“Jobit 21–24; 38–40; 42: Të Parit e Sprovave me Një Këndvështrim të Përjetshëm”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Jobit 21–24; 38–40; 42: Të Parit e Sprovave me Një Këndvështrim të Përjetshëm”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Jobit 1–3; 12–14; 19; 21–24; 38–40; 42: Mësimi 99
Jobit 21–24; 38–40; 42
Të Parit e Sprovave me Një Këndvështrim të Përjetshëm
A e ke pyetur ndonjëherë veten përse Perëndia e lejon vuajtjen? A ka pyetje të tjera që i ke bërë gjatë sprovave të tua? Jobi dhe miqtë e tij u munduan më kot të përcaktonin arsyet për vuajtjen e Jobit. Megjithëse Perëndia nuk dha një arsye, Ai e ndihmoi Jobin t’i shihte sprovat e tij në një mënyrë më të lartë dhe më të shenjtë. Ky mësim mund t’u japë nxënësve një mundësi për t’i ndihmuar të tjerët t’i shohin sprovat e tyre me një këndvështrim të përjetshëm.
Përgatitja e nxënësve: Jepuni nxënësve pyetjen “Përse na lejon Perëndia të përjetojmë sprova?” Ftojini ata t’i gjejnë përgjigjet duke përdorur burimet e caktuara në mënyrë hyjnore, të tilla si shkrimet e shenjta, mësimet nga udhëheqësit e Kishës ose prindërit e tyre. Ata gjithashtu mund t’i pyesin pjesëtarët e familjes ose shokët se si do t’i përgjigjeshin pyetjes.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përse ndodhin gjërat e këqija?
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke i shkruar pyetjet vijuese në tabelë. Ftojeni klasën të formulojë dy pyetje të tjera që njerëzit mund t’i bëjnë ndërkohë që përpiqen t’i kuptojnë sprovat e tyre. Shtojini këto dy pyetje në tabelë dhe numërtojini ato 5 dhe 6. Këto pyetje do të përmenden gjatë gjithë mësimit.
-
“Duhet të jem duke e bërë çdo gjë gabim. Përndryshe, pse është jeta kaq e vështirë për mua?”
-
“Nëse po ndjek ungjillin, përse nuk jam në gjendje t’i shmang sprovat dhe vuajtjen?”
-
“Mendoja se Perëndia më donte. Përse po e bën Ai jetën time kaq të vështirë?”
-
“Nëse Perëndia është i vërtetë, përse nuk e ndalon Ai vuajtjen e njerëzve?”
-
-
Mund të ndihmojë të pranoni se disa nxënës mund të kenë bërë pyetje të ngjashme gjatë sprovave. Inkurajojini nxënësit të jenë mirëdashës dhe respektues ndërsa diskutojnë pyetjen vijuese.
-
Cilat janë disa supozime që njerëzit mund t’i bëjnë kur bëjnë pyetje të tilla si këto?
Pas diskutimit, mund t’i ftoni nxënësit të përsiatin pyetjen vijuese. Ata mund t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në ditarët e studimit.
-
A mendon se mund ta ndihmosh dikë të drejtohet te Zoti dhe t’i gjejë përgjigjet për këto lloje pyetjesh? Përse po ose përse jo?
Studimi i burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore mund ta ftojë Frymën e Shenjtë në të mësuarit tonë. Kushtoju vëmendje ideve që Ai mund të të japë mësim ndërsa i lexon shkrimet e shenjta dhe thëniet në këtë mësim. Merre parasysh se si këto ide mund t’i ndihmojnë të tjerët t’u përgjigjen pyetjeve rreth sprovave të tyre. Bërja e kësaj mund të të ndihmojë të fitosh kuptueshmëri më të madhe për sprovat e tua.
