“Eksodi 16: Buka e Përditshme”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Eksodi 16: Buka e Përditshme”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Eksodi 14–18: Mësimi 47
Eksodi 16
Buka e Përditshme
Pasi Zoti e çliroi popullin e Tij nga Egjipti, ata njerëz u ndeshën me sfida dhe mundësi të reja për rritje. Izraelitët nuk mund të mbështeteshin më tek egjiptianët për të siguruar për nevoja si ushqimi dhe uji. Nevojitej që ata të mësonin të mbështeteshin te Zoti për nevojat e tyre të përditshme. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mbështeten te Zoti çdo ditë.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të kërkojnë prova të fuqisë së Zotit në jetën e tyre nga tani e deri në orën e ardhshme mësimore. Inkurajojini ata të gjejnë kohë në lutjet e tyre vetjake ose familjare për ta falënderuar Atin Qiellor për ndihmën e Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Nevoja për ushqim të përditshëm
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke diskutuar për gjërat që iu nevojiten trupave tanë çdo ditë. Për shembull, mund të paraqitni pak bukë. Ftojeni një nxënës/e që është i/e uritur, të vijë përpara klasës dhe të hajë pak bukë. Pasi nxënësi/ja të ketë ngrënë, bëjini atij ose asaj pyetjet vijuese:
-
Kur ke ngrënë për herë të fundit?
-
Nëse ke ngrënë tani së afërmi, përse je i/e uritur tani?
-
Përse na duhet të hamë rregullisht?
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e krahasoi ushqyerjen e trupave tanë fizikë me kujdesin për shpirtrat tanë:
“Të gjithë ne e dallojmë nevojën për ushqyerje fizike. Uria dhe etja na e kujtojnë me forcë nëse harrojmë. Por nevoja shpirtërore për ushqyerje është po aq e fortë.” (“Daily Bread: Pattern”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit])
-
Pse mendon se nevoja për t’i ushqyer shpirtrat tanë është po aq e rëndësishme sa kujdesi për trupat tanë?
-
Përse mund të jetë e lehtë t’i anashkalojmë nevojat tona shpirtërore?
Shpenzo ca kohë për të përsiatur për pyetjet vijuese. Merre parasysh t’i shënosh në ditarin tënd të studimit mendimet e tua:
-
A ndien të njëjtën dëshirë për t’u kujdesur për shpirtin tënd çdo ditë siç bën për trupin tënd? Përse po ose përse jo?
-
Çfarë mendon se do të donte Ati Qiellor që të bëje çdo ditë për t’u kujdesur për shpirtin tënd?
Kërko frymëzim për të ditur se çfarë mund të vazhdosh të bësh, ose çfarë mund të ndryshosh, për t’i siguruar shpirtit tënd forcën ditore nga Zoti që i nevojitet.
Mbështetja te Zoti çdo ditë
Pasi kaluan Detin e Kuq, izraelitët “bes[uan] te Zoti dhe te Moisiu shërbëtor i tij” (Eksodi 14:31). Ata kënduan dhe kërcyen për ta lavdëruar Zotin që i çliroi ata (shih tek Eksodi 15:1–21). Megjithatë, lavdërimi i izraelitëve për Zotin nuk zgjati shumë. Ndërsa Moisiu i udhëhoqi drejt malit Sinai, ata u përballën me probleme të ndryshme dhe besimi i tyre u vu në provë.
Lexo tek Eksodi 16:2–4, 11–15, duke kërkuar se si Zoti siguroi për nevojat e izraelitëve.
-
Çfarë gjete?
Merreni parasysh t’u tregoni nxënësve se buka tek Eksodi 16:15 ishte “mana” dhe t’i ftoni ata t’i bëjnë referencë-kryq ose ta lidhin atë me vargjet te Gjoni 6:47–51.
Lexo te Gjoni 6:31–35, 47–51, duke kërkuar atë që Jezusi dha mësim rreth manës.
-
Në çfarë mënyrash mana është e ngjashme me Jezu Krishtin?
-
Në ç’mënyrë është ajo që na ofron Jezusi, pafundësisht më e mirë sesa mana?
Inkurajojini nxënësit të përqendrohen te Jezu Krishti ndërsa studiojnë rreth manës. Një mënyrë për ta bërë këtë është t’u jepni nxënësve fletushkën e titulluar “Bukë nga Qielli”. Nxënësit mund ta plotësojnë fletushkën individualisht ose në grupe të vogla.
Përndryshe, mund të ftoni grupe të vogla nxënësish të lexojnë tek Eksodi 16:14–31, 35 dhe të krijojnë një pyetësor rreth manës. Ata mund të shkruajnë 3–4 pyetje që mund të marrin përgjigje duke lexuar vargjet. Më pas, grupet mund t’i shkëmbejnë pyetësorët me një grup tjetër.
Jepni përgjigjet e sakta pasi nxënësit të kenë mbaruar: 1. E vërtetë; 2. E rreme; 3. E rreme; 4. E vërtetë; 5. E vërtetë; 6. E rreme; 7. E vërtetë; 8. E rreme.
-
Si mund të zbatohen këto hollësi rreth manës për nevojën tonë për ushqim shpirtëror?
