“Jobit 14; 19: ‘E Di që Shpëtimtari Im Jeton’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Jobit 14; 19: ‘E Di që Shpëtimtari Im Jeton’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Jobit 1–3; 12–14; 19; 21–24; 38–40; 42: Mësimi 98
Jobit 14; 19
“E Di që Shpëtimtari Im Jeton”
Mund të jetë e vështirë të gjesh shpresë gjatë sfidave, përfshirë vdekjen e njerëzve të dashur. Ati Qiellor e dërgoi Birin e Tij për të kryer Shlyerjen, që përfundoi me Ringjalljen e Shpëtimtarit nga varri. Ne mund të kemi shpresë për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë shpresën që vjen nëpërmjet Ringjalljes së Jezu Krishtit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të dëgjojnë ose të lexojnë fjalët e himnit “E Di, Jeton Shëlbuesi Im”. Ata mund të përzgjedhin një frazë nga himni që mund t’i sjellë shpresë dikujt që po kalon vështirësi.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ngjarja më e madhe në histori
Paraqiteni pyetjen vijuese dhe ftojini nxënësit ta diskutojnë atë në grupe të vogla.
-
Cilat janë disa ngjarje që njerëzit mund të thonë se janë më të rëndësishmet në historinë njerëzore? Përse?
Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) tregoi sa vijon:
“Ngjarjet më të mëdha të historisë janë ato që ndikojnë në numrin më të madh të njerëzve për periudhat më të gjata kohore. Nga ky standard, asnjë ngjarje nuk mund të ishte më e rëndësishme për individët ose kombet, sesa ringjallja e Mjeshtrit.” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 100)
Ndalu një çast për të përsiatur për atë që di rreth Ringjalljes së Shpëtimtarit dhe arsyes përse është e rëndësishme për ty. Mund të mendosh gjithashtu rreth arsyes përse Ringjallja e Shpëtimtarit mund të konsiderohet ngjarja më e rëndësishme në histori.
Inkurajojini nxënësit ta ftojnë Frymën e Shenjtë t’i ndihmojë ata ta kuptojnë më mirë Ringjalljen e Jezu Krishtit dhe shpresën që mund të sjellë ajo.
Pyetjet e Jobit
Nëse e dhatë Mësimin 97: “Jobit 1–3; 12–13”, nxënësit mund të tregojnë atë që mbajnë mend rreth sprovave të Jobit. Ose mund të lexojnë paragrafin vijues.
Jobi ishte një njeri i drejtë që përjetoi vuajtje të mëdha. Ai i humbi gjithë pronat, të 10 fëmijët e tij humbën jetën kur një shtëpi iu shemb mbi kokë, si dhe vuajti nga dhembje fizike të tmerrshme.
-
Çfarë pyetjesh mund të kishe pasur po të ishe Jobi?
Lexo te Jobit 14:7–14, duke shenjuar dy pyetjet që pati Jobi ndërsa kërkonte shpresë në vuajtjet e tij.
Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë për të kuptuar pyetjen e Jobit në vargun 10, mund të shpjegoni se Jobi po pyet: “Ku shkojmë kur vdesim?”
-
Kur ke dëgjuar ose bërë pyetje të ngjashme?
Mund t’i inkurajoni nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si do t’u përgjigjeshin pyetjeve të Jobit.
Për të parë mënyrën se si mund t’i përgjigjen pyetjes së Jobit në vargun 10, nxënësit mund të bëjnë referencë-kryq ose të lidhin vargun 10 me vargjet tek Alma 40:6, 11–14. Shpjegoni se profeti Alma i Librit të Mormonit dha mësim se pasi vdesim, shpirtrat tanë banojnë në një gjendje lumturie ose mjerimi deri në Ringjallje.
Ftojini nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si mund t’i përgjigjen pyetjes së Jobit te vargu 14. Ndërsa përsiatin, ju ose një nxënës mund të lexoni thënien vijuese. Përndryshe, mund të shihni materialin filmik “Until We Meet Again” [“Derisa të Takohemi Përsëri”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:00 deri në 2:28.
Artur Pejtëni, një nga shokët e fëmijërisë të Presidentit Tomas S. Monson (1927–2018), u vra në Luftën II Botërore. Presidenti Monson tregoi përvojën e tij të vizitës në shtëpinë e Arturit pasi e mësoi lajmin:
“Me një lutje në zemër, iu afrova rrugës së njohur për në shtëpinë e zonjës Pejtën, duke pyetur veten se çfarë fjalësh ngushëllimi mund të dilnin nga buzët e një djali të thjeshtë.
