referua vetes si “Predikuesi” (Predikuesit 1:1). Predikuesi bëri krahasimin mes zbrazëtisë së përqendrimit të jetës sonë në gjërat tokësore me rëndësinë e përgatitjes për të takuar Perëndinë.
Merreni parasysh të krijoni grupe të vogla dhe ta ftoni secilin grup që të lexojë një nga fragmentet më poshtë. Për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë më mirë fragmentet, mund të paraqitni përkufizimet vijuese. Ftojini nxënësit t’i zëvendësojnë fjalët dhe frazat vijuese me përkufizimet e tyre ndërsa lexojnë:
-
Fraza “të kota” do të thotë diçka boshe ose kalimtare.
-
“Nën qiell” ose “nën diell” do të thotë në këtë jetë të vdekshme.
-
“Kërkim për të kapur erën” do të thotë shqetësim i kotë.
Lexoji fragmentet vijuese, duke kërkuar atë që zbuloi Predikuesi pasi kërkoi gjëra të caktuara që disa njerëz mendojnë se do t’i bëjnë të lumtur dhe do t’u sjellin përmbushje:
-
Urtësinë e botës. Predikuesit 1:13–18
-
Kënaqësitë tokësore dhe zotërimet materiale. Predikuesit 2:1, 4–11
Nëse doni, mund të sqaroni se urtësia e botës dhe zotërimet materiale nuk janë doemos të këqija ose të gabuara. Por kur këto gjëra bëhen përqendrimi ynë, sidomos në vend që t’i pëlqejmë Perëndisë, ato bëhen shpirtërisht të rrezikshme. Ftojini grupet ta diskutojnë pyetjen vijuese. Më pas një anëtar i grupit mund t’ia tregojë klasës idetë e grupit.
-
Në çfarë mënyrash mundet që ndjekja e këtyre gjërave të na lërë në përfundim bosh ose të shqetësuar më kot?
Takimi ynë përfundimtar me Perëndinë
Pasi kërkoi njohuri dhe zotërime materiale, Predikuesi e përfundon librin e tij me mësimet që nxori. Lexo te Predikuesit 12:7, 13–14, duke kërkuar atë që ai dha mësim që mund të na ndihmojë të mbajmë një këndvështrim të përjetshëm.
Ky këndvështrim është kaq i rëndësishëm, saqë Perëndia ka frymëzuar shumë prej shërbëtorëve të Tij ta japin mësim atë. Bëj referencë-kryq ose lidhi vargjet te Predikuesit 12:7, 13–14 me vargjet tek Alma 34:32 dhe Mormoni 3:20, 22. Lexoji këto fragmente, duke kërkuar mënyrën se si Amuleku dhe Mormoni dhanë një mesazh të ngjashëm.
-
Si do ta përmblidhje atë që na mësojnë këto vargje në një pohim të vërtete?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë si: Zgjedhjet tona në këtë jetë do të përcaktojnë se sa të përgatitur jemi për të qëndruar përpara Perëndisë në Gjykimin Përfundimtar. Para se nxënësit t’i përgjigjen pyetjes vijuese, mund t’i ftoni t’i mbyllin sytë dhe të imagjinojnë takimin me Perëndinë pas kësaj jete. Inkurajojini ata të marrin parasysh atë që dinë rreth Tij dhe tipareve të Tij.
-
Çfarë tiparesh të Perëndisë e kualifikojnë Atë në mënyrë unike për të qenë Gjykatësi ynë?
Mund t’u kujtoni nxënësve rolin e Jezu Krishtit në ndihmesën për të na përgatitur për Gjykimin Përfundimtar duke dhënë shkrimin e shenjtë dhe pyetjen vijuese.
Lexo tek 3 Nefi 27:16, 19, duke kërkuar mënyrën se si mund të përgatitemi për t’u takuar me Jezu Krishtin në Gjykimin Përfundimtar.
-
Përse është e rëndësishme të kuptojmë se nuk mund të përgatitemi për Gjykimin Përfundimtar pa Jezu Krishtin?
Synimi ynë çelestial
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se si njohuria që zgjedhjet tona na përgatitin për përjetësinë mund të ndikojë në vendimet e përditshme që marrim. Një mënyrë për ta bërë këtë është duke i lejuar nxënësit të ushtrojnë atë që dha mësim Presidenti Nelson në thënien vijuese.
Presidenti Rasëll M. Nelson dëshmoi për rëndësinë e fillimit “me fundin në mendje”:
“Në mesazhin tim të parë si President i Kishës, ju nxita ta filloni me fundin në mendje. Kjo do të thotë ta bëni mbretërinë çelestiale synimin tuaj të përjetshëm dhe më pas të merrni parasysh me kujdes se ku do t’ju vendosë në botën tjetër secili nga vendimet tuaja ndërsa jeni këtu në tokë.” (“Mendoni Çelestialisht!”, Liahona, nëntor 2023, f. 118)
-
Në çfarë mënyrash e tregojnë mësimet dhe shembulli i Jezu Krishtit se Ai i mori vendimet “me fundin në mendje”?
Shpjegoni se nxënësit do të ushtrojnë zbatimin e asaj që po jep mësim Presidenti Nelson. Para se të fillojnë, mund t’u kërkoni atyre të mendojnë për vendimet që do të ndikojnë tek ta në jetën tjetër. Shtojini këto vendime në listën e vendimeve në tabelë nga fillimi i orës mësimore.
Nxënësit mund të diskutojnë më pas sa vijon në grupe të vogla.
Zgjidh një nga vendimet në tabelë dhe përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Çfarë vendimesh mund të marrë një adoleshent rreth kësaj që do të ndikojë në përgatitjen e tij për t’u takuar me Perëndinë?
-
Çfarë ke mësuar nga ungjilli i Jezu Krishtit që mund ta ndihmojë një adoleshent të marrë vendime rreth kësaj?
Ftojini grupet që t’i ndajnë idetë e tyre me klasën. Mund t’i inkurajoni nxënësit të gjejnë dhe të japin shkrime të shenjta ose thënie nga udhëheqës të Kishës që e përkrahin atë që tregojnë ata.
Përfundimi
Para se nxënësit ta përfundojnë veprimtarinë vijuese, mund t’u kujtoni atyre vendimin që shkruan në fillim të orës mësimore.
Imagjino sikur po qëndron përpara Perëndisë në Gjykimin Përfundimtar dhe e dëgjon Atë të të thotë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:23).
Tani imagjino sikur, ndërkohë që po qëndron përpara Perëndisë, ti ke mundësinë t’i dërgosh një mesazh pas në kohë vetes sate të tanishme. Shkruaj një mesazh ku i jep këshillë vetes sate të tanishme që do të të ndihmojë të përgatitesh për Gjykimin Përfundimtar. Ti mund të përfshish atë që mësove dhe ndjeve sot rreth:
-
Mënyrës se si zgjedhjet kur je i ri ndikojnë në përgatitjen tënde për t’u takuar me Perëndinë.
-
Përshtatjeve që do ta inkurajoje veten të bëje rreth vendimeve me të cilat po përballesh aktualisht.
Merreni parasysh të dëshmoni për rëndësinë e marrjes së vendimeve me një përqendrim te dita që do të qëndrojmë përpara Perëndisë për t’u gjykuar.