-
Çfarë mund të të mësojnë këto hollësi rreth manës për marrjen e ushqimit shpirtëror nga Jezu Krishti?
Nxënësit mund të kenë zbuluar shumë të vërteta me vlerë. Ata mund të tregojnë përse mendojnë se të vërtetat që përcaktuan, janë të rëndësishme. Mund të bëni gjithashtu pyetje të tjera për ndjekjen e ecurisë. Pjesa tjetër e këtij mësimi do të përqendrohet tek e vërteta vijuese: kur mbështetemi te Zoti çdo ditë, Ai do të na bekojë me ushqimin shpirtëror që na nevojitet. (Shënim: Nxënësit do të reflektojnë mbi dëshirën e tyre për t’u mbështetur te Zoti në Mësimin 55: “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 3”. Nëse ndieni mbresën për t’u përqendruar te një e vërtetë tjetër për pjesën e mbetur të këtij mësimi, sigurohuni që të bëni përshtatjet përkatëse kur jepni Mësimin 55.)
Për të thelluar kuptueshmërinë e nxënësve për nevojën tonë të përditshme për Jezu Krishtin, mund të jepni thënien vijuese ose të shihni “Daily Bread: Pattern” [“Buka e Përditshme: Modeli”] (2:51), në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.
Plaku Kristoferson foli për nevojën tonë për ushqim shpirtëror të përditshëm nga Zoti:
“Nuk duhet të mendojmë se mund të qëndrojmë javë dhe muaj pa ushqim shpirtëror dhe të mos vuajmë e të mos kemi një ndikim negativ në jetën tonë shpirtërore. Pranimi i realitetit për nevojën tonë për administrim shpirtëror të përditshëm, ose mana, na ndihmon ta rritim kurajën për të bërë gjënë e drejtë dhe për t’u shërbyer të tjerëve më shumë sesa do ta kishim bërë po ta shpërfillnim Perëndinë.” (“Daily Bread: Pattern”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit])
-
Përse është mbështetja te Zoti çdo ditë më e mirë se përvojat shpirtërore të fuqishme rastësore?
Buka e përditshme
Jepni udhëzimet e mëposhtme. Përveç fragmenteve të sugjeruara të shkrimeve të shenjta, nxënësit mund të kërkojnë thënie nga udhëheqësit e Kishës duke kërkuar fjalë ose fraza si “i/e përditshëm/me” ose “çdo ditë” te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Në ditarin tënd të studimit, emërtoje një faqe “Buka e Përditshme: Jezu Krishti”. Në mes të faqes, vizato një bukë. Studioji shkrimet e shenjta vijuese, duke kërkuar gjërat që mund të bëjmë çdo ditë për t’u mbështetur te Zoti dhe për të marrë ushqim shpirtëror. Shkruaje atë që gjen përreth vizatimit tënd të bukës.
-
Ligji i Përtërirë 8:3
-
Ftojini nxënësit ta diskutojnë atë që gjetën, duke bërë pyetje si vijueset. Mund t’i inkurajoni nxënësit të shtojnë ide në ditarët e tyre të studimit ndërsa mësojnë nga shokët e tyre të klasës.
-
Cili nga këto veprime të ka ndihmuar ta ftosh Bukën e Jetës, Jezu Krishtin, në jetën tënde të përditshme? Si të ka ushqyer ose forcuar Ai si rezultat i kësaj?
-
Përveç asaj që gjete në shkrimet e shenjta, çfarë gjërash të tjera përpiqesh të bësh çdo ditë për t’u mbështetur te Zoti?
-
Çfarë do t’i thoshe dikujt që ndien se nuk ka nevojë t’i bëjë këto gjëra?
Nëse e lejon koha, merreni parasysh të këndoni një himn me klasën rreth nevojës sonë për Zotin, të tillë si “Çdo Or’ më Duhesh Ti” (Himne, nr. 51). Nxënësit mund të tregojnë vargje nga himni që janë kuptimplota për ta.
Shikoje listën që shkrove përreth bukës në ditarin tënd të studimit. Rretho një ose dy ide që ti e ndien se Zoti do të donte të nisje t’i bëje ose t’i bëje ndryshe për t’u mbështetur më mirë tek Ai çdo ditë. Më pas përgjigju për sa vijon:
-
Kur dhe ku do ta bësh këtë gjë çdo ditë?
-
Çfarë sfidash do të të nevojitet të kapërcesh për ta bërë këtë zakon një pjesë të rutinës sate të përditshme? Si do t’i kapërcesh këto sfida?
-
Si mendon se bërja e kësaj gjëje çdo ditë mund të ndikojë në marrëdhënien tënde me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin me kalimin e kohës?
Përfundojeni duke dhënë mendimet dhe duke treguar ndjenjat tuaja rreth nevojës sonë për t’u mbështetur te Zoti çdo ditë. Kërkoni mundësi në mësimet e ardhshme për të ndjekur ecurinë e përpjekjeve të nxënësve. Gjithashtu, mund t’i përditësoni periodikisht nxënësit tuaj mbi përpjekjet tuaja të përditshme për t’u mbështetur te Zoti.