Dera u hap dhe zonja Pejtën më përqafoi sikur të isha djali i saj. …
[Pasi u lutëm së bashku], zonja Pejtën më foli duke më vështruar drejt e në sy: ‘Tomi, unë nuk i përkas ndonjë kishe, por ti po. Më thuaj, a do të jetojë përsëri Arturi?’” (“Zonja Pejtën – Historia Vazhdon”, Liahona, nëntor 2007, f. 22)
Imagjino sikur të ishe në situatën e Presidentit Monson. Në ditarin e studimit, shkruaj një paragraf të shkurtër për t’iu përgjigjur pyetjes së zonjës Pejtën.
Inkurajojini nxënësit të shtojnë tek ajo që kanë shkruar ndërsa vazhdojnë të mësojnë rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit.
“E di që Shpëtimtari im jeton”
Lexo te Jobit 19:23–27, duke kërkuar përgjigjen që jep Jobi për pyetjet e tij.
-
Çfarë dinte Jobi se ishte e vërtetë?
Nxënësit mund të tregojnë diçka si për shkak të Jezu Krishtit, ne do të ringjallemi dhe do ta shohim Perëndinë sërish.
-
Çfarë mund të na mësojnë vargjet 23–24 rreth mënyrës se si u ndje Jobi për këtë të vërtetë?
-
Si mund të ketë ndikuar te Jobi kjo njohuri rreth Jezu Krishtit ndërsa ai përballej me sprovat e tij?
-
Si mund të na ndihmojë kjo njohuri?
Nxënësit mund ta lexojnë thënien vijuese vetë dhe më pas të tregojnë se çfarë u bën përshtypje prej saj.
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, tregoi disa mënyra se si njohuria jonë për Ringjalljen e Jezu Krishtit mund të na sjellë shpresë:
“Ringjallja së vdekuri është shtylla siguruese, vetjake e besimit tonë. Ajo i shton domethënie doktrinës sonë, shtysë sjelljes sonë dhe shpresë të ardhmes sonë. …
Ringjallja na jep këndvështrimin dhe forcën për t’i duruar sfidat e vdekshmërisë, me të cilat përballet secili prej nesh dhe njerëzit që i duam. Ajo na jep një mënyrë të re për t’i parë mangësitë fizike, mendore apo emocionale që i kemi që nga lindja ose që i marrim gjatë jetës në vdekshmëri. Ajo na jep forcën për t’i duruar hidhërimet, dështimet dhe zhgënjimet. Ngaqë secili prej nesh e ka të sigurt ringjalljen, ne e dimë se këto mangësi dhe kundërshtime në vdekshmëri janë vetëm të përkohshme.” (“Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?”, Liahona, maj 2021, f. 75)
-
Kur e ke parë dikë të fitojë shpresë nëpërmjet mirëbesimit të tij te Jezu Krishti dhe Ringjallja e Tij?
Kuptueshmëria e Ringjalljes
Para se të paraqitni udhëzimet vijuese, mund të diskutoni mënyrën se si mund t’i përforcojmë fjalët që themi ose shkruajmë duke i lidhur ato me fjalët e Shpëtimtarit dhe të profetëve të Tij. Një mënyrë se si mund ta bëjmë këtë është duke cituar fraza nga shkrimet e shenjta.
Bëj sa vijon me paragrafin që shkrove në përgjigje ndaj pyetjes së zonjës Pejtën:
-
Shto një ose dy fjali duke përdorur diçka që mësove ose ndjeve sot rreth Jezu Krishtit dhe shpresës në dispozicionin tonë për shkak të Ringjalljes së Tij. Përfshi një frazë nga Jobit 19:25–27.
-
Shto një ose dy fjali shtesë duke përdorur fjalë ose fraza nga shkrime të shenjta ose thënie të tjera nga udhëheqësit e Kishës. Për ta bërë këtë, mund të kërkosh “Ringjallje/a” te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, ose Tema dhe Pyetje. Mund të shqyrtosh gjithashtu faqet 47, 56–57, dhe 59 të materialit Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023).
Nëse është e nevojshme, mund të jepni disa nga referencat vijuese:
1 Korintasve 15:20–22; Mosia 16:7–8; Alma 11:42–44; Helamani 14:17; Moroni 7:41
Mund të shfaqni materialin filmik “Because of Him” [“Për Shkak të Tij”] (2:44), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org dhe t’i ftoni nxënësit të shtojnë tek ajo që shkruan.
Pasi nxënësit të kenë mbaruar, vendosini ata në grupe të vogla. Vërini nxënësit t’ua tregojnë grupeve të tyre atë që shkruan rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit. Ndërsa shokët e tyre të klasës flasin, nxënësit mund të shtojnë gjëra në paragrafët e tyre.
Për ta përmbyllur orën mësimore, mund të shihni pjesën e mbetur të materialit filmik “Until We Meet Again” [“Derisa të Takohemi Përsëri”], nga kodi kohor 2:28 deri në 3:39, për të dëgjuar atë që Presidenti Monson i tha zonjës Pejtën.