“Eksodi 14: ‘Mos Kini Frikë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Eksodi 14: ‘Mos Kini Frikë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Eksodi 14–18: Mësimi 45
Eksodi 14
“Mos Kini Frikë”
Ne mund të ndihemi të pashpresë ndonjëherë, ashtu siç mund të jenë ndier izraelitët ndërkohë që ishin të bllokuar ndërmjet Detit të Kuq dhe ushtrisë së faraonit. Megjithatë, këshilla e Moisiut për ta ende gjen zbatim për ne sot: “Mos kini frikë, qëndroni dhe çlirimi do të vijë nga Zoti” (Eksodi 14:13). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë dëshirën për ta vendosur mirëbesimin e tyre te Zoti për forcë dhe çlirim.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë tek Eksodi 14:13–14 dhe të marrin parasysh aspekte të jetës së tyre ku mund t’i ndihmojnë këto vargje.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
I rrethuar nga sprovat
Ndihmojini nxënësit të reflektojnë mbi sfidat në jetën e tyre që mund t’i bëjnë ata të ndihen të mbingarkuar ose të bllokuar. Një mënyrë për ta bërë këtë është të jepni thënien vijuese nga Vëllai Milton Kamargo, i Presidencës së Përgjithshme të Shkollës të së Dielës. Mund të shkruani këshillën e babait të tij në qendër të tabelës.
Vëllai Milton Kamargo, Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës, dha këshillën nga babai i tij:
“Im atë e kishte zakon të më thoshte: ‘Mos u përqendro aq fort te problemet e tua saqë nuk mund ta shohësh zgjidhjen’”. (“Përqendrohuni te Jezu Krishti”, Liahona, maj 2023, f. 64)
Kërkojuni nxënësve të tregojnë atë që mendojnë se po jepte mësim babai i Vëllait Kamargo. Më pas ftojini ata të shkruajnë përreth thënies në tabelë çdo problem, sfidë ose sprovë për të cilën mund ta kenë të vështirë të shohin zgjidhje.
Nxënësit mund t’i përgjigjen pyetjes së parë nga pyetjet vijuese me zë të lartë. Me pyetjen e dytë, mund të jetë diçka e urtë t’i ftoni ata t’i përsiatin në heshtje përgjigjet e tyre.
Përsiat për rastet kur mund të jesh ndier sikur nuk kishte asnjë zgjidhje për problemet me të cilat je përballur.
-
Cilat janë disa mënyra se si një person mund të reagojë në rrethana të tilla?
-
Si reagon ti zakonisht në rrethana të tilla?
Ndërsa studion kapitullin tek Eksodi 14 sot, kërko frymëzim nga Fryma e Shenjtë për të të ndihmuar ta rritësh dëshirën për të mirëbesuar te Zoti ndërsa përballesh ose përgatitesh të përballesh me sfida dhe sprova.
Gjendja e vështirë e izraelitëve
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë situatën e izraelitëve tek Eksodi 14, paraqitni ose ndihmojini ata të gjejnë hartën 2 te Harta e Fotografi të Biblës, që gjendet te Ndihma për Studimin në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Ndërsa jepni paragrafin vijues, ftojini nxënësit të gjejnë vendndodhjen e Pi-Hahirothit (nr. 3) në hartë.
Ndërsa fëmijët e Izraelit dilnin nga Egjipti, Zoti e urdhëroi Moisiun t’i udhëhiqte ata drejt Pi-Hahirothit (Eksodi 14:2). Pak pasi i la izraelitët të shkonin, faraoni e kuptoi se “shkretëtira i mban[te] të mbyllur” (Eksodi 14:3), ndaj e ngurtësoi zemrën e tij dhe i ndoqi nga pas.
Presidenti Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi sa vijon në lidhje me rrethanat e izraelitëve.
“Fëmijët e Izraelit [ishin në një] situatë të tmerrshme. … Kishte karroca pas tyre, duna rëre në çdo anë dhe shumë ujë pikërisht përpara. … Në këtë rast ajo ishte me të vërtetë një çështje jetë a vdekje.” (“Cast Not Away Therefore Your Confidence”, Ensign, mars 2000, f. 9)
Për t’i ndihmuar nxënësit ta përfytyrojnë këtë rrëfim, mund t’u tregoni atyre figurën vijuese të Detit të Kuq. Ftojini ata të imagjinojnë sikur të ishin në mesin e izraelitëve në këtë çast.
-
Si mund të kishe reaguar në këto rrethana?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të krahasojnë dhe ballafaqojnë reagimin e izraelitëve ndaj rrethanave me reagimin e Moisiut. Vënia re e ngjashmërive dhe ndryshimeve ndërmjet njerëzve, mësimeve dhe ngjarjeve në shkrimet e shenjta është një zotësi e rëndësishme e studimit të shkrimeve të shenjta. Bërja e këtyre krahasimeve mund t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë të vërteta të rëndësishme të ungjillit që përndryshe mund të mos i shihnin. Mund të doni të shpjegoni shkurtimisht zotësinë e krahasimit dhe ballafaqimit. Ftojini nxënësit ta ushtrojnë atë në veprimtarinë vijuese të studimit.
Në ditarin tënd të studimit, krijo një tabelë të vogël me dy kolona. Emërtoje njërën kolonë Izraelitët dhe tjetrën Moisiu.
Lexo tek Eksodi 14:10–14, duke kërkuar atë që thanë izraelitët dhe atë që tha Moisiu. Përmblidhe atë që gjen në kolonën e duhur.
-
Ku u përqendruan izraelitët në këto rrethana? Ku u përqendrua Moisiu?
