“Eksodi 24; 32–34: Drejtësia, Mëshira dhe Durimi i Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Eksodi 24; 32–34: Drejtësia, Mëshira dhe Durimi i Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Eksodi 19–20; 24; 31–34: Mësimi 51
Eksodi 24; 32–34
Drejtësia, Mëshira dhe Durimi i Zotit
Si kanë vepruar së bashku drejtësia, mëshira dhe durimi i Shpëtimtarit për ta bekuar jetën tënde? Kur Moisiu u kthye nga prania e Zotit, ai zbuloi se izraelitët i kishin shkelur besëlidhjet që kishin bërë, dhe po adhuronin një viç të artë. Izraelitët i vuajtën pasojat e këtij mëkati, por Zoti tregon drejtësinë, mëshirën dhe durimin e Tij ndaj atyre që pendohen dhe kthehen tek Ai. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se Zoti është i drejtë, i mëshirshëm dhe i duruar.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin se si e kanë parë drejtësinë, dashurinë dhe durimin e Zotit në jetën e tyre. Mund t’i ftoni ata të flasin me një pjesëtar të familjes ose shok rreth mënyrës se si drejtësia dhe mëshira e Zotit punojnë së bashku për t’i bekuar të gjithë fëmijët e Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Zoti është i drejtë, i mëshirshëm dhe i duruar
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Shpëtimtarit. Diskutoni pyetjen vijuese.
-
Cilën fjalë do të përdorje për të përshkruar karakterin e Shpëtimtarit?
Ftojini nxënësit ta shkruajnë fjalën e tyre në tabelë. Merreni parasysh të përzgjidhni nja dy shembuj dhe t’i ftoni nxënësit që i shkruan fjalët, të përshkruajnë përse e zgjodhën atë cilësi të Shpëtimtarit.
Për t’i ndihmuar fëmijët e Izraelit ta kuptojnë Atë, Zoti zbuloi disa elemente thelbësore të karakterit të Tij.
Lexo tek Eksodi 34:6–7, duke kërkuar cilësitë e Shpëtimtarit.
-
Çfarë zbulove?
Ndër cilësitë që nxënësit mund të përcaktojnë, theksoni të vërtetën që Zoti është i drejtë, i mëshirshëm dhe i duruar. Mund t’i ndihmoni nxënësit të kuptojnë se “i ngadalshëm në zemërim” (vargu 6) përshkruan durimin e Zotit me ne.
Mund t’u tregoni nxënësve se ata do të studiojnë se si fëmijët e Izraelit e përjetuan drejtësinë, mëshirën dhe durimin e Zotit. Ata do të studiojnë edhe përse është e rëndësishme që ne t’i kuptojmë këto të vërteta rreth Zotit.
Izraelitët janë populli i besëlidhjes së Zotit
Skenari vijues përdoret gjatë gjithë mësimit për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se si historia e izraelitëve mund të ketë lidhje me të rinjtë sot. Skenari përdor emrin “Keti”, por ju mund t’i ftoni nxënësit të përzgjedhin një emër dhe t’i shtojnë ose ndryshojnë hollësitë e historisë.
Keti, një e re në shkollën tënde, ka mësuar rreth ungjillit të Shpëtimtarit dhe ka vendosur të bëjë ndryshimet e nevojshme për t’u pagëzuar në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo dëshiron të bëjë një besëlidhje me Perëndinë për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.
Ndihmojini nxënësit të kujtojnë se pas çlirimit të tyre nga Egjipti, Zoti i solli fëmijët e Izraelit në malin Sinai për të bërë një besëlidhje me Të.
Lexo tek Eksodi 24:3–8, duke kërkuar se si izraelitët mund të jenë ndier njëlloj si Keti.
-
Çfarë të bën përshtypje?
Mund të jetë e dobishme t’u shpjegoni nxënësve se spërkatja e gjakut mbi altar dhe mbi njerëzit (shihni tek Eksodi 24:6, 8) ishte një paraqitje simbolike, fizike që izraelitët ishin të gatshëm të ishin populli i besëlidhjes së Zotit.
Zoti dëshiroi t’i bekonte fëmijët e Izraelit me ordinancat e Priftërisë Melkizedeke (shih te Doktrina e Besëlidhje 84:19–23). Moisiu u kthye në malin Sinai për të marrë udhëzimet e Zotit për këto ordinanca dhe plane për tabernakullin.
Shkelja e besëlidhjeve tona dhe pasojat
Lexo tek Eksodi 32:1–8, duke kërkuar atë që bënë izraelitët ndërkohë që Moisiu ishte në mal duke marrë drejtim nga Perëndia.
-
Çfarë zbulove?
-
Pse mendon se bërja dhe adhurimi i viçit të artë ishte një mëkat kaq i rëndë? (Shih tek Eksodi 20:2–7.)
Sigurohuni që nxënësit të kuptojnë se izraelitët e shkelën besëlidhjen që sapo kishin bërë me Zotin.
Mund të tregoni një pjesë tjetër të skenarit që përngjan me atë që ndodhi me fëmijët e Izraelit dhe ka më shumë lidhje me të rinjtë. Nxënësit mund të japin shembuj të asaj që mund të ketë bërë Keti për të shkelur besëlidhjen që bëri në pagëzim për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë.
Pas pagëzimit të saj, Keti filloi të kalonte kohë me shokët e saj të vjetër dhe kjo e çoi te zakonet e vjetra. Në fillim, gabimet që bëri, dukeshin të vogla. Megjithatë, pa kaluar shumë kohë, ajo u kthye te zakonet e saj të vjetra. Ajo e shkeli besëlidhjen që kishte bërë në pagëzim.
-
Çfarë mund të ketë ndikuar në vendimin e Ketit?
Ligji i Zotit për drejtësinë
Lexo tek Eksodi 32:15–20, duke kërkuar pasojat që vuajti Izraeli për shkak të mëkatit të tij.
-
Çfarë gjete?
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se, megjithëse ne mund ta përdorim lirinë e zgjedhjes për të mëkatuar, Zoti është i drejtë. Prandaj, ne nuk mund t’u shpëtojmë pasojave të mëkateve tona. Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se Moisiu i theu pllakat që përmbanin udhëzimet për ordinancat e Priftërisë Melkizedeke (shihni tek Eksodi 32:15–19; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Eksodi 34:1–2 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Për shkak të vendimeve të tyre, fëmijët e Izraelit nuk ishin të denjë t’i merrnin këto bekime nga Zoti. Moisiu u kthye në praninë e Zotit. Zoti e udhëzoi Moisiun që në vend të kësaj të vendoste ordinancat e Priftërisë Aarone (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:24–26). Mund të përmendni edhe se Moisiu e vendosi tabernakullin jashtë kampit (shihni tek Eksodi 33:7), që simbolizon se Izraeli e humbi praninë e Zotit.
-
Cilat janë disa nga pasojat shpirtërore dhe materiale që mund të hasë Keti për shkeljen e besëlidhjes së saj të pagëzimit?
-
Si e tregojnë pasojat drejtësinë, mëshirën dhe durimin e Zotit?
Nëse dëshironi, mund të vini në dukje se, ashtu si izraelitët, Keti mund të humbasë bekimet që vijnë nga ordinancat e priftërisë. Ajo mund të humbasë edhe shoqërimin e vazhdueshëm të Shpirtit të Zotit.
Ligji i Zotit për mëshirën
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se Zoti e siguroi Izraelin se ai ishte ende populli i Tij (shihni tek Eksodi 33:12–19).
Shqyrto vargjet tek Eksodi 34:6–7 dhe mendo se pse mund të ketë qenë e rëndësishme për Zotin që t’u kujtonte fëmijëve të Izraelit që Ai është i drejtë, i mëshirshëm dhe i duruar.
-
Si e tregoi Zoti mëshirën dhe durimin e Tij me fëmijët e Izraelit?
-
Si mund ta shohë Keti mëshirën dhe durimin e Zotit në jetën e saj?
Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi mënyrën se si mëshira e Shpëtimtarit e përmbush ligjin e drejtësisë:
“Pa Shlyerjen e Shpëtimtarit, parimi i përjetshëm i drejtësisë do të kërkonte dënimin. Për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit, mëshira mund të triumfojë për ata që janë penduar, dhe mund t’u lejojë të kthehen në praninë e Perëndisë. Do të bënim mirë ta përsiatnim këtë doktrinë të mrekullueshme.
Askush nuk mund të kthehet te Perëndia vetëm nëpërmjet veprave të veta të mira; të gjithëve na nevojitet dobia e flijimit të Shpëtimtarit. Të gjithë kanë mëkatuar dhe vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit mund të marrim mëshirë dhe të jetojmë me Perëndinë.” (“Jini të Vërtetë ndaj Perëndisë dhe Veprës së Tij”, Liahona, nëntor 2022, f. 119)
-
Cilat pjesë të kësaj thënieje mund t’ia tregoje Ketit?
Bërja e pyetjeve që i ndihmojnë nxënësit të kuptojnë mënyrën se si Zoti e tregon dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Tij në jetën e tyre, mund ta rritë lidhjen e tyre me Të. Një mënyrë për ta bërë këtë është t’i ftoni nxënësit t’i përgjigjen pyetjes vijuese.
Për trajnim shtesë, shihni pjesën “Ndihmojini nxënësit t’i dallojnë dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Zotit në jetën e tyre” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.
-
Çfarë prove të drejtësisë, mëshirës dhe durimit të Shpëtimtarit ke parë në jetën tënde ose në jetën e dikujt që ti njeh?
Trego kuptueshmëri
Kjo veprimtari mund t’i ndihmojë nxënësit të përmbledhin atë që kanë mësuar sot. Mund t’i ftoni ata ta përfundojnë historinë e Ketit. Merreni parasysh t’i paraqitni nxitjet vijuese që nxënësit t’i plotësojnë.
-
Për shkak të përvojave të saj, Keti mund të ketë mësuar se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti .
-
Për shkak të asaj që mësoi rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, Keti vendos të .
Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës të gatshëm t’i tregojnë klasës se si mund ta përfundojnë historinë e Ketit. Pasi nxënësit të kenë pasur mundësi për t’i treguar përgjigjet e tyre, mund të tregoni se si e keni parë drejtësinë, mëshirën dhe durimin e Zotit në jetën tuaj.