Jobi dhe miqtë e tij
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Jobit, të tillë si ajo në fillim të këtij mësimi. Ftojini nxënësit ta diskutojnë shkurtimisht me një partner atë që mbajnë mend rreth historisë së Jobit. Mund të tregoni më pas sa vijon:
Gjatë sprovave të tij, Jobit i shkuan për vizitë tre miq. Jobi dhe miqtë e tij u munduan të përcaktonin arsyet për vuajtjen e tij. Këndvështrimi i tyre i kufizuar çoi në supozime të pasakta.
Duke përdorur vargjet më poshtë, merreni parasysh ta ftoni anën e majtë të klasës të studiojë atë që besonte Jobi rreth vuajtjes së tij dhe anën e djathtë të klasës të studiojë atë që besonte shoku i Jobit, Elifazi. Ose mund t’i përmblidhni këto vargje dhe të kaloni te kreu “Një këndvështrim i përjetshëm”. Përmbledhja do t’u mundësonte më shumë kohë nxënësve për të studiuar përfundimin e historisë së Jobit dhe diskutuar fletushkën.
-
Lexo te Jobit 19:6–11, duke kërkuar atë që supozoi Jobi rreth Perëndisë.
-
Lexo te Jobit 22:5–10, duke kërkuar atë që supozoi Elifazi rreth Jobit.
-
Çfarë supozimesh të pasakta pati secili person?
Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë për ta kuptuar atë që lexojnë, mund të shpjegoni se Jobi ndjeu se Perëndia kishte shkaktuar sprovat e tij dhe e kishte braktisur atë. Elifazi e akuzoi në mënyrë të rreme Jobin për keqtrajtim të të tjerëve. Ai besonte se vuajtja e Jobit ishte rezultati i ligësisë.
Një këndvështrim i përjetshëm
Perëndia i foli Jobit ndërsa ai vazhdonte me mund për të kapërcyer sprovat e tij. Perëndia i bëri Jobit shumë pyetje rreth krijimit të botës, të cilave Jobi nuk mundi t’u përgjigjej (shih te Jobit 38–41).
Lexo te Jobit 38:4–7, duke kërkuar shembuj të pyetjeve që i bëri Perëndia Jobit.
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi përgjigjen e Perëndisë ndaj paaftësisë së Jobit për t’iu përgjigjur Atij:
“Ishte sikur Perëndia t’i kishte thënë me durim dhe me përzemërsi Jobit: ‘Nëse nuk mund t’i përgjigjesh as edhe njërës prej pyetjeve të mia për tokën që kam krijuar, a është e mundur të ekzistojnë ligje të përjetshme që ti nuk i kupton? A ka supozime që ke bërë që janë të pavlefshme? A i kupton shtysat e mia dhe mënyrën se si funksionon plani im i shpëtimit dhe i ekzaltimit? Dhe a mund ta parashikosh fatin tënd të ardhshëm?’
Perëndia në urtësinë e Tij e di se një pjesë jetike e përvojës sonë në vdekshmëri është të mos dimë gjithçka. Ka diçka rreth mirëbesimit tek Ai që na lejon të përparojmë për t’u bërë si Ai.” (“Trust God and Let Him Prevail”, Liahona, gusht 2022, f. 5)
-
Çfarë të ndihmon kjo thënie të kuptosh rreth Perëndisë dhe sprovave?
Ndërsa nxënësit përgjigjen, merreni parasysh të vini në dukje se Perëndia nuk dha një arsye për vuajtjen e Jobit.
Lexo te Jobit 42:1–6, duke kërkuar përgjigjen e Jobit ndaj Zotit.
-
Çfarë të bie në sy nga përgjigjja e Jobit?
-
Çfarë ke mësuar nga historia e Jobit që mund të na ndihmojë t’i kuptojmë më mirë sprovat tona?
Nxënësit mund të përcaktojnë shumë të vërteta, duke përfshirë Perëndia mund të na ndihmojë t’i shohim sprovat tona me një këndvështrim të përjetshëm.
