“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 3: Eksodi dhe Levitiku”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 3: Eksodi dhe Levitiku”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Eksodi 35–40; Levitiku 1; 4; 16; 19: Mësimi 55
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 3
Eksodi dhe Levitiku
Reflektimi për të mësuarit tonë shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të na ndihmojnë të vijmë më pranë Shpëtimtarit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të reflektojnë mbi synimet që kanë vendosur dhe rritjen që kanë përjetuar, gjatë studimit të tyre të kohëve të fundit të Dhiatës së Vjetër.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar atë që kanë mësuar ose mënyrat se si janë rritur shpirtërisht, ndërsa e kanë studiuar Dhiatën e Vjetër këtë vit. Mund të sugjeroni që ata të rishikojnë ditarët e tyre të studimit ose shënimet në shkrimet e tyre të shenjta për t’i ndihmuar të vënë re rritjen dhe të mësuarit e tyre.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Studimi prej nxënësve i librave Eksodi dhe Levitiku mund të jetë përqendruar në rezultate të ndryshme nga ato të vlerësuara në këtë mësim. Nëse është kështu, përshtatini veprimtaritë për të vlerësuar rritjen që përjetuan nxënësit, sipas rezultateve ku u përqendruat në klasën tuaj.
Në këtë mësim, nxënësit do të vlerësojnë rezultatet vijuese:
-
Shpjegoni rolin e profetëve të Zotit. (Shënim: Kjo veprimtari i lejon nxënësit ta përdorin atë që kanë mësuar rreth rolit të profetëve nga cilido prej profetëve në Dhiatën e Vjetër deri tani, të tillë si Adami, Enoku, Noeu dhe Moisiu.)
-
Ndieni një dëshirë më të madhe për t’u mbështetur te Zoti për forcë dhe çlirim. (Shënim: Kjo veprimtari lidhet veçanërisht me Mësimin 47: “Eksodi 16”, por edhe mësimet e tjera mund të jenë të dobishme, të tillë si Mësimi 42: “Eksodi 12–13, Pjesa 1” dhe Mësimi 45: “Eksodi 14”.)
-
Ndiqni profetët e Zotit. (Shënim: Kjo veprimtari lidhet veçanërisht me Mësimin 39: “Eksodi 2–4”.)
Vlerësimi i rritjes sonë shpirtërore
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke vizatuar tri figura ose skica njerëzish në një vijë. Figurat përfaqësojnë tre variante të ndryshme të nxënësve dhe vija përfaqëson kohëzgjatjen e jetës së tyre. Nën çdo figurë njeriu përkatëse, shkruani një etiketë: i kaluar, i tanishëm dhe i ardhshëm. Më pas, ftojeni një nxënës të lexojë thënien vijuese.
Plaku J. Devn Kornish, i Të Shtatëdhjetëve, përshkroi një krahasim që mund të bëjmë për të na ndihmuar të kuptojmë rritjen tonë shpirtërore:
“Nëse duhet të krahasohemi, le të krahasojmë mënyrën se si ishim në të kaluarën me mënyrën se si jemi sot – dhe madje me mënyrën se si duam të jemi në të ardhmen”. (“A Jam Mjaftueshëm i Mirë? A do t’ia Dal?”, Liahona, nëntor 2016, f. 33)
Ftojini nxënësit të mendojnë rreth mënyrave se si ata janë ndryshe sot nga në të kaluarën, ose mënyrave se si ata shpresojnë të jenë ndryshe në të ardhmen. Mund t’i pyesni përse është e dobishme të reflektojnë mbi rritjen ose ta kërkojnë atë. Më pas, ftojini nxënësit të kërkojnë ndihmën e Frymës së Shenjtë ndërsa u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë ke mësuar rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nëpërmjet studimit të Dhiatës së Vjetër që e ka forcuar marrëdhënien tënde me Ta?
-
Çfarë mund të bësh për ta forcuar marrëdhënien tënde me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin ndërsa vazhdon ta studiosh Dhiatën e Vjetër?
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të reflektuar dhe shkruar, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit e gatshëm të flasin. Shpjegoni se pjesa tjetër e mësimit do t’u japë atyre mundësi për të reflektuar mbi disa gjëra specifike që i kanë mësuar dhe zbatuar nga studimi i tyre i kohëve të fundit i Dhiatës së Vjetër.
Shpjego rolin e profetëve të Zotit
Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për të shpjeguar rolin e profetëve të Zotit, merreni parasysh t’i ftoni ata të kujtojnë disa nga profetët që i kanë studiuar deri tani në Dhiatën e Vjetër. Nëse kanë nevojë për ndihmë për t’i kujtuar profetët, mund të paraqitni disa figura të profetëve që keni studiuar.
Më pas, merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në grupe për të plotësuar veprimtarinë e mëposhtme. Mund të caktoni një person në secilin grup që të shkruajë përgjigjet e grupit.
