“Eksodi 19–20; 24; 31–34: Vështrim i Përgjithshëm”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Eksodi 19–20; 24; 31–34: Vështrim i Përgjithshëm”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Eksodi 19–20; 24; 31–34
Eksodi 19–20; 24; 31–34
Vështrim i Përgjithshëm
Pasi i çliroi izraelitët nga Egjipti, Jehova i çoi në malin Sinai. Atje, Ai i ftoi ata të bënin një besëlidhje me Të për t’u bërë një “komb i shenjtë” (Eksodi 19:6). Moisiu u ngjit në mal për të marrë fjalën e Zotit për popullin. Zoti zbuloi Dhjetë Urdhërimet dhe populli premtoi të bindej. Moisiu u kthye në mal për të marrë më shumë udhëzime. Ndërsa ishte në mal, disa nga izraelitët e shkelën besëlidhjen e tyre me Zotin duke bërë dhe adhuruar një viç të artë. Moisiu u kthye dhe e qortoi popullin për ligësinë e tij. Pasi izraelitët vuajtën pasojat për shkeljen e besëlidhjes së tyre, Zoti u kujtoi atyre se Ai është i drejtë, i mëshirshëm dhe i ngadaltë në zemërim.
Ndihmojini nxënësit t’i dallojnë dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Zotit në jetën e tyre. Jo vetëm që është e nevojshme të dimë rreth dashurisë, fuqisë dhe mëshirës së Zotit, por na nevojitet gjithashtu t’i përjetojmë ato. Ndërsa jepni mësim, kërkoni mundësi për t’i ndihmuar nxënësit ta dallojnë dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Zotit. Ndihmojini ata të dallojnë shembuj në shkrimet e shenjta dhe përvoja në jetën e tyre. Tërheqja e vëmendjes së nxënësve te dashuria, fuqia dhe mëshira e Zotit do t’i ndihmojë ata të kuptojnë dhe ndiejnë se si Zoti mund t’i bekojë dhe ndihmojë ata. Një shembull i mënyrës se si ta bëni këtë, mund të gjendet në Mësimin 51: “Eksodi 24; 31–34”. Për të mësuar më shumë, shihni pjesën “Ndihmojini Nxënësit ta Dallojnë Dashurinë, Fuqinë dhe Mëshirën e Zotit në Jetën e Tyre” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2022], f. 8).
Përgatituni të jepni mësim
Informacioni i mëposhtëm ju siguron ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitni paraprakisht për çdo mësim.
Eksodi 19
Qëllimi i mësimit: T’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë dëshirën e Perëndisë për të pasur një marrëdhënie besëlidhëse me ta.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të reflektojnë mbi atë që e bën një marrëdhënie kuptimplotë ose të rëndësishme. Ata mund të mendojnë për dikë me të cilin kanë një marrëdhënie kuptimplotë dhe mund të sjellin një fotografi të këtij personi për ta treguar në fillim të orës mësimore.
-
Sende për t’u paraqitur: Një fotografi e dikujt me të cilin keni një marrëdhënie kuptimplotë, të tillë si një pjesëtar i familjes ose një këshillues
Eksodi 20:1–11
Qëllimi i mësimit: T’i ndihmojë nxënësit ta duan dhe nderojnë Perëndinë mbi çdo gjë tjetër.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të renditin disa nga urdhërimet e Perëndisë. Ftojini ata të diskutojnë me një pjesëtar të familjes ose shok se si urdhërimet që renditën, i ndihmojnë ata ta tregojnë dashurinë e tyre për Perëndinë dhe ta vënë Atë të parin në jetën e tyre.
-
Fletushkë: “Urdhërimet që na Ndihmojnë ta Duam Perëndinë dhe ta Vëmë Atë të Parin”
Eksodi 20:12–17
Qëllimi i mësimit: T’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë mënyra për t’i zbatuar urdhërimet që do t’i ndihmojnë ata ta duan Perëndinë dhe të afërmin e tyre.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta vënë në provë njohurinë e tyre për Dhjetë Urdhërimet. Ata mund të punojnë për t’i vendosur ato sipas rendit ose për t’i thënë ato përmendsh.
-
Materiale për nxënësit: Kopje të broshurës Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022)
-
Fletushkë: “Urdhërimet që na Ndihmojnë ta Duam të Afërmin Tonë”
Eksodi 24; 32–34
Qëllimi i mësimit: T’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se Zoti është i drejtë, i mëshirshëm dhe i ngadalshëm në zemërim.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin se si e kanë parë drejtësinë, dashurinë dhe durimin e Zotit në jetën e tyre. Mund t’i ftoni ata të flasin me një pjesëtar të familjes ose shok rreth mënyrës se si drejtësia dhe mëshira e Zotit punojnë së bashku për t’i bekuar të gjithë fëmijët e Tij.
-
Figurë: Një figurë e Shpëtimtarit
-
Material filmik: “Jini të Vërtetë ndaj Perëndisë dhe Veprës së Tij” (13:53) nga kodi kohor 11:05 deri në 11:42