Jobi e pranoi kuptueshmërinë e tij të kufizuar krahasuar me njohurinë e Perëndisë dhe Jobi e ndryshoi mënyrën se si i shihte sprovat e tij. Ai arriti të kuptonte se vuajtja e tij nuk ishte një rezultat i mëkatit ose ndëshkimit hyjnor. Perëndia e bekoi shumë Jobin në fund të jetës së tij (shih te Jobit 42:12–13).
Kuptueshmëria e sprovave
Ne mund të mos i kuptojmë gjithmonë arsyet prapa sfidave tona. Megjithatë, Zoti ka siguruar burime hyjnore që mund të na ndihmojnë t’i shohim sprovat tona me një këndvështrim të përjetshëm.
Merreni parasysh t’u siguroni nxënësve fletushkën “Kuptueshmëria e Sprovave”. Nxënësit mund ta plotësojnë këtë vetë për të mundësuar reflektimin vetjak. Ose mund ta studiojnë fletushkën në dyshe ose në grupe të vogla për të rritur kuptueshmërinë ose përfshirjen e nxënësve.
Në vend që të përdorni fletushkën, mund t’i ftoni nxënësit të kërkojnë fjalë si “vështirësi” ose “sprova” te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për të fituar ide që mund t’i ndihmojnë ata t’i kuptojnë më mirë sprovat.
Pasi nxënësit ta përfundojnë fletushkën, merreni parasysh t’i ftoni ata t’i rilexojnë të gjashta pyetjet rreth sprovave që u shkruan në tabelë në fillim të orës mësimore. Më pas mund të drejtoni një diskutim në klasë me pyetje si vijueset:
-
Çfarë mësove që mund ta ndihmojë dikë me këto pyetje t’i shohë sprovat e tij me një këndvështrim të përjetshëm?
-
Në ç’mënyrë i ke parë mësimet që studiove të jenë të vërteta në sprovat e tua?
-
Çfarë po mëson rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa dëgjon atë që po tregojnë të tjerët?
Mund të shihni gjithashtu materialin filmik “Why Do Bad Things Happen to Good People?” [“Përse Njerëzve të Mirë iu Ndodhin Gjëra të Këqija?”] (4:39), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ftojini nxënësit të kërkojnë atë që mësoi Broku nga sprovat e tij.
Përfundimi
Lejojini nxënësit të interpretojnë me role ndihmesën ndaj të tjerëve për t’i parë sprovat e tyre me një këndvështrim të përjetshëm. Mund ta bëni këtë duke i vendosur nxënësit në dyshe. Sigurojini çdo dysheje një zar me gjashtë faqe. Paraqitini udhëzimet e mëposhtme. Mund t’i ndryshoni udhëzimet nëse nuk ka zare në dispozicion.
Referoju gjashtë pyetjeve rreth sprovave të shkruara në tabelë ndërsa ti dhe partneri yt plotësoni veprimtarinë vijuese:
-
Zgjidh një person për të hedhur zarin.
-
Nëse e hodhe zarin, bëji partnerit pyetjen në tabelë që përkon me numrin që të ra. (Për shembull, nëse të ra numri një ti do të bëje pyetjen: “Duhet të jem duke e bërë çdo gjë gabim. Përndryshe, pse është jeta kaq e vështirë për mua?”)
-
Nëse nuk e hodhe zarin, përgjigjju pyetjes që bëri partneri yt. Përdori idetë që more nga ora mësimore për ta ndihmuar partnerin tënd t’i shohë sprovat e tij me një këndvështrim të përjetshëm. Përfshi mendime ose ndjenja që ke rreth Atit Qiellor ose Jezu Krishtit.
-
Ndërro përgjegjësitë dhe përsërite veprimtarinë edhe një herë. Nëse del i njëjti numër, hidhe zarin përsëri.
Merreni parasysh ta përfundoni duke shtuar dëshminë tuaj për gjërat që mund të kenë treguar nxënësit sot.