Për të shqyrtuar rolet e ndryshme të profetëve të Zotit, studio disa ose të gjitha fragmentet vijuese. Bëj një listë të çdo roli ose përgjegjësie që sheh, që Zoti u jep profetëve të Tij. Ndërsa studion, mendo rreth arsyes përse është e rëndësishme t’i kuptosh këto role.
-
Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 50:27–28 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta)
-
Eksodi 3:12
-
Eksodi 4:12
Pas studimit të tyre, jepuni nxënësve një mundësi për të shpjeguar rolet e ndryshme të profetëve dhe mënyrat se si profetët na lidhin me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin nëpërmjet këtyre roleve. Për ta bërë këtë, mund të përqendroheni te një nga veprimtaritë vijuese si klasë, ose mund të paraqitni dy ose më shumë mundësi dhe t’i lejoni nxënësit të zgjedhin njërën.
-
Shpjegojua rolin e profetëve të Zotit në një orë mësimore të Fillores fëmijëve shtatëvjeçarë.
-
Shpjegoja rolin e profetëve të Zotit një personi të moshës sate që nuk e di se çfarë është një profet.
-
Shkruaj një zë për termin “Profet” për tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
-
Shkruaj një përshkrim pune për një profet.
-
Krijo një hartë konceptesh. Vizato një rreth në mes të një faqeje dhe shkruaj Profetë brenda tij. Përreth atij rrethi vizato rrathë të tjerë dhe shkruaj në secilin rreth një rol të profetëve ose një arsye përse profetët janë të rëndësishëm. Vizato vija nga rrethi kryesor te secili prej këtyre rrathëve.
Ndiej një dëshirë më të madhe për t’u mbështetur te Zoti për forcë dhe çlirim
Për t’i ndihmuar nxënësit të kujtojnë atë që kanë mësuar më përpara rreth mbështetjes te Zoti për forcë dhe çlirim, paraqitni një figurë të një buke. Ftojini nxënësit të tregojnë atë që mbajnë mend rreth dhuratës nga Zoti të manës për izraelitët. (Për t’i ndihmuar nxënësit të shqyrtojnë, mund të përdorni pyetësorin e vërtetë apo e rreme nga Mësimi 47: “Eksodi 16”. Kërkojuni atyre t’i kujtojnë të vërtetat që mësuan nga Zoti nëpërmjet studimit të hollësive rreth manës.)
-
Si do t’i krahasoje dëshirat e tua të tanishme për t’u mbështetur te Zoti çdo ditë me mënyrën se si u ndjeve disa javë më parë? Nëse vure re përmirësim, çfarë mendon se kontribuoi në atë ndryshim? Nëse nuk vure re përmirësim, çfarë mund të bëje ndryshe?
Pyetjet e tjera që mund të bëni përfshijnë: “Çfarë keni mësuar rreth mënyrës se si duket ose ndihet të mbështetesh te Zoti çdo ditë?” dhe “Ndërsa keni bërë përpjekje për t’u mbështetur te Zoti çdo ditë, çfarë keni mësuar rreth Tij?”
Ndiq profetët e Zotit
Merreni parasysh të tregoni një figurë të një profeti të tanishëm. Kujtojuni nxënësve se në një mësim të mëparshëm (Mësimi 39: “Eksodi 2–4”), ata vendosën një synim për të ndjekur mësimet e profetëve të Zotit në ditët e mëvonshme. Ftojini nxënësit të reflektojnë në heshtje për pyetjet vijuese.
-
Çfarë ke mësuar rreth Zotit dhe profetëve të Tij ndërsa ke vepruar sipas mësimeve të profetëve bashkëkohorë?
-
Çfarë ka shkuar mirë në përpjekjet e tua për t’i ndjekur profetët e Zotit?
-
Çfarë pengesash ke hasur? Çfarë mund të bësh për t’i kapërcyer ato pengesa?
Pas një kohe të mjaftueshme, jepuni nxënësve një mundësi për të folur. Ata mund ta bëjnë këtë me një partner, ose mund t’i ftoni nxënësit e gatshëm të shprehen para klasës.
Nxënësit janë në pika të ndryshme në udhëtimet e tyre të besimit. Disa nxënës në klasë mund të ndihen të pasigurt rreth ndjekjes së profetit. Pyetja vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit ta shprehin atë që kanë mësuar, dhe të japin dëshmi që mund t’i frymëzojnë shokët e klasës që mund të ndihen të pasigurt.
-
Çfarë do të doje të dinte një mik që ka qenë i pasigurt rreth ndjekjes së profetit të Zotit?
Ftojini nxënësit të kërkojnë ndihmën e Frymës së Shenjtë ndërsa përpiqen fort të vazhdojnë të rriten shpirtërisht, të mbështeten te Zoti dhe të ndjekin profetin e Zotit.