-
Çfarë vëren nga krahasimi i asaj që thanë ata?
-
Çfarë mëson nga ky tregim që mund të të ndihmojë në sfidat e tua?
Ndër të vërtetat e tjera që nxënësit mund t’i tregojnë, ndihmojini ata të shohin sa vijon: Përqendrimi te Jezu Krishti mund ta rritë shpresën tonë gjatë sfidave dhe sprovave.
-
Çfarë problemesh mendon se mund të ndodhin nëse përqendrohemi vetëm te sfidat dhe sprovat tona?
Përqendrimi te Krishti
Merreni parasysh të jepni pjesën e mbetur të thënies së Vëllait Kamargo nga fillimi i mësimit.
Vëllai Kamargo dha sa vijon për fuqinë e përqendrimit te Jezu Krishti:
“Im atë e kishte zakon të më thoshte: ‘Mos u përqendro aq fort te problemet e tua saqë nuk mund ta shohësh zgjidhjen’.
Unë dëshmoj se Zoti Jezu Krisht është zgjidhja madje dhe për problemet tona më të vështira.” (“Përqendrohuni te Jezu Krishti”, Liahona, maj 2023, f. 64)
-
Përse mendon se përqendrimi te Jezu Krishti është i dobishëm kur ndihemi të rrethuar ose të bllokuar nga sfidat ose sprovat tona?
Për të treguar atë që dha mësim Vëllai Kamargo, ftojini nxënësit që fillimisht ta përqendrojnë mendjen te sfidat që shkruan në tabelë. Vërini ata të përqendrohen tek ato sfida për 30 sekonda. Pastaj kërkojuni atyre të përsiatin se si ndihen.
Më pas, vendosni një figurë të Jezu Krishtit përpara klasës. Ftojini nxënësit t’i përqendrojnë mendimet e tyre vetëm te fuqia dhe dashurinë e Tij për 30 sekonda. Ftojini nxënësit tʼi shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjen vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë ndryshimi mund të vësh re kur përqendrohesh te Jezu Krishti dhe fuqia e Tij më shumë sesa te sfidat me të cilat përballesh?
Paraqitni pyetjet më poshtë dhe ndajini nxënësit në dyshe ose grupe të vogla. Ftojini ata të zgjedhin dy ose tri nga sfidat në tabelë dhe t’i diskutojnë këto pyetje.
-
Në ç’mënyra mund të jetë Jezu Krishti një zgjidhje për problemet, sfidat ose sprovat që zgjodhe?
-
Si mund të veprojë një person me besim te Jezu Krishti gjatë asaj sfide, problemi ose sprove të caktuar?
Ftojini nxënësit e gatshëm ta tregojnë atë që mësuan ose ndien.
Fuqia e madhe e Zotit
Merreni parasysh t’i vini nxënësit t’i lexojnë vargjet vijuese individualisht ose në dyshe. Nxënësit gjithashtu mund ta vizatojnë atë që lexojnë në ditarët e tyre të studimit.
Nëse është e dobishme për nxënësit, mund të ftoni disa nxënës të interpretojnë shkurtimisht vargjet 19–22. Për shembull, mund të krijoni një pengesë të vogël që mund të hiqet ose ndahet, duke i lejuar nxënësit të kalojnë përmes saj.
Një mundësi tjetër është të shfaqni materialin filmik vizatimor “The Passover” [“Pashka”] nga kodi kohor 1:28 deri në 2:32. Ky material filmik gjendet në ChurchofJesusChrist.org.
Lexo tek Eksodi 14:15–31, duke kërkuar mënyrën se si Zoti luftoi për izraelitët dhe i çliroi ata.
-
Çfarë të frymëzon nga ky rrëfim?
-
Çfarë gjete që të ndihmon të duash ta vendosësh mirëbesimin tënd te Zoti?
Forcë dhe çlirim vetjak
Pyetja e radhës mund të jetë në fillim e vështirë për nxënësit që t’i përgjigjen. Të dëgjuarit e përvojave të të tjerëve mund t’i ndihmojë ata të mendojnë për veten. Mund të doni të tregoni një përvojë që ju ose dikush që e njihni ka pasur, që mund të ndihmojë t’i përgjigjet pyetjes. Ose shfaqni një material filmik si vijuesi që përshkruan rëndësinë e përqendrimit te Shpëtimtari gjatë sprovave tona:
“Finding Christ during Difficult Times” [“Gjetja e Krishtit gjatë Kohëve të Vështira”] (4:35)
Të dyja materialet filmike janë në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Si të ka ndihmuar ty ose dikë që ti njeh përqendrimi te Jezu Krishti gjatë një sfide ose sprove?
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se ndonjëherë mund të mos çlirohemi nga sfidat tona në mënyrat që presim. Megjithatë, përqendrimi te Jezu Krishti mund të na ndihmojë të gjejmë shpresë dhe forcë pavarësisht se me çfarë po përballemi.
Merreni parasysh ta përmbyllni duke dhënë dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe rëndësinë e përqendrimit tek Ai gjatë sprovave tona. Mund të merrni parasysh ta përfshini thënien më poshtë në dëshminë tuaj.
Vëllai Kamargo dëshmoi se Shpëtimtari mund të na ndihmojë:
“Zoti Jezu Krisht jeton sot. Ai mund të jetë një prani aktive dhe e përditshme në jetën tonë. Ai është zgjidhja e problemeve tona, por ne duhet t’i ngremë sytë dhe ta ngulitim vështrimin për ta parë Atë. Ai ka thënë: ‘Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë’ [Doktrina e Besëlidhje 6:36].” (“Përqendrohuni te Jezu Krishti”, Liahona, maj 2023